Europë! Luftë je për atdheun tim në çdo kohë!
Fqinjtë tanë s'i bën dot miq me verë të kuqe,
as me oxhak të ngrohtë apo të puthura të sinqerta.
Ata i kënaq vetëm po t'u dhurosh veshkat apo gishtin e unazës.
Ja kështu i ankohem miqve të mij holandezë,
teksa rufis kafenë përballë Gjykatës së Hagës!
Por edhe kur ua ke dhuruar veshkën dhe gishtin e unazës,
ata prapseprapë nuk kënaqen.
Atëherë udhëheqësit tanë bujarë pranojnë prej tyre si dhuratë,
kafazin e zvogëluar të shqiponjës në një valixhe me kyç të artë!
Europë, oj ëndërr shekullore e vyer.
Luftë je për atdheun tim në çdo kohë!
Në kohë skizofrenike ëndërron t'ia shkulesh atij zemrën.
Në kohë paqjeje mësyn t'ia grabitësh veshkat e gishtin e unazës.
Por zemrën s'ke për tia grabitur dot, kaq ta bësh dhëmbin.
Zemrën mëmëdheut tim, jo, jo s'ia shkul dot!
Sepse në venat e tij gulçon gjaku yt, i sertë e i lashtë!
Vampirët e mënçur s'ia pijnë kurrë gjakun njëri-tjetrit?!
Fqinjtë tanë i qytetëron vetëm po ta duash atdheun.
Vetëm kështu ua zhduk atyre instiktin kafshëror.
Atëherë ata të respektojnë si një kafshë
që e meriton egzistencën e denjë në xhunglën njerëzore...
Rezart Palluqi
Holandë, 10 tetor 2009
Krijoni Kontakt