Close
Faqja 6 prej 6 FillimFillim ... 456
Duke shfaqur rezultatin 51 deri 54 prej 54
  1. #51
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Ish-perandori rrëfen sekretet e kurorëzimit të Princ Vidit


    Uilliam Hohenzollern*

    (Vijon nga numri i kaluar)

    Unë nuk isha plotësisht i kënaqur kur u zgjodh alternativa e Princit Uilliam Vidi. Unë e vlerësoj atë për vlerat e çmuara, si një personalitet i shquar dhe fisnik. Princi kishte thuajse pak njohuri rreth çështjeve ballkanike për të qenë i aftë që ta ndërmarrë këtë detyrë mbretërore, me shpresën për të qenë i suksesshëm. Ishte veçanërisht e pakëndshme për mua që një princ gjerman të trajtohej si budalla që në fillimin të kësaj pune, kur marrëveshja mund të shmangte të gjitha vështirësitë në rrugëtimin e tij. E shtruar në këtë mënyrë nga Princi, unë i parashtrova kushëririt tim të gjitha dyshimet e mia; stresin në vështirësitë që e prisnin atë dhe e këshillova menjëherë që ta refuzonte këtë detyrë. Unë nuk mund ta urdhëroja më atë, që kur Princ Vidi, tashmë si kryefamiljar, ishte në fjalët e fundit të kësaj pune.
    Princi, dëshirë princeshash
    Pas pëlqimit të kandidaturës së Princit, e ofruar nga Fuqitë e Mëdha, unë e mora atë në një takim në prani të kancelarit. Unë dhe kancelari u ndodhëm përballë njëfarë pavendosmërie në lidhje me Princin, ku sillnim nëpër mend detyrën e tij të re, me gjithçka; por në anën tjetër, entuziazmin dhe vendosmërinë në përpjekjen e vështirë, ashtu siç kishim bërë dikur, që t’i kthejmë mendjen kandidatit të ri për shpikjen e “fronit” shqiptar që së fundi, e lartësonte atë në detyrë. Por më kot. Në mënyrë mistike, ambiciet e nxitën bashkëshorten e Princit që të shohë në Shqipëri përmbushjen e dëshirave të saj. Dhe, siç thonë, dëshirat e grave janë si dëshira hyjnore.
    Gjithashtu, edhe Carmen Sylva (mbretëresha e Rumanisë) punoi që Princi të pranonte kurorën. Madje ajo shkoi shumë më larg. Në fakt, ajo publikoi një artikull në gazeta, duke e nisur kështu: “Fairyland wants its Prince” (Vendi magjik do Princin e tij).
    Madje kjo nënkuptonte paralajmërimet më të mira të kësaj kotësie. Po ashtu, unë isha këshilluar në mënyrë të matur që Princi të mos shkonte në Shqipëri përpara se të zgjidhte çështjen financiare. Këtë e pata menduar qëkur ishte shtruar çështja dhe unë pata sugjeruar zgjedhjen e një sunduesi të pasur, por tani kjo m’u plas në fytyrë. Princi nuk ishte shumë i pasur dhe Fuqitë ishin zotuar që ta pajisnin atë me një “donacion”. Që në fillim dolën në skenë sherre të pakëndshme përsa i përket shumës dhe mënyrës së pagesës.
    Esat Pasha, rrezik për Princin
    Rreziku që fshihej nën rrogoz për Princin dhe qeverinë e mundshme të tij në të ardhmen ekzistonte pikërisht te Esat Pasha, një ushtarak i pasigurt, i babëzitur dhe intrigant, që vetë ai ishte shkurorëzuar nga froni shqiptar dhe mbante rreth e rrotull tij një numër mbështetësish të armatosur. Që në fillim ai ishte një kundërshtar i Princit të ri dhe organizoi komplote në mënyrë sekrete, bashkë me Italinë, të cilat nuk ishin në favor të Princ Vidit.
    Tani kjo çështje mund të duket thuajse e natyrshme. Por, sigurisht, problemi qëndronte nëse sunduesi i ri do të merrte me vete në suitën e tij njerëz nga Gjermania, për të cilët ai duhej të ishte i bindur se janë të besuarit e tij. Ai nuk e bëri këtë. Një anglez dhe një italian ishin bashkëngjitur në stafin e tij si sekretarë dhe ata nuk bënë asgjë tjetër më mirë sesa të punonin kundër interesave të tij; ta këshillonin keq atë dhe të intrigonin kundër tij.
    Paralajmërimet para nisjes
    Gjatë kohës që Princi ishte duke bërë përgatitjet e tij, u botua një pamflet i shkruar në mënyrë të shkëlqyer nga një oficer i Shtabit të Përgjithshëm të Austrisë në lidhje me udhëtimin e tij në Shqipëri, oficeri përshkruan në mënyrë të gjallë dhe stil të qartë vështirësitë gjeografike dhe klimaterike, popullsinë dhe zakonet, varfërinë e madhe dhe prapambetjen e vendit. Ai nxjerr në pah se sunduesi i ardhshëm i vendit nuk duhet të banojë në zonat pranë bregdetit dhe të udhëtojë nëpër Shqipëri. Kjo për shkak se ka vetëm mjete primitive transporti. Ai vijon se “zoti i vendit, për të takuar njerëzit që të ndikojë në opinion dhe të krijojë mbështetës, i duhet të qëndrojë gjithë ditën në majë të kalit për të udhëtuar përmes territorit të vendit, duke u rënduar nga ngarkesa e gjërave të domosdoshme të bagazheve të tij, duke u shfaqur tamam si në legjendat dhe rrëfenjat orientale, sikur të ishte në ekspeditat e kërkimit të arit. Autori vazhdon: “Sunduesi duhet të jetë i sigurt që të afrojë pranë vetes, sa më ngushtë, disa fise të rajonit, si dhe të ketë në krah të tij dhe të mbledhë një forcë të armatosur që t’i zbatojë urdhrat e tij dhe për mposhtur çdo kundërshtar që rebelohet: Kjo është e vetmja mënyrë për të mbajtur pushtetin e tij, pasi në kuptimin e plotë të fjalës, nuk është si një çdo vend tjetër evropian që të ketë “forca të armatosura apo një ushtri të organizuar”.
    Kjo të linte të kuptoje se sunduesi i Shqipërisë, fillimisht duhet të bënte një jetë kalorësiake, tamam si një nomad; veç kësaj, të sigurojë për veten një “kamp endacakësh” me dhjetëra mjete të tjera dhe kalorës. Ai duhej të gjente një numër i mjaftueshëm njerëzish të përshtatshëm për këtë lloje jetese që t’i merrte në eskortën e tij në Regjimentin e Tretë të Rojave të Uhianëve. Shumë prej uhianëve iu gjendën pranë Princit, duke u shprehur se ishin gati ta shoqëronin atë në mënyrë vullnetare. Sigurisht, ata mund t’i shërbenin më mirë dhe mund të ishin më të përshtatshëm për të sesa ata që përgatiti ai për të ndërmarrë rrugën e mbretërimit të Shqipërisë, kur nuk e njihte vendin.
    Shpërfillja e këshillave
    Unë i thashë menjëherë kushëririt tim ta lexonte këtë pamflet dhe të nxirrte rekomandimet e tij, veçanërisht në lidhje me rezidencën e tij, e cila duhej të vendosje në disa pika, sa më larg të ishte e mundur nga anijet e luftës së Fuqive të Mëdha, në mënyrë që ai të mos jetë i detyruar të veprojë nën presionin e tyre dhe të mos ngjallë dyshime në radhët e shqiptarëve se sunduesit të tyre i nevojiteshin këto anije për mbrojtje ndaj banorëve të tij. A e lexoi pamfletin ndonjëherë Princi?
    Në të gjitha rastet ai veproi në kundërshtim me këshillën që i dhashë.
    Princi dhe bashkëshortja e tij udhëtuan drejt Shqipërisë dhe u kthyen ashtu siç unë e kisha parashikuar.

    Ditari është publikuar në “The New York Times” më 8 tetor 1922. Gazeta ka marrë fragmentet ku flitet për Shqipërinë
    Uilliam Hohenzollern ka qenë perandori gjerman, që njihej me emrin Uilliam II
    Titulli origjinal është: “Kujtimet e një ish-mbreti”. Titulli i gazetës është redaksional
    Sui generis

  2. #52
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Editoriali i “The New York Times”-it: “Pse nuk qeverisin shqiptarët”

    Gazeta amerikane shkruan një editorial për çështjen shqiptare. Alternativat mes copëtimit dhe krijimit të një shteti të pavarur

    Shqipëria

    Të paktën disa burra shteti në Jugosllavi duken se kanë rënë dakord me propozimin e Italisë në memorandumin e janarit për ta kompensuar Jugosllavinë në kurriz të Shqipërisë. Ky parim, siç u shpreh edhe presidenti në letrën e tij më 10 shkurt, është plotësisht negativ, megjithatë kritikat e tij mbi ndarjen e propozuar mbi Shqipërinë lanë mënjanë një çështje e cila duhet të shqyrtohet më vete.
    Skema e ndarjes së vendit
    Qytetet e Korçës dhe Gjirokastrës në Jug janë kërkuar nga grekët për shkak të vetëpërcaktimit, dhe deri tani duket se është vetëm një kërkesë. Ndodh gjithashtu që Greqia i do këto rrethe për arsye ekonomike dhe strategjike. Argumenti i grekëve është me peshë në këto terrene, por përveç kësaj, pjesa më e madhe e popullsisë dëshirojnë të jenë grekë. Greqia duhet të marrë Gjirokastrën dhe Korçën. Kërkesa e Jugosllavisë për pjesën veriore të Shqipërisë, përfshirë Shkodrën, është një çështje tjetër. Arsyet e Italisë për paraqitjen e kësaj oferte duken paksa dyshuese dhe mbeten disa dyshime që kjo është një përpjekje për të armiqësuar sllovenët duke favorizuar serbët. Ata jugosllavë të cilët janë në favor të aneksimit shprehen se pjesës malazeze të vendit të tyre i duhet një port detar në ketë vend fqinj, dhe ata duhet ta kenë atë domosdoshmërisht nëse Italia merr Vlorën. Italisë i nevojitet Vlora për t’u vetëmbrojtur, për mbrojtjen e Adriatikut, jo për mbrojtjen e Adriatikut kundër Jugosllavisë, të cilët kanë aq të drejta mbi të sa dhe vetë italianët dhe që nuk do të jenë një fuqi detare, por mbrojtja e Adriatikut kundër ndonjë rreziku të mundshëm nga jashtë. Me pak fjalë, aty ku luftërat janë ende të mundshme, ajo mendon se kjo kërkesë është e arsyeshme. Deri diku është e dyshimtë se si një port në Veri të Shqipërisë do t’i hapte rrugët rajonale të Jugosllavisë fqinje më mirë sesa Selaniku dhe ka shumë të ngjarë që do të sigurohet një dalje tregtare, nëse nevojitej, pa sovranitetin politik.
    Shqipëria, problem i vështirë
    Shqipëria është një problem mjaft i vështirë dhe italianët do t’i kenë duart plot nëse u jepet një mandat për të gjithë vendin. Shqiptarët janë mjaft patriotikë dhe pse një pjesë e mirë e patriotizmit të tyre duket se është më tepër lokaliste se nacionaliste, por deri tani nuk ka asnjë tregues që të diskutojë që një pakicë e vogël është e përgatitur për vetëqeverisje. Situata ka ndryshuar që nga koha kur një sërë perandorësh shqiptarë shpëtuan Romën. Italianët po bëjnë një punë të madhe për rindërtimin e vendit, dhe pavarësisht kundërshtimeve të konsiderueshme nga ana e shqiptarëve, duket se shpresa më e mirë për t’u përmirësuar mbetet një mandat italian.
    Vetëqeverisja e Shqipërisë
    Nëse Shqipëria është në gjendje për t’u vetëqeverisur përfundimisht, i gjithë vendi duhet të qëndrojë i bashkuar, për t’i dhënë asaj një mundësi.
    Përdorimi i Shqipërisë për kompensim ishte pa dyshim i leverdishëm, dhe zgjidhja e çështjes së Adriatikut sigurisht që do të shtyhet akoma më gjatë, nëse nuk arrihet një marrëveshje e tillë. Por, nëse zgjidhja nuk do të jetë shumë e kënaqshme, në rastin më të mirë, nuk është e nevojshme që telasheve që ekzistojnë t’u shtohen telashe të tjera.



    Editoriali i “The New York Times”-it është botuar më 11 mars 1920
    Titulli është redaksional. Titulli i gazetës amerikane është: “Shqipëria”
    Sui generis

  3. #53
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Edhe ky dossier mbaroi, po gjeta ende artikuj qe kane te bejne me temen do ti sjell ketu, deri ateher tema do te qendroj e mbyllur.


    Lexim te kendshem.



    Tema mbyllet!
    Sui generis

  4. #54
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Rrugëtimi i Shqipërisë deri te shpallja e Pavarësisë në Vlorë më 28.11.1912

    Dihet mirëfilli se në fund të shekullit XIX, në Stamboll lindi lëvizja nacional-borgjeze e turqve të rinj që veten e quanin xhonturq. Kjo lëvizje vepronte përmes Komitetit të fshehtë “Bashkim e Përparim” (Ittihad ve Terakki) dhe drejtohej kundër pushtetit absolutist të sulltan Abdyl Hamitit II.
    Në këto zhvillime, lëvizja kombëtare shqiptare, për të krijuar kushte të favorshme në luftën për autonominë e Shqipërisë dhe për të larguar rrezikun e copëtimit të tokave shqiptare, u bashkua me lëvizjen e turqve të rinj.Në pranverën e verën e vitit 1908 në shumë qytete të Shqipërisë, si në Ohër, Prespë, Strugë, Manastir, Shkup, Gjirokastër, Shkodër, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë etj, krahas komiteteve kombëtare ”Për lirinë e Shqipërisë” u formuan edhe komitetet xhonturke ”Bashkim e Përparim”.1

    Zgjerimi i veprimtarisë së komiteteve xhonturke në Shqipëri e në Maqedoni u dha mundësi turqve të rinj të fillonin kryengritjen. Në rrethanat kur administrata Osmane në Rumeli (ku përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare) ishte shthurur dhe zotër të situatës ishin bërë xhonturqit, si edhe përballë rrezikut të një sulmi të ushtrisë kryengritëse kundër Stambollit, Sulltan Abdyl Hamiti II u detyrua të pranonte, natën e 23/24 korrikut, shpalljen e kushtetutës së vitit 1876 dhe rivendosjen e rendit kushtetues.
    Shpallja e Kushtetutës së Hyrietit (lirisë) u prit me gëzim e entuziazëm edhe nga populli shqiptar, i cili vuante prej shekujsh nën sundimin e autokracisë së sulltanëve. Mirëpo ky entuziazëm nuk zgjati shumë. Qysh në zgjedhjet e para për parlamentin turk, që i shpallën xhonturqit me 15 shtator 1908, sipas ligjit elektoral nuk njiheshin popujt joturk dhe të gjithë banorët e Perandorisë u shpallën ”osmanlinj”.
    Meqenëse revolucioni xhonturk nuk solli lirinë e premtuar për shqiptarët dhe popujt tjerë të shtypur, përkundrazi forcoi Perandorinë Osmane, duke e centralizuar edhe më shumë pushtetin qendror, lëvizja kombëtare në krye me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Dervish Himën, Çerçiz Topullin etj, gjatë viteve 1909-1911 organizuan kryengritje të armatosur gjithandej viseve etnike shqiptare, të cilat u shtypën me gjak nga ekspeditat ushtarake xhonturke.
    Për t´i joshur krerët shqiptar, sulltani ju ofronte edhe pozita të larta ministrore. Kështu, në vitin 1909, Ismail Qemali refuzoi dy herë rresht postin e Ministrit të Drejtësisë dhe me pas atë të Ministrit të Brendshëm të Perandorisë dhe në një takim të drejtpërdrejt që pati ai me Sulltanin ia komunikoi qëllimin për: Shpalljen e Autonomisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe emërimin e një shqiptari në krye të shtetit të ri që pritej të lindte. Këtë ide dy vjet me vonë (1911), Ismail Qemali nuk hezitoi t'ia përsëriste edhe Vezirit Qamil Pasha, por Veziri ndonëse nuk ishte plotësisht në dijeni të zhvillimeve që priteshin të ndodhnin në viset shqiptare, këmbënguli që Shqipëria të mbetej pjesë e Perandorisë.
    Fillimi i luftës italo-turke (në fund të shtatorit 1911) krijoi kushte të favorshme për vazhdimin e kryengritjes shqiptare. Kështu më 12 janar 1912 në Stamboll u mbajt një mbledhje e krerëve të lëvizjes kombëtare, ku u vendos që në 4 Vilajetet shqiptare të organizohet një kryengritje e përgjithshme. Aty u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë e pastaj të zgjerohet edhe në krahinat tjera të Shqipërisë. Hasan Prishtina u ngarkua, të organizonte kryengritjen e përgjithshme, fillimisht në Kosovë..., ndërsa Ismail Qemali të siguronte armë dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet evropiane për këtë rrugë të nisur.5

    Synimet e “Aleancës ballkanike” për copëtimin e tokave shqiptare

    Kryengritja e përgjithshme shqiptare dhe lufta italo-turke (në Jemen...), i dhanë goditje të reja sundimit pesë shekullorë turk në Ballkan. Nga këto zhvillime, ndonëse gjatë verës së vitit 1912 perandoria turke, po i numëronte javët e fundit në Ballkan, në zgjidhjen e çështjes shqiptare do të inkuadrohen edhe fuqitë e mëdha. Austro-Hungaria..., duke e kuptuar funksionin historik të Shqipërisë si digë para zgjerimit sllavë, filloi t'i bëjë trysni Turqisë që të tregojë më tepër mirëkuptim për 14 kërkesat e parashtruara të shqiptarëve.
    Konti austro-hungarez Berthold, (ministri i jashtëm) u propozoi Fuqive të Mëdha që të ndërmarrin masa për decentralizimin e Turqisë evropiane në aspektin etnik, ku do të përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare, Vilajeti i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.
    Këtë propozim e kundërshtoi fuqishëm Rusia, e cila me planet e saj ogurzeza, synonte që tërë Ballkanin ta bënte sllave-ortodokse dhe për fat të keq në këtë drejtim ajo kishte përkrahjen e Francës dhe të Anglisë. Për këtë çështje, reagoi edhe Porta e Lartë, e cila deklaroi se çështja shqiptare është “çështje e brendshme e Turqisë” dhe për të dëshmuar këtë gjë ,përfaqësuesit turk, ndryshuan rrënjësisht konkluzat e marrëveshjes të arritur me krerët shqiptar, më 18 gusht 1912 në Shkup.
    Dhe këto marifetllëqe i hapën rrugë formimit të aleancave të shteteve ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë) për pushtimin dhe copëtimin e tokave shqiptare. Planet serbe për një “luftë kundër Turqisë”, kishin filluar me bisedat e fshehta me Bullgarinë. Diplomacia ruse në krye me carin Nikollajin e II, ishte shumë e interesuar që sa më parë të nënshkruhet aleanca luftarake në mes Bullgarisë e Serbisë, për ndarjen e Shqipërisë etnike. Për këtë qëllim, qarqet sunduese bullgare u ndaluan edhe krerëve bullgaro-maqedonas të krahinës së Maqedonisë që të bashkëpunojnë dhe të përkrahin kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912.
    Pas një varg takimesh (që kishin nisur qysh në tetor 1911) midis kryeministrit serb Milovanoviq dhe atij bullgar Geshov, me ndihmën e Rusisë, më 13 mars 1912, Serbia lidhi një aleancë “Traktat miqësie” me Bullgarinë, ku si synim parësor kishin kundërshtimin e formimit të çfarëdo shteti shqiptarë në Ballkan dhe copëtimin e tokave shqiptare. Një aneks sekret i këtij traktati parashikonte veprime eventuale të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane, ku parashihej që Serbisë t´i takonte mbarë territori në veri të maleve të Sharrit. Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zhvilluan edhe bisedimet bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj 1912 me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse në rast sulmi nga ana e Turqisë.
    Kësaj aleance, pas bisedimeve të carit rus me Kral Nikollën iu bashkua edhe Mali i Zi. Këto shtete ortodokse të "aleancës..." përfundimisht ,në emër të luftës kundër "robërisë osmane" në tetor 1912 filluan luftën e parë ballkanike për pushtimin dhe copëtimin e tërësisë së tokave shqiptare.

    Në Kuvendin e Shkupit u vunë gurëthemelet e Pavarësisë së Shqipërisë

    Për ta alarmuar faktorin e brendshëm dhe të gjitha kancelaritë e fuqive të mëdha, për rrezikun që po i kanoset popullit shqiptar dhe trojeve etnike shqiptare, më 14 tetor 1912 në Shkup, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, Komiteti “Shpëtimi” që në popull njihej si ”Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” dhe organizata ”Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mbajtën një Kuvend të jashtëzakonshëm. Në këtë kuvend, të kryesuar nga Nexhip Draga, morën pjesë: Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga, Bedri Pejani etj. Pasi u konkludua se ”Turqia po i numëronte ditët e fundit në Ballkan...” u morën këto vendime:

    1. Me ia drejtue një proklamacion Fuqive të Mëdha;
    2. Me formue një delegacion për mi shkëputë Malet e Shkodrës prej lidhnisë që patën ba me Malin e Zi (Malësia e Shkodrës ishte lidhur me Malin e Zi për luftë të përbashkët kundër forcave osmane në Shkodër).
    3. Ky delegacion ka me pas edhe një kompetencë të plotë për t´u marrë vesh me krahinat e tjera të Shqipnisë për të shpëtue atë prej rrezikut të coptimit.”

    Në zbatim të këtyre vendimeve, Kuvendi më 16 tetor 1912 në Shkup ia dorëzoi konsullatës austro-hungareze dhe gjermane një proklamatë, ku thuhet: ”...Serbia ,Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim të zgjerimit tokësorë ose për përhapjen e ndikimit politik, prandaj edhe ne shqiptarët po rrokim armët për të mbrojtur tokën tonë. Përveç kësaj vemë në dijeni Fuqitë e Mëdha se nuk do të njohim emërtime të tilla si ”Stara Serbija” (Serbia e vjetër”dhe “Epir”, ose forma politike dhe administrative të posaçme lidhur me disa pjesë përbërëse të atdheut tonë”. Ndërkohë edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë u është dorëzuar një proklamatë me vulë të ”Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: ”Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”. Pra, këto dokumente dëshmojnë qartë se në Kuvendin e Shkupit u vunë themelet e Pavarësisë së Shqipërisë.

    Rrugëtimi misionar i delegacionit të Shkupit - përgatitja e Kuvendit gjithëkombëtar

    Kuvendi i Shkupit caktoi edhe një delegacion, i cili u ngarkua të përgatisë terrenin për mbajtjen e një Kuvendi gjithëkombëtar. Pas këtyre aktiviteteve, më 16 tetor 1912 anëtarët e delegacionit të zgjedhur në Kuvendin e Shkupit: Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani, e lanë Shkupin dhe me tren u nisën për në Mitrovicë dhe prej aty deri në Pejë udhëtuan me një qerre të mbuluar. Në rrugën nga Peja për në Gjakovë, delegatët takojnë reth 200 burra, që shkonin në luftë për mbrojtjen e Pejës. Në fshatin Carrabreg, takohen me prijësin Bajram Curri. Në Gjakovë takojnë edhe Isa Boletinin, që sapo kishte ardhur nga fronti i Prishtnës. Madje në Pejë e Gjakovë,... kishin marrë nënshkrime nga paria, duke i autorizuar ata që të vendosnin për të mirën e Shqipërisë në emër të Kosovës.
    Nga Gjakova, ky delegacion kalon në krahinën e Hasit dhe në fshatin Letaj qëndrojnë një natë. më pastaj hidhen në krahinën e Lumës dhe në fshatin Arnë takojnë prijësin lumjanë Ramadan Zaskoci. Disa ditë i kalojnë në Reç, Mirëditë, te kulla e Oroshit, ndërsa në Abat të Mirditës takuan imzot Preng Doçin. Nga Mirëdita delegacioni rrugëton dhe ndalon në Luginën e Fanit, në Rubik, Krujë, në Valias në çifligun e Abdi bej Toptanit dhe pastaj shkojnë në Tiranë, pastaj ndalojnë në Durrës prej nga pas disa ditësh nisen për në Elbasan.
    Këtij delegacioni prej katër vetësh, në Durrës iu bashkua Dom Nikollë Kaçorri, Mustafë Asimi Kruja e Abdi bej Toptani. Këta atdhetarë kudo që shkuan ngritën zërin për rrezikun e copëtimit të Shqipërisë, duke i dhënë kështu frymë idesë për thirrjen e një Kuvendi Gjithëshqiptar.
    Sipas kujtimeve të Eqerem bej Vlorës, kusheri i Ismail Qemalit dhe njëri nga figurat e njohura të politikës së mëvonshme shqiptare, mësohet se që në fillim të korrikut 1912 në Shqipëri qenë ngritur komitete për pavarësinë e Shqipërisë dhe se kushëriri i tij, Syrja bej Vlora kishte mandatin e popullit të Vlorës për një Kuvend Kombëtar, që në muajin gusht 1912. Ismail Qemali duhej të ishte në kontakt të vazhdueshëm me ta, nisur edhe nga faktin se në muajin qershor - korrik, ai kishte qëndruar pak ditë në Vlorë. Delegacioni prej 8 anëtarësh tashmë përbënin Komitetin e Përkohshëm të Shqipërisë, për përgatitjen e Kuvendit për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, para se të shkilej Shqipëria nga forcat e “aleancës ballkanike”.

    Rrugëtimi diplomatik i Ismail Qemalit nga Stambolli deri te zbarkimi i tij në Durrës

    Zhvillimet e luftës së parë Ballkanike, të shpallur në tetor 1912 nga shtetet ortodokse të "Aleancës ballkanike" e që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare, përshpejtuan aktivitetin diplomatik të Ismail Qemalit.
    Kështu, më 3 nëntor 1912 Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi..., arriti në Bukuresht të Rumanisë, për t´u takuar fillimisht me komunitetin shqiptar që vepronte atje. Në Bukuresht gjetën një situatë krejt të ndryshme nga ajo që sundonte në Stamboll. Kryeqyteti rumun ishte përfshirë nga euforia dhe të gjitha organizatat shqiptare që vepronin atje, qenë të vendosura për pavarësinë e Shqipërisë (shkëputjen e plotë të saj nga Turqia).
    U desht fare pak kohë, që Ismail Qemali dhe delegacioni i tij, ta kuptonin se Turqia ishte përfundimisht e humbur dhe se pavarësia e plotë nga Turqia ishte e vetmja zgjidhje. Për më tepër, komuniteti shqiptar i Bukureshtit, kishte filluar ta konsideronte këtë akt si të kryer tashmë.
    Patriotët shqiptarë në Bukuresht me kohë kishin përgatitur flamurin kombëtar, i cili do të ishte simboli i shtetit shqiptar si dhe një bandë (korë) muzikore, që do të këndonte himnin kombëtar.
    Pas disa konsultimesh më 5 nëntor në Hotelin "Kontinental" të Bukureshtit, u mbajt mbledhja e përfaqësuesve të komunitetit shqiptarë dhe të delegacionit në krye me Ismail Qemalin që kishte ardhur nga Stambolli.
    Në kujtimet e pjesëmarrësve të kësaj mbledhjeje, që jetuan deri vonë, thuhet se: mbledhja vendosi njëzëri për pavarësinë e Shqipërisë dhe ngarkoi Ismail Qemalin dhe delegacionin e tij të kontaktonte përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe të merrte aprovimin e tyre për këtë vendim.
    Në kujtimet e tij Sejfi Vllamasi, tregon se në momentin e largimit nga Bukureshti, Kristo Meksi i la në dorë Ismail Qemalit një çek prej 500 mijë frangash ari, dhuratë e Kryeministrit rumun Taqe Junesku.
    Dy ditë më vonë (7 nëntor) delegacioni i plotësuar edhe me katër përfaqësues të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, u nis për në Vjenë. Ismail Qemali me delegacioni shqiptarë sapo kishte mbërritur në Vjenë, mori një telegram nga miku i tij i vjetër, konti Andrasay, ku e ftonte që të vijë në Budapest për t´u takuar me diplomatë Austro-hungarez. Më 8-9 nëntor në Budapest I.Qemali do të takohet me kontin Hadik ish-nënsekretar shteti dhe me Ministrin e jashtëm të Austro-Hungarisë z.Graf Berthold, njërin nga njerëzit më të fuqishëm të diplomacisë evropiane. Në këto takime pasi u vu në pah rreziku i coptimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, Austro-Hungaria u shpreh e gatshme ta nxiste dhe ta mbështeste Pavarësinë e Shqipërisë. Konti Handik e siguroi z.Qemali se Qeveria e tyre kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim dhe së bashku nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit .
    Gjatë muajit tetor dhe gjysmës së parë të nëntorit 1912 ushtria turke në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet, ndërsa trupat ushtarake serbe, malazeze dhe greke që përbënin “aleancën ballkanike”, përmes operacioneve shfarosëse ndaj shqiptarëve, kishin hyrë thellë në tokën shqiptare. Meqë ngjarjet zhvilloheshin me shpejtësi në Shqipëri, delegacioni shqiptarë bëri përpjekje që sa më parë të nisen për në atdhe, që të mbahet kuvendi kombëtar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Me kërkesën e Ismail Qemailit, diplomatët austro-hungarez delegacionit shqiptar ia premtuan një vapor për të zbarkuar në Durrës.
    Delegacioni shqiptar me tu kthyer në Vjenë (nga Budapesti), pati takime me Ambasadorin italian (Avana) dhe me ambasadorin anglez. Më 18 nëntor 1912, delegacioni mbërriti në Triesht dhe po atë ditë Ismail Qemali i drejtohet me një telegram komitetit përgatitor për shpalljen e Pavarësisë, dhe kërkon që të sigurohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të popullit, për Mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që mendohej të mbahet në Durrës ose në Vlorë. Në këtë telegram thuhej: "Mbledhja e përfaqësuesve në Durrës apo Vlorë është shumë e rëndësishme. I thirrni të gjithë. Gjersa të arrij unë, mbani qetësinë e ruani bashkimin. Çështja jonë politike është siguruar përfundimisht”.
    Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali, përpara nisjes për në Durrës, gazetës italiane “Piccolo”,i deklaroi, se: "Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t'i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje".
    Në mbrëmjen e 19 nëntorit 1912, përfundimisht delegacioni shqiptar në krye me Isamail Qemalin, me vaporin austriak "Baron Bruck" nga Trieshta niset drejt brigjeve të Shqipërisë dhe zbarkoi në Durrës.

    Rrugëtimi i karvanit të Ismail Qemalit nga Durrësi për në Vlorë

    Ndonëse ishte menduar që ngritja e Flamurit të bëhet më 22 nëntor në qytetin e lashtë të Durrësit, me qëllim që të evitonin lëvizjet e mëtejshme nëpër Shqipërinë e trazuar nga lufta, situata në këtë qytet ishte shumë më ndryshe nga ç'pritej. Ato ditë, deti ishte bllokuar nga flota greke dhe kompromisi i dhespotit Jakov me Myftiun e qytetit e pamundësuan ngritjen e flamurit dhe mbajtjen e një kuvendi të parashikuar në Durrës.
    Për shkak të gjendjes së nderë që mbretëronte në qytet, po atë ditë Ismail Qemali i lajmëroi telegrafisht të gjitha qytetet që delegatët e tyre t'i nisin për në qytetin e tij të lindjes në Vlorë. Ato ditë, meqë forcat serbe përparonin shpejtë drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (më 25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (më 26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës më 27 nëntor, ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës .
    Delegacioni në krye me Ismail Qemalin pas 2-3 ditësh të qëndrimit në Durrës, duke iu shmangur rrugës kryesore së bashku me delegatët e Shqipërisë së Mesme niset për në Vlorë. Duke zbritur majës së Ardenicës, nga faqja perëndimore, delegatët nga Elbasani që udhëtonin në drejtim të Fierit, takojnë karvanin e kalorësve, që vinte nga Durrësi me delegatët e Bukureshtit, Durrësit, Tiranës, Shkodrës, Kavajës etj me në krye Ismail Qemalin. Aty Mit`hat Frashëri takoi Ismail Qemalin, ”i cili kalëronte me një kalë myzeqeje të bardhë” dhe Luigj Gurakuqin. Kalojnë së bashku Semanin e fryrë nga ujërat e vjeshtës së tretë, me një lundër, apo govatë të flashkët që vente e vinte nga një breg në tjetrin për t´i bartur kalorësit e lirisë.
    Sipas kujtimeve të Eqrem Bej Vlorës, gjatë rrugëtimit të karvanit të Ismail Qemalit për në Vlorë, ”gjenerali i divizionit turk Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, si pararojë të pjesës tjetër të armatës së Vardarit, që po vinte prapa në rrëmujë (e shpartalluar), dha urdhër të arrestohej Ismail beu me të gjithë kolonën e tij; për këtë arsye karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut. Mirëpo gjatë natës komanda e trupave turke në Berat, nën trysnin e përfaqësuesve shqiptarë ndryshoi mendim” (hoqi dorë nga arrestimi-vërejtja ime).
    Nga vendi i quajtur Mifol, delegacioni i Ismail Qemalit udhëton me dy karroca dhe pas shumë peripecive, në pasditen e 27 nëntorit 1912 arrijnë në Vlorë. Situata në Vlorë ishte krejt e ndryshme nga ajo e Durrësit. Populli vlonjat me këtë rast i bëri pritje madhështore delegatëve të ardhur nga disa krahina të Shqipërisë. Ismail Qemali për këto momente në kujtimet e tij do të shkruaj: ”Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli me përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”. Delegatët e ardhur nga shumë vise të Shqipërisë..., u vendosën në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëri i Ismail Qemalit.

    Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Kuvendin e Vlorës më 28.XI.1912

    Meqenëse anijet luftarake greke i qenë afruar portit të Vlorës dhe me të drejt i druhej ndonjë sulmi të forcave greke, por edhe për shkak të përparimit të pandaluar të ushtrisë serbe në verilindje të vendit, pa arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë vendosën të nesërmen të mblidhnin Kuvendin Kombëtar, për ta shpallur pavarësinë e Shqipërisë.

    Arritja e delegacionit të Kosovës në krye me Isa Boletinin (Vlorë, 29 Nëntor 1912)

    Kush e përfaqësoi Kosovën… në Kuvendin e Vlorës?

    Kosova..., duke qenë e pushtuar nga ushtria serbo-malazeze, në Kuvendin e Vlorës u përfaqësua nga Sali Gjuka, Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovica, të cilët kishin ardhur nga Kuvendi i Shkupit, ndërsa një ditë më vonë (më 29 nëntor) në Vlorë mbërriti Isa Boletini dhe delegatët tjerë, si: gjeneral Mehmet Pashë Deralla, Hasan Hysen Budakova, Tafil Boletini, Dervish Mitrovica, Zejnel Begolli, Halim Musë Bajgora, Ahmet Ali Llapi, Riza beg Gjakova, Vehbi Dibra, Hajdin Draga etj. Ndërkaq udhëheqësit tjerë të Kosovës që ishin caktuar si delegatë të kuvendit, si: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj. nuk erdhën, sepse në fillim të nëntorit ishin kapur nga forcat serbe në Shkup dhe mbaheshin të burgosur në kështjellën e Kalemedanit në Beograd. Edhe Bajram Curri i nxënë me luftimet në Malësinë e Gjakovës nuk arriti dot të vijë në kuvend.
    Kuvendi i hapi punimet, më 28 nëntor 1912 në orën 14 pasdite, po në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës. Kryetar i Kuvendit u zgjodh Ismail Qemali ndërsa sekretar Luigj Gurakuqi. Në fjalën e shkurtër që mbajti Ismail Qemali para 40 delegatëve, të përcjellur me duartrokitje të gjata e brohoritje entuziaste ”Rroftë Shqipnija e Lirë”, foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftrat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”.
    Propozimi i kryetarit për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, u miratua njëzëri nga delegatët. Në Rezolutën e Pavarësisë me titull "Në Vlonë më 15/28 të vjeshtës së tretë 1328/1912”, të cilën e lexoi sekretari i parë i kuvendit Luigj Gurakuqi, thuhet: “Pas fjalëve që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria me sot të bâhet në vete, e lirë e e mosvarme".

    Ndërkaq, gjithë emocionet e këtij akti historik i pasqyron më së miri origjinali i Procesverbalit, i cili fatkeqësisht kishte humbur në vitin 1937. Dokumentin e shpalljes së Pavarësisë e botoi gazeta ”Përlindja e Shqypnies” organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, si dhe Lef Nosi në përmbledhjen e dokumenteve historike.
    Në një letër me titull “Si u bë Kongresi i Vlorës” Mit´hat Frashëri dërguar mikut të tij Kristo Luarasit, shkruan: ”Kongresi u çel më 28 të këtij muaji dhe ishin 47 delegatë nga çdo an´e Shqipërisë, vise të shkelura dhe të pashkelura. Sot janë 65, se kanë ardhur edhe nga krahina të tjera. Këtë ditë, pra, ora 14.30, me zë të përgjithshëm u proklamua independenca e Shqipërisë dhe Flamuri u çel në portën e shtëpisë ku ishim mbledhur (...) Salla e madhe në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës ishte mbushur plotë dhe delegatët kishin zënë vendet rreth tri tryezave të mëdha të vëna afër e afër...”

    Kush e nënshkroi aktin e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë?

    Sipas shënimeve të Mustafa Merlika Krujës, pjesëmarrës në këtë kuvend, del se Rezolutën e Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë e nënshkruan të gjithë të pranishmit në Kuvend,e ata ishin:
    Ismail Kemal (Qemali);
    Kaçorri (Dom Nikoll Kaçorri);
    Abdul Aziz Vehbi (Vehbi Dibra, ish-myftiu i Dibrës e aty e mbrapa myftiu i përgjithshëm për myslimanët e Shqipnisë së pamvarme);
    J.Karbunara;
    Elmas Boco;
    Vehbi Harçi;
    Qazim Kokoshi;
    J.Minga;
    Rexhep Mitrovica;
    A.Rruçi;
    Abdi (Toptani);
    Abas Dilaver (Qelkup-a);
    Mid´hat Frashëri;
    Shefqet Daju;
    Zihni Abas Kanina;
    Xhelal (Kopernacka);
    Hajredin Cakrani;
    Qemal Elbasani (Karaosmani);
    Iljas Vrioni;
    Salih Gjuka;
    Dhimitër Berati;
    Dhimitër Emanuel (Mborja?);
    Dimitri Zografi;
    Murat Toptani;
    Pandeli Cale;
    Luz (Luigj) Gurakuqi;
    Bedri Pejani;
    Spiro (don) Ilo;
    Thanas Floqi;
    Lef Nosi;
    Dr.H.Myrteza;
    Nuri (Sojliu);
    Mustafa Asim Kruja;
    M.Ferid Vokopola;
    Ymer (Deliallisi);
    Xhemaledin (Xhemal Deliallisi);
    Nebi Sefa Lushnja;
    Zuhdi Ohria, ndërsa 2 emra janë të palexueshëm...”

    Pra, këtë akt e nënshkruan vetëm delegatët që ishin të pranishëm në kuvend, por jo edhe ata që erdhën me vonesë në Vlorë (Isa Bolentini me delegatët nga Kosovë etj ). Pas këtij akti të rëndësishëm në historinë e popullit tonë, në orën 15 e 12 minuta pasdite, Ismail Qemali në murin e ballkonit të shtëpisë ku u mbajt kuvendi e vendosi Flamurin kombëtar, po atë Flamur që zbukuronte podiumin e Hotelit "Kontinental" në Bukuresht, në mbledhjen e 5 nëntorit, me përfaqësuesit e kolonive shqiptare atje . Ndërkaq, përveç këtij versioni, Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij - thotë se flamuri që u ngrit më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, ishte një flamur që e mbaja në shtëpi si kujtim, të dhuruar solemnisht (më 1909) nga një pinjoll i familjes Kastrioti (don Aladro Kastrioti) me banim në Paris.

    Kush e përbënte Qeverinë e parë të shtetit shqiptar?

    Kuvendi Kombëtar i Vlorës pas vendimit historik të shpalljes së Pavarësisë, u mor me organizimin shtetëror. Qysh në mbledhjen e tij të parë, kuvendi vendosi për krijimin e qeverisë së parë të përkohshme. Dhe më 4 dhjetor 1912 Kuvendi zgjodhi përbërjen e plotë të Qeverisë, ku përveç Ismail Qemali - kryetar, në të bënin pjesë:

    1. Dom Nikollë Kaçorri - Nënkryetar;
    2. Myfit Bej Libohova - Ministër i Brendshëm;
    3. Gjeneral Mehmet pashë Deralla - Ministër i Luftës;
    4. Abdi bej Toptani - Ministër i Financave;
    5. Dr.Petro Poga - Ministër i Drejtësisë;
    6. Dr.Luigj Gurakuqi - Ministër i Arsimit;
    7. Mit`hat Frashëri - Ministër i Punëve Botore;
    8. Pandeli Cale - Ministër i Bujqësisë dhe
    9. Lef Nosi - Ministër i Postë-telegrafeve.

    Po atë ditë Kuvendi zgjodhi edhe një pleqësi prej 18 anëtarësh në krye me myftiun Vehbi Dibra. Kuvendi kombëtar i Vlorës punimet e veta i përfundoj më 7 dhjetor 1912.

    Çka i shkruan Kryetari i qeverisë shqiptare Ismail Qemali - në një Letër shteteve të Fuqive të Mëdha?

    Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemali, më 29 nëntor me një letër i njofton gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.
    Në këtë letër Kryetari i Parë Shqiptar, ndër të tjera shkruan:
    “Kam nderin t’i njoftojë Shkëlqesitë tuaja se delegatët e të gjithë krahinave shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohëshme. Shqiptarët po gëzohen që munden të hynë në familjen e popujve të lirë të Orientit, duke mos pasur për qëllim tjetër veç se të jetojnë në paqë dhe harmoni me të gjithë shtetet fqinje, shpresojmë se ky ndryshim i jetës politike dhe kombëtare i Qeverisë së Përkohëshme të Shqipërisë, ka për t’u njohur prej qeverive tuaja dhe evropiane.
    Kryetari i Qeverisë së Përkohëshme Ismail Qemali- Vlorë”
    Po ashtu për këtë vendim të marrë në Kuvendin e Vlorës Ismail Qemali i njofton edhe shtetet ballkanike, Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar nga ata që ta njohin (pranojnë) aktin e Pavarësisë si vullnet politikë të Kombit Shqiptar , por fatkeqësisht as Fuqitë e Mëdha dhe as monarkitë ballkanike nuk e njohën Pavarësinë e Shqipërisë. Përkundrazi ushtritë e “Aleancës Ballkanike” i vazhduan luftimet në tokat shqiptare për t´i pushtuar dhe aneksuar ato.
    Sui generis

Faqja 6 prej 6 FillimFillim ... 456

Tema të Ngjashme

  1. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  2. Hyseni: Kadare kundër bashkimit të Shqipërisë etnike
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 69
    Postimi i Fundit: 18-06-2009, 12:44
  3. Mehdi Bej Frashëri: "Pse ia dhashë Shën-Naumin Serbisë"
    Nga ALBA në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 09-10-2007, 09:48
  4. Rexhep Qosja: Të vërtetat e vonuara
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 19-09-2006, 20:51
  5. Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 27-08-2006, 06:46

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •