Tuesday, 24 June 2008
Votimi i 16 qershorit për dekretet e Presidentit, i cili shënoi rrëzimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ka shkaktuar një debat të zjarrtë ditën e djeshme në kuvend. Pazaret midis Ramës dhe Berishës duket se këtë herë fokusin e sulmit do ta kenë në riparimin e nenit 111 të rregullores së kuvendit. Nëpërmjet rregullimit të këtij neni Berisha synon kontrollin e plotë të kandidaturave që do të propozojë presidenti i Republikës në përmjet komisioneve të cilat do të kenë mundësinë të rrëzojnë këto kandidatura.Nëpërmjet urdhrave të marra nga Sali Berisha, Edi Rama dërgoi propozimin në dyert e kuvendit nëpërmjet përfaqësuesve të tij Arben Malaj dhe Besnik Dervishi. Duke dërguar këtë propozim në kuvend nëpërmjet socialistëve, Sali Berisha, me këtë rast largon veten nga konflikti institucional me presidentin e Republikës, duke e faturuar propozimin e socialistëve si propozim të opozitës. Nxitimi i mazhorancës për të kaluar ditën e djeshme ndryshimet në rregulloren e kuvendit, komprometoi rëndë pazarin e opozitës më Sali Berishën duke i detyruar klita të fundit të largohen nga salla e parlamentit. Pra duke bërë pazare të tilla me Sali Berishën po vazhdon të fusë opozitën në vathën dhe lojën e interesave korruptive të dyshes Rama Berisha. Nga kjo lojë rrjedh gatishmëria e mazhorancës në momentin që opozita ka paraqitur projektrezolutën për amendime në nenin 111, duke u shprehur e gatshme për ta mirëpritur një pakt të tillë duke vënë në plan të parë se ndryshime të tilla duhet të jenë më të ngutshme në ligjin për Gjykatën e Lartë. Partia Demokratike e cila ka kundërshtuar që në fillim dhe me forcë procedurën e ndjekur nga Presidenti për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, futi në lojë dhe opozitën, e cila fillimisht e nisi me dhënien e votave kundër për rrëzimin e dekreteve, për ta finalizuar më pas relacionet e paraqitura për ndryshime në rregullore. Pakti Rama-Berisha ishte dhe ndodhia më e fundit e socialistëve të cilët e kanë parë këtë marrëveshje si zgjidhje për realizimin e reformave të mëdha në vend, duke rënë akoma dhe më tepër në duart e Berishës i cili ka si qëllim transformimin e parlamentit duke ndryshuar rregulloren siç dhe i leverdis më tepër atij. Një gjë e tillë nuk kishte se si të ndodhte, kur Rama i fali Kushtetutën më 21 prill, pasojat e të cilave shikohen tani, i cili në pamje të parë duket sikur është përkrahës i Topit dhe në krahun tjetër bashkëpunëtori më i ngushtë i Berishë. Po, që të fusnin duart në rregullore nuk mund të bëhej pa ndihëm dhe të kryetares pas së cilës qëndron gjithmonë Berisha. Duke e marrë fjalën në parlament dje, është shprehur se “Me ndryshimet kushtetuese të miratuara me konsensus në Kuvend, tashmë është momenti edhe për miratimin e ndryshimeve në rregullore", duke ftuar deputetët të mbështesin propozimin e z. Beja. Gjatë miratimit të kalendarit trejavor të punimeve të Kuvendit, kryetarja Jozefina Topalli kërkoi futjen me procedurë të përshpejtuar të kësaj nisme, e cila synon të evitojë një përplasje të mundshme institucionale për rastet e dekreteve të Presidentit, sikurse ishte rasti i fundit i rrëzimit (16 qershor) të dekretimit të pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Por, kuvendi i Shqipërisë, gjatë seancës plenare të ditës së djeshme miratoi me shumicë votash shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të nismës së deputetit të PD-së, Fatos Beja "për disa shtesa dhe ndryshime në rregulloren e parlamentit". Ndërkohë, që kjo procedurë u “kontestua” nga opozita, e cila më pas braktisi sallën e seancave plenare. Ndërsa z. Beja u shpreh duke mbrojtur nismën se "amendimet e rregullores janë të nevojshme pasi ndihmojnë që organet dhe institucionet kushtetuese të funksionojnë në bazë të kushtetutës. Po ashtu, nisma ndihmon që të mos ketë situata të një vakumi ligjor lidhur me dekretet e Presidentit". Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke mbështetur nismën në fjalë tha se ajo "synon të shpëtojë Kuvendin nga një krizë që e vuajtëm, duke i dhënë një kornizë ligjore, strikte rasteve të dekreteve nga Presidenti". Nga ana e saj kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj duke u shprehur kundër theksoi se "nuk ka arsye që parlamenti të ketë prioritet ndryshimin e rregullores së tij, pikërisht në momentet kur pritet votimi në kuvend i dekreteve të reja të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë"