LEGJENDA
Esenca (οὐσία–ousia)
Esenca e Perëndisë dhe energjitë e Tij janë të para-amëshuara dhe të pakrijuara. Esenca e Perëndisë, që është natyra e Tij esenciale, është e paprekshme dhe e panjohur për ne, dhe prandaj ka për të mbetur gjithmonë një mister.
Dallimi midis esencës së Perëndisë dhe energjive të Tij garantojnë panjohshmërinë e plotë të Perëndisë dhe në të njëjtë kohë na jep mundësinë ne që të arrijmë kungimin intim dhe personal me Të me anë të energjive të Tij, sepse këto energji ne mund ti prekim.
Zemra (καρδία–kardia)
Zemra është një fjalë biblike që kuptohet shumë pak në ditët e sotme edhe pse ka një dimension me të vërtetë shumë të thellë. Zemra është vendi ku bashkimi me Perëndinë mund të arrihet: prandaj ka një dimension shpirtëror. Zemra nuk është thjeshtë qendra jonë psikosomatike, pjesa më e thellë dhe më domethënëse e qënies sonë; zemra është edhe "njeriu i brendshëm" prej të cilit energjitë e psiqisë (shpirtit) burojnë.
Ekziston një lidhje midis nousit, psiqisë, zemrës dhe "njeriut të brendshëm".
Blatimi i Shenjtë
Blatimi i Shenjtë ndodh në Altarin e Shenjtë, si pjesë e Liturgjisë së Shenjtë gjatë së cilës elementët Eukaristikë i ofrohen Perëndisë, dhe kthehen në Trupin dhe Gjakun e Tij të Shenjtë.
Pjata e Shenjtë
Pjata e Shenjtë është një pjatë prej metali e vendosur mbi një bazament të fortë. Mbi këtë pjatë vendosim me kujdes copat e bukës, që më vonë do të kthehen në Trupin e Krishtit, në mënyrë që mund ti lëvizim me kujdes tek Tavolina e Shenjtë.
Mbretëria e Perëndisë (Βασιλεία τοῦ Θεοῦ – Basileia tou Theou)
Mbretëria e Perëndisë do të thotë, "Sundimi i Perëndisë" ose gjithashtu edhe "Fuqia Sunduese e Perëndisë". Megjithëse kjo mbretëri është gjithëpërfshirëse dhe kudondodhur, është shpirtërore dhe mbi gjithë kategoritë e gjërave të marra me mend apo të ndjera. Mbretëria e Perëndisë i referohet gjithashtu edhe pjesëmarrjes sonë në jetën hyjnore të Trinisë së Shenjtë, duke e bërë personin e zgjedhur me anë të Hirit në atë që Perëndia është nga natyra. Mbretëria e Perëndisë dhe Mbretëria e Qiellit janë sinonime.
Shën Simeon, Theologu i Ri e përshkruan në këtë mënyrë, "sepse ata që bëhen fëmijë të dritës dhe bij të ditës që po vjen, ata që gjithmonë ecin në dritë, Dita e Perëndisë nuk ka për të ardhur kurrë sepse ata janë tashmë me Perëndinë dhe në Perëndinë."
Logos (Fjala) (Λόγος–Logos)
Fjala greke logos kish një histori të gjatë para se të përdorej nga Shën Joani. Tre kuptimet kryesore të saj janë: "mendoj", "marr me mend", "flas". Si gjithë gjërat racionale, fjala logos në nivelin e vetë më të thellë do të thotë: "kuptimi", "renditja" dhe "përmbajtje e arsyeshme". Me kohën kjo fjalë filloi të identifikohej edhe me "Arsyen Universale" dhe "Arsyen Krijuese".
Shën Joani i kompleton të vërtetat filozofike të grekërve të lashtë duke i lidhur ato me Traditën Judaike të kohës së tij. Kështu që kur Ungjilli i Shën Joanit na thotë: "Në fillim ishtë Logos (Fjala), dhe Logos ishte me Perëndinë, dhe Logos ishte Perëndi. Ai ishte që nga fillimi me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë prej Tij dhe pa Të asgjë nuk u bë. Në Të ekziston jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve... Dhe Logos u bë mish(trup) dhe banoi mes nesh..." Shën Joani e tregon qartë se Jisu Krishti është Logos. Logos, Personi i Dytë i Trinisë së Shenjtë, njihet gjithashtu edhe si Urtësi, Intelekt dhe Përkujdesje e Perëndisë. Krijesa gjen arsyen, shkakun dhe qëllimin e vetë tek Logos.
Njeriu (ἄνθρωπος–anthropos)
Së bashku me Biblën e Shenjtë, theologjia përdor shpesh fjalën njeri në një kuptim të përgjithshëm si për burrin edhe për gruan, që me fjalë të tjera do të thotë se gjuha eklesiatike (kishtare) është përfshirëse. Njeriu është e vetmia krijesë që u bë në "shembëllimin dhe ngjashmërinë" (Zanafilla 1:26) e Zotit, dhe në këtë mënyrë ishte arritja më madhështore e Perëndisë. Vizioni i Perëndisë për njerëzimin e tejkalon jashtë mase të kuptuarit e limituar tonë, dhe kjo duket pjesërisht edhe në thënien e Krishtit, "Sepse kur ringjallen ata as martohen dhe as nuk jepen në martesë, por janë si engjëjt e Perëndisë në qiell" (Mateu 22:30).
Misteri (μυστήριον–mysterion)
Fjala greke, mister, në fillim fare nënkuptonte "filloj të kuptoj", "sekret", ose "vegim i një sekreti". Krishtërimi e trashëgoi këtë kuptim dhe duke e zgjatur kuptimin e fjalës filloi të kuptohej si "vegim nga Perëndia".
Misteret janë edhe simbole edhe mistere. Për aq kohë sa misteri ngelet i "i mbyluar me vello", ritualet ngelen në nivelin simbolik apo ikonografik; por kur dikush pranon Hirin e Perëndisë dhe ky Hir fillon e vepron në të, atëherë Misteret zbulojnë atë që fshihet pas "vellos" (cf. 2. Korinthianëve 3:16; 4:3). Misteri mban karakteristikën e dyfishtë të dickaje të fshehur dhe të zbuluar, nga një anë përrallë dhe nga ana tjetër vegim.
Kemi shtatë mistere kryesore të ngritura nga vetë Krishti që përfshijnë Rrëfimin, Pagëzimin dhe Eukaristinë (Kungimin) e Shenjtë; por numri i tyre ka mundësi të jetë pa limit sepse brenda Kishës të gjitha gjërat punojnë në një mënyrë të mistershme për të na shfaqur Mbretërinë e Perëndisë.
Nousi (νοῦς–nous)
Nousi është shqisa jonë më e lartë. Eshtë quajtur: "syri i psiqisë (shpirtit)", "syri i zemrës", si dhe "energjia e psiqisë (shpirtit)". Kur pastrohet, nousi qëndron dhe vepron nga brenda zemrës; mund të perceptojë Perëndinë dhe principet shpirtërore që janë bazat e krijesës; është kognitiv, vizionar dhe intuitiv. Metropoliti i Nafpaktos, Hierotheos pati thënë, "Nousi është shemëlltyra e Perëndisë. Ashtu si Perëndia është dritë, edhe nousi vetë reflekton dritën me anë të Hirit të Perëndisë."
Pas rënies së njeriut dhe pas "fragmentimit" të psiqisë (shpirtit), nousi padyshim që do ta identifikojë veten me mendjen, imagjinatën, shqisat, ose vetë trupin - duke humbur kështu vëmendjen nga gjendja e vetë e kulluar dhe patrazuar.
Panagjia (Παναγία–Panagia)
Virgjëresha Mari njihet me shumë emra që janë si përshkrues edhe nderues për të. Një nga më popullorët është edhe Panagjia, që do të thotë fjalë për fjalë "Ajo e Tërë-Shenjta".
Prothesis (πρόθεσις–prothesis)
Prothethis përshkruan si vendin edhe përgatitjen e bukës dhe verës, që do të kthehet në Trupin dhe Gjakun e krishtit. Prothesis gjendet në të majtë të Altarit të Shenjtë, dhe në kishat me ndërtim tradicional gjendet në një si aneks të vogël. Trupi i Krishtit do të thotë e gjithë Kisha, që përfshin trupat engjëllorë, Panagjian, shenjtorët dhe të gjithë besimtarët si ata që janë gjallë edhe ata që janë ndarë nga kjo jetë.
Psiqi (ψυχή–psyche)
Fjala psiqi është fjala më e rëndësishme dhe më pak e kuptuar nga të gjitha fjalët Biblike. Kuptimi Orthodhoks i psiqisë mbetet i unifikuar dhe i pandryshuar. Psiqia është një esenë e kulluar dhe e patrazuar që vë në lëvizje dhe i fal jetë trupit; është natyra jonë e jo-materiale, e krijuar por ama e përjetshme, përbëhet nga aspektet tona kognitive, konative dhe afektive, duke përfshirë si aspektin e ndërgjegjshëm edhe atë të pandërgjegjshëm. Prej këtej nxjerrim konkluzionin natyrshëm se shëndeti psiqik i paraprin shpëtimit.
Në mënyrë që të përfshijmë të gjithë kuptimin e fjalës psiqi ashtu siç kuptohet nga Krishtërimi tradicional, do të na duhet të shkrijmë kuptimin e pesë fjalëve anglisht: "shpirt", "jetë", "frymë", "psiqi" dhe "mendje".
Në Perëndim, fjala shpirt është kthyer në një fjalë pa taban dhe në një term të mjegullt: psiqia, fjala origjinale biblike korresponduese e fjalës shpirt, është grupuar tashmë me dy fusha të ndryshme konceptuale. Fjalët "shpirt", "jetë" dhe "frymë" përbëjnë një fushë. Fjalët "psiqi" (si në shembullin e psikologjisë moderne) dhe "mendje" përbëjnë fushën tjetër. Falë këtyre grupimeve të ndara, ka pak ose aspak lidhje midis shëndetit "psiqik" dhe principit jetëdhënës të përjetshëm që njihet si "shpirt".
Kjo zhvendosje shërben si një tregues i sëmundjes së thellë shpirtërore në njeriun Perëndimor.
Pendimi (μετάνοια–metanoia)
Pendimi do të thotë: një ndryshim i zemrës, një ndryshim i mendjes - kuptimi i mirëfilltë është një ndryshim i nousit (p.sh meta-nousi). Pendimi është më shumë se sa keqardhje apo ndjenja e zënies në faj; pendimi kërkon një ndryshim themelor të jetës.
Krishti na thotë se rruga për t'iu afruar Mbretërisë së Perëndisë është pendimi. Një përkthim më i saktë i Mateut 4:17 është "Vazhdoni të pendoheni se Mbretëria është afër", me fjalë të tjera, mos u pendoni vetëm njëherë por vazhdimisht. Na duhet që të ridrejtojmë vetet tona derisa të arrijmë objektivin e jetës - bashkimin me Perëndinë - prandaj pendimi është një mister.
Pendimi nuk është legalistik; p.sh nëse një ndëshkim jepet gjatë rrëfimit nga rrëfyesi shpirtëror, kjo bëhet thjeshtë për arsye shëruese, qëllimi i vetëm i së cilës është të pastrojë nousin dhe zemrën nga mëkati.
Mëkati (ἁμαρτία–hamartia)
Në Krishtërim, hamartia do të thotë "largim nga Perëndia", ose më saktë "dikush dështon të arrijë destimin e vetë", dhe po ashtu folja harmartanein do të thotë "të mos arrish destinimin tënd" - kuptimi origjinal i fjalës ishte "të mos godasësh në shenjë". Më vonë këto fjalë u përkthyen si "mëkat" dhe "të mëkatosh".
Objektiv kryesor i jetës njerëzore është bashkimi me Perëndinë; që do të thotë se çdo veprim apo çdo mendim që na largon nga Perëndia është mëkat. Siç na thotë Shën Pavli, "Thumbi i vdekjes është mëkati" (1 Korinthianëve 16:56); mëkati nuk ka një dimension legalistik, është thjeshtë një largim nga Jeta.
Theolog (θεολόγος–theologos)
Theologjia merret me Perëndinë, pjesmarrjen tonë në Të, dhe me bazat e realitetit hyjnor që trashëgohen në krijim. Eshtë shumë më tepër se sa një ligjërim intelektual e skolastik mbi Perëndinë dhe as nuk fitohet nëpërmjet studimeve akademike.
Një theolog i vërtetë është dikush që ka arritur një kungim intim me Perëndinë dhe arrin të perceptojë botën shpirtërore. Po citojmë Evagrius "Nëse je një theolog, do të lutesh me të vërtetë; dhe nëse lutesh me të vërtetë, ti je një theolog." ndërsa Shën Maksim Rrëfimtari dhe Shën Grigor Palamasi na thonë: "Devocioni ynë nuk duket tek fjalët por në realitete."
Theosis (θέωσις–Theosis)
Theosis fjalë për fjalë do të thotë të bëheni zotër me anë të Hirit. Fjalët biblike që janë sinonime ose përshkruajnë Theosis janë: adoptim, shpengim, trashëgim, lavdërim, shenjtëri dhe perfeksion. Theosis është marrja e Shpirtit të Shenjtë, dhe me anë të Hirit njeriu bëhet pjesëtar në Mbretërinë e Perëndisë. Theosis është një akt i dashurisë së pafund dhe të pakrijuar të Perëndisë. Fillon këtu në kohë dhe në hapësirë, por nuk është statik apo i plotë, dhe është një progres që nuk ka fund dhe që nuk pushon gjatë gjithë përjetësisë.
Theotokos (Θεοτόκος–Theotokos)
Titulli Theotokos që i është dhënë Shën Marisë do të thotë "Nëna e Zotit"; përkthimi i mirëfilltë i kësaj fjale është "Lindëse e Zotit". Ky titull u afirmua nga Sinodi i Tretë Ekumenik (viti 431 Pas Vdekjes së Krishtit) i cili deklaroi se Krishti ishte me të vërtetë dhe plotësisht Zot që para mishërimit të Tij.
Libri “THEOSIS THE TRUE PURPOSE OF HUMAN LIFE” nga ARQIMANDRITI GJERGJ U PRINTUA NE MUAJIN SHTATOR 2006 nga "MELISSA" EDITIONS, ASPROBALTA 570 21, TEL. 23970 23313 NE 3000 KOPJE SI NJE PUBLIKIM I MANASTIRIT TE SHEN GRIGORIT NE MALIN E SHENJTE.
ISBN: 960-7553-26-8
Përktheu nga anglishtja, Ilirjan Papa. Ky liber eshte perkthyer ne disa gjuhe te botes, te cilat i gjeni tek adresa: http://www.orthodoxinfo.com/general/theosis.aspx
Krijoni Kontakt