Eukaristia: Çelje horizonti në vend dhe në kohë

Nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
Prof. Dr. Anastasi


Çdo Liturgji Hyjnore, kudo që kryhet, ka të njëjtën madhështi të përbashkët. Eukaristia Hyjnore sikundër përmbledh dhe bën të prekshme në të këtushmen dhe në të tanishmen misterin e Ekonomisë së Perëndisë në Krishtin, me anë të Shpirtit të Shenjtë, çel horizontin e çdo njeriu dhe të çdo Kishe lokale, së pari në të gjithë planetin dhe së dyti në të gjithë kohën, të shkuarën dhe në të ardhmen.

“ I Zotit është dheu dhe plotësia e tij, bota dhe të gjitha sa banojnë në atë”, na thotë psalmi (23:1), që lexojmë për t’u parapërgatitur në Shërbesën e Kungimit të Shenjtë. Dhe pas shenjtërimit të Dhuratave të Shenjta themi: “gjithashtu të ofrojmë ty këtë adhurim shpirtëror... për tërë botën”, duke ndarë dhimbjet, mundimet dhe përpjekjet e çdo Kishe lokale Orthodhokse dhe mbarë njerëzimit. Në të njëjtën kohë, përmendim çështjet tona në lutjen e përbashkët dhe përkujdesjen e Kishës “që shtrihet nga një skaj i planetit në tjetrin”.

Kur bashkohemi me Krishtin brenda Kishës së Tij, kapërcejmë “egon” tonë personale ose “ne” - në etnike, për të takuar me dashuri dhe mirëkuptim të gjithë njerëzit dhe të gjithë popujt. Kisha Orthodhokse ngelet “një, katholike dhe apostolike”, ruajtësja e mesazhit shpëtimtar të Ungjillit, i cili ka një shtrirje mbarëbotërore. Ajo ka fuqinë të ripërtërijë çdo njeri, çdo popull dhe çdo qytetërim me respekt për veçantinë e tij. Orthodhoksia nuk kërkon të shndërrojë shumëllojshmërinë e dhuratave të kombeve të ndryshme në diçka të njëjtrajtshme, që të administrohet nga një autoritet, një mentalitet, një qytetërim. Ajo harmonizon lirinë dhe dashurinë, larminë dhe unitetin. Kryeja dhe qendra e këtij uniteti të Kishës Orthodhokse ngelet Krishti.

Sigurisht, që ne orthodhoksë, theksojmë se në çdo vend mbledhja eukaristike, nën episkopin kanonik në emër të Krishtit me anë të Shpirtit të Shenjtë, përbën “Kishën katholike”... “Kudo ku është Jisu Krishti, aty është Kisha Katholike”, sipas formulimit të Shën Ignat Hyjmbajtësit (Ignati i Antiokisë, “Për Smirneasit 8). Sigurisht që fjala “katholike” do të thotë e plotë, e tërë, por përfshin edhe perspektivën më të gjerë dhe përgjegjësinë që ka Kisha si Trupi mistik i Krishtit që ndodhet kudo, për të rinovuar botën e tërë. Në shekullin e 21-të ftohemi ta përjetojmë detyrën tonën apostolike dhe të japim dëshminë e Orthodhoksisë si në nivel lokal, ashtu dhe në atë botëror. Çdo polarizim i orthodhoksisë midis lokalizmit dhe globalizmit çon në tjetërsim të spiritualitetit orthodhoks.

Për të qenë konsekuentë me dimensionin apostolik dhe katholik të Orthodhoksisë, duhet t’i përgjigjemi bashkërisht përgjegjësisë sonë hierapostolike dhe ekumenike, që përcaktohet shumë qartë në porosinë e fundit të Zotit (Matth. 28:18 dhe Veprat 1:8). Të jemi pra dëshmitarë të Krishtit “edhe në Jerusalem” (në vendin ku ndodhemi) “edhe në tërë Judenë dhe Samarinë” (në qarqet gjeografike dhe politike që shtrihen përreth nesh ) “dhe deri në skajin e tokës”.

***

Çdo Liturgji Hyjnore e shtrin njëkohësisht horizontin tonë nga e shkuara drejt së ardhmes, deri në të fundmet e kohës. Bërthamë e saj ngelet “kujtimi” i ofertës së Zotit në Darkën Mistike, i Kryqit, i Ngjalljes, për të kundruar në besim Ardhjen e Tij të Dytë të lavdishme, duke përjetuar shpëtimin në Krishtin në mënyrë të qenësishme.

Krishti është për të gjitha epokat dhe për të gjitha qytetërimet “ po ai, dje dhe sot dhe në jetë të jetëve” (Hebr 13:8). Si rrjedhojë edhe Kisha e Tij, që është Trupi i Tij mistik, nuk i takon ekskluzivisht një periudhe historike, as identifikohet me karakterin dhe strukturën e një epoke.

Kujtimi Eukaristik i çdo Liturgjie, siç risjell në ndërgjegjen e besimtarëve veprën e Atij “që është dhe që ishte dhe që vjen, i Gjithëpushtetshmi” (Zbul. 1:8), kapërcen kategorinë e kohës dhe çel horizontin në të fundmet, drejt rrjedhës së vazhdueshme të historisë, drejt fundit të botës. Thirrjet lavdëruese të uratave eukaristike theksojnë dimensionin e përjetësisë, “gjithnjë, tani e përherë edhe në jetë të jetëve”.

Kisha si “Trup” i Krishtit, ka sigurisht plotësinë e qenies së saj nga Mbretëria që po vjen: kundron në mënyrë eukaristike dhe dhoksologjike të fundmet, por në të njëjtën kohë, nuk shfaqet indiferente për historinë. Duke menduar rreth Orthodhoksisë së shekullit të 21- të, e shikojmë të hapur ndaj çdo zhvillimi, ndaj kërkimit të pandalshëm të njerëzimit, ndaj kushteve të reja që formohen nga shkenca, arti dhe teknologjia.

Në mënyrë të veçantë në marrëdhëniet e besimit të krishterë me shkencat pozitive- që kohët e fundit doli përsëri në aktualitetin e ngjarjeve me eksperimentet e CERN-, Kisha Orthodhokse i është shmangur marrjes në patronazh të zhvillimit të kërkimit shkencor, ngutjes për të marrë pozicione për çdo çështje shkencore të shfaqur, gjë prej së cilës u ndikuan disa Kisha të caktuara në Perëndim. Për ndërgjegjen orthodhokse liria e kërkimit përbën një dhuratë që i është dhënë njeriut nga Perëndia. Në traditën e Lindjes është shmangur, nëse ka qenë e mundur, çdo lloj përplasjeje midis shkencës dhe theologjisë. Metodologjia e dyfishtë e etërve orthodhoksë, që themelohet mbi dallimin ontologjik midis të krijuarës dhe të pakrijuarës, e ruan nga veprime të pavenda.

Por në të njëjtën kohë me këtë pohim, mendimi orthodhoks nxjerr në pah nga njëra anë rreziqet që fshihen pas disa arritjeve shkencore të caktuara dhe nga ana tjetër të kufijve të dijes njerëzore; dhe së treti të ekzistencës së një “dijeje” tjetër. Kjo e fundit nuk është e varur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga fusha shkencore, por shfaqet në mënyrë shumëfishe, e domosdoshme për përkufizimin e saktë të lirisë dhe të vlerësimit të fryteve të shkencës- me kufizimin e egocentrizmit, me theksimin e unitetin përfundimtar të së vërtetës, bukurisë
dhe dashurisë.

**

Pozicioni i Orthodhoksisë nuk ndodhet në periferi të Historisë, por në qendër të brumosjeve sociale dhe në pararojë të progresit. Kjo sigurisht nuk do të thotë pretendim për dominim të të tjerëve. Parësia (primaciteti) që u shkon për shtat orthodhoksëve është parësia e shërbesës, parësia e dashurisë. Me ndjeshmëri ndaj fenomeneve sociale, duhet të vëzhgojmë pulsin e epokës dhe të bëhemi gjithnjë e më tepër ajo çfarë Krishti do që të jemi: njerëz të së vërtetës, të drejtësisë, të faljes, të pajtimit. Siç na e thotë Ungjilli, njerëz që sillemi me të tjerët, siç do të donim që ata të silleshin kundrejt nesh. Njerëz që nuk e kufizojmë dashurinë tonë vetëm tek “ata që na duan”, por edhe që ndjekim me bes-nikëri dhe shpirt burrëror porosinë e tij “doni armiqtë tuaj dhe bëjuni mirë dhe jepuni hua, pa pasur shpresë më” (Luka 6:35). Duke pasur dëshirë finale të bëhemi “bij të të Lartit”, “të dhembshur, siç është edhe ati ynë i dhembshur” ( v.36).

Aktuale në çdo epokë është Orthodhoksia, e cila mbështet çdo gjë pozitive të jetës personale dhe sociale, e cila gjallëron dhe rrezaton gëzimin në Shpirtin e Shenjtë, që u reziston hidhërimeve më të mëdha, që ngushëllon dhe përkrah; që shpërndan fuqi krijuese në të gjitha fushat sociale. Një Orthodhoksi e gëzuar, e cila mund të prekë njerëz të çdo moshe, në mënyrë të veçantë të rinjtë dhe t’i sigurojë se nuk është privacion, por plotësi jete.