• Lëvizja më e re politike që do të formohet nga ish- drejtuesi i MJAFT-it Erion Veliaj, do të jetë në koalicion me opozitën
Lëvizja më e re politike që do të formohet nga ish- drejtuesi i MJAFT-it Erion Veliaj, do të jetë në koalicion me opozitën. Gjatë një interviste të dhënë në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo”, Veliaj u shpreh se sfida e Ramës para se të bëhet një koalicion i tillë, do të jetë përballja me xhaketat e vjetra në PS.
Gjatë këtyre ditëve është thënë se jeni duke krijuar një forcë politike, e vërtetë apo spekulime shtypi?
Nuk janë spekulime të shtypit. Ka një të vërtetë të madhe, por ka një keqkuptim, sepse nuk bëhet fjalë për një parti klasike.
Çfarë risie do të sillni në politikë...?
Nëse ka dy politikanë, Berisha dhe Veliaj, të dy flasin për “Shqipërinë një euro” dhe për krijimin e klimës për një biznes, unë them se ajo që na dallon është se njëri e thotë për batutë politike, ndërsa tjetri ka një ide shumë të qartë se si bëhet Shqipëria një euro, se si ngrihet një park industrial dhe se si lihet biznesi të punojë rehat.
Me cilën parti do të futeni në koalicion?
Një gjë është e sigurt, që me këtë parti që po udhëheq kaq keq dhe me partitë që e rrethojnë e që drejtohen nga njerëz të cilët nuk kanë asnjë vlerë, ose kanë qenë me ish-pushtetin, nuk do të futemi në koalicion.
Domethënë, me rregull 3-shi i bie që të jeni në koalicion me Edi Ramën...?
Sigurisht, besoj se në kushtet ku jetojmë, janë dy energji që funksionojnë: e para kjo për të cilën po flas, dhe e dyta që po vjen nga opozita jo vetëm nga Edi Rama, por edhe nga dy parti të tjera të opozitës që kanë një vlerë të përfillshme, Gjinushi dhe Meta dhe nja dy-tre të tjera që realisht janë të papërfillshme. Nëse së bashku do të krijonim një vizion të qartë, sigurisht që do të ishte një gjë e mirë suksesi.
A ia keni propozuar këtë ide Edi Ramës?
Nuk mund të them se nuk kam folur. Unë kam qenë i përfshirë edhe në disa debate për përfshirjen time në PS. Besoj se kam shumë idealizëm për t’u përfshirë në politikë, por jo domosdoshmëri në një strukturë partiake; kjo do të thotë që energjia ime do të shfrytëzohej shumë më mirë nëse një gjë e tillë do të ishte e organizuar dhe do të ishte një fuzion i përbashkët.
Çfarë keni diskutuar me zotin Rama?
Janë disa njerëz shumë të aftë, që unë i respektoj dhe që e gjejnë veten në një formacion partiak. Por ka disa njerëz të tjerë që dolën kundër lëvizjeve në institucione. Ajo që duhet të kuptojmë, është se kjo lëvizje nuk mund të jetë më “ad hoc”, por duhet të jetë permanente, sepse represioni ndaj institucioneve nuk është “ad hoc”, por është permanent.
Ju kanë akuzuar se keni qenë instrument i Edi Ramës...kur e keni njohur Edi Ramën?
E kam njohur në vitin 2005, dy vjet pasi ne kishim filluar luftën kundër asaj qeverie, kështu që kjo është prova më e sinqertë se qëndrimi ynë kundër qeverisë “Nano”, edhe në kohën kur Rama me Nanon bënin vizita respektive tek zyra e njëri-tjetrit. Një nga arsyet që unë nuk kam pranuar të jem më afër një bashkëpunimi me Ramën, ka qenë pikërisht situata që ai ka në parti, domethënë një nga sfidat e Edi Ramës është pikërisht heqja e xhaketave të vjetra. Ai është në një proces reformimi të partisë dhe mua më vjen mirë. Ai është duke marrë një tur në të gjithë fshatrat e vendit dhe për këtë po kritikohet, për herë të parë unë e mbroj publikisht Ramën, pasi mendoj se po bën gjënë më të mirë e më të mençur që është bërë në Shqipëri.
Krijoni Kontakt