Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 22
  1. #1
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    Ju krimit të organizuar i keni “rruajtur bishtin”.

    Ju krimit të organizuar i keni “rruajtur bishtin”.

    Zoti ministër,

    Ka kaq kohë që lexoj nëpër shtyp e dëgjoj nëpër mediat mburrjet për sukseset që ju, si mazhorancë në pushtet, keni arritur në luftën kundër krimit të organizuar. Ndërkaq këto ditë mediat afër jush dhe ato opozitare ndaj jush u ndanë më dysh në interpretimin e një raporti të Departamentit të Shtetit lidhur me këtë temë.

    Nëse doni mendimin tim si qytetar, dhe besomëni se është një mendim që e ndajnë me mua shumë qytetarë, ju krimit të organizuar i keni “rruajtur bishtin” siç thotë populli – ashtu sikurse edhe korrupsionit, klientelizmit, tarafllëqeve e tërë atyre fenomeneve antishtet që u mbollën në qeverisjen tuaj të parë e u prashitën, u vaditën e hodhën shtat në 8 vjet qeverisje socialiste. Nuk e di saktë nga vjen kjo shprehja “t’i rruash bishtin”. Kam përshtypjen se është ndërtuar si metaforë duke nisur nga ato kafshët grabitqare që i shpëtojnë lakut duke lënë atje bishtin. Thuhet edhe “i la bishtin”, por ndoshta ka edhe një kuptim më banal. Nejse, përtej metaforës dhe përtej deklaratave të Departamentit të Shtetit do të thoja se krimi i organizuar, sipas vëzhgimit tim të përditshëm, shëtit nëpër qytetet tona me bisht të lirë në formë fuoristradash me xhama të zinj nga ato që kushtojnë sa një shtëpi që vetëm karburant mund të shpenzojnë në ditë sa ç’i duhet një familjeje për t’u ushqyer. Për mua si qytetar mjafton të shoh rritjen e numrit të këtyre fuoristradave me xhama të zinj në timonin e të cilave sheh shpesh 20 – 25 vjeçarë, të kujtoj se një nga premtimet tuaja të para ishte të hiqnit xhamat e zinj, për të vlerësuar luftën tuaj ndaj krimit të organizuar.

    Po le ta lemë këtë muhabetin e krimit me fuoristrada me xhama të zinj se është edhe i rrezikshëm – pale që mund të më thonë se e kam fjalën për ministra dhe deputetë të nderuar - e le të kalojmë në një “krim të organizuar” më pak të rrezikshëm për fjalën e lirë, që bëhet me karroca dhe triçikle, për t’ju provuar se sa janë shtrënguar vidat e shtetit nën drejtimin tuaj.

    Përsëri ka të bëjë me përvoja personale, pra me perceptime siç i thonë, por më lejoni të shprehem.

    Unë, zoti ministër banoj në një apartament që ndodhet në një rrugë që s’është më shumë se 50 - 100 metra larg qendrës - nëse me qendër do të quajmë sheshin Skënderbej. Aty te rruga ime ndodh një gjë e çuditëshme. Një herë në dy tre muaj “krimi i organizuar” ndërmerr aksionin e vjedhjes së kapakët të pusetave. Kësaj here kanë vjedhur nja tre katër përgjatë gjithë rrugës sonë që nuk është më e gjatë se dyqind metra dhe kështu, për të kaluar, është bërë një ferr i vërtetë sepse, siç e dini, edhe trafiku është i vështirë në qytetin tonë në përgjithësi. Ka rrezik që kush nuk ka fuoristrada t’i ngecet rrota e makinës brenda dhe të bjerë në pikë të hallit.

    Ajo që nuk arrij ta kuptoj unë, zoti ministër, është se si ka mundësi që policia jonë nuk arrin ta ndalojë një fenomen kaq të rëndomtë që mua, më duket shumë i lehtë për t’u ndaluar. Sepse kapakët prej hekuri të pusetave nuk janë kuleta që tjetri i vjedh dhe i fut në xhep. Ato ose dërgohen diku për shkrirje ose ka ndonjë që i tregëton dhe që ka interes të vidhen që ai t’i shesë prap. Dhe furra shkrirjeje dhe tregëtarë pusetash në këtë vendin tonë nuk besoj se ka shumë. Pra e kuptoj se mund të jetë e vështirë të kapet hajduti i pusetave, por më duket krejt e lehtë të identifikohet vendi ku ato shiten nga hajduti e pastaj të shkohet prej tyre tek hajduti. E kur policia nuk është në gjendje të na mbrojë nga një krim i tillë si mund të na mbrojë nga ato më të sofistikuarat që përdorin fuoristrada me xhama të zinj? Unë kësaj, zoti ministër, sado që përpiqem nuk i jap dot përgjigje përveçse me zhvidhosjen e vidave të shtetit.

    Tani, zoti Nishani, dua t’ju drejtohem edhe për diçka tjetër - kësaj here si anëtar i kabinetit të ministrave. Gjithnjë lidhur me vjedhjen e kapakëve të pusetave e kam fjalën. Këtë çështjen e kapakëve unë nuk e kam për herë të parë që e trajtoj në shtyp. Në një nga vjedhjet e rradhës ndodhi që na vodhën një pusetë që ishte afër kazanave të plehërave. Pasi prita një, dy, tre, katër, pesë javë të vinin ta zëvendësonin - me atë durimin tashmë proverbial të shqiptarit - duke parë se si ajo hapësira poshtë pusetës, përveç tjerash, po mbushej me plehëra, më në fund u ula të bëj një shkrim. U botua në faqe të parë të Korrierit. Denoncoja vonesën e Ujësjellësit, madje e përdorja këtë rast edhe për të venë në dukje se në kohën e socialistëve vonesa e zëvendësimit nuk ishte kaq e madhe kur na vidheshin pusetat. Pra e përdora si një tregues se këta demokratët, që na premtuan qeverisje më të mirë e më eficente, sikur po japin ca performanca edhe më të këqija nga ato që na kishin dhënë socialistët. Ç’ndodhi? Zëre se nuk e kisha shkruar artikullin që e titullova “Një gropë e zezë që flet shumë.” Kaluan dy muaj dhe gropa e zezë prapë gropë e zezë mbeti. Madje, që ta tregoj deri në fund historinë, i thashë edhe Armand Shkullakut, drejtorit të informacionit të Klanit dhe ai bëri edhe një kronikë për pusetat e vjedhura nëpër Tiranë. Por edhe pas kronikës së Klanit asgjë nuk ndodhi. Dhe, që ta dini ju, zoti ministër këtu në rrugën time banojnë edhe nja dy a tre deputetë demokratë.

    Një ditë më rastisi dhe takova Lul Bashën që atëhere ishte ministër i transportit prej të cilit varej edhe Ujësjellësi. Nuk prita shumë dhe ia hapa muhabetin e pusetës. “Si ka mundësi, mor njeri, i thashë, po bëhen gati tre muaj dhe mu në mes të Tiranës nuk mbuloni dot një pusetë.” Pa e zgjatur shumë Luli i bëri një telefon drejtorit të ujësjellësit duke i treguar edhe ku ndodhej puseta që nuk është më shumë se 50 metra larg qendrës, siç thashë. Ndërkohë që unë nuk kisha mbaruar kafenë me Lulin, dmth nuk kaloi më shumë se ndonjë gjysëm ore, atij i erdhi një telefon nga drejtori i cili i thoshte se puseta u vu në vend. Çfarë mrekullie - thashë me vete në fillim - shpëtuam më në fund. E falenderova, por pastaj nuk mund edhe të mos i thoja: po pse mor burrë një punë që paskësh qenë kaq e lehtë vonon tre muaj në këtë vendin tonë.

    Tani përsëri zoti ministër kanë kaluar më shumë se dy javë dhe gropat e zeza tek ne po gropa të zeza kanë mbetur. Ju e kuptoni se unë tani nuk mund të pres derisa të më bjerë rasti të takoj Olldashin që t’i them ndonjë fjalë për pusetat. Ju besoj se e takoni përditë e meqënëse po ju dërgoj këtë letër të hapur që shpresoj ta lexoni, thoini po mundët që kanë kaluar dy javë e më shumë që tek ajo rruga ku banon Fatos Lubonja, Leonard Demi, Blerim Çela janë vjedhur pusetat dhe nuk po i zëvendëson kush. Tek e fundit çfarë thashë në fillim: tarafet e miqësitë tek ne janë më të forta se shteti. Se të them të drejtën më duket e tepërt t’i dërgoj sms Berishës për këtë punë. Pastaj, edhe kjo një mënyrë qeverisjeje është. Thonë që Çavesi në Venezuelë ka gjetur një mënyrë edhe më efikase. Ai shkon në emisione televizive tip show dhe atje, ndërkohë që këndon e argëtohet, i bëjnë edhe telefonata. Njerëzit e marin në telefon dhe i thonë se në filan vend punët nuk shkojnë mirë dhe ai telefonon atje menjëherë dhe punët rregullohen. Ndoshta nuk do të ishte një ide e keqe që të hapet një ministri që të punojë kështu me televizion se ne nuk kemi edhe pak televizione.

    Nejse, ky mund të jetë një projekt tjetër që mund ta bëjë më mirë Rama, ndoshta. Ndërkaq shpresoj shumë se ju do ta lexoni këtë letër të hapur. Është shpresa e vetme që kam se do të na mbulohen pusetat.

    Duke ju uruar shëndet e gjithë të mirat dhe falenderuar “in advance” siç i thonë anglezët.

    Fatos Lubonja.

  2. #2
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    Krimin e organizuar nuk e kemi “zhdukur”, kokën ja kemi shtypur !

    Bujar Nishani Unë, sinqerisht besoj se nëse krimin e organizuar nuk e

    kemi “zhdukur”, kokën ja kemi shtypur !


    Zoti Lubonja,

    Si gjithherë e lexova me shumë vëmendje Letrën tuaj të hapur të botuar në gazetën KORRIERI.Së pari , si qytetar i këtij vendi më lejoni t’ju shpreh konsideratën për kontributin që ju jepni në sensibilizimin publik të çështjeve apo problematikave që has shoqeria jonë në zhvillim. Debati juaj rreth tyre, të paktën ruan origjinalitetin dhe konsistencën, ç’ka sot fatkeqësisht janë të rralla në lëmin e opinionbërësve. Së dyti , si ministër i kësaj administrate do të dëshiroja t’ju bëja me dije një informacion më real mbi goditjen që ka pësuar krimi i organizuar në Shqipëri pas 3 Korrikut 2005. Më duhet t’ju informoj se ata anëtarë bandash që ekzekutuan oficerin e policisë Klejdi Bano në pragun e shtëpisë , vetëm pse ai guxoi të hetonte për ta, (e që ishin të paprekshëm) tashmë janë arrestuar dhe dërguar përpara drejtësisë. Ata anëtarë bandash që ekzekutuan dhe i prenë kokën qytetarit nga Lushnja dhe e shëtisnin në qytet, vetëm pse ai guxoi të denonconte në polici ( polici që e tradhëtoi) veprimtarinë kriminale, tashmë janë arrestuar dhe janë përpara togave të zeza. Ata anëtarë bandash që dilnin dhe u zinin pritë autobusëve të udhëtarëve në qafa malesh, ku grabisnin dhe dhunonin qytetarët, tashmë janë arrestuar dhe dërguar ne qeli. Ata anëtarë bandash që ekzekutonin njëri- tjetrin në Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Shkodër për pazare të prishura të drogës, tashmë janë arrestuar dhe presin gjykimin e drejtësisë. Ata anëtarë bandash që rrëmbenin vajzat e prindërve të pamundur dhe i detyronin të prostituonin, tashmë janë arrestuar dhe presin gjykimin e drejtësisë. E këto, gjatë këtyre 2 vite e gjysëm, kanë qenë plot 249 grupe te goditur me mbi 900 anëtarë të arrestuar. E kam fjalën për veprimtari të krimit të organizuar. Pasi, persona në kërkim, që janë arrestuar gjatë periudhës në fjalë janë 2.993. Po gjatë kësaj periudhe, 227 kriminelë shqiptarë, i kemi gjetur të fshehur anekënd Europës. Së bashku me partnerët tanë i kemi arrestuar dhe 170 prej tyre i kemi ekstraduar në Shqipëri. Ata të “paprekshmit”, që rrëmbenin dhe ekzekutonin bisnesmenë, që ekzekutonin shefa policie, që vilnin gjobat nga kushdo qe u tekej, nuk janë më në qarkullim të lire, por në bankën e akuzës. “Të fortët” nuk kanë më guxim të gjejnë strehë në makinat e ministrave, deputetëve apo funksionarëve të lartë të partive, doganave apo tatimeve. (Një libër të tërë me emrat e të gjithë këtyre grupeve dhe anëtarëve të tyre do të ju dërgoj në adresën tuaj). I Nderuar z. Lubonja, makina me xhama të errët ka dhe do të ketë, përsa kohë teknologjia e standarteve të prodhimit të makinave e njeh dhe e aplikon këtë. Por nuk ka më shans që ata që udhëtojnë me këto makina, të shkelin rregullat e qarkullimit dhe të mos gjobiten. Nuk ka më shans që drejtues të këtyre por dhe të tjera mjeteve, të mos i binden apo të mos respektojnë forcën e ligjit dhe të shtetit. Konfirmimin e këtyre që po ju informoj do ta gjeni mes banorëve të Tiranës. Unë, sinqerisht besoj se nëse krimin e organizuar nuk e kemi “zhdukur”, kokën ja kemi shtypur. Jam dakort me ju, që bishti ndoshta i ka mbetur jashtë tek përpëlitet. Madje unë mendoj se bishti po ashtu është i rrezikshëm po aq sa dhe koka. Mendoj kështu pasi bishti i krimit të organizuar është jo vetëm shumë i gjatë por edhe shumë i përdredhur. Unë mendoj si ju, që bishtpërdredhuri futet në çdo sokak e guvë, gati për tu ringjallur. Por duket se ilaçin ja kemi gjetur. Por më lejoni të kthehem tek shqetësimi tjetër i juaji. Vjedhja e pusetave. Unë besoj se mendoj si ju, që gjërat duhet të funksionojnë si mekanizëm. Bazuar në përcaktim ligjor dhe procedura jo spontane. Pasi lexova me kujdes shqetësimin tuaj, kërkova një informacion. Më informojnë se asnjë ankesë e tillë nuk është kallëzuar në organet e rendit as nga qytetar, e as nga institucione që janë përgjegjëse për administrimin dhe ruajtjen e tyre në rrugët e qytetit tonë, Bashkisë së Tiranës. Gjithsesi, kallëzimi është i domosdoshëm dhe i nevojshëm. Ju siguroj se mekanizmat për pritjen e informacionit janë ekzistentë dhe funksionalë. Drejtoria e Policisë së Tiranës, gjatë vitit 2007 ka marrë 15 mijë telefonata denoncuese nga qytetarët, më shumë se një vit më parë. Natyrisht jo të gjitha janë të sakta. Por shumë prej tyre janë inicimi i hetimeve dhe zbulimit të shumë veprave dhe akteve keqbërëse. Por edhe shkrimi juaj është një denoncim. Një denoncim shumë serioz dhe që do të trajtohet me profesionalizmin e duhur nga organet e specializuara. Unë nuk jam specialist i hetimit, madje edhe varësinë policia e shtetit nuk e ka më tek Ministri i Brendshëm. Por si anëtar i këtij kabineti, si përgjegjës për zbatimin e politikave të kësaj qeverie, edhe në fushën e rendit dhe sigurisë, shqetësimin tuaj e ktheva në një kërkesë të punës investigative të disa instrumentave të specializuar në figura të ndryshme të krimit. Besoj se ju do të mbeteni po aq vëmendshëm sa deri më tani për të konstatuar gjetjen e shërbimit që ua kemi detyrim qytetarëve. Duke ju uruar shumë shëndet dhe ditë të mbara.

    Sinqerisht, Bujar Nishani

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    flmn Geg per shkrimet qe sjell..
    ky leterkembim mes publicistit te njohur lubonja dhe minister nishanit eshte tregues i nivelit ne rritje te demokracise.

    megjithate ceshtja e pusetave nuk duhet te mbetet ne dorte denoncuesve popullor por ceshtje e shtetit..
    meqense shteti ne tirane eshte dy llojesh.. shtet i berish nishanit dhe shtet i edvin kodhel shalsave.. e sikurse dhe ne rrethe kemi shtet berishe e prefektesh e shtet kryetar bashkishe.. e meqense keto dy shtete brenda shtetit kan interesa te kunderta.. do kemi shum probleme..
    mirpo shteti i berishes duhet te trimfoje mbi kete super shtetin e edvinave..

    nuk can kryet edvini per pusetat..caje ti nishan..
    ku vene pusetat?
    mos i hane jevgjit a cecenet ne vend te byrekut?
    jooo..
    dikush i do keto per biznes hekuri..
    atje ti nishan te shkosh e ta mberthesh problemin..
    dale ti biznesmeni i hekurit..qe ke bere vilen 4 katshe.. ku i con ti pusetat.. nga kush i merr.. kush ti blen.. kush i shkrin.. e mbertheji te gjithe e varua l.oqet ne bige.. qe te mos guxoje me kush te preke pronen publike..

    nejse.. po keto forma leterkembimi jan gje e mire..

  4. #4
    I come back
    Anëtarësuar
    01-10-2005
    Postime
    345
    Patjeter qe puseta do vjedhin ata qe s`kane as buke te hane. Si do bejne tjeter? Si do mbijetojne?
    Duhen pare ata qe kane vene miliarda leke jo ata qe kerkojne te mbijetojne.

  5. #5
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    Gazeta Sot, Monday, 21 April 2008

    Ky Yll Mëngjezi,
    me dritën e tij nga Amerika e demokracisë,
    do na tregojë rrugën gjithë jetën

    Nga Zenel dhe Donika ANXHAKU

    Letër dërguar Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, zotit John L. Withers

    I nderuar zoti Ambasador i Shteteve të Amerikës në Shqipëri, zoti John L. Withers.

    Ne që po ju shkruajmë Juve, jemi dy bashkëshortë Zenel Anxhaku dhe Donika Anxhaku me profesion jemi gazetarë, kemi mbaruar të dy fakultetin e gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe jemi autor të disa librave me poezi, drama dhe publicistikë. Dhe midis tyre edhe autorë të librit më dy pjesë “101trëndafilat e Korçës”, që Juve me te drejtë aq shumë e respektoni dhe e nderoni. Se për Korçën, ashtu siç keni theksuar Juve “Korça ka një histori të gjatë për shkak të traditave të saj kulturore dhe arsimore, madje ka një kontribut dhe lidhje të fortë me themelimin e kombit shqiptar”. Ne të dy kemi banuar dhe punuar në Korçë dhe në vitin 1996 erdhëm në Tiranë. Dhe në tavolinën tonë të punës, ku shkruajmë, poshtë xhamit kemi vënë katër poezi; poezinë “Gjuha shqipe“ të Ndre Mjedës, “Trashëgimi” të Asdrenit, “Prometeu” të Gëtes dhe “Nëse mundesh” të poetit të madh amerikan, Ridujard Kipling.

    Zoti Ambasador,

    tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, populli shqiptar dhe intelektualët e dalë nga gjiri i tij, kanë parë gjithmonë një mbështetje të fuqishme të lirisë, të lirisë së mendimit dhe të lëvizjes, të konkurrencës së ndershme dhe të drejtë. Këtë miqësi e kanë farkëtuar atdhetarët e mëdhenj shqiptarë si; Fan Noli dhe Motrat Qirjazi etj dhe së fundi Pavarësia e Kosovës, ku shteti dhe populli amerikan dhanë mbështetjen kryesore për arritjen e kësaj ditë të shënuar historike për të gjithë ne shqiptarët. Ndaj ne e shikojmë Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si zëdhënësin e demokracisë më të madhe në botë, të asaj demokracie ku e ka shikimin gjithë bota e qytetëruar. Dhe i tillë keni qenë edhe Juve me qëndrimet, referencat dhe me ekspozimin e mendimeve dhe të veprimeve.

    Por, në datën 18 prill të vitit 2008, lexuam në gazetën e Partisë Demokratike në pushtet “Rilindja Demokratike” një titull shkrimi të anonçuar në faqen e parë, ku shkruhej “Withers: Shqipëria po krijon një administratë moderne”. U habitëm dhe thamë me njëri-tjetrin: “Si ka mundësi, që Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ketë një mendim të tillë për administratën shqiptare?”.

    Ne që po ju shkruajmë Juve, zoti Ambasador jemi aktualisht dy të papunë. Kemi qenë të dy punonjës të kësaj administrate dhe u hoqëm padrejtësisht nga puna për shkak se ata që morën pushtetin politik e kanë parë administratën publike shqiptare jo si një hallkë të rëndësishme e të domosdoshme të shtetit të së drejtës, por si një minierë ari ku mund të bënin çfarë të donin e si të donin.

    Ja si shkruan me të drejtë profesor doktor Ethem Ruka, një ditë para se të anonçohej fjala Juaj në gazetën “Rilindja Demokratike”. Në editorialin e gazetës “Zëri i Popullit” më datën 17 prill 2008, ky autor i shquar librash shkruante artikullin “Federata” qeverisëse shkatërroi administratën publike” ku midis të tjerave nënvizonte “Libri i zi”, i hartuar nga burimet njerëzore të Partisë Socialiste Shqiptare, tashmë numëron 30.000 të larguar nga puna. Konkurset për vende pune kanë qenë dhe mbeten formale. Përtej alibisë së reformës, gjithçka vendoset nga titullarët e institucioneve.

    Në të gjitha ministritë mund të gjesh duzina funksionarësh të komanduar, të cilët në masën 100 për qind fitojnë konkurset e organizuara në mënyrë fiktive. Si ka mundësi të veprohet si në vitin 1945-1946, kur burimet njerëzore nuk ekzistonin? Zakonisht fillohet me ofertën për të ndërruar partinë ose për të federuar në partinë e ministrit, në rast të kundërt humbet vendin e punës. As më shumë dhe as më pak, ky është një “sistem gjobash”. Kjo është në të vërtetë, i nderuar Ambasador tabloja reale e administratës publike shqiptare me mendësi mesjetare, bajraktare dhe metoda të tejkaluara bolshevike.

    I nderuar, zoti Ambasador!

    Në gjuhën Tuaj të bukur, ka shkruar poeti i madh anglez, Robert Berns. Ai midis të tjerave ka një vjershë të famshme të titulluar “Ode për miun e arës”. Autori poet dhe fermer po plugonte në arën e tij dhe padashur i prish folenë një miu të arës. Tronditet. dhe kërkon të falur me anë të asaj poezie të famshme. Kurse, pushtetarët tanë janë shpirtkazmë, ata i ka kapluar dhe pushtuar etja për fitime të shpejta dhe përrallore, gjë që sjell gërdecët e vazhdueshëm në shoqërinë e varfër dhe të mjeruar shqiptare. Tek ne, tanimë mungon fare sistemi i vlerave.

    Vlerat janë zëvendësuar nga fitimi i paskrupullt. Ne donim sinqerisht që t’ju informonim Juve, se deklaratat e pushtetarëve shqiptarë se të rinjtë që kanë mbaruar shkollën e lartë dhe studimet pasuniversitare në perëndim mirëpriten në administratën shqiptare janë një trillim dhe një mashtrim i radhës. Djali ynë, Besnik Anxhaku pasi mbaroi Universitetin e Tiranës, dega e gazetarisë me rezultate të shkëlqyera në janar të këtij viti, çoi dokumentet për të konkurruar për një vend pune, specialist në drejtorinë e monitorimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, në Departamentin e Administratës Publike. Aty i thanë se do ta lajmërojnë vet, kur do të zhvillohej konkursi. Por, çfarë ndodhi? Kur shkoi të interesohej për këtë konkurs pranë drejtoreshës së administratës publike, aty i thanë se konkursi ishte zhvilluar. Dhe jo vetëm që nuk e kishin lajmëruar, por i kishin humbur edhe dosjen e tij personale. Dhe me këto veprime administrate publike shqiptare, aktualisht nuk ka asgjë moderne natyrisht.

    I nderuar, zoti Ambasador,

    Kur lexuam në brendësi të gazetës “Rilindja Demokratike” shkrimin në fjalë, vumë re se në brendësi të gazetës nuk ishin përmendur në shkrim, fjalët që ishin cituar dhe anonçuar si titull i shkrimit në ekspozimin e numrit në faqen e parë të gazetës. Ndaj neve sinqerisht, tani dyshojmë që të jenë thënë prej jush ato fjalë të anonçuara në faqen e parë të gazetës dhe ato fjalë janë thjeshtë një skup gazetaresk. Gazeta “Rilindja Demokratike” është gazetë e partisë në pushtet dhe ajo sipas traditës së saj nuk tregon asgjë për heqjet masive nga puna, nuk tregon asgjë për konkurset formale. Nuk tregon asgjë për ministritë që janë bërë shtojcë e partive, ku aderojnë ministrat e tyre. Kurse, përsa i përket shtypit opozitar ai luftohet dhe pengohet sistematikisht nga qeveria.

    Kohët e fundit, vala e kontrolleve të qëllimshme ka qenë ndaj gazetës së pavarur “Sot”. Gjithmonë, kështu është vepruar. Seria e kontrolleve financiare ka nisur dhe ka vërshuar kundër atyre mediave që kanë qenë aktive dhe kritike ndaj qeverisjes aktuale. Shtypi qeveritar stimulohet me anë të reklamave, ndërsa gazetat progresive dhe qytetare si gazeta “Sot”, sulmohen sistematikisht për t’i mbyllur gojën, për ta bërë të hesht, për ta nënshtruar me metodat e një diktature të kamufluar.

    I nderuar, zoti Ambasador!

    Natyrisht që administrata publike duhet modernizuar vazhdimisht në përshtatje të kërkesave të kohës. Ashtu si edhe media, për të sjellë aty gazetarë profesionistë dhe të përkushtuar. Por, ç’mund të thuash kur në vend të specialistëve me arsim përkatës dhe që kanë mbaruar shumë kurse kualifikimi nga departamenti i administratës publike dhe të pajisur me dëshmitë përkatëse, sillen militantë pa konkurse dhe pa kualifikim përkatës? Ç’mund të thuash pastaj për një gazetë të partisë në pushtet, që në çdo numër mburr pa rezerva qeverisjen dhe asnjëherë nuk mban qëndrim kritik, madje as edhe në këtë fushë tepër të ndjeshme e të prekshme, siç është administrata publike?

    Ne mendojmë se Administrata Publike, duhet t’ju përkasë të gjithëve si një thesar i të gjithë kombit e jo të bëhet pronë e disa partive që janë në pushtet duke e parceluar administratën, sikur të jetë një tortë që duhet gllabëruar me babëzi interesash partiake dhe klanore. Tani dihet nga të gjithë qytetarët se cilës parti i përket njëra apo tjetra ministri. Duke shkelur një nga të drejtat më themelore të njeriut, të drejtën për të jetuar, jo vetëm që administrata publike nuk është bërë moderne, por ajo është bërë për mendimin tonë pronë private e një grushti njerëzish të veshur me pushtet.

    Para disa ditësh, një stacion televiziv jepte pamje të disa balenave vrasëse në brigjet e Argjentinës. Kjo qeveri është kthyer tanimë si ato balenat vrasëse që “hanë” qytetarët e vet duke i flakur padrejtësisht nga puna (30.000 vetë janë shumë, shumë për një popull të vogël si shqiptarët) ose duke krijuar me papërgjeshmërinë e tyre tragjedi si Gërdeci, ku punonin edhe fëmijë, u vranë edhe fëmijë dhe pastaj Ministria e Arsimit dhe shefat e saj flasin çuditërisht për Shqipërinë në moshën e internetit.

    I nderuar zoti Ambasador!

    Dhe më tej duam që t’ju vëmë Juve në dijeni, se së shpejti do të fusim në ribotim librin tonë “101 trëndafilat e Korçës” dhe në të, në parathënie do të citojmë edhe fjalët tuaja shumë kuptimplote për Korçën, ku ne jetuam dhe punuam. Dhe do ju ishim mirënjohës Juve, po të na lejonit që të citonim fjalët tuaja.

    Unë jam shqiptar. Ky është fakti më i rëndësishëm i jetës sime, shumë i rëndësishëm se edhe familja vet, sepse vetëdija e këtij fakti, më zgjoi mendimet e mia të gjalla, më mësoi se ç’duhet të bëj, dhe më pajisi me qëllimet e jetës sime, gjithashtu më caktoi formën e qëllimit si në pikëpamjet gjeografike, ashtu edhe historike, më shtoi interesin kryesor dhe më rriti idealin që kur isha fëmijë dhe mendoja që si të punoja për të pasuruar popullin me dituri dhe për të zgjuar dëshirën për liri dhe pavarësi”. Këto fjalë janë të Sevasti Qirjazit, Dako që hapi shkollën e parë shqipe të vashave në Korçë dhe është themeluesja e revistës shqiptaro-amerikane “Ylli i Mëngjezit” të viteve njëzetë, të shekullit të kaluar. Me temë diplome këtë revistë të Sevasti Qirjazit, djali ynë mori titullin master në universitetin amerikan në Turqi, dhe fjalët e kësaj zonje të parë shqiptare janë edhe kuptimi, edhe qëllimi i jetës sonë.

    Nuk po ju drejtohemi Juve për të na ndihmuar, por për t’ju thënë të vërtetën për administratën publike të zotit Berisha. Natyrisht që shtypi ka një mision të lartë në politikë në veçanti dhe në shoqëri në përgjithësi dhe nuk është ashtu siç theksoi para pak kohësh një deputet, se gazetat duhet të pasqyrojnë politikën dhe jo të prodhojnë politikë. Politikë mendojmë se duhet të prodhojnë në demokraci edhe vetë qytetarët. Tokëvili, kur shkoi në Amerikë u habit me pjesëmarrjen e gjallë të qytetarëve në politikë me anë të shoqatave të ndryshme sociale dhe shoqërore. “Lufta e individit kundër prepotencës së pushtetit, është lufta e kujtesës kundër harresës”, theksonte dikur me të drejtë një shkrimtar i njohur.

    Duke marrë shkas edhe nga shembulli i Sevasti Qirjazit me revistën e saj qytetare shqiptaro-amerikane, “Ylli i Mëngjezit”, si revistë e parë komunitare, kemi ngritur bashkërisht me qytetarët, duke u bërë promotor Kryesia e Njësisë Bashkiake nr. 1, në Tiranë gazetën komunitare “Tribuna Qytetare”. Në këtë gazetë qytetare kanë shkruar dhe shkruajnë qytetarët për probleme nga më të ndryshmet si për qeverisjen lokale, për përvojën pozitive dhe për kritikat për ambientin. Eshtë shkruar për bizneset në komunitet, për pjesëmarrjen e grave në pushtetin lokal etj. Shkruajnë në gazetë edhe intelektualët, që janë hequr padrejtësisht nga puna.

    Në gazetën “Tribuna Qytetare” kemi shkruar edhe për shembullin e madh të Amerikës si demokracia më e madhe në botë, dukë dhënë në disa numra të gazetës një reportazh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në punën tonë modeste për ngritjen e gazetës komunitare “Tribuna Qytetare”, kemi pasur si inspirim edhe shembullin e shtypit më realist shqiptar si gazeta kurajoze qytetare “Sot”, “Top-Channel” dhe emisionin e “New 24”, “Koha për t’u zgjuar”, ku qytetarët për një orë thonë drejtpërdrejtë mendimet e tyre. Me anë të “Tribunës Qytetare” kemi treguar jetën e gjallë të komunitetit, me anë të shkrimeve të këshilltarëve të zgjedhur nga qytetarët dhe me anë të shkrimeve të vetë qytetarëve, të cilët flasin për jetën e tyre në kërkim të punës, në detin e trazuar të botës së biznesit të vogël dhe të mesëm. Dhe kemi dal në përfundimin, se liria, pikërisht liria e mendimit dhe e lëvizjes i ka bërë qytetarët që dalëngadalë të shkëputen nga tutela e shtetit dhe çdo gjë ta shikojnë tek puna e tyre e përditshme, tek liria e iniciativës në ekonominë e tregut.

    Pikërisht, liria i ka bërë njerëzit qytetarë. E kjo liri e vërtetë erdhi pas vitit 1990 me përmbysjen e komunizmit, duke pasur shembull dhe mbështetje Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, tani pikërisht kjo liri është vënë në rrezik nëpërmjet heqjeve padrejtësisht nga puna dhe nëpërmjet sulmeve të kamufluara të shtetit kundër mediave të pavarura, siç po veprohet aktualisht kundër gazetës së pavarur qytetare “Sot”. Ky është qëllimi i jetës sonë tani dhe ky do të jetë qëllim, që na e mësoi gazetarja e madhe shqiptare-amerikane, Sevasti Qirjazi me të gjitha numrat e revistës së saj “Ylli i Mëngjezit”.

    Ky yll mëngjesi me dritën e tij nga Amerika e madhe, e demokracisë do na e tregojë rrugën gjithë jetën. Jo rastësisht, këtë letër po e botojmë në gazetën qytetare “Sot”, sepse kemi bindjen se ajo është një trashëgimtare e denjë e rrugës se “Yllit të Mëngjezit”, të motrave të paharruara Qirjazi, që aq shumë i dhanë kombit, kulturës, shkollës shqiptare.

  6. #6
    don't bother me Maska e Apollyon
    Anëtarësuar
    07-11-2007
    Vendndodhja
    periferi
    Postime
    8,589
    Ky yll mëngjesi me dritën e tij nga Amerika e madhe, e demokracisë do na e tregojë rrugën gjithë jetën. Jo rastësisht, këtë letër po e botojmë në gazetën qytetare “Sot”, sepse kemi bindjen se ajo është një trashëgimtare e denjë e rrugës se “Yllit të Mëngjezit”, të motrave të paharruara Qirjazi, që aq shumë i dhanë kombit, kulturës, shkollës shqiptare.
    Kult SATANIK eshte ky "ylli mengjezit" ?
    atehere gazeta Sot, e paska marr me te vertete rrugen e m...
    There is no never ending banquet under the sun. All good things must come to an end.

  7. #7
    U habita si ka sjelle TOKE GEGA artikull kunder qeverise, por paska sjelle dhe pergjigjen me shkronja me te medha akoma

  8. #8
    Fierak 100% Maska e Ujku'80
    Anëtarësuar
    04-11-2002
    Vendndodhja
    Itali
    Postime
    584
    jo vetem qe i kan rruajtur bishitn por po asimilojne ne qeveri, me siguri per ta mposhtur nga brenda.................
    Liberté, égalité, fraternité

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e Dorontina
    Anëtarësuar
    22-09-2006
    Vendndodhja
    "In your dreams making you happy"Nese e ke humb dashurin e ke humb aryen e jetes, nese ende se ke gjet ke arsye te jetojsh "
    Postime
    3,488
    Disa popujve po ti vie edhe Zoti ne qeveri ata kan me gozhdu ....
    "Msyja Henes po smujte me u ndal ne Hene,mbi yje ateron gjitsesi" ....

  10. #10
    Fierak 100% Maska e Ujku'80
    Anëtarësuar
    04-11-2002
    Vendndodhja
    Itali
    Postime
    584
    edhe kte kishim mangut, te na krahasosh dhe salen me zotin...................
    Liberté, égalité, fraternité

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Lufta ndaj krimit te organizuar
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 171
    Postimi i Fundit: 17-09-2017, 02:56
  2. Aldo Bare: Dokumentat do t’i bëjmë nëpërmjet Gjermenit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 75
    Postimi i Fundit: 21-05-2007, 00:58
  3. Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 09-03-2007, 06:12
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 25-11-2005, 10:33
  5. E verteta per MAFIA-n ne Shqiperi !!
    Nga Shpirt Njeriu në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 03-10-2004, 21:44

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •