Artan Hoxha

Persona të panjohur të prezantuar si shtetas grekë apo që flisnin greqisht janë identifikuar si përgjegjësit kryesorë për skandalin e zhvarrimeve në kishën e Shën Mërisë në Kosinë të Përmetit. Ky është i vetmi konkluzion që del nga vendimi i pushimit të prokurorisë së Përmetit për personat e akuzuar si autorë të zhvarrimeve. Organi i akuzës nuk ka bërë asnjë përpjekje të zbulojë se kush janë këta persona të huaj që guxojnë ditën për diell të nxjerrin nga varret eshtrat e grave, pleqve dhe fëmijëve të një fshati të tërë. Nëse ky justifikim është nxjerrë për të shpëtuar nga ndëshkimi priftin e Përmetit Vasil Thomollari dhe ish-ushtarakun me kombësi greke Alqi Kosta, atëherë përgjegjësia e prokurorisë bëhet më e madhe. Në të vërtetë qysh kur nisi hetimi u pa se autoritetet shqiptare nuk ishin të interesuara për ti shkuar në fund kësaj çështje, madje u detyruan të hapnin procedurat ligjore vetëm për shkak të presionit të madh të medias. Prokuroria e një rrethi të vogël si Përmeti dukej sheshazi se nuk kishte këllqe të hetonte një prift që mbrohej nga kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Janullatos, nga Konsullata e Greke e Gjirokastrës dhe diplomatët e ambasadës së shtetit fqinj në Tiranë. Prokuroria e Përgjithshme fillimisht nisi dy prokurorë të saj për të mbështetur hetimet, por më pas hoqi dorë duke ia lënë gjithë barrën prokurores së Përmetit. Në këto kushte, e ndodhur para një presioni të madh politik e diplomatik, prokurorisë së Përmetit nuk i mbeti gjë tjetër veçse ta pushonte çështjen. Dy vjet pas skandalit të zhvarrimeve në Kosinë, prifti i Përmetit, Ikonom Vasil Thomollari vazhdon të shëtisë i lirë rrugëve të qytetit të luleve dhe të mbajë meshat e rastit ku herë pas here ndezin qirinj dhe personat që duhej ta hetonin. Të vetmit fajtorë duket se janë të zhvarrosurit, a thua se ata u ngritën vet nga varri.
Grekët
"Gjatë kryrjes së këtyre punimeve ka qenë i pranishëm edhe prifti i kishës ku janë kryer këto gërmime Vasil Thomollari, i cili i pyetur rreth prezencës së tij gjatë këtyre zhvarrimeve ka deklaruar se: ishte thërritur nga disa shtetas grekë, të panjohur për të, për të kryer procesin fetar të trisajisë (përshpirtjes) gjatë nxjerrjes së këtyre eshtrave", thuhet në vendimin e prokurorisë. Çuditërisht prifti i Përmetit nuk e ka "vrarë" shumë mëndjen se kush ishin të huajtë që po ia kërkonin këtë shërbim, por thjeshtë ka shkuar të përmbushë një "mision të shenjtë", duke mbledhur në thasë me procesverbal në gjuhë greke eshtrat e të zhvarrosurve të Kosinës. Si ka mundësi që këta të huaj të panjohur i kishin dhënë priftit të njëjta arka metalike inoksi si ato që përdor ushtria greke për të martirët e saj të rënë në luftë? Si ka mundësi që arkat metalike ku janë vendosur të zhvarrosurit e Kosinës kanë të njëjtat përmasa me qivuret e bëra gati në manastirin-mauzeleum të Grykës së Këlcyrës? Pse një prift shqiptar duhej të merrte pjesë në zhvarrimin e ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore, një aktivitet që duhej të kryhej në bazë të marrëveshjeve shtetërore dypalëshe? Cili ishte shkaku që ky prift njoftoi menjëherë Konsullatën Greke në Gjirokastër dhe pse refuzoi vendimin e gjykatës për tu paraqitur në prokurori, madje pengoi haptazi hetimet e organeve kompetente? Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera me rëndësi thelbësore mbi hetimin e çështjes prokuroria nuk ka denjuar tu japë përgjigje, madje mbase nuk do të marrim kurrë një përgjigje.
Ushtaraku
"I pyetur në organin e prokurorisë, shtetasi Alqiviadh Kosta, i cili ishte një nga drejtuesit e këtyre zhvarrimeve, deklaron se ai nuk ishte në rolin e drejtuesit të këtyre zhvarrimeve, por ishte thjesht një përkthyes i disa të afërmve (shtetas grekë), që interesoheshin për eshtrat e të parëve të tyre të rënë si ushtarë gjatë luftës italo-greke, të cilët ishin varrosur në fshatin Kosinë. Po ashtu, shtetasi Alqiviadh Kosta, deklaron se shtetasit grekë kishin siguruar të dhëna se përreth kishës së fshatit Kosinë kishte ende trupa të ushtarëve grekë të rënë në këtë luftë, fakt ky i cili lidhet dhe me gërmimet që u kryen përreth territorit të kësaj kishe". Shpjegimi që jepet në vendimin e prokurorisë duket aq i pabesueshëm, sa edhe vet Alqi do të jetë shkrirë se qeshuri me të kur i ka rënë në dorë vendimi i pushimit. Hetimi nuk jep shpjegim kush janë këta grekët e panjohur që duhej tu shërbente si përkthyes Alqi? Pse ai nuk i tregon emrat e tyre? Kush e kishte financuar Alqi Kostën me paratë që ai paguante varrmihësit e Kosinës dhe shpenzimet e tjera operative? Vetëm rihapja e çështjes dhe hetimi serioz i këtij skandali do të bënte që të ndëshkoheshin sipas ligjit autorët e këtij krimi makabër, që tashmë i njeh gjithë vendi, jo vetëm me emër por dhe me fytyrë. Vetëm në këtë mënyrë të zhvarrosurit e Kosinës, që nuk i lanë rehat as në varr, do të prehen më të qetë.

Gazeta Shqiptare