Gjatë emisionit “5 Pyetje nga Babaramo”, Lukas tregon mbështetjen që i ka dhënë Enver Hoxhës qeveria amerikane për të luftuar gjermanët si dhe zhgënjimin e tyre pas përfundimit të kësaj lufte, kur u pa që Hoxha vlerësonte Stalinin.
TIRANE- Peter Lukas, gazetari dhe shkrimtari shqiptaro-amerikan, tregon detaje nga vizita e tij e parë në Shqipëri në vitin 1986, si dhe kërkimet e tij të bëra rreth ish- diktatorit Enver Hoxha. Gjatë emisionit “5 Pyetje nga Babaramo”, Lukas tregon mbështetjen që i ka dhënë Enver Hoxhës qeveria amerikane për të luftuar gjermanët si dhe zhgënjimin e tyre pas përfundimit të kësaj lufte, kur u pa që Hoxha vlerësonte Stalinin. Lukas ka publikuar dy libra për Shqipërinë; “Misioni amerikan në Shqipëri” dhe “Rrumpalla”.
Çfarë ju lidh ju me Shqipërinë zoti Lukas?
Prindërit e mi u lindën në Shqipëri, në Korçë dhe im atë erdhi në SHBA si adoleshent në 1905, ai u kthye në Korçë dhe u martua me time më në 1925, dhe u kthyen në SHBA për të krijuar familjen. Pra, unë u linda në një familje shqiptare në Boston.
Keni marrë pjesë në meshat e Fan Nolit?
Jo, por e kam takuar Nolin në atë kohë. Unë shkoja në kishë, sepse atje ishin edhe vajzat, dhe Nolin e takova disa herë. Kur erdha në ‘86 për herë të parë në Shqipëri dhe komunistët drejtonin vendin, shkova në një muze dhe në fund pashë një foto të Fan Nolit të 1924, dhe thashë e njoh, e kam takuar këtë njeri dhe ciceroni u surprizua që një njeri si unë, njihte një revolucionar si Nolin.
Nuk besoj se kur e keni takuar keni folur për vajzat e bukura të Bostonit?
Jo, sigurisht që nuk flisnim për to. Ai fliste për Shqipërinë dhe komunitetin shqiptar, por gjatë viteve kam kuptuar se ishte më i ndërlikuar si individ, jo vetëm sepse ishte i përfshirë në politikë, por ishte një politikan i majtë dhe një inteligjent dhe një fetar i mirë. Kur Zogu ishte në pushtet dhe Noli në Boston, ata kishin lidhje dhe më vonë, kur Hoxha erdhi në pushtet, Fan Noli kishte marrëdhënie me Hoxhën.
Ai tha se Shqipëria mund të shpëtojë vetëm nga bajonetat e Enver Hoxhës, si ka mundësi që një njeri si Noli të mbështeste diktatorin më të madh?
Unë mendoj se Noli ishte nacionalist dhe ai përdorte mjete politike për të ndihmuar shqiptarët. Kur ai ishte kryeministër në 1924, ai bëri miqësi me Rusinë për ta pasur mike të shqiptarëve. Me vonë kur erdhi në SHBA dhe kur Hoxha erdhi në pushtet, ai i bëri lutje qeverisë amerikane që të njihte qeverinë shqiptare, gjë e cila nuk ndodhi, por ai ishte një individ i ndërlikuar, edhe më i ndërlikuar se Enver Hoxha.
Misioni amerikan në Shqipëri. Çfarë burimesh keni përdorur për këtë libër?
Pasi mbarova së shkruari librin “Rrumpalla”, doja që të shkruaja një libër për Enver Hoxhën, erdha në Tiranë, në Gjirokastër dhe në vende të tera, intervistova veteranë të luftës dhe doli se ata nuk e njihnin Enver Hoxhën, ishin të rinj dhe Hoxha ishte gjeneral i madh. Ai projekt nuk eci, por më ra në duar një libër për britanikët që jetonin këtu gjatë luftës. Në atë libër pashë një foto të një amerikani, Tom Stefan që marshonte përkrah Enver Hoxhës në 28 nëntor të 1944. Hoxha ishte 10 vjet më i madh se sa Tom dhe u bë si vëllai i tij i madh. SHBA donte t’i mbante gjermanët në Shqipëri, kështu që nuk do të dërgoheshin ne Itali. Kështu ata thanë, nëse shqiptarët i vrasin gjermanët këtu, do të ishte më mirë se sa t’i nisnin në Itali.
Pse e mbështetën kaq fuqimisht Enver Hoxhën?
Në një luftë ti mbështet këdo që do të ndihmojë. Jam i sigurt që SHBA-ja ka një listë të gjatë të vendeve që ka ndihmuar dhe që ndihmon edhe ditët e sotme, kur ata janë në anën tonë. Unë ju thashë se SHBA-të ishin naive politikisht në atë kohë dhe SHBA nuk e kuptoi që në fillim që ai ishte një rrezik.
Hoxha erdhi në pushtet për shkak të ndihmës amerikane apo gjithsesi do të vinte në pushtet?
Edhe ndihmën britanike në fund, sepse edhe këta e kuptuan se kjo ishte forca e vetme që luftonte gjermanët dhe në betejën e Tiranës pati shumë forca angleze. Por besoj se Enveri do të kishte ardhur në pushtet me apo pa ndihmën e amerikanëve, sepse nëse lexon raportet komunistët, në atë kohë përfaqësonin ndryshimin revolucionar.
Le të flasim për librin “Rrumpalla”, ku ju keni shkruar për vitet ’90, kohë kur e keni vizituar Shqipërinë, ndërkohë që në kopertinë është shpërthimi i Gërdecit dhe Kryeministri aktual Sali Berisha. Pse kjo inkoherencë?
Nuk jam unë botuesi. Libri merret me Sali Berishën dhe Ramën, gjithsesi nga ‘86 deri në ’99. Siç e dimë Gërdeci është një tragjedi e kësaj kohe dhe unë e shkrova këtë libër dhe qëndrova me këtë libër, por kopertina nuk është e imja. Ky duket si justifikim, por është e vërteta.
Si arritët të vinit në 1986, pasi ka qenë shumë e vështirë?
Jam përpjekur të vij në Shqipëri para 1986 në disa raste. Shkoja tek misioni i Kombeve të Bashkuara dhe takohesha me ambasadore, sepse isha gazetar dhe shqiptar njëkohësisht, por më pas në ‘85 Hoxha vdiq dhe im vëlla u ftua në një dasmë në Korçë dhe ai tha se do të plotësojë vizën. Ne aplikuam dhe pas 6 muajsh e mora vizën, ai nuk mori
Çfarë shkruanit kur nuk kontaktonit me njerëz?
Kur erdha në ‘86 në Shqipëri, në avion ishin 6 njerëz, pesë ishin gjermano-lindorë dhe unë. Kur zbarkoi avioni ata zbritën, por mua më mbajtën dhe filluan të më pyesnin kush isha, për çfarë kisha ardhur dhe shkova tek avioni dhe doja të kthehesha mbrapsht. Bagazhet e mia u kontrolluan në rrugë dhe u mbushën me baltë dhe një libër që kisha me vete ata ma morën. Pastaj erdha në Tiranë dhe nuk kishte njerëz, nuk kishte makina, bare, të gjithë ishin të frikësuar dhe ndihej në ajër tmerri në atë kohë, dhe unë u mahnita. Të afërmit e mi në Korçë kishin frike kur shkova atje.
Pse quhet libri “Rrumpalla”?
Unë isha këtu gjatë fushatës së ‘99. Isha afër Pallatit të Kongreseve dhe po bëhej një protestë. Sali Berisha ishte atje dhe Edi Rama gjithashtu. Rama u kthye dhe i thotë Berishës, ‘doktor rrumpalla’. Unë pyeta një mikun tim se çfarë është rrumpalla, dhe ai më tha se është një fjalë shqiptare dhe nuk di si ta them, marrëzi, tha ai, dhe unë mendova se ishte titulli i librit tim.
G.Sh
Krijoni Kontakt