Njohja nga vendi më i rëndësishëm i botës arabe - shenjë përkrahje për Kosovën - shtet i pavarur
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës paralajmëruan njohje të reja, pas Arabisë Saudite. Sipas presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, njohja nga vendi më i rëndësishëm i botës arabe është shenjë e përkrahjes për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran. Ndërkohë edhe vendet mike dhe partnere të Kosovës, pas kësaj njohjeje porosisin Prishtinën të vazhdojë me angazhimin në drejtim të sigurimit të njohjeve të reja
Institucionet e Kosovës, përkatësisht ministria e Jashtme tashmë ka marrë njoftimin zyrtar për njohjen nga Arabia Saudite. Vendi më i rëndësishëm i botës arabe me këtë bëhet shteti i 58-të që pranon Kosovën shtet. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se vendimi i Riadit pritet të pasohet nga njohje të tjera.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se për njohja nga Arabia Saudite është rezultat i punës së diplomacisë së Kosovës dhe pas zyrtarizmit të saj, së shpejti Prishtina do të vendosë raporte diplomatike me Riadin.
Njohja nga Arabia Saudite ndodh vetëm disa ditë pasi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë janë dorëzuar deklaratat për procesin nga i cili Gjykata do të dalë me opinion për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë. Shefi i diplomacisë Skënder Hyseni tha se vendimi i Arabisë Saudite tregon qartë se procesi i Hagës nuk ndikon negativisht tek ai i njohjes.
Sidoqoftë, vende të cilat konsiderohen mike dhe partnere të Kosovës edhe pas kësaj njohjeje porosisin Prishtinën të vazhdojë me angazhimin në drejtim të sigurimit të njohjeve të reja.
“Në fillim është proces i lodhshëm, duhet të punoni me çdo vend por e rëndësishme është të jeni aktiv, të punoni me vendet tjera, t’u sqaroni se përse e keni shpall pavarësinë. Kjo është mënyra për të siguruar njohje të tjera”, tha ministri i Jashtëm slloven Samuel Zhbogar, gjatë vizitës në Prishtinë.
Sigurimi i njohjeve nga vendet arabe është vlerësuar njëri ndër prioritetet e institucioneve të Kosovës në vitin e dytë të shtetësisë. Këto vende vlerësohen të rëndësishme, jo vetëm për nga numri por edhe për nga ndikimi që kanë në skenën ndërkombëtare.
| s.b & RTK staff |
21 prill 2009 - 13:46:10
Krijoni Kontakt