4 qershor - Berisha: Projekt për TEC me qymyr prej 800 megavat ka paraqitur edhe kompania ENEL

Qeveria shqiptare ka deklaruar se është në procesin e seleksionimit të dy projekteve që parashikojnë ndërtimin e një TEC-i me qymyr me kapacitet 500-800 megavat në Porto Romano, në periferi të Durrësit.

Kryeministri Berisha ka pritur gjatë ditës së djeshme në një takim përfaqësuesit e konsorciumit “RWE”, “PPC” dhe “Titan”, një grup i përbërë nga kompani të njohura për projektet energjitike dhe kompani që kanë nisur tashmë një eksperiencë investimi në Shqipëri.

Grupi “RWE”, “PPC” dhe “Titan”, prezantoi projekt-propozimin për ndërtimin e një Termocentrali me lëndë të parë, qymyr. Projekti energjitik me kapacitet prodhues 500-800 megavat, është parashikuar të ndërtohet në Porto Romano, në periferi të qytetit të Durrësit. Konsorciumi “RWE”, “PPC” dhe “Titan” u përfaqësua në këtë takim nga Drejtori Ekzekutiv i Korporatës Publike të Energjisë së Greqisë (PPC), Takis Athanasopoulos.

Berisha u ka bërë të ditur investitorëve, se edhe kompania “ENEL” ka propozuar të njëjtin projekt. Zgjedhja e projektit fitues, sipas Berishës, do të vlerësohet në bazë të kritereve ambientaliste, teknologjike dhe kriterit të radhës.

***
Projekti i TEC-it me qymyr të paraqitur gjatë ditës së djeshme nga drejtori i kompanisë “Titan” në qeverinë shqiptare, ishte parashikuar që të ndërtohej nga kompania shtetërore greke e Energjisë, kompania gjermane “RWE” dhe kompania greke e Çimentos "Titan", në zonën e Kavallës, në Verilindje të Greqisë.

Por pas rezistencës të fortë që bëri komuniteti i kësaj zone për mosngritjen e këtij TEC-i, që është një burim i madh ndotje dhe sëmundjesh për shëndetin, konsorciumi u tërhoq.

Vetë kompania greke e Energjisë bëri të ditur se ky ishte një shans i humbur për Greqinë dhe tashmë ky konsorcium do detyrohet që ta ndërtojë këtë TEC në Shqipëri. Edhe opozita e majtë në shtetin fqinj ka deklaruar se ka qenë ajo iniciatore e anulimit të këtij projekti, që mbart kosto të mëdha ambientale dhe shëndetësore për banorët e zonës së Kavallës dhe gjithë Greqisë.

Por është për t'u çuditur fakti që, megjithëse ka hasur një rezistencë të fortë në shtetin fqinj, ky konsorcium e ka bërë fakt të kryer ngritjen e këtij TEC-i me një fuqi tepër të madhe në Shqipëri.


Aksionet e konsorciumit

51% kompania gjermane “RWE”

39% kompania shtetërore greke e Energjisë

10% kompania greke e çimentos “Titan”


Gazeta Shekulli