Kreu 2. Nxitja për pasimin e Sunetit, paralajmërimi për bidatet dhe qartësimi i rrezikshmërisë së tyre
Shkroi: Abdulmuhsin bin Hamed el Abad
Falenderimi i takon Allahut, Atë e falenderojmë, ndihmë dhe falje prej Tij kërkojmë. Allahut i kërkojmë të na mbrojë prej të këqijave të veteve dhe veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon, askush nuk e humb dhe atë që Allahu e humb, askush nuk e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut, të vetëm e pa shok dhe dëshmoj se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) është rob dhe i Dërguari i Tij. E dërgoi Allahu me udhëzimin dhe fenë e vërtetë që ta ngadhënjejë mbi të gjitha fetë e tjera. Ai e transmetoi mesazhin, amanetin e vendosi në vend, popullin e tij e këshilloi dhe në rrugën e Allahut luftoi vërtetësisht.
O Allah, dërgo paqe dhe begati mbi të, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi atë që u udhëzua me udhëzimin e tij dhe ndoqi rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Mirësitë e Allahut mbi robërit e tij janë të shumta dhe të panumërta. Mirësia më e madhe me të cilën Allahu i begatoi njerëzit dhe xhindët, është se dërgoi tek ata Profetin e tij të nderuar, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem). Ai u transmetoi mesazhin që Zoti u dërgoi, në formën më të plotë dhe më të përpiktë.
Imami ibn Shihab Zuhri ka thënë: “Prej Allahut i erdhi mesazhi, për të Dërguarin e Tij ishte detyrë transmetimi dhe ne kemi për detyrë dorëzimin.” Këtë thënie të tij e përmend imam Buhariu në fillim të kapitullit. [1]
“O i Dërguar, transmetoje atë që të ka zbritur prej Zotit tënd dhe nëse nuk e bën, atëherë dije se nuk e ke transmetuar mesazhin e Tij.”
Mesazhi që ishte prej Allahut i erdhi, ashtu sikurse ka thënë Allahu:
“Tashmë kemi dërguar në çdo popull profetë (që të thonë): ‘Adhuroni Allahun dhe largojuni tagutit’.” En-Nahl: 36.
“Me të vërtetë Allahu derdhi mbi besimtarët mirësi të madhe, kur dërgoi tek ata një të dërguar nga mesi i tyre, që t’u lexonte ajetet e Tij, t’i pastronte ata dhe t’u mësonte atyre librin dhe urtësinë, edhe pse ata më parë ishin në humbje të qartë” Ali Imran: 164.
“Detyra e të Dërguarit është vetëm transmetimi i qartë.” En Nur: 54.Transmetimi, që ishte detyrë e Profetit (salallahu alejhi ue selem), u realizua në formën më të përsosur dhe më të plotë sikurse ka thënë Allahu:“A janë të ngarkuar të dërguarit me gjë tjetër, veçse të transmetojnë qartë mesaxhin.” En-Nahl: 35.
Ndërsa obligimi i robërve është dorëzimi dhe nënshtrimi. Njerëzit në lidhje me nënshtrimin janë ndarë në:
- Të udhëzuar - pasues të rrugës së drejtë
- Të paudhëzuar - pasues të rrugëve të tjera
“Kjo është rruga ime e drejtë, prandaj ndiqeni atë dhe mos ndiqni rrugë të tjera, se do t’ju përçajnë e do t’ju largojnë nga rruga e Tij. Me këtë ju ka porositur Allahu, që të jeni të devotshëm.” El En’am: 153.
Vazhdimësia, gjithpërfshirja dhe përsosmëria janë tri cilësi të Sheriatit
Ky Sheriat, me të cilin Allahu ka dërguar Profetin e tij (salallahu alejhi ue selem), karakterizohet nga tri cilësi të cilat janë:
1. Qëndrueshmëria gjatë kohërave
2. Gjithëpërfshirja
3. Përsosmëria
Ø Ky Sheriat do të qëndrojë deri Ditën e Kiametit. Allahu ka thënë:
“Muhamedi nuk ka qënë babai i ndonjërit prej burrave tuaj, por i Dërguari i Allahut dhe Profeti i fundit prej profetëve.” El Ahzab: 40.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë që Muavija (radijallahu anhu) ka thënë se e ka dëgjuar të Dëguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Atij të cilit Allahu dëshiron t’i bëjë mirësi, i jep dituri në fe. Unë ndaj, ndërsa Allahu është ai që jep. Do të vazhdojë ky Umet të jetë i kapur pas fesë së Allahut dhe nuk e dëmton atë askush që e kundërshton, derisa të vijë urdhëri i Allahut.”[2]
Ø Ky Sheriat përfshin të gjithë njerëzit dhe xhindët. Të gjithë ata bëjnë pjesë në Umetin e Profetit (salallahu alejhi ue selem), Umetin e thirrjes islame, sepse çdo njeri dhe xhind, prej kohës së dërgimit të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), deri në Ditën e Gjykimit, është i ftuar për të hyrë në fenë e drejtë me të cilën Allahu dërgoi Profetin e tij bujar, sikurse ka thënë Allahu:
“Allahu fton për në shtëpinë e paqes dhe udhëzon kë dëshiron në rrugë të drejtë.” Junus: 25.
Në këtë ajet flitet për umetin e thirrjes dhe për umetin e përgjigjes. Umeti i thirrjes përmendet në fjalën e Allahut: “Allahu fton për në vendin e paqes”, pra fton çdokënd prej jush. Ndërsa umeti i përgjigjes përmendet në fjalën e Allahut: “udhëzon kë dëshiron në rrugë të drejtë”,pasi ata të cilët Allahu i udhëzoi në rrugën e drejtë janë ata që iu përgjigjën thirrjes së Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) duke hyrë në fenë e tij të drejtë dhe u bënë muslimanë.
Udhëzimi i Umetit që u përgjigj ishte me mirësinë dhe udhëzimin e Allahut. Këtë udhëzim nuk e posedon askush tjetër veç tij, sikurse ka thënë Allahu: “Ti nuk mund të udhëzosh atë që dëshiron, por Allahu udhëzon atë që dëshiron.” (El Kasas: 56) Ndërsa udhëzimin e drejtimit dhe orientimit Allahu e ka pohuar edhe për Profetin e Tij (salallahu alejhi ue selem): “Padyshim që ti udhëzon për në rrugë të drejtë” (Esh-Shura: 52), pra, drejton dhe orienton.
Argument që tregon përfshirjen e mbarë njerëzve në thirrjen e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), është edhe fjala e Allahut: “Thuaj: ‘O njerëz! Unë jam i dërguar i Allahut tek të gjithë ju.’” Al A’raf: 158.
Gjithashtu argument është edhe fjala e Profetit (salallahu alejhi ue selem): “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Nuk dëgjon për mua ndonjë prej këtij populli, hebre qoftë apo i krishterë, pastaj vdes duke mos besuar atë që u dërgova, e të mos jetë prej banorëve të zjarrit.”[3]
Vërtetimi i këtij hadithi, siç ka thënë Seid bin Xhubejri, ka ardhur në Kur’an në fjalën e Allahut:
“E kush prej atyre grupeve, (çifutë, kristianë dhe gjithë popujt jomuslimanë) e mohuan atë, vendi i tyre është zjarri” Hud: 17.
Këtë fjalë të tij e ka përmendur ibn Kethiri në komentin e këtij ajeti.
Ndërsa argument që tregon përfshirjen e xhindëve në ftesën e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), është fjala e Allahut: “Kur Ne dërguam drejt teje një grup të vogël xhindësh të dëgjojnë Kur’anin dhe kur prezantuan thanë: ‘Dëgjoni në heshtje!’ Kur mbaroi ata u kthyen tek populli i tyre si këshillues. Thanë: ‘O populli ynë! Kemi dëgjuar një libër që zbriti pas Musait, vërtetues i atyre që ishin para tij, udhëzon për tek e vërteta dhe në rugën e drejtë’. Ata thanë: ‘O populli ynë, përgjigjjuni thirrësit të Allahut dhe besojeni atë. Ai (Allahu) do t’jua falë gjynahet tuaja dhe do t’ju shpëtojë prej dënimit të dhembshëm. Kush nuk i përgjigjet thirrësit të Allahut, ai nuk mund të shpëtojë në tokë dhe nuk do të ketë për të asnjë mbrojtës pëveç Allahut. Të këtillët janë në gabim e humbje të qartë.”
Po ashtu Allahu ka thënë në suren “Err-Rrahman”: “Atëherë pra, cilën nga mirësitë e Zotit tuaj ju (njerëz dhe xhindë) e mohoni?” Në këtë ajet Allahu u është drejtuar njerëzve dhe xhindëve dhe ajeti është përmendur në këtë sure plot 31 herë.
Në “Sunenin” e Tirmidhiut transmetohet nga Xhabiri se ka thënë: “Profeti (salallahu alejhi ue selem) doli për tek shokët e tij dhe u lexoi atyre suren “Err-Rrahman” nga fillimi deri në fund, ndërsa ata heshtën. U tha: ‘Ua lexova këtë sure xhindëve natën kur u takova me ta dhe u përgjigjën më mirë se ju. Sa herë që vija tek fjala e Allahut: ‘Atëherë pra, cilën nga mirësitë e Zotit tuaj ju e mohoni’,thonin: ‘Asnjë nga mirësitë e Tua nuk përgënjeshtrojmë o Zoti ynë, Ty të takon falenderimi’.”[4]
Prej sureve të Kur’anit është edhe surja “El Xhin” ku Allahu i Madhëruar përmend një pjesë të fjalëve të xhindëve.
Ø Karateristika e tretë e këtij Sheriati është se ai është i plotë dhe i përsosur.
Allahu në librin e tij ka thënë:
“Këtë ditë Unë e përsosa fenë tuaj për ju, plotësova mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin fe.” El Maide: 3.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë:“Ju kam lënë si në shembullin e një fushe, nata e së cilës është si dita e saj. Nuk humbet prej saj vetëm se i shkatërruari.”[5]
Ndërsa në “Sahihun” e Muslimit transmetohet nga Selmani (radijallahu anhu) se dikush i tha: “Ju ka mësuar Profeti juaj (salallahu alejhi ue selem) çdo gjë, madje edhe edukatën e kryerjes se nevojës personale.” Tha: “Sigurisht! Na ka ndaluar t’i drejtohemi kibles gjatë kryerjes së jashtëqitjes së trashë, të hollë, të pastrohemi me të djathtën apo të pastrohemi me më pak se tre gurë, të pastrohemi me jashtëqitjet e thata të kafshëve ose me kocka.”[6]
Kjo thënie tregon përsosmërinë dhe gjithpërfshirjen e këtij Sheriati për çdo gjë për të cilën ka nevojë ky Umet, deri edhe edukatën e kryerjes së nevojës personale.
Po në “Sahihun” e Muslimit, transmetohet nga Abdullah ibën Amr ibën Asi (radijallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk ka pasur ndonjë profet para meje, vetëm se ka qenë detyrë mbi të, që ta orientojë popullin e tij drejt më të mirës që dinte për ta dhe t’u tërhiqte vërejtjen prej më të keqes që dinte për ta.”[7]
Buhariu në “Sahihun” e tij transmeton nga ebi Xhuejrije: “E pyeta ibën Abasin për badhik-un e ai më tha: ‘E ka paraprirë Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) me ndalim badhik-un, sepse çdo gjë dehëse është haram.’ Thashë: ‘Pija që lejohet, është pija e mirë’. Tha: ‘Pas të lejuarës së mirë, ka vetëm të ndaluar të keqe’.”[8] Badhik-u është një lloj pije e cila nuk ka qenë në kohën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) por Sheriati që solli Profeti (salallahu alejhi ue selem), e përfshin këtë pije dhe të tjerat në fjalën e përgjithshme të tij: “Çdo gjë që deh është e ndaluar.” Gjithpërfshirja e këtij hadithi tregon se çdo gjë dehëse që ka qenë në kohën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) apo të tjera pas kohës së tij, qofshin lëngje apo të ngurta, janë haram dhe çfarë nuk është e tillë është e lejuar.
Edhe për duhanin, i cili është njohur më vonë, themi të njëjtën fjalë që u tha për badhik-un; që argumentet e Sheriatit përfshijnë në tërësinë e tyre ndalimin e tij. Kjo gjë vihet re në fjalën e Allahut kur flet për Profetin e Tij (salallahu alejhi ue selem): “U lejon atyre të mirat dhe u ndalon të këqijat.” (El Araf: 157) Duhani nuk është gjë e mirë, përkundrazi ai është i keq, prandaj është haram, pa shtuar faktin që ai shkakton sëmundje vdekjeprurëse, shpërdoron pasurinë dhe provokon siklet me erën e tij të keqe. Të gjitha këto dëshmojnë se ai është haram.
Ebu Dherri (radijallahu anhu) ka thënë: “U nda nga ne i Dërguari i Allahut[9] dhe për çdo zog që fluturonte me krahët e tij, ne kishim dije.”[10]
Prej diturisë që disponojmë nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) rreth zogjve, është ajo që transmeton Muslimi në “Sahihun” e tij nga ibn Abasi, i cili thotë: “Ka ndaluar i Dërguari i Allahut (të hahet) çdo kafshë grabitqare me dhëmbë shqyes dhe çdo shpend me kthetra.”[11] Ky hadith tregon se mishi i çdo shpendi me kthetra me të cilat gjuan, është i ndaluar të hahet. Kjo është prej fjalëve gjithpërfshirëse të Profetit (salallahu alejhi ue selem). Kjo për sa i përket anës legjislative, ndërsa në atë informative të lajmeve rreth zogjve është fjala e Profetit (salallahu alejhi ue selem): “Nëse ju do t’i mbështeteshit Allahut me një mbështetje të vërtetë, do t’ju furnizonte ju ashtu siç e furnizon zogun i cili del i uritur dhe kthehet i ngopur.”[12]
Imam ibn Kajimi në librin e tij “I’alamul mueki’ine”, kur flet për përsosmërinë e ligjit islam thotë:
“Kjo bazë është nga bazat më të rëndësishme dhe me të dobishme, e cila mbështetet në një gjë të vetme, që është gjithpërfshirja në mesazhin e Profetit (salallahu alejhi ue selem), e çdo gjëje për të cilën kanë nevojë njerëzit në njohuritë, shkencat dhe punët e tyre. Ai nuk e la Umetin e tij të ketë nevojë për tjetërkënd pas (vdekjes së) tij, por nevoja e Umetit mbetet vetëm tek ata që do të transmetojnë atë që ka sjellë ai.
Kështu mesazhi i tij ka dy tërësi absolute, prej të cilave nuk përjashtohet asgjë:
1- Adresimi i këtij mesazhi tek të gjithë ata për të cilët Profeti (salallahu alejhi ue selem) është dërguar.
2- Tërësia dhe përfshirja e çdo gjëje që kanë nevojë ata që u është dërguar mesazhi, si në bazat e fesë ashtu edhe në degëzimet e saj.
Prandaj ky mesazh është i plotë, i mjaftueshëm, shërues (i konflikteve, konfuzioneve, dilemave, problemeve dhe sëmundjeve), i gjithanshëm, gjithpërfshirës dhe nuk ka nevojë për mesazh tjetër pas tij. Atëherë besimi nuk plotësohet ndryshe, vetëm se duke pohuar tërësinë e mesazhit të Profetit (salallahu alejhi ue selem) në kushtin e parë dhe në kushtin e dytë. Askush prej njerëzve dhe xhindëve të ngarkuar me detyra, nuk përjashtohet nga ky mesazh. Asnjë lloj i së të drejtës për të cilën ka nevojë Umeti në shkencat dhe në punët e tij, nuk përjashtohet nga ajo me të cilën ka ardhur Muhamedi (salallahu alejhi ue selem). I Dërguari vdiq dhe për çdo zog me flatra që fluturonte në qiell i mësoi Umetit dije rreth tij. U mësoi atyre çdo gjë, madje edhe edukatën e kryerjes së nevojës, edukatën e marrëdhënieve seksuale, të gjumit, të ngritjes, të uljes, të ngrënies, të pirjes, të hipjes në mjet dhe zbritjes prej tij, të udhëtimit, të qëndrimit, të heshtjes, të fjalës, të veçimit prej njerëzve, të përzierjes me ta, të pasurisë, të varfërisë (të skamjes), të shëndetit, të sëmundjes dhe të gjitha ligjet që kanë lidhje me jetën dhe vdekjen. U përshkroi atyre Arshin, Kursinë, melaiket, xhindët, zjarrin, xhenetin, xhehenemin, Ditën e Gjykimit dhe çfarë ka në të, aq sa të duket se po i shikon me sytë e tu. U përshkroi atyre të adhuruarin e tyre me përshkrimin më të plotë, sa që u dukej sikur ishin duke e parë Atë. I njohu me profetët dhe popujt e tyre, me mirësitë apo ndëshkimet që u erdhen, sikur të ishin në mesin e tyre. U mësoi atyre rrugët e së mirës dhe së keqes, të vogla qofshin ato apo të mëdha, aq sa asnjë profet më parë nuk e mësoi popullin e tij si ai. I njohu ata me vdekjen, me mirësitë dhe dënimin e trupit dhe të shpirtit në jetën e varrit si asnjë profet më parë. U mësoi argumentet e Teuhidit, profecisë, ringjalljes edhe kundërpërgjigjes ndaj çdo grupi kafirësh e të humburish, sa që njohësi i këtyre argumenteve, nuk ka nevojë për askënd tjetër pas tij, përveç atij që ia transmeton këto argumente, duke i sqaruar dhe shpjeguar ato që nuk i kupton dot. U tregoi atyre strategjitë e luftës në ballafaqimin me armikun dhe rrugët e triumfit dhe fitores. Nëse do t’i mësojnë, do t’i logjikojnë dhe do t’i ruajnë ato ashtu siç duhet, armiku kurrë nuk do t’u bëjë ballë. Gjithashtu i njohu ata me hilet e shejtanit dhe rrugët me të cilat ai vjen. Si të ruhen prej tij dhe mashtrimeve të tij, si t’i largohen së keqes së tij, pa pasur nevojë t’i shtohet sqarimit të tij asgjë. I njohu ata me gjendjet, cilësitë, intrigat dhe fshehtësitë e veteve të tyre, aq sa ata nuk kanë nevojë për tjetërkënd veç tij. I njohu ata me çështjet e jetës së tyre aq sa po t’i studionin dhe t’i zbatonin, do rregullohej në maksimum jetesa e tyre në këtë botë.
Pra u erdhi atyre me të gjitha mirësitë e kësaj bote dhe të botës tjetër, pa i lënë ata Allahu të kenë nevojë për askënd tjetër pas tij. Atëherë si mund të mendohet se legjislacioni i tij i plotë, kur bota nuk ka parë legjislacion më të përsosur se ai, është i mangët dhe ka nevojë për një politikë të jashtme që ta plotësojë apo për një analogji, realitet ose arsye jashtë tij?!
Kush mendon kështu, është si ai që mendon se njerëzit kanë nevojë për një profet tjetër pas tij. Shkaku i gjithë kësaj është mosinformimi i këtyre njerëzve, për atë me të cilën ka ardhur ai, apo mospajisja e tyre me të kuptuarit që Allahu u dha shokëve të Profetit të Tij (salallahu alejhi ue selem), të cilët u mjaftuan me mesazhin dhe nuk patën nevojë për diçka tjetër veç tij. Me këtë mesazh ata çliruan zemrat dhe vendet. Thonin: “Këtë na e la në mirëbesim Profeti ynë dhe ne po ua lëmë në mirëbesim juve.”[13]
Përdorimi i fjalës “sunet”
Ky legjislacion i plotë, është suneti i Profetit (salallahu alejhi ue selem) duke e marrë në kuptimin e përgjithshëm, sepse shprehja “sunet” ka katër përdorime:
I pari. Çdo gjë që transmetohet në Kur’an dhe në hadith është sunet i Profetit (salallahu alejhi ue selem), pra rruga në të cilën ai ka qenë, sikurse ka thënë Profeti: “Kush e refuzon sunetin tim nuk është prej meje.”[14]
I dyti. Shprehja “sunet” merr kuptimin e fjalës “hadith”, atëherë kur shoqërohet me fjalën “Kur’an”, si në fjalën e Profetit (salallahu alejhi ue selem): “O ju njerëz. Unë u kam lënë juve atë, që nëse do të kapeni pas tij nuk do të humbni asnjëherë, Librin e Allahut dhe sunetin e Profetit të tij.”Po ashtu fjala e tij:“Kam lënë tek ju dy gjëra pas të cilave nuk do të humbisni; Librin e Allahut dhe Sunetin tim.”[15]
Këtu hyn edhe fjala e disa dijetarëve në trajtimin e çështjeve kur thonë se “për këtë çështje ka argument nga Kur’ani, Suneti dhe ixhmai.
I treti. Shprehja “sunet” përdoret si antonim i fjalës bidat, siç thuhet në fjalën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) në hadithin e Irbad ibn Sarijes: “Ai që do të jetojë prej jush pas meje, do të shohë përçarje të shumta, prandaj kapuni pas sunetit tim dhe sunetit të khulefave të udhëzuar e të drejtë. Kapuni pas tij, shtrëngojeni atë me dhëmbë dhe ruhuni prej shpikjeve në fe, sepse çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje.”[16]
Prandaj disa dijetarë të hershëm të hadithit i kanë titulluar librat e tyre të Akides me emrin “Es-sunneh” si për shembull “Es-sunneh” i Muhamed ibn Nasër Merueziut, “Es-sunneh” i Ebi Asimit, “Es-sunneh” i Lelekait e të tjerë. Po kështu në librin e “Sunenit” të ebi Daudit, ndodhet një kapitull me emrin “Kapitulli i Sunetit” i cili përmbledh hadithe të shumta rreth Akides.
I katërti. Shprehja “sunet” vjen me kuptimin “i pëlqyeshëm”. Ky kuptim vjen atëherë kur urdhëri është në formën e të qenit i preferuar dhe jo në formën e obligimit. Ky përdorim përdoret nga juristët (dijetarët e Fikhut). P.sh. në fjalën e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem):“Sikur të mos e rëndoja Umetin tim, do t’i urdhëroja ata të përdornin misvakun për çdo namaz”,[17] urdhëri për përdorimin e misvakut si gjë e pëlqyeshme është i sigurtë, por Profeti (salallahu alejhi ue selem) e la urdhërin obligues, nga frika se mos Umeti haste në vështirësi.
Ajete, hadithe dhe “ethere”, që flasin për pasimin e Sunetit dhe tërheqin vërejtje për bidatet dhe gjynahet
Në Kur’an përmenden shumë ajete të cilat nxisin dhe inkurajojnë për pasimin e sunetit të Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe shumë ajete të cilat tërheqin vërejtje për moskundërshtimin e Profetit në të vërtetën dhe udhëzimin, si dhe tërheqin vërejtje për shirkun, bidatet dhe mëkatet:
“Kjo është rruga Ime e drejtë, prandaj ndiqeni atë dhe mos ndiqni rrugë të tjera, pasi ato do t’ju ndajnë e do t’ju largojnë nga udha e Tij. (Allahu) Me këtë ju ka porositur që të ruheni.” El En’amë: 153.
“Nuk i takon besimtarit dhe as besimtares, kur Allahu dhe i Dërguari i tij vendosin për një çështje, që ata të kenë zgjedhje tjetër në vendimin e tyre. Kushdo që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai ka humbur në humbje të qartë.” Ahzab: 36.
“Le të bëjnë kujdes ata që kundërshtojnë urdhërin e tij, se mos i godet ata ndonjë fitne ose mos i godet ndonjë ndëshkim i dhembshëm.” Nur: 63.
Ibën Kethiri në tefsirin e këtij ajeti thotë:
“Pra (kundërshtojnë) urdhërin e Profetit të Allahut (salallahu alejhi ue selem). Ky urdhër është rruga, metoda, suneti dhe legjislacioni i tij. Fjalët dhe punët duhet të peshohen me fjalët dhe punët e tij, nëse përputhen pranohen, dhe nëse s’përputhen, ato refuzohen, kushdo qoftë thënësi apo vepruesi i tyre, sikurse trasmetohet në dy sahihet dhe në libra të tjerë, se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush punon ndonjë punë e cila nuk është prej fesë sonë, ajo është e refuzuar.”
Prandaj të frikësohen ata që kundërshtojnë Sheriatin e Profetit (salallahu alejhi ue selem) haptazi apo fshehurazi “se mos i godet ata ndonjë fitne” në zemrat e tyre, si kufri, nifaku apo bidati, “apo mos i godet ata ndonjë dënim i dhembshëm” në dynja, me ekzekutim, dënim penal, burgim apo ndonjë dënim tjetër.”
Allahu thotë: “Tashmë keni pasur tek i Dërguari i Allahut një shembull mjaft të mirë për atë që shpreson Allahun dhe ditën e fundit dhe që e kujton Allahun shumë.” Ahzab: 21.
“Thuaj: Nëse e doni Allahun atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë ju dhe t’jua falë gjynahet tuaja se Allahu është Falës dhe Mëshirues.” Ali Imran: 31.
Ibën Kethiri në tefsirin e këtij ajeti thotë: “Ky ajet i nderuar gjykon se çdo person që pretendon dashurinë e Allahut kur ai nuk është në rrugën e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), realisht është gënjeshtar, derisa të pasojë Sheriatin dhe fenë e tij në të gjitha fjalët dhe veprat, siç pohohet në hadithin e saktë nga i Dërguari (salallahu alejhi ue selem), i cili ka thënë: “Kush punon ndonjë pune që nuk është prej fesë sonë, ajo është e refuzuar.” Prandaj Allahu thotë: “Nëse e doni Allahun, më ndiqni mua t’ju dojë Allahu”, d.m.th. të arrini më shumë se sa dashuria juaj për Allahun të cilën e synuat, e ajo është dashuria e Allahut ndaj jush. Kjo e fundit është më e madhe se e para, sikurse kanë thënë disa dijetarë të urtë: “Nuk është arritje të duash, por arritje është të të duan.”
Hasan Basriu dhe selefë të tjerë kanë thënë: “Disa njerëz pretenduan se e donin Allahun dhe Ai i sprovoi me këtë ajet: ‘Thuaj: Nëse e doni Allahun më pasoni mua që Allahu t’ju dojë ju’.”
Gjithashtu Allahu thotë: “Kush e pason udhëzimin tim nuk ka frikë për ta dhe as pikëllim.” Bekare: 38.
“Kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në dunja) e as nuk ka për të dështuar (në botën tjetër). E kush ia kthen shpinën udhëzim tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjallim të verbër.” Ta Ha: 123-124.
“Por jo, për Zotin tënd! Ata nuk besojnë përderisa të të bëjnë ty gjykues për të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre, derisa të mos mbetet në vetet e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato plotësisht dhe të nënshtruar.” Nisa: 65.
“Ndiqni çfarë ju është zbritur juve nga Zoti juaj dhe mos ndiqni eulija (ndihmues a mbrojtës që ju urdhëron të adhuroni tjetër përveç Allahut) përveç Tij (Allahut). Sa pak që përkujtoni.” Al A’raf: 3.
“Kushdo që largohet (verbon veten) nga përkujtimi i të Mëshirëshmit, Ne i caktojmë atij një shejtan që të jetë për të shok e mik i ngushtë. Në fakt (shejtanët) i pengojnë ata nga udha (e Allahut) ndërsa ata mendojnë se janë të udhëzuar.” Ez-Zukhruf: 36 -37.
“O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe parisë suaj, dhe nëse kundërshtoheni për diçka atëherë kthejeni atë te Allahu dhe i Dërguari, nëse besoni Allahun dhe ditën e fundit.” Nisa: 59.
“Për çfarëdo që të kundërshtoheni, gjykimi i asaj i takon Allahut.” Esh-Shura: 10.
“Thuaj: ‘Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit’, por nëse ju shmangeni, ai (i Dërguari, Muhamedi) është përgjegjës vetëm për detyrën e ngarkuar ndaj tij (të shpallë mesazhin) dhe ju për atë që ju është ngarkuar juve. Në qoftë se i bindeni atij do të udhëzoheni dhe i Dërguarit ka detyrë vetëm përcjelljen e qartë.” En-Nur: 54.
“Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari merreni dhe çfarëdo që jua ndalon hiqni dorë prej saj dhe kini frikë Allahun, pasi Allahu është i ashpër në ndëshkim.” Hashër: 7.
“O ju që keni besuar! Mos vendosni para se të vendosë Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe kini frikë Allahun, pasi Allahu është Dëgjues, i Ditur.” Huxhurat: 1.
“O ju të cilët keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret për atë që ju jep jetë dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni.” Enfal: 24.
“Fjala e vetme e besimtarëve kur ata thirren për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij për të gjykuar mes tyre, është që të thonë “dëgjuam dhe u bindëm” dhe ata janë të shpëtuarit. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, i frikësohet Allahut dhe i ruhet Atij, tamam këta janë të fituarit.” Nur: 51-52.
“Për ata që thanë “Zoti ynë është Allahu” dhe pastaj i qëndruan (fjalës së tyre), nuk do të ketë frikë dhe as nuk do të pikëllohen.” Ahkaf: 13.
“Ata që thanë “Zoti ynë është Allahu” dhe pastaj i qëndruan (fjalës së tyre), tek ata do të zbresin melaiket (duke u thënë në kohën e marrjes së shpirtit): ‘Mos kini frikë e as mos u pikëlloni, por përgëzohuni me xhenetin që u qe premtuar’.” Fusilet: 30.
“Apo kanë ata shokë e të barabartë me Allahun, të cilët u ligjëruan atyre ndonjë fe që nuk e ka urdhëruar e përcaktuar Allahu.” Shura: 21.
“Ata që e besuan, e përkrahën dhe e ndihmuan atë dhe ndoqën dritën që u zbrit me të, ata janë të shpëtuarit.”
“Ata thanë: ‘O populli ynë! Me të vërtetë që kemi dëgjuar një libër (Kur’anin) të zbritur pas Musait duke vërtetuar çfarë ka ardhur para tij. Ai të udhëzon tek e vërteta dhe tek udha e drejtë. O populli ynë, përgjigjuni (me bindje) thirrësit të Allahut (të Dërguarit të Allahut, Muhamedit) dhe besojeni atë. Ai (Allahu) do t’jua falë juve mëkatet tuaja dhe do t’ju shpëtojë nga ndëshkimi i dhemshëm (i xhehenemit), dhe kushdo që nuk i përgjigjet thirrësit të Allahut, ai nuk mund të shpëtojë në tokë dhe nuk do të ketë asnjë mbrojtës për të përveç Allahut (nga ndëshkimi i Tij).” Ahkaf: 30-33.
Në sunetin e Profetit (salallahu alejhi ue selem) transmetohen shumë hadithe të cilat nxisin për pasimin e Sunetit dhe tërheqin vërejtje për bidatet duke sqaruar rrezikshmërinë e tyre:
“Kush shpik në fenë tonë çka nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” [18] Në tekstin e Muslimit thuhet: “Kush punon ndonjë punë e cila nuk është prej fesë sonë, ajo është e refuzuar.” [19] Transmetimi i Muslimit është më i përgjithshëm nga ai i Buhariut, pasi përfshin atë që shpik bidatin, bashkë me atë që e pason atë që shpiku bidatin.
Gjithashtu ky hadith është argument për njërin nga dy kushtet e pranimit të punës. Ky kusht është pasimi i Profetit (salallahu alejhi ue selem), sepse çdo punë me të cilën personi kërkon të afrohet tek Allahu, pranohet vetëm pasi të ketë plotësuar dy kushte:
a) Të kryhet me sinqeritet vetëm për Allahun, dhe kjo është prej detyrave që rrjedhin nga dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut.
b) Pasimi i Profetit (salallahu alejhi ue selem), dhe kjo është prej detyrave që rrjedhin nga dëshmia se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.
Shejhul Islam ibn Tejmije në “Mexhmua el Fetua”,përmend se Fudejl ibn Ijadi në komentin e fjalës së Allahut “…që t’ju provojë kush nga ju është më i miri në vepra”, ka thënë: “Më e sinqerta dhe më e sakta (e qëlluara), sepse puna nëse është e sinqertë dhe nuk është e qëlluar nuk pranohet dhe nëse është e qëlluar por nuk është e sinqertë nuk pranohet, derisa t’i ketë të dyja këto cilësi. E sinqertë është kur bëhet vetëm për Allahun dhe e qëlluar kur bëhet sipas Sunetit.” [20]
Ibën Kethiri në komentin e fjalës së Allahut “Kush shpreson takimin e Zotit të tij, le të punojë punë të mirë dhe mos t’i shoqërojë në adhurim Zotit të tij askënd” thotë:
“Le të punojë punë të mirë’, punë që është në përputhje me Sheriatin e Allahut, ndërsa ‘të mos i shoqërojë në adhurim Zotit të tij askënd’ ajo është puna me të cilën personi ka për qëllim vetëm fytyrën e Allahut, pa i bërë shok Atij. Këto janë dy shtyllat e punës së pranueshme, e cila duhet patjetër të jetë e sinqertë për Allahun dhe e qëlluar sipas Sheriatit të Profetit (salallahu alejhi ue selem).”
Irbad ibn Sarije (radijallahu anhu) ka thënë: “Na këshilloi Profeti (salallahu alejhi ue selem) me një këshillë të tillë, sa sytë rrodhën lot dhe zemrat u tronditën prej saj.” Dikush tha: “O i Dërguar i Allahut! Sikur të ishte kjo këshilla e lamtumirës, prandaj çfarë porosie do të na lesh?” Ai tha: “U porosis për devotshmëri ndaj Allahut, të dëgjoni dhe të bindeni edhe nëse bëhet i pari juaj një rob etiopian, sepse ai që do të jetojë prej jush pas meje, do të shohë përçarje të shumta. Prandaj kapuni fort pas sunetit tim dhe sunetit të khulefave të udhëzuar dhe të drejtë. Kapuni fort pas tij dhe shtrëngojeni me dhëmbë. Ruhuni prej shpikjeve në fe, sepse çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje.”[21]
Profeti (salallahu alejhi ue selem) njoftoi për përçarjet që do të ndodhnin pranë kohës në të cilën ai jetoi, se ato do të ishin të shumta dhe ai që do të jetonte prej tyre, do t’i shihte ato. Më pas udhëzoi për mënyrën e ruajtjes dhe shpëtimit, të cilat janë: pasimi i sunetit të tij dhe i sunetit të halifëve të drejtë, si dhe lënia e bidateve dhe shpikjeve në fe. Nxiti për pasimin e Sunetit me fjalën e tij: “Kapuni fort pas sunetit tim dhe sunetit të halifeve të drejtë” dhe tërhoqi vërejtje prej bidatit dhe shpikjeve në fe me fjalën e tij: “Ruhuni prej shpikjeve në fe, sepse çdo shpikje ështe bidat dhe çdo bidat është humbje.”
Muslimi në “Sahihun” e tij, transmeton nga Xhabir ibën Abdullahi (radijallahu anhu) se Profeti (salallahu alejhi ue selem), kur mbante hutben e xhumasë thoshte: “Në vijim, fjala më e mirë është fjala e Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Gjërat me të këqia janë shpikjet në fe dhe çdo shpikje në fe është humbje.”[22]
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush e kundërshton sunetin tim, ai nuk ështe prej meje.”[23]
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “O njerëz. Kam lënë tek ju diçka, që nëse kapeni pas saj nuk do të humbni asnjëherë, Librin e Allahut dhe sunetin e Profetit të Tij.”
Po ashtu ka thënë: “Kam lënë tek ju dy gjëra, që nëse kapeni pas tyre nuk do të humbni asnjëherë, Librin e Allahut dhe sunetin tim.”[24] Ndërsa tek Muslimi në hadithin e gjatë të Xhabirit (radijallahu anhu) në haxhin e lamtumirës, gjendet fjala e Profetit (salallahu alejhi ue selem): “Kam lënë tek ju diçka që nëse do të kapeni pas saj nuk do të humbni asnjëherë, Librin e Allahut. Ju do të pyeteni për mua, e çfarë do të thoni?” Ata thanë: “Dëshmojmë se ti e ke përcjellë, kryer dhe këshilluar.” Atëherë e ngriti gishtin e tij lart nga qielli duke bërë me shenjë nga njerëzit dhe tha: “O Allah dëshmo! O Allah dëshmo! O Allah dëshmo! (tri herë).”[25]
Transmeton Buhariu nga ebu Hurejra (radijallahu anhu) se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “I gjithë Umeti im do të hyjë në xhenet, përveç atij që refuzon.” Thanë: “O i Dërguari i Allahut! Kush është ai që refuzon?” Tha: “Kush më bindet mua, hyn në xhenet, dhe kush më kundërshton mua, ka refuzuar.”[26]
Buhariu dhe Muslimi, (teksti është i Muslimit) transmetojnë nga ebu Hurejra (radijallahu anhu) se ai e ka dëgjuar Profetin (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Nga ajo që ju kam ndaluar largohuni, ndërsa atë që jua kam urdhëruar kryejeni sa të keni mundësi, sepse ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar nga pyetjet e shumta dhe kundërshtimet ndaj profetëve të tyre.”[27]
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk beson askush prej jush, derisa pasioni (dëshira) i tij, të jetë pasues i asaj me të cilën kam ardhur.”[28]
Hafidh ibn Haxheri në “El Fet’h” ka thënë: “Bejhakiu në ‘El med’hal’ dhe ibn Abdulberri në ‘Bejanul ilm’, transmetojnë nga një grup prej tabiinëve si Haseni, ibën Sirini, Shurejhi, Shabiu, Nehaiu, me zinxhirë transmetimi të mirë, për qortimin e fjalëve që thuhen në fe vetëm me opinione të pabazuara. Të gjitha thëniet e tyre i përmbledh hadithi i ebu Hurejres (radijallahu anhu): “Nuk beson askush prej jush derisa epshi (pasioni) i tij të jetë pasues i asaj me të cilën kam ardhur.”[29]
Transmeton Buhariu dhe Muslimi se Umeri (radijallahu anhu) shkoi tek guri i zi, e puthi dhe tha: “Unë e di se ti je gur, nuk bën as dëm e as dobi. Nëse nuk do të kisha parë të Dërguarin (salallahu alejhi ue selem) të të puthte, nuk do të të kisha puthur.”[30]
Transmeton Muslimi nga ebu Hurejra (radijallahu anhu) se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush fton në udhëzim, ka shpërblim sa shpërblimi i të gjithë atyre që e kanë pasuar, pa u pakësuar prej shpërblimit të tyre asgjë. Kush fton nëhumbje, ka mëkat sa mëkati i të gjithë atyre që e kanë pasuar, pa u pakësuar prej mëkateve të tyre asgjë.”[31]
Ashtu siç erdhën në Kur’an dhe Sunet argumente që nxisin për pasimin e Sunetit dhe tërheqin vërejtje për bidatin, po ashtu transmetohen thënie të shumta nga të parët e këtij Umeti, pasues të Kur’anit dhe Sunetit, nga sahabët, tabi’inët dhe të tjerë pas tyre, të cilët nxisin për pasimin e Sunetit dhe tërheqin vërejtje për bidatet duke sqaruar rrezikun e tyre:
- Abdullah ibn Mesudi ka thënë: “Pasoni dhe mos shpikni sepse ju mjafton.”[32]
- Uthman ibn Hadiri ka thënë: “Hyra tek ibn Abasi dhe i thashë: ‘Më këshillo.’ Më tha: ‘Po! Bëhu i devotshëm ndaj Allahut, përqëndrohu, paso dhe mos bëj bidat.’”[33]
- Abdullah ibn Mesudi ka thënë: “Kush dëshiron ta takojë Allahun nesër si musliman, le t’i ruajë këto namaze kur thërritet për to, sepse Allahu i ka ligjëruar Profetit tuaj (salallahu alejhi ue selem) rrugët e udhëzimit. Këto namaze janë prej rrugëve të udhëzimit, e nëse ju do të faleni në shtëpitë tuaja, ashtu siç falet ai që nuk merr pjesë me xhematin, do të linit rrugën e Profetit tuaj (salallahu alejhi ue selem). Nëse do të linit sunetin e të Dërguarit tuaj do të humbisnit.”[34]
- Abdullah ibn Umeri (radijallahu anhu) ka thënë: “Çdo bidat është humbje edhe nëse njerëzve u duket i mirë.”[35]
- Muadh ibën Xhebel ka thënë: “Ruhuni prej asaj që shpiket, sepse ajo që shpiket është humbje.”[36]
Një burrë i shkroi Umer ibën Abdulazizit (radijallahu anhu) rreth caktimit (kaderit). Umeri (radijallahu anhu) i shkruajti duke i kthyer përgjigje: “Në vijim të porosis për devotshmëri ndaj Allahut dhe të jesh i mesëm në fenë e tij, ta pasosh sunetin e Profetit të tij (salallahu alejhi ue selem), dhe të lesh çdo gjë që kanë shpikur bidatçinjtë, pasi është përhapur suneti tij (salallahu alejhi ue selem). Është e mjaftueshme mbajtja e tij, prandaj, kapu fort pas Sunetit se ai, me lejen e Allahut, është mburojë për ty.”[37]
- Sehl ibn Abdullah Tusteriu ka thënë: “Kush shpik diçka në dije, do të pyetet për të Ditën e Gjykimit, nëse përputhet me Sunetin shpëton, në të kundërt jo.”[38]
- Ebu Uthman Nejsaburi ka thënë: “Kush bën Sunetin prijës për veten, fjalët dhe veprat e tij, do të flasë me urtësi. Kush bën prijës epshin do të flasë me bidate.”[39]
- Imam Maliku ka thënë: “Kush shpik në Islam një bidat të cilin e mendon të mirë, ai ka pretenduar se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka tradhëtuar shpalljen, sepse Allahu ka thënë: ‘Këtë ditë e përsosa fenë tuaj, plotësova mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin fe.’”[40]
- Imam Ahmedi ka thënë: “Bazat e Sunetit tek ne janë: kapja pas rrugës së shokëve të Profetit (salallahu alejhi ue selem), pasimi i tyre dhe lënia e bidatit, sepse çdo bidat është humbje.”[41]
Pasimi i Sunetit është detyrë, si në baza ashtu edhe ne degëzime
Pasimi i sunetit të Profetit (salallahu alejhi ue selem), duke i bërë gjërat sipas Kur’anit dhe Sunetit, siç është obligim në çështjet e Akides, bazuar në fjalën e Profetit (salallahu alejhi ue selem):“Ai që do të jetojë prej jush, do të shohë përçarje të shumta, prandaj kapuni pas sunetit tim dhe sunetit të halifëve të udhëzuar dhe të drejtë”, po ashtu është obligim edhe në çështjet e Fikhut, në të cilat lejohet “ixhtihadi” kur argumenti është i qartë. Dijetarët e hershëm të këtij Umeti, prej tyre katër imamët: ebu Hanife, Maliku, Shafiu, dhe Ahmedi, Allahu i mëshiroftë, kanë porositur që të merret nga mendimet e tyre ajo që argumentohet me argument dhe të lihen këto mendime nëse nuk përputhen me hadithin e saktë të Profetit (salallahu alejhi ue selem). Thënia e imam Malikut: “Prej çdokujt merret dhe lihet, përveç Profetit (salallahu alejhi ue selem)”, tashmë është bërë shumë e njohur. Po ashtu imam Shafiu ka thënë: “Kanë rënë dakort të gjithë njerëzit (prej muslimanëve), se kujt i bëhet i qartë suneti i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), nuk i lejohet ta lerë atë, për shkak të fjalës së askujt.”[42]
Ibn Kajim, pak para se të përmendë këtë thënie thotë:
“Kush i vë dhe i peshon fjalët e dijetarëve me argumentet e Kur’anit dhe Sunetit, pastaj refuzon ato fjalë që nuk përputhen me argumentet (Kur’anin dhe Sunetin), nuk i ka nënvlerësuar fjalët dhe vlerën e dijetarëve, përkundrazi, ai i ka ndjekur ata, pasi të gjithë ata për këtë kanë urdhëruar. Pasues i vërtetë i tyre është ai që zbaton porositë e tyre, jo ai që i kundërshton ata.”
Shumë dijetarë që punonin në Fikhun e dijetarëve të katër medhhebeve, bazoheshin në argumentet e sakta kur ato vinin në kundërshtim me fjalët (e medhhebit) e tyre.
Kështu Esbeg ibn Ferexh thotë: “Fërkimi (mbi meste) nga i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) dhe sahabët e mëdhenj, kur je në vendin tend, është më i fortë dhe më i vërtetuar për ne, se sa të pasojmë Malikun që nuk pajtohet me të.” [43]
Ibn Haxheri në “El fet’h” thotë: “Malikijtë nuk mendojnë se duhet përdorur dheu në larjen e enës kur e lëpin qeni. Ndërsa Karafi, i cili është prej tyre, ka thënë se ‘Hadithet janë saktësuar rreth kësaj, prandaj është çudi se si ata nuk mendojnë kështu’.”
Dijetari maliki ibn Arabiu ka thënë: “Namazi i xhenazes në mungesë, sipas malikijve, nuk i lejohet askujt përveç Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), ndërsa ne mendojme se atë që e ka vepruar Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), e vepron edhe Umeti i tij, pasi veprimi (i Profetit) në origjinë nuk është i veçantë (vetëm për Profetin). Na thonë: ‘Atij iu mbështoll toka dhe xhenazja ishte prezente përpara tij.’ U themi: ‘Zoti ynë është i plotfuqishëm për një gjë të tillë dhe Profeti ynë (salallahu alejhi ue selem) e meriton atë, por ju duhet të flisni vetëm atë që transmetohet dhe mos shpikni hadithe nga vetja juaj. Transmetoni vetëm hadithe të sakta dhe lërini të dobtat, sepse ato janë rrugë shkatërrimi që të çon drejt asaj që nuk rregullohet’.”[44]
Ibën Kethiri, kur flet për namazin e mesëm thotë: “Është vërtetuar në sunetin e Profetit (salallahu alejhi ue selem) se ai është namazi i ikindisë, prandaj është detyrë ndjekja e tij.” Më pas përmend fjalën e imam Shafiut i cili ka thënë: “Për çdo gjë që kam thënë në kundërshtim me fjalën e saktë të Profetit (salallahu alejhi ue selem), përparësia i takon fjalës së tij dhe mos më imitoni mua.” Gjithashtu ka thënë: “Nëse kam thënë një fjalë e cila është në kundërshtim me hadithin e saktë, atëherë unë tërhiqem prej fjalës sime dhe them atë që thotë hadithi.”
Më pas ibn Kethiri vijon në fjalën e tij:
“Ky është virtyt i besnikërisë dhe i lartësisë së tij. Këtë karakter kanë edhe vëllezërit e tij dijetarë, Allahu i mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur prej të gjithëve, amin. Prandaj gjykatësi el Mauerdi e ka thënë prerë se Shafiu mendon që namazi i mesëm është ai i ikindisë, bazuar në saktësinë e haditheve që dëshmojnë për këtë, edhe pse sipas “mendimit të ri” ai është namazi i sabahut. Me metodën e tij janë pajtuar edhe disa dijetarë të hadithit në medhhebin e Shafiut dhe për këtë falenderimi dhe mirësia i takon Allahut.”[45]
Ibën Haxheri në “El fet’h” thotë: “Ibën Huzejme, për ngritjen e duarve kur çohesh pas dy rekateve të para, ka thënë se ‘Ajo është sunet, edhe pse Shafiu nuk e ka përmendur, pasi zinxhiri i transmetuesve është i saktë, dhe vetë ai ka thënë: ‘Thoni (Veproni) sipas Sunetit dhe lereni fjalën time.”[46]
Gjithashtu thotë se ibën Huzejme ka thënë: “Dijetari e ka të ndaluar ta kundërshtojë Sunetin, pasi e ka ditur atë.”[47]
Sërish në “El fet’h” ka thënë se Bejhakiu në “El marife” transmeton nga Rabiu i cili thotë se Shafiu ka thënë: “Transmetohet një hadith ku thuhet që gratë lejohen të jenë të pranishme në ditë bajramesh. Nëse ky hadith është i saktë, atëherë ky është mendimi im.” Bejhakiu më pas thotë: “Hadithi është i saktë, e transmeton Buhariu dhe Muslimi prej Ummu Atijes, prandaj shafinjtë duhet ta pranojnë atë.”[48]
Neveviu kur shpjegon sahiun e Muslimit, përmend mospajtimin e dijetarëve për abdesin pas ngrënies së mishit të devesë dhe më pas thotë: “Ahmed ibn Hambeli dhe Is’hak ibn Rahavejhi kanë thënë se për këtë çështje janë transmetuar dy hadithe, ai i Xhabirit dhe ai i Berrasë. Ky mendim ka argument më të fortë, edhe pse shumica e dijetarëve janë kundër tij.”[49]
Ibn Haxheri në komentin e hadithit të ibn Umerit (radijallahu anhu): “Jam urdhëruar të luftoj njerëzit”,[50] thotë: “Në këtë ngjarje ka argument se Suneti mund të mos ruhet (dihet) nga disa prej sahabëve të mëdhenj, por dihet nga disa të tjerë. Prandaj nuk vështrohen mendimet, sado të forta qofshin, nëse Suneti i kundërshton ato dhe nuk thuhet se ‘si ka mundësi që filani nuk e di këtë’.”[51]
Gjithashtu thotë: “Kështu mendon për shenjën e ‘hedjit’ në haxh shumica e dijetarëve të hershëm dhe të mëvonshëm, bazuar në saktësinë e haditheve që dëshmojnë për këtë. Tahaviu në librin ‘Ihtilaful ulema’ përmend se ebu Hanife mendonte se ishte mekruh, ndërsa të tjerët e shikonin për të pëlqyer si pasim (për sunetin e saktë), saqë edhe dy nxënësit e tij, Muhamedi dhe ebu Jusufi kanë thënë se ajo është e mirë.”[52]
Të gjitha bidatet janë humbje dhe nuk ka asnjë bidat të mirë
Të gjitha bidatet janë humbje, bazuar në fjalën gjthpërfshirëse të Profetit (salallahu alejhi ue selem) në dy hadithet e mëparshme të Xhabirit dhe Urbadit:“Çdo bidat është humbje.”Kjo gjithëpërfshirje në fjalën e Profetit (salallahu alejhi ue selem), tregon se fjala e atyre që thonë se në Islam ka bidate të mira, është e kotë. Për këtë ibn Umeri (radijallahu anhu) në një transmetim që u pëmend pak më parë thotë: “Çdo bidat është humbje, edhe nëse njerëzit e shohin të mirë atë.”
Nuk thuhet se në Islam ka bidat të mirë, duke u bazuar në fjalët e Profetit (salallahu alejhi ue selem): “Kush bën në Islam një sunet të mirë, ka shpërblimin e tij dhe të atyre që punojnë me të pas tij, pa u pakësuar prej shpërblimeve të tyre asgjë. Kush bën në Islam një sunet të keq, ka mëkatin e tij dhe mëkatin e atyre të cilët punojnë me të pas tij, pa u pakësuar prej mëkateve të tyre asgjë”,[53] sepse qëllimi në këtë hadith është shpejtimi për veprat e mira dhe pasimi i atij që shpejton në to, siç shihet qartë kjo në shkakun e hadithit të përmendur në “Sahihun” e Muslimit, para thënies së këtyre fjalëve në hadith. Në të tregohet se një grup njerëzish prej fisit Mudar erdhën në Medine. Ata shfaqnin shenjat e varfërisë dhe skamjes, prandaj Profeti (salallahu alejhi ue selem) i nxiti njerëzit që të jepnin sadaka. Erdhi një burrë prej ensarëve dhe në dorën e tij kishte një qese me para të mbushur aq plot, sa gati nuk e mbante dot. Pas tij njerëzit erdhën radhë-radhë për të dhënë sadaka. Atëherë Profeti (salallahu alejhi ue selem) tha: “Kush bën në Islam një sunet të mirë…”, e deri në fund.
Në këtë hadith hyn edhe ai që ringjall një sunet të saktë të Profetit (salallahu alejhi ue selem) në një vend ku ky sunet nuk është i njohur. Por nuk është e mundur që ai të ketë kuptimin e shpikjes së diçkaje në fe, sepse Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë çfarë nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.”
Sheriati islam është i plotë dhe nuk ka nevojë për shpikje të reja, pasi me shpikjen e bidateve ai akuzohet se është i mangët dhe i paplotësuar. Më parë përmendëm fjalën e ibën Umerit (radijallahu anhu): “Çdo bidat është humbje, edhe nëse njerëzit e shohin të mirë atë” dhe fjalën e imam Malikut: “Kush shpik në Islam një bidat të cilin e mendon të mirë, ka pretenduar se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka tradhëtuar shpalljen, sepse Allahu ka thënë: ‘Sot plotësova fenë tuaj për ju’ dhe çdo gjë që nuk ka qenë prej fesë në atë kohë, nuk është as sot.”
Ndërsa bashkimi me një imam që Umeri (radijallahu anhu) u bëri njerëzve në namazin e teravive, është në aspektin e ringjalljes së Sunetit dhe shfaqjes së tij, pasi Profeti (salallahu alejhi ue selem) u priu njerëzve në namazin e teravisë disa netë, por nuk vazhdoi më nga frika se mos bëhej obligim për Umetin.[54] Por me vdekjen e Profetit (salallahu alejhi ue selem) shpallja u ndërpre dhe nuk kishte si të bëhej më obligim, kështu që mbeti në gradën e punëve të pëlqyera. Atëherë Umeri (radijallahu anhu) i bashkoi njerëzit në namazin e teravisë, ndërsa fjala e tij në lidhje me faljen e taravive siç e transmeton Buhariu: “Sa bidat i mirë është ky”,[55] ka për qëllim bidatin në kuptimin gjuhësor dhe jo në atë të Sheriatit.
Ndryshimi ndërmejt bidatit në kuptimin gjuhësor dhe atij në kuptimin fetar
Kuptimet gjuhësore, në shumicën e rasteve, janë më të përgjithshme se kuptimet e Sheriatit, pasi domethënia e Sheriatit, në shumicën e rasteve është pjesë e domethënieve gjuhësore. Si shembull i kësaj janë fjalët “et-takua”, “el sijam”, “el haxh”, “el umre”, “el bidat” etj.
Në kuptimin gjuhësor fjala “takua”do të thotë të vendosë njeriu mes tij dhe mes çdo gjëje që ka frikë, një mburojë e cila e mbron prej saj, si psh. ndërtimi i shtëpive ose i çadrave për t’u mbrojtur nga i nxehti dhe i ftohti, apo përdorimi i këpucëve për t’u mbrojtur nga çdo gjë që na mundon gjatë ecjes në tokë. Ndërsa në Sheriat me“takua”nënkuptohet të vendosë muslimani ndërmjet tij dhe zemërimit të Allahut, një mburojë e cila e mbron nga ky zemërim. Kjo gjë arrihet duke zbatuar urdhërat dhe duke u larguar nga ndalesat.
“Sijam” në gjuhën arabe, ka kuptimin e privimit. Ndërsa në Sheriat është privim i veçantë, duke u privuar prej ngrënies, pirjes dhe çdo gjëje tjetër që e prish agjërimin, nga momenti i agimit deri në perëndim të diellit.
“Haxh” në gjuhën arabe është çdo lloj synimi, ndërsa në Sheriat është synimi i vajtjes në Mekë për të kryer rite të caktuara.
“Umre” në gjuhën arabe ka kuptimin e çdo vizite, ndërsa në Sheriat është vizita e Kabes bashkë me tavafin rreth saj, ecja ndërmjet Safasë dhe Mervasë dhe rruajtja e flokëve ose shkurtimi i tyre.
“Bidat”në gjuhën arabe ka kuptimin e çdo shpikjeje, e cila nuk ka pasur shembull më parë, ndërsa në Sheriat ka kuptimin e çdo shpikjeje, e cila nuk ka bazë në fe, pra është antonim i Sunetit.
Dobitë e lira nuk konsiderohen bidate
Dobia e lirë (el mesalihul el murseletu), është ajo dobi të cilën Sheriati as nuk e ka marrë në konsideratë dhe as nuk e ka mohuar. Ajo është mjet për të realizuar diçka të ligjëruar, si p.sh. mbledhja e Kur’anit në kohën e ebu Bekrit dhe Uthmanit (radijallahu anhum), regjistrimi i gjendjes civile dhe regjistrimi i nënpunësve. Në Sheriat nuk ka ndonjë argument që pohon apo mohon ndonjërën prej tyre. Por mbedhja e Kur’anit është një rrugë për ta ruajtur dhe për të mos humbur asgjë prej tij. Gjithashtu me të realizohet fjala e Allahut: “Ne e zbritëm Kur’anin dhe ne do ta ruajmë atë.” Kur Umeri i propozoi ebu Bekrit (radijallahu anhum) mbledhjen e Kur’anit, ky i fundit hezitoi dhe i tha: “Si të bëj atë që nuk e ka bërë Profeti?” Umeri tha: “Pasha Allahun, kjo është e dobishme.” Pastaj Umeri vazhdoi t’i bënte një propozim të tillë, derisa Allahu ia hapi gjoksin dhe mendoi ashtu siç mendoi Umeri.”[56] Ebu Bekri e mblodhi Kur’anin në dorëshkrime, ndërsa Uthmani në një libër të vetëm.
Ndërsa regjistrimi në regjistra u bë në kohën e Umerit (radijallahu anhu), atëherë kur u shtuan çlirimet dhe plaçka e luftës. Kështu u bë e nevojshme regjistrimi i emrave të ushtarëve dhe nëpunësve. Kjo nuk praktikohej para kohës së tij, por ajo ishte një mënyrë që bënte të mundur t’i arrinte e drejta atij që i takonte, pa humbur asgjë prej saj.
Nuk mund të thuhet se disa bidate janë të mira prandaj i konsiderojmë ato si “dobitë e lira”, sepse “dobitë e lira” janë mjete që çojnë në realizimin e diçkaje të ligjëruar në Sheriat, në dallim nga bidatet të cilat përmbajnë në vetvete akuzën ndaj Sheriatit për mangësi, sikurse u sqarua kjo në fjalën e imam Malikut.
Bashkë me qëlllimin e mirë duhet edhe përputhja me Sunetin
Dikush që nënvlerëson çështjen e bidateve mund të thotë se ai që punon bidatin për t’u afruar tek Allahu, qëllimin e ka të mirë, prandaj në këtë aspekt, puna e tij është e lavdëruar. Atij i përgjigjemi se bashkë me qëllimin e mirë, duhet patjetër që puna të jetë në përputhje me Sunetin, e cila është një nga dy kushtet e pranimit të punës së mirë, të përmendura më parë. Ato janë sinqeriteti për Allahun dhe pasimi i sunetit të Profetit (salallahu alejhi ue selem).
E përmendëm më sipër hadithin që tregon refuzimin e bidatit prej atij që e punon atë. Kjo është fjala e Profetit (salallahu alejhi ue selem) në hadithin e transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi: “Kush shpik në fenë tonë, çka nuk është prej saj ,ajo është e refuzuar”, ndërsa në tekstin e Muslimit: “Kush punon ndonjë punë e cila nuk është prej fesë sonë, ajo është e refuzuar.” Argumenti që tregon se qëllimi i mirë patjetër duhet të shoqërohet me përputhjen e Sunetit, është ngjarja e sahabiut që theri kurbanin e tij para namazit të Bajramit. Profeti (salallahu alejhi ue selem) i tha: “Delja jote është dele mishi.”[57]
Hafidhi ibn Haxheri, në shpjegimin e këtij hadithi në “El fet’h” thotë: “Shejh ebu Muhamed ibn ebi Xhemreti ka thënë se në këtë hadith ka argument se puna, edhe nëse është me qëllim të mirë, është e saktë vetëm pasi të jetë në përputhje me Sheriatin.”[58]
Gjithashtu, për këtë gjë argumenton ajo që transmetohet në “Sunenin” e Darimiut me zinxhir transmetimi të saktë, se Abdullah ibn Mesudi (radijallahu anhu) erdhi tek disa njerëz të ulur në xhami në formë rrethi. Në duar mbanin guralecë dhe një burrë u thoshte: “Thoni Allahu Ekber 100 herë.” Ata thonin 100 herë Allahu Ekber duke numëruar me guralecë. Pastaj u thoshte: “Thoni La ilahe il Allahu uahdehu la sherike lehu lehul mulku ue lehul hamdu ue hue ala kuli shejin kadir 100 herë, subhan Allah 100 herë.” Qëndroi pranë tyre dhe tha: “Çfarë është kjo që po shoh të bëni?” Thanë: “O ebu Abdurrahman! Numërojmë dhikrin me guralecë.” Tha: “Numëroni të këqijat tuaja, sepse për të mirat tuaja bëhem unë garant që nuk ju humbet asgjë. Të mjerë ju o Umeti i Muhamedit! Sa i shpejtë është shkatërrimi juaj! Shokët e Profetit tuaj (salallahu alejhi ue selem) akoma janë të shumtë, rrobat e tij akoma nuk janë tretur, enët e tij akoma nuk janë thyer. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirit im, ju ose jeni në një rrugë më të mirë se sa rruga e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), ose keni hapur portën e humbjes!” Thanë: “Për Zotin o ebu Abdurrahman, deshëm vetëm hajër.” Tha: “Sa shumë janë ata që e duan të mirën, por nuk e arrijnë atë …”[59]
Rreziku i bidateve është i madh dhe e keqja e tyre është e madhe. Ato janë më të rrezikshme se gjynahet, sepse gjynahqari e di që ka bërë një gjë të ndaluar, mund ta lerë atë dhe të pendohet, ndërsa bidatçiu mendon se është në të drejtë dhe mund të vazhdojë të punojë bidatin e tij derisa të vdesë, ndërsa në realitet ai është pasues i tekave (epshit) dhe i devijuar nga rruga e drejtë.Rreziku i bidateve dhe sqarimi se ato janë më të rënda se gjynahet
Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Atij iu duk e bukur puna e tij e keqe dhe e kujtoi atë për të mirë. Allahu udhëzon kë dëshiron dhe humbet kë dëshiron.” Fatir: 8.
“A është ai i cili është në dëshmi të qartë nga Zoti i tij, si ata të cilëve veprat e liga që ata bëjnë, u zbukurohen para syve të tyre ndërsa ndjekin nefsin e vet (e dëshirat e liga)?” Muhamed: 14.
“O Daud! Me të vërtetë që Ne të kemi vendosur ty si trashëgues në tokë, kështu që gjyko mes njerëzve me të vërtetën e drejtësinë dhe mos ndiq dëshirën tënde, pasi ajo do të të largojë nga rruga e Allahut. Sigurisht që ata të cilët enden të humbur larg Udhës së Allahut (do të) kenë ndëshkim të rreptë për shkak se ata harruan Ditën e Llogarisë.” Sad: 26.
“Por nëse ata nuk të përgjigjen ty (nuk të besojnë ty dhe Mesazhin tënd të besimit islam, as nuk të ndjekin ty), atëherë dije pra se ata ndjekin vetëm dëshirat e tyre. Dhe kush është më i gabuar se ai i cili ndjek dëshirat e veta pa udhëzim nga Allahu? Sigurisht që Allahu nuk e udhëzon popullin Dhalimun (politeist, mosbesimtar, keqbërës e të pabindur ndaj Allahut).” Kasas: 50.
Nga Enesi (radijallahu anhu) është transmetuar se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu e ka penguar teuben ndaj çdo bidatçiu derisa ta lerë bidatin e tij.”[60]
Bidatet janë në besim, vepër dhe fjalë
Bidat ndahen në disa lloje, në besim, në shprehje dhe në vepra. Bidati në vepra ndahet sipas kohës dhe sipas vendit.
- Bidatet në besim janë si bidati i havarixhëve, i shiave, i mu’tezilëve etj., të cilët bazohen në “ilmul kelam” dhe disa të tjerë bazohen në hadithe të shpikura.
Ibn Abdulberri në librin e tij “Xhamiul bejanil ilm” thotë: “Dijetarët e Fikhut dhe të hadithit në gjithë vendet islame, janë pajtuar unanimisht se “ehlul kelami” janë bidatçinj dhe të devijuar. Ata sipas të gjithëve dhe në të gjitha vendet, nuk renditen në radhën e dijetarëve. Dijetarë janë vetëm ata që pasojnë hadithin dhe e kuptojnë atë, e të cilët shquhen për përvetësimin dhe veçoritë e tij.”[61]
- Bidatet në shprehje janë si shprehja e nijetit me zë, p.sh. “kam bërë nijet të fal këtë”, “kam bërë nijet të agjëroj këtë” etj. Këtu bën përjashtim vetëm haxhi dhe umreja. Ai që bën umre thotë “lebejke umreten”, ai që bën haxh “ifrad” thotë “lebejke haxhen”, ndërsa ai që bën haxh “kiran” thotë “lebejke umreten ue haxhen”, sepse kjo është transmetuar në Sunet.
Prej bidateve në shprehje është t’i lutesh Allahut me pozitën apo të drejtën e dikujt, e të tjera si këto, të cilat nuk janë transmetuar në hadithe të sakta nga Profeti (salallahu alejhi ue selem). Disa bidate në shprehje janë kufër, si për shembull t’u lutesh të vdekurve dhe t’u kërkosh atyre ndihmë për zgjidhjen e halleve, largimin e fatkeqësive e të tjera gjëra të cilat kërkohen vetëm prej Allahut, sikurse ka thënë Allahu: “Vërtet që xhamitë janë për Allahun, kështu që mos lutni asnjë tjetër bashkë me Të.” El Xhin: 18.
“Kush është ai që i përgjigjet të pikëlluarit kur ai lutet dhe e largon të keqen dhe u bën ju trashëgues të tokës brez pas brezi? A ka të adhuruar tjetër me Allahun? Sa pak përkujtoni!” En-Neml: 62.
Ndërsa gjykimi për atë që i thotë këto shprehje, se është kafir, bëhet vetëm pasi t’i jetë sqaruar argumenti. Ky është mendimi i shumë dijetarëve. Në kapitullin e pestë të librit tim “Mukadimetut tat’hiril itikad” kam përmendur shtatë prej tyre duke filluar me imam Shafiun dhe duke mbaruar me imam Muhamed ibn Abduluehab.
Krijoni Kontakt