Berisha: Kemi 6 mld fuçi rezerva nafte, gati për central nuklear
» Dërguar më: 12/05/2010 - 13:51
Nafta shqiptare e zonave të njohura arin deri në 6 miliardë fuçi. Vetëm Patos-Marinza ka mbi 2 miliardë fuçi rezerva. Vitin që vjen pritet që prodhimi i vendit të plotësojë plotësisht nevojat e tij dhe në vazhdim". Ka deklaruar kështu dje kryeministri shqiptar, Sali Berisha, në përshëndetjen e bërë gjatë punimeve të konferencës së investitorëve të huaj. Ai ka shtuar se një fushë tjetër me mundësi të mëdha për investitorët është ajo minerare, ku Shqipëria është e pasur me krom, bakër, nikel, bazalte e qymyr. Shqipëria, falë pozicionit gjeografik, përbën vendin më të përshtatshëm për kalimin në territorin e saj të gazsjellësve, shtoi Berisha. Të gjithë ata që by pass-ojnë Shqipërinë janë të 'dënuar' të bëjnë investime shumë më të kushtueshme, sesa po të kalojnë në territorin shqiptar. "Gazsjellësi Trans-Adriatik është padyshim gazsjellësi më fizibël dhe unë ju garantoj se do të jetë më i shpejti që do të ndërtohet. Nuk do të kenë përfunduar akoma debatet dhe diskutimet për të tjerët, kur ky gazsjellës do të bëhet një realitet. Kompani të mëdha të Zvicrës, Norvegjisë, Gjermanisë janë të angazhuara në ndërtimin e tij. Qeveritë përkatëse nga territoret e tjera ku kalon gazsjellësi; Turqia është e angazhuar t'i japë me sipërmarrjen e saj 'Botash' të gjitha lehtësirat, qeveria greke dhe qeveria shqiptare do t'i japin çdo lehtësi këtij gazsjellësi për ta bërë realitet, i cili ka një trajektore më të shkurtër sesa 'South Stream', me të paktën 200 kilometra", - tha ai. "Qeveria ime po përgatit në vazhdimësi të gjithë kuadrin ligjor, në mënyrë që shqiptarët të përfitojnë nga energjia më e pastër dhe më konstante, ajo bërthamore", - deklaroi Berisha.
gazeta shqiptare
Krijoni Kontakt