INA: Së shpejti hapet rasti i maqedonasve të zhdukur

15/10/2008


Së shpejti pritet të hapet edhe rasti i maqedonasve të zhdukur, për të cilët ngarkohen nga gjykata ish-përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të larta të gjyqësorit për agjencinë e lajmeve INA, të cilët theksojnë se gjatë ditëve të ardhshme pritet të hapet edhe ky rast.

Ky është një nga katër rastet e kthyera nga Tribunali i Hagës, ndërsa për të ngarkohet edhe deputeti aktual i Partisë Demokratike Shqiptare(PDSH), Daut Rexhepi. Në rast të fillimit të këtij procesi gjyqësor, atëherë gjykata e Tetovës pritet të bëjë kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit të PDSH-së, Daut Rexhepi-Leka.

Hapja e katër rasteve të Hagës ka nxitur debate të ashpëra politike në vend midis kampit politik maqedonas dhe shqiptar, me ç`rast partia shqiptare në pushtet BDI ka kërkuar ekspertizë ndërkombëtare për ligjin për amnisti, me të cilin amnistohen të gjithë personat që janë përfshirë në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni.



Gjatë konfliktit të vitit 2001 janë regjistruar të zhdukur 13 maqedonas nga rajoni i Tetovës, të cilët sipas autoriteteve maqedonase konsiderohen të zhdukur nga ana e ish-U]K-së. Në të njejtën periudhë janë zhdukur edhe gjashtë shqiptarë, për të cilët dyshohen forcat e sigurisë që vepruan gjatë konfliktit të vitit 2001. (S.S/INA)