Hirushja bizantiniste
Lulzim Mjeku
Pse Qipro nuk e njeh Kosovën e pavarur? A po ia kthen Qipro borxhin Rusisë së zgjuar me ëndrra cariste e koloniale, apo Beogradit të painkuadruar të Titos? A po paguan Qipro kamatën e Millosheviqit, apo po dëshmohet se mban standard të dyfishtë ndaj Kosovës?
Qiproja, një shtet ishullor në Mesdheun lindor me madhësi gati 10,000 km katrorë po kundërshton njohjen e Kosovës së pavarur, edhe pse ka një të kaluar të ngjashme me të kaluarën e Kosovës.
Më 17 shkurt të këtij viti Qipro mbajti zgjedhjet e përgjithshme dhe në fund të marsit, kryetari i saj Demetris Christofias u takua me Mehmet Ali Talat kryetarin e të ashtuquajturës ‘Republikës Turke të Qipros Veriore’. Ata u morën vesh që të rinisin bisedimet dhe të takohen në çdo tre muaj.
Në fund të javës që e lamë pas, u hap një vendkalim në vijën e gjelbër që ndan turqit nga grekët. Hëpërhë, është enklava turke e mbetur në kryeqytetin Nikozia dhe entiteti turk, në pozitën më të vështirë ekonomike dhe sociale. Ata, kapitali dhe të mirat e tyre nuk gëzojnë liri qarkullimi në skenën ndërkombëtare.
Ngulmimi i Republikës së Qipros për të mos njohur Kosovën e pavarur më shumë se ironi postmoderne është bizantinizëm. Qipro është shtet subjekt juridiko-ndërkombëtar i formuar nga tri shtete: Britania e Madhe, Greqia dhe Turqia me parimet: nuk ka ndarje të Qipros, nuk ka bashkim me Greqinë as me Turqinë. Sundimi kolonial britanik e shndërroi Qipron në “Koloninë Hirushe”. Ajo fitoi infrastrukturë të mirë rrugore, shkallë të lartë standardi.
Sipas Traktatit të Garancisë tri fuqitë shtetërore sigurojnë pavarësinë, tërësinë territoriale, sigurinë dhe rendin e vendosur me dispozitat kushtetuese. Kështu në vitin 1960, në kulmin e epokës së dekolonializmit dhe të vetëvendosjes kombëtare, Qipro u bë shtet akt në të cilin përfaqësuesit e dy bashkësive etnike vetëm nënshkruan një deklaratë (juridikisht jodetyruese) me të cilën pajtoheshin me vendimet e Britanisë, Greqisë dhe Turqisë.
Por, nga viti 1963, ishulli është zhytur në konflikt ndëretnik ndërmjet grekëve dhe turqve. Në vitin 1974 armata e Turqisë invadoi në 40% të territorit qipriot dhe formoi entitetin politiko territorial të pavarur nga autoritetet qendrore në Nikozia. Që nga ky vit Qipro ka mbetur shtet i ndarë, edhe pse atë e ka pranuar Bashkimi Evropian për anëtar të vetin, si shtet të tërë e të pandarë.
Nga mosinkuadrimi te shpëlarja e parave të Millosheviqit
Qipro rëndohet nga barra e ndarjes faktike të saj, por një pjesë të madhe të fajit për ndarje e bart edhe vetë ajo, me mospranimin e Planit të Kofi Annanit. Duke pasur parasysh këtë trashëgimi kryeneçe të Qipros, është rezultat i pritshëm që edhe në të ardhmen Qipro mos ta njohë Kosovën derisa të mos ndodhë një zgjidhje fundamentale për të. Por, të paktën Qipro nuk ka bazë ligjore për mosnjohje dhe analogjia e ndarjes faktike të një pjese të saj, me siç thuhet ndarjen e Kosovës nga Serbia është e paqëndrueshme.
Ekziston tendenca që e drejta ndërkombëtare të mos mbetet skllave e interpretimeve mitike të sovranitetit, njohjes së shtetit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo tendencë ndihmon sepse shpëton fytyrën e bashkësisë ndërkombëtare dhe i nxitë palët që t’i ndryshojnë “të vërtetat e tyre të hekurta” për njëra tjetrën e të nxjerrin veten nga konflikti potencial. Por kjo nuk nënkupton njohjen e entitetit turk të Qipros së Veriut për shtet të pavarur, për shkak të mënyrës me të cilën u themelua, nëpërmjet invadimit, si shkelje e parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
Kur bashkësia ndërkombëtare njeh një entitet për shtet, ai mbetet i tillë pa marrë parasysh gabimet në politikën e tij dhe ndarjen e brendshme të territorit të tij. Mund të thuhet se e drejta ndërkombëtare njeh një shtet kur për të ekziston pajtueshmëria se ai paraqet një fakt të ri të ndryshëm nga të tjerët.
Por, lëvizja kombëtare greke në ishull ka një histori tjetër më të hershme, lëvizjen e bashkimit me shtetin grek e nisur që nga shekulli XIX – Enosis. Në Luftën e Parë Botërore Britania e Madhe i ofroi Qipros që t’i bashkohet Greqisë në këmbim të mbështetjes greke të Serbisë, por Greqia kundërshtoi. Po të mos kishte vepruar kështu Greqia, do të kishte parandaluar konfliktin i cili shfaqet pas një gjysmë shekulli.
Sot, në gadishullin Ballkanik ekzistojnë dy shtete greke, Greqia dhe Qipro, me çfarë të drejte Qipro kundërshton njohjen e shtetit të dytë shqiptar? Nuk ekziston një e drejtë e tillë. Ekzistojnë vetëm interesat e ngushtë dhe afatshkurtër të Qipros për një qëndrim të këtillë mohues të së drejtës së qytetëruar ndërkombëtare nga ndërgjegjja evropiane.
A po ia kthen Qipro borxhin Rusisë? Edhe pse Qiproja i takon arealit greko-ortodoks, e mbështetur historikisht nga Rusia cariste, ajo mund ta gjejë të ardhmen dhe bashkimin e saj vetëm në Bashkimin Evropian.
A thua Qipro po zhvillon një politikë nostalgjike dhe po mbështet Beogradin zyrtar për shkak të politikës së të mosinkuadruarve, këtij blloku të botës sës tretë të krijuar nga Tito, por edhe nga kryetari i parë qipriot peshkopi Makarios? Jo vetëm kaq!
A po paguan Qipro kamatën e Millosheviqit dhe po ia kthen borxhin Serbisë. Në vitet e ’90-a shumë para të Kosovës dhe para të tjera, si rezultat i luftërave dhe shpërbërjes së ish-RSFJ-së, u shpërlanë në bankat e Qipros, duke shkelur embargon ndërkombëtare. Të përditshme me renome botërore, si “The Financial Times” e patën akuzuar Qipron se i ka pranuar “vullnetarisht” fondet e Millosheviqit. Sipas gazetës banka e dytë qipriote “Laiki” ka hapur në vitet ’90 kompani of-shore për llogari të pushtetarëve të atëhershëm në Beograd. Nëpërmjet tyre është bërë furnizimi me karburante, lëndë të parë dhe armë.
Politikanët kryesorë të Qipros i kanë lehtësuar këtë këto transaksione, duke i shkelur sanksionet e OKB-së ndaj Serbisë. Për lidhjet në relacionin Beograd-Nikozi ka folur edhe politikani serb Mllagjan Dinkiq, ish guvernator i bankës së Jugosllavisë. Sipas tij ky vend ka qenë qendër e rëndësishme për “larjen” e rreth katër miliardë dollarëve nga arka shtetërore gjatë pushtetit të Millosheviqit. Mbase ky është shkaku më i fortë pse Qipro nuk e njeh Kosovën e pavarur.
Duket se Qipro e ka harruar historinë e saj koloniale deri në fitimin e pavarësisë së kushtëzuar, jo sa për inat të Kosovës, por për të kthyer kontributin e saj politik ndaj bllokut sllavo-ortodoks të ngujuar në kthetrat e gjeostrategjisë dhe gjeopolitikës së kohës së Luftës së Ftohtë.
Politika e këtillë qipriote për shkak të Turqisë lejon të manipulohet nga Rusia dhe Serbia. Ajo bën krahasime të pavenda, përkundër përsëritjes së lodhshme të qendrave ndërkombëtare të vendosjes se statusi i si dhe vetë çështja e Kosovës është sui generis.
Nga shkelësi i embargos në shkelës të politikës së BE-së
Politika qipriote vijon kështu në kundërshtim me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), pikërisht shteti i cili ka kontribuar më së shumti që Qipro të pavarësohet. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë këtë jo për shkak se në Qipro kanë pasur interesa të drejtpërdrejtë, por se në rrethanat e Luftës së Ftohtë, konflikti potencial ushtarak ndërmjet Greqisë dhe Turqisë, dy vendeve aleate të SHBA-ve dhe anëtarë të NATO-s e ka dëmtuar atë në këtë rajon dhe ka forcuar bllokun komunist të udhëhequr nga Moska.
Fantazmat që enden në politikën e ishullit të tretë për nga madhësia në Mesdhe, nuk janë vetëm paratë e marra nga Beogradi, armatimi, arsyet historike nga shekulli i XIX dhe koha e Luftës së Ftohtë dhe paragjykimet fetare dhe etnike. Pra, nuk janë vetëm këto shkaqe ato që e shtyjnë Republikën e Qipros të marrë kësi qëndrimi negativ ndaj Kosovës.
Duket se edhe pse Bashkimi Evropian ia ka trasuar vendin dhe rrugën drejt afirmimit ndërkombëtar, ai nuk ka arritur ta bind Qipron se nuk ka vend për analogji, se pavarësimi i Kosovës nuk është njëlloj sikurse ndarja e territorit të saj, filluar me invadimin turk më 1974 dhe shpallja e njëanshme e “Republikës qipriote turke të veriut” më 1983.
Shikuar nga prizmi qipriot atëherë situata në Kosovë lexohet si invadim në Serbinë, shtet sovran dhe i pavarur nga ana e forcave të NATO-s. Një lexim mitik i importuar nga Beogradi që vajton të kaluarën e tij prej fuqie koloniale në Ballkan dhe përsërit parime të së drejtës ndërkombëtare të nxjerra nga naftalini.
Pasojat e një vendimi të këtillë janë me pasoja afatgjate, në marrëdhëniet brenda BE-së dhe në rajon. BE është shpresa për një zgjidhje moderne për nyjën e Qipros dhe vendimi qipriot përballë Kosovës paraqet mungesë konstruktiviteti. E pakta për t’ia lehtësuar vetes rrugën e vështirë të bashkimit të ishullit të ndarë. Por si duket Qiproja ka farkëtuar fiksionet e saj të hekurta në kohën e Luftës së Ftohtë dhe nuk e ka ndër mend t’i ndryshojë as në epokën e ngrohjes globale.
Si një vend i sunduar gjithmonë nga të huajt deri më 1960, e këtë vendim Qiproja ia prish punët vetes. Si anëtare e re e BE ajo tregohet si grua e pabesë, e cila shkel kurorën me BE-në për të shkuar me Rusinë dhe Serbinë. Nga një vend shkelës i embargos kundër Serbisë së Millosheviqit në vitet ‘90, Qiproja shfaqet sërish në skenë si shkelës i politikës së përbashkët evropiane. BE duhet ta disiplinojë këtë anëtar të ri të tij, por tashmë ky është problem i konsensualitetit brenda Bashkimit Evropian.
telegrafi.com
Krijoni Kontakt