Marrëveshja shqiptaro-serbe në fushën e kardiokirurgjisë do të ndihmojë pacientët shqiptarë për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale në Beograd
Kardiologët shqiptarë, trajnime në Beograd
Xhani dhe Knezeviç: “Marrëveshja jonë një fillim i mbarë”
Olsi Kolami
Ministri shqiptar i Shëndetësisë Mustafa Xhani ka nënshkruar dje një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë me homologun e tij serb Milos Knezeviç. Fushat e kardiologjisë dhe farmaceutikës do të jenë të parat që do të nisin bashkëpunimin mes dy vendeve në fillim të vitit që vjen. Këtë gjë e kanë konfirmuar vetë ministrat e Shëndetësisë Xhani dhe Knezeviç. “Në Ballkan po fryjnë erëra të reja dhe po lëmë pas mëkatet e vjetra, në mënyrë që të hyjmë sa më parë në Evropë dhe kjo gjë arrihet vetëm më bashkëpunim. Shpresojmë që hapat e parë që po hidhen nga shëndetësia do të pasohen nga një bashkëpunim i frytshëm”,-tha kreu i Shëndetësisë shqiptare Xhani. Marrëveshja e nënshkruar mes dy vendeve është e para e këtij lloji dhe konsiston në trajnimin e mjekëve shqiptarë të kardiokirurgjisë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe të spitaleve të tjera, në një nga qendrat më të mira të kardiologjisë në Ballkan. Ministri Xhani hodhi idenë që ky bashkëpunim të mos konsistojë vetëm në trajnimin e mjekëve shqiptarë në Serbi, por edhe të kurimit të pacientëve, kjo veçanërisht për rastet e rënda ku mund të ndërhyhet me anë të operacioneve të specializuara. Ministri serb i Shëndetësisë, Knezeviç ka shprehur mirënjohje për takimet e ditës së djeshme me kryeministrin dhe ministrin Xhani dhe theksoi se shëndetësia nuk njeh kufij, prandaj këto lloj marrëveshjesh duhet përkrahur. Në takim u ra dakord që marrëveshja të nisë të zbatohet që në fillim të vitit tjetër ku mendohet të shkëmbehen stafet e mjekëve të kardiokirurgjisë të QSU-së me ata të një prej klinikave më të mira në Beograd që është “Dedinj”. Marrëveshja mes dy vendeve parashikon njëkohësisht edhe ndihmesë në shërbimin publik parësor, i cili është bën pjesë në strategjinë 10 -vjeçare të shëndetësisë të vendit tonë, ku ne do të bashkëpunojmë në prodhimin e vaksinave, sëmundjeve ngjitëse dhe kontrollit të sëmundjeve infektive sidomos në zonat kufitare. Një pikë tjetër e cila është përfshirë në marrëveshjen e shëndetësisë shqiptaro-serbe, ka qenë edhe sektori farmaceutik. Ministri Xhani ka theksuar se kjo do të realizohet veçanërisht në drejtim të strukturave të kontrollit të barnave duke garantuar një cilësi të tyre për të siguruar shëndet të plotë të popullsisë. Kjo për faktin se një numër i madh barnash vijnë nga vendet ballkanike dhe kalojnë përmes Serbisë. Marrëveshja ka si qëllim t’u presë rrugën abuzimeve me barnat. Në fund është dhënë një informacion i detajuar mbi aktivitetin shëndetësor të qendrës më të mirë të kardiokirurgjisë në Beograd. Kjo qendër realizon 122 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit dhe është ndër qendrat e vetme të këtij lloji në Ballkan që kryen transplantime të zemrës dhe të mëlçisë. Me këtë marrëveshje u hapet drita jeshile edhe dhjetëra pacientëve që presin për të kryer transplante të zemrës dhe mëlçisë në vendin tonë. Ministri serb i Shëndetësisë ka garantuar se stafi i mjekëve të klinikës së kardiokirurgjisë përbëhet nga një grup prej 20 kardiokirurgësh, të cilët kryejnë ndërhyrje kirurgjikale moderne.
Oops!
Krijoni Kontakt