Irma Hoxha

Punimet e ekspeditës së përbashkët shqiptaro-franceze në qytetin antik të Bylisit, kanë sjellë zbulime të reja, që dëshmojnë për zhvillimin gjatë tre periudhave kohore të ekzistencës së tij. Sipas drejtorit të Parkut Arkeologjik të Bylysit, Bashkim Vreka, punimet filluan gjatë javës së parë të muajit maj dhe përfunduan në javën e fundit po të këtij muaji. Gërmimet e këtij viti ishin në vazhdimësi të gërmimeve të vitit të kaluar dhe u përqendruan në Kompleksin Peshkopal, në ambientet e tij ndihmëse si, bazilika "E" dhe të një monumenti të ri i cili u quajt "Altari i Terencianit", i zbuluar gjatë vitit të kaluar. Punimet jo vetëm hodhën dritë duke qartësuar situatën për ambientet e zbuluara më parë, por sollën dhe zbulime të reja. Por zbulimet më me vlerë i sollën gërmimet në "Altarin e Terencianit", zbuluar vitin e kaluar nga profesor Skënder Muçaj në pjesën juglindore të qytetit, pranë murit të "Viktorinit" dhe Bazilikës "B". Shkak i punimeve të këtij viti, u bënë gjetja e dy piedestaleve me mbishkrimin latin gjatë një kërkimi në sezonin e vitit 2007.
Sipas specialistëve të arkeologjisë, zbulimet e gjetura në Bylis tregojnë zhvillimin e tij në faza të ndryshme të qytetërimit dhe se në njëmijë vjetët e para të ekzistencës së tij qyteti, ka përjetuar dhe kohën e lulëzimit. Për detaje më të hollësishme rreth zbulimeve dhe gërmimeve, pyesim drejtorin Parkut Arkeologjik të Bylysit, Bashkim Vrekën.
Prej kohësh po dëgjojmë gjithnjë e më shumë për Bylisin, sidomos pas gërmimeve të fundit. Çfarë ka ndodhur realisht, pasi duket sikur qyteti antik është rizbuluar?
Është më se e vërtetë. Fakti që Bylisi po kthehet në qendër të vëmendjes së publikut mund të konsiderohet pa mëdyshje si një rizbulim i tij. Në fakt, ky qytet madhështor ka qenë gjithnjë aty por paksa i harruar nga publiku.
Pse pikërisht tani?
Kjo lidhet me disa faktorë. Së pari, pavarësisht gërmimeve të shumta arkeologjike që vazhdojnë pothuajse pa ndërprerje prej 30 vjetësh, pasi realisht jemi në tridhjetë vjetorin e fillimit të gërmimeve shqiptare në Bylis, pra megjithëse janë kryer shumë gërmime që kanë nxjerrë në dritë monumente të shumta dhe me vlera është bërë pak për propagandimin e tyre dhe vënien në shërbim të turizmit kulturor.
Ju po thoni se ka munguar publiciteti i gjithë procesit tuaj të punës?
Po. Fakti ka treguar se deri tani gjithçka është kryer si në fshehtësi, pasi shumë pak gjëra janë publikuar dhe paraqitur si zbulime.
Duke u ndalur tek gërmimet dhe zbulimet ne qytetin antik te Bylisit, cilat janë të dhënat e fundit? Megjithëse kemi një qytet me dendësi të madhe monumentesh, duket se nëntoka e tij ruan ende surpriza...
Po, është fakt se Bylisi ofron për vizitorin njëzet monumente të vizitueshme të cilat i përkasin epokës helenistike, shek.IV-I.p.e.s., ku ndër më të spikaturit mund të përmendim murin rrethues të kësaj periudhe, teatrin, dy shëtitore, njëra prej të cilave dykatëshe, stadiumin, depozitën e ujit, dy banesa me sipërfaqe 600 m2 secila, krahas objekteve arkeologjike po të kësaj periudhe. Por edhe në periudhat në vazhdim, atë romake dhe antikitetit të vonë që përfshijnë shek.I-VI e.s. Mund të përmendim pesë bazilika, kisha paleokristiane, të pasura jo vetëm me ambiente dhe elementë arkitekturore me vlera, por sidomos me dyshemetë e shtruara me mozaikë shumëngjyrësh dhe me skena të larmishme nga jeta e njerëzve, bota bimore dhe shtazore si dhe motive të shumta gjeometrike.
Çfarë vlerësimi mund të kishte Bylisi nga ju personalisht?
Me një sipërfaqe të përgjithshme prej 1000m2 dysheme me mozaikë, Bylisi përbën një rast unikal në Ballkan duke u dëshmuar si një qendër antike me vlera në trashëgiminë kulturore botërore, i denjë për të aplikuar për statusin e siteve arkeologjike të mbrojtura nga UNESKO, gjë që do të bëhet në një të ardhme të afërt. Duke u ndalur më konkretisht në rezultatet e gërmimeve të fundit të ekspeditës shqiptaro-franceze që kryen gërmime të përvitshme në Bylis që prej vitit 1999, mund të themi se kemi rezultate me të vërtetë interesante. Së pari, kemi zbulimin e një monumenti të ri, i quajtur nga arkeologët monumenti i Terencianit, pasi ky ishte dhe pronari i kësaj banese. Kemi të bëjmë me një banesë të periudhës romake dhe është rasti të vemë në dukje se është banesa më e bukur e kësaj periudhe e zbuluar në Bylis. Kësaj banese i përket dhe shtati prej mermeri kushtuar Maksimit, njërit prej bijve të Terencianit, me sa duket i ndarë nga jeta në moshë të re. Në fakt, në të njëjtën banesë duhet të ketë pasur edhe një shtat tjetër që i kushtohej vëllait të Maksimit, i quajtur Terencian, si i ati, pasi në aula, ambient i hapur brenda banesës romake, ku përkujtoheshin pjesëtarë të saj, jane zbuluar dy bazamente me mbishkrime latinisht të cilat na bëjnë me dije se skulpturat që qëndronin mbi të dy bazamentet i kushtoheshin dy vëllezërve. Pra, kemi të bëjmë me një familje të pasur romake e cila jo vetëm që zotëronte një banesë luksoze, por kishte mundësi të porosiste skulptura prej mermeri, të cilat duhet thënë se jo çdo kush mund të përballonte shpenzime të tilla, pasi mermeri vinte nga Greqia ose Italia dhe kushtonte.
Ky vit ka pasur vetëm këto zbulime apo ekspedita ka pasur dhe gjetje të tjera interesante?
Përveç banesës së Terencianit, këtë vit ka pasur rezultate interesante edhe në gërmimet në kompleksin peshkopal. Është rasti të vëmë në dukje se ky kompleks, i cili quhet edhe katedrale, është një kompleks i rrallë jo vetëm për nga madhësia, afro 4000 m 2, por edhe nga pasuria e shumëllojshme arkitekturore dhe arkitektonike. Në kompleks, i cili vazhdon të gërmohet prej gati 25 vjetësh dhe ende nuk ka përfunduar, janë zbuluar një sërë monumentesh, midis të cilave bazilika B, e cila ka dhe dyshemetë më të pasura me mozaikë në një sipërfaqe prej 400m2, ka baptisterin (vendin e pagëzimit) si dhe ambientet e peshkopatës, ku krahas dhomave të banimit jane zbuluar edhe tre punishte, një e marangozit, një tjetër për vajin e ullirit dhe një kantinë vere, e cila përbën dhe një nga zbulimet më të rëndësishme të këtij viti, pasi kantina ruhet në gjendje mjaft të mirë me të gjitha pajisjet dhe ambientet, duke përfshirë vaskat për shtrydhjen e rrushit, basenet për mbledhjen e mushtit si dhe pitosat, enë të mëdha prej balte, për depozitimin e verës. Pra, siç shihet kemi rezultate mjaft interesante, të cilat shtojnë monumente të reja të vizitueshme dhe njëkohësisht rrisin gamën e vizitueshmërisë.
Përveç asaj që është procesi më me vlerë, zbulueshmëria dhe publikimi, sa i ndjeshëm është restaurimi apo përshtatja për syrin e vizitorit?
Bylisi jo vetëm që është një nga qendrat antike më të gërmuara në vendin tonë, por edhe një qendër ku janë kryer restaurime të shumta dhe mjaft domethënëse, pasi restaurimi krahas mbrojtjes së monumenteve nga dëmtimet e mundshme natyrore, u jep atyre edhe një vlerë më të mirë arkitekturore, pasi krijon një pamje sa më të përafërt me gjendjen origjinale të monumentit. Nga kjo pikëpamje, restaurimet që janë kryer në teatrin e qytetit, në shëtitoren dykatëshe, në depozitën e ujit, në termën e Jusitnianit, në bazilika dhe në muret rrethuese helenistik dhe të antikitetit të vonë, kanë bërë të mundur rritjen në mënyrë të dukshme të vlerave të monumenteve, gjë që përbën dhe joshjen kryesore të vizitorëve. Restaurimet do të vazhdojnë, pasi tashmë edhe Parku është i interesuar për kryerjen e tyre ashtu si dhe për gërmimet. Me këtë rast dua të theksoj se ekspozimi për herë të parë, pas gati njëzetë e pesë vjetësh nga zbulimi i tyre i një pjese të mozaikëve të bazilikës B, nuk mund të realizohej nëse ato nuk do ishin të restauruara.
Në një gjuhë më të thjeshtë dhe të kuptueshme për të gjithë lexuesit e Gazetës, mund të na thoni se çfarë i ofrohet vizitorit në Bylis?
Sigurisht, monumentet e sipërpërmendura bashkë me ato të sapozbuluara përbëjnë një pasuri të madhe. Po t'i shtojmë kësaj edhe infrastrukturën e brendshme të Parkut, ku përfshihen pastërtia e monumenteve dhe ambientit, tabelat shpjeguese dhe pamjet madhështore të luginës së Vjosës, si nga Jugu ashtu dhe nga Perëndimi deri në derdhjen e saj në Adriatik, mendoj se kuadri është më se i plotë.
Së fundi, ajo që i tremb deri diku vizitorët është infrastruktura rrugore. A është ajo e përshtatshme këtë vit për të thithur më shumë vizitorë vendas dhe të huaj në Bylis?
E drejtë. Por dua të sqaroj edhe një herë se Bylis gjendet vetëm 35 km larg Fierit dhe, si rruga nacionalë Fier-Ballsh ashtu edhe ajo nga Ballshi në Bylis, kanë pësuar përmirësime të ndjeshme dhe udhëtimi është bërë më komod. Edhe një herë dua të sqaroj se Bylisi nuk gjendet në male, siç mund të mendojë ndokush dhe se rruga është më se e pranueshme për një udhëtim normal. Kështu që çdo alibi se ai është larg dhe me rrugë jo të mirë nuk ka vlerë për atë që dëshiron ta vizitojë. Të mos harrojmë se ne na vijnë vizitorë jo vetëm evropianë, por edhe amerikanë, kanadezë apo australianë, atëherë si mund të themi ne që është larg kur kemi vizitorë kaq të largët?
(d.b/GazetaShqiptare/Balkanweb)