Topi i jep titullin “Nderi i Kombit” Kristo Frashërit, njeriut që adhuron Miladin
Popoviçin
Nga Armand Maho
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka akorduar dje titullin “Nderi i Kombit” Kristo Frashërit, i prezantuar në opinionin publik si historian. Në motivacionin që shoqëron këtë dekorim thuhet se kjo dekoratë i jepet për vizionin e tij të gjerë dhe njohuritë e thella, si dhe pasionin dhe talentin që ai i përkushtoi shkrimit të historisë së kombit të tij.
Debati ‘Popoviç’
Megjithatë, pa dashur të paragjykojmë veprimin e presidentit, për Kristo Frashërin duhet thënë që interpretimet e tij kanë qenë përherë dyshuese për sa i përket figurave të kombit dhe zhvillimit të ngjarjeve të historisë. Jo shumë kohë më parë, por më 12 shkurt, vetëm pak ditë pas vizitës së presidentit Topi në Kosovë, vizitë shumë e suksesshme atje, Kristo Frashëri në një nga të përditshmet shqiptare do të mbronte me forcë figurën e politikanit serb më të urryer jo vetëm për popullin e Kosovës, por dhe për Shqipërinë, atë të Miladin Popoviçit, strategut të masakrave shqiptare në Kosovë, themeluesit të Partisë Komuniste shqiptare dhe ndoshta njeriun më antishqiptar që ka njohur ky vend. Frashëri do e cilësonte si njeriun që ka luftuar për lirinë e kombeve, një komunist të devotshëm dhe trim, shprehje që në vitin 2008, mund të dalin vetëm nga goja e ndonjë nostaligjiku të sëmurë të ish-regjimit të vjetër.
Manipulimi i pavarësisë
Frashëri, gjatë fjalës së tij të dekorimit, duket nostalgjik për shprehjet socrealiste, kur thotë: “Kam ardhur në Tiranë, kur Shqipëria pesëdhjetë vjet më parë ishte “Shqipëria e kandilit”. Shqipëria u bë e elektrikut”. Nga ana tjetër, ka dyshime se ka qenë pikërisht Kristo Frashëri, ai që ka falsifikuar Deklaratën e Pavarësisë, duke fshirë emrat e disa nacionalistëve të shquar si Mit’hat Frashëri, Lef Nosi, etj., që kishin marrë pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë në nëntorin e 1962, vetëm e vetëm se këta nuk shiheshin me sy të mirë prej regjimit. Bëhet fjalë për albumin e botuar në vitin 1962 nga ky autor dhe kur për herë të parë u bë publike dhe ajo deklaratë, e cila mbeti e tillë për më shumë se 45 vjet. Më pas, kur Frashërit i duhej të dilte prapë në skenë, nxori nga sëndukët deklaratën origjinale dhe ia dha zonjës Topalli, duke marrë kështu meritat e “gjetjes” së kësaj deklarate. Përveç kësaj, dhe në biografitë që ka shkruar për disa nga figurat më të shquara të këtij vendi, si Mit’hat Frashëri, Lef Nosi apo ndonjë tjetër, pasi ka folur për meritat, i ka cilësuar më pas si kolaboracionistë, bashkëpunëtorë me fashizmin etj. Duket se pseudohistoriani Frashëri po i sheh ditët e tij të shkëlqimit, pikërisht kur në pushtet ndodhet një parti e djathtë, pasi s’mund të thuhet se ka pasur këtë shkëlqim gjatë qeverisjes së socialistëve.
Figurat kombëtare
Ndërkohë që në Shqipëri ende nuk kanë marrë titujt të tillë qoftë dhe pas vdekjes njerëz të tillë si Fishta, Konica, Noli, Mit’hat Frashëri, Çabej e shumë e shumë të tjerë, shqiptarët duhet të kenë si nderin e kombit të tyre një pseudohistorian, që me anë të makinacioneve duket se po zë një vend të rëndësishëm në jetën e këtij vendi. Presidenti duhet ta dijë që edhe ato çka Kristo Frashëri ka shkruar për Lidhjen e Prizrenit, ka dyshime se i ka përvetësuar nga shënimet e Mehdi Frashërit. Vjedhja e veprave ka qenë një fenomen shumë i përhapur mes shkrimtarëve dhe historianëve të ish-oborrit komunist. Por, nga ana tjetër, dhe vetë presidenti duhet t’i shohë më me kujdes propozimet që i vijnë për tituj të tillë, qoftë nga institucionet, qoftë dhe nga këshilltarët dhe administrata e Presidencës. Sepse, Nder i Kombit duhet të jenë ata njerëz që janë vënë vërtet në shërbim të tij dhe jo ata që janë vënë në shërbim të karrierës së tyre vetjake dhe në shërbim të regjimeve, të cilëve sot iu ka kaluar koha.
tema
Krijoni Kontakt