Kjo fushatë parazgjedhore rikujton atë që dihet prej moti dhe e bën më të dukshme atë që disa qëmoti e paralajmëronin se një ditë do të ndodhte. E rikujton atë se shqiptarët janë të pambrojtur nga institucionet shtetërore - konkretisht nga Policia e Shtetit - dhe e bën më të dukshëm realizimin e paralajmëruar se shqiptarët e këtushëm do bëhen peng i "rrugaçërisë" partiake. Se shoqëria e shqiptarëve të Maqedonisë ngutshëm kriminalizohet, dhe se do vijë një ditë kur ajo do të paguajë çmim të lartë, që të shpëtojë nga kthetrat e dhunuesve të mbrojtur nga kryebanditët partiakë. Dhe kjo ditë siç duket ka ardhur. E ajo erdhi, për shkak se shqiptarët e Maqedonisë vonë e panë se disa parti të tyre u bënë strehë për grupet krimogjene. Se kriminalizimin e partive shqiptare, si parakusht të shkohej më tej drejt kriminalizimit të shoqërisë shqiptare, e stimulonin edhe qarqet antishqiptare maqedonase, që bashkëpunimin politik me partitë shqiptare, e mbështesnin mbi parimin se "vetëm shqiptari i komprometuar dhe me dosje policore, është i përdorshëm për pushtetin". Pra, shqiptarët e Maqedonisë vonë e vërejtën se u bënë përkrahës edhe të partive që forconin muskujt, e jo trurin. Muskuj që në fillim i përdornin për t‘u bërë shërbime "vëllezërve" të tyre të partive etnike maqedonase, e më vonë, kur ky shërbim më nuk ishte i nevojshëm, i përdorën për ta dhunuar popullin e vet.
Shqiptarët e Maqedonisë nuk mund ta mohojnë se për këtë që u ndodh, ata vetë janë fajtorët kryesorë. Në mos për hiçgjë tjetër, atëherë për shkak se me votën e tyre, i dhanë legjitimitet një strukture partiake, e cila di si ta sundojë popullin, por nuk di ta kontrollojë destruktivitetin e vet. Andaj edhe shqiptarët e Maqedonisë, tani ndodhen këtu ku janë: në këtë fushatë parazgjedhore, e cila pasqyron se ata janë të egërsuar partiakisht mes vetes. Se janë aq të egërsuar, sa nuk e shohin se qysh moti kanë kaluar shkallën e simpatizantëve partiakë dhe mbase tani janë udhës pa kthim, që të çon të bëhesh torturues i popullit tënd. Se janë të gatshëm të përdorin të gjitha mjetet që ta mposhtin kundërshtarin partiak, pa vënë re se janë duke e mposhtur popullin e këtushëm shqiptar. Kjo tragjedi parazgjedhore që ndodh mes shqiptarëve të Maqedonisë, pasqyron qartë se vendbanimet e këtushme shqiptare janë nën sundimin e kryebanditëve lokalë partiakë, të cilët veprojnë sipas urdhrave të ardhur nga selitë e Tetovës. Me çka u pa se Tetova, para se të bëhej qendër universitare, ishte bërë qendër e nxitjes së grindjes ndërpartiake brenda-shqiptare. Dhe kjo grindje u përhap në shoqërinë e këtushme shqiptare më ngutshëm se sa diplomat e shitura të Universitetit Shtetëror të Tetovës, ku u bë ligjërues çdonjëri që kishte "diplomën" e partisë shqiptare në pushtet. Pra, para se Tetova të bëhej me Universitet Shtetëror, atë dikush arriti ta bëjë qendër, nga do të realizohej kjo që ndodh sot me shqiptarët: pra, qendër nga do të realizohej skenari i rrezikshëm vëllavrasës ndërshqiptar, skenar që mbase edhe do realizohet, nëse shqiptarët e këtushëm mbeten indiferentë ndaj fatit të tyre dhe nuk dalin masovikisht në zgjedhjet e qershorit, që t‘u thonë mjaft dhunuesve të gjakut të tyre. E që të dëshmojnë se nuk janë as aq frikacakë, sa të gjunjëzohen para qyqarëve të fisit të vet.
Krijoni Kontakt