Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    Gjirokastra E Viteve ’20-’40

    GJIROKASTRA E VITEVE ’20-’40
    U krijua klasa e të kamurve, tregtarëve dhe godinat e para me stil bashkëkohor, flasin historianë e pedagogë

    Si u zhvillua një qytet i standardeve perëndimore në Shqipërinë e varfër

    Vitet ‘20-’40 njohin në Gjirokastër fillimin e një lulëzimi të tregtisë dhe të gjithë ekonomisë veçanërisht me Greqinë dhe Italinë fqinje. Mjafton të kujtojmë që porti i Sarandës kthehet në këto vite në portin e dytë më të rëndësishëm në Shqipëri, me volume të mëdha të shkëmbimeve tregtare me Italinë. Këtë port do ta frekuentonin tregtarët e shumtë gjirokastritë, që lëviznin në itinerarin Sarandë-Brindizi-Bari. Pa lënë pa përmendur ndërtimin e aeroportit dhe funksionimin e linjave të brendshme dhe atyre ‘carter’ me Italinë.

    Erë e re ndryshime

    Pikërisht ky zhvillim sjell jo vetëm përmirësimin e gjendjes ekonomike të mjaft prej familjeve gjirokastrite dhe lindjen e marrëdhënieve të reja ekonomike, por edhe hapësira të reja lidhjesh dhe shkëmbimesh me përtej detin. Duke shfrytëzuar pozicionin e Gjirokastrës, në një kryqëzim rrugësh të rëndësishme, me një traditë të trashëguar, gjirokastritët do të arrinin të krijonin me të shpejtë një shtresë të re të kamurish (pasanikë) në qytete, që do të përcaktonte edhe nevojën për investime përfshirë fushën e ndërtimit dhe shërbimeve. Ishte koha kur marrëdhëniet e reja ekonomike që po krijoheshin po linin pas ato feudale të krijuara gjatë sundimit otoman dhe po orientoheshin me të shpejtë nga perëndimi. Së bashku me marrëdhëniet e reja ekonomike edhe komentet kulturore nisën të pasuroheshin dhe t’i sillnin Gjirokastrës një frymë të re emancipimi të mendimit. Nëse referohemi tek të dhënat për disa objekte që u ndërtuan gjatë kësaj periudhe, ato u përkasin kryesisht këtyre tregtarëve dhe kësaj shtrese që po krijohej. Madje, shumë pronarë të këtyre banesave ose vilave janë persona që kishin aktivitete tregtie me Italinë. Ndër këto ndërtime, përgjatë gati njëzet viteve, spikasin banesa dhe vila, por edhe hotele në zonën e Pazarit karakteristik, si dhe komplekse tregtare. Por, nuk munguan edhe ndërtesa bankare, objektet shkollore apo objektet administrative, disa prej të cilave janë në funksion edhe sot.

    Infrastruktura

    Rajmond Kola, drejtori i zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit-Muze të Gjirokastrës (ZAKQMGJ), thotë për gazetën “Metropol” se gjatë periudhës të viteve ’20-’40 në qytetin e Gjirokastrës janë ngritur mbi 13 banesa karakteristike në stilin italian. “Karakteristikë në këto banesa të ndërtuara gjatë kësaj periudhe ishte pamja e jashtme, të cilat spikasin: Ballkonet, verandat, grilat veneciane në dritare, kangjellat me hekur të punuar në ballkone, veranda dhe oborre, dyert e hekurta etj. Nga ana e strukturore vihet re përdorimi i kolonave dhe trarëve prej betoni, si dhe soletat. Në ambientet e brendshme kemi përdorimin e pllakave, mermerit në shkallë dhe pllakave dekorative, që të gjitha të stilit italian”, shprehet zoti Kola.

    Ndërsa, Teodor Bilushi, pedagog i gjuhës italiane në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, njëherazi njohësi i mirë i kulturës italiane, shton se, të gjithë këto elementë mungojnë në banesat karakteristike gjirokastrite të ndërtuar më parë. “Në ndërtimet e kësaj periudhe vëmë re gjithashtu përdorimin e teknologjive të reja të ndërtimit, të cilat sjellin tipe të reja arkitekturore në Gjirokastër. Ballafaqimi me teknologjinë dhe teknikat e reja të ndërtimit është një çështje që edhe sot meriton vëmendjen e posaçme dhe ngjall mjaft diskutime në vitet e ardhshme”, ka pohuar zoti Bilushi.

    Hotelet, në guidën italiane të kohës

    Ndërtimi i hoteleve dhe “modernizmi” i Pazarit të Gjirokastrës

    Qyteti i Gjirokastrës filloj të lulëzojë ekonomikisht dhe për këtë arsye pronarët e mëdhenj filluan të investojnë për ndërtimin e disa hoteleve në qytetin e gurtë, me stilin arkitektonik dhe funksional italian. Ndër këto hotele mund të veçohen: Hotel “Royal” (Sopoti i sotëm), si dhe hotel “Savoia” (Kashau i sotëm).

    Hotel “Royal”, pronë e familjes Hadëraj, është ndërtuar në disa faza për disa vite rresht. Forma përfundimtare me pak ndryshime në ambientet e brendshme është ajo që ekziston dhe sot. “Ky objekt përfaqësonte hotelin më luksoz për kohën. Këtu përveç dhomave të gjumit kishte edhe një restorant e bar modern për kohën”, shprehet Teodor Bilushi, autokton në qytetin e Gjirokastrës. Duke ju referuar të dhënave historike, në hotel “Royal” kanë fjetur ish-mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III, dhe motrat e mbretit Zog. Sipas specialistëve të arkitekturës, pothuajse të gjitha objektet e ndërtimit që janë ngritur gjatë periudhës ’20-’40 të shekullit XX, vihen re kolonat dhe trarët e betonit dhe shina çeliku, soletat si dhe shtresat me pllaka dekorative. “Ndarja e kateve (dyshemetë) te këto objekte është realizuar me elementë të rinj, të panjohur më parë. Ato janë të përgatitur me shina hekuri ku mbështeten tullat që formojnë gjysmë harqe të vegjël, ku në pjesën e sipërme u veshën me pllaka, duke krijuar një tip dyshemeje të panjohur në ndërtimet e mëparshme”, tregon zoti Bilushi, duke nënvizuar se emrat e dy hoteleve “Royal” dhe “Savoia” në Gjirokastër i ndeshim edhe te guida turistike italiane e vitit 1940 “Albania” (Botim i TCI–Turist Club Italian).

    Objektet tregtare

    Ndryshoi mentaliteti i dyqaneve të rëndomtë

    Zhvillimet e vrullshme të këmbimeve tregtare do të sillnin në Gjirokastër edhe nevojën për investime në qendra tregtare apo njësi tregtare. Një nga më të spikaturit edhe që sot është lënë në një gjendje të mjerueshme është kompleksi tregtar i “Zigait”, ndërtuar në Qafën e Pazarit, pronë e Aristidh Zigait. Ky objekt i datuar në vitin 1937, nga ana arkitekturore dhe funksionale prezanton element kryesisht të rinj për qytetin e Gjirokastrës. Këtu ndeshim përdorimin e betonit në kolona trarë dhe soleta, si dhe hekuri dekorativ në kangjellat dhe shkallët e shumta që ka objekti. Në pjesën e poshtme në ambientet, që kanë shërbyer si magazina, kemi tarrabate metalike. Nuk është e lehtë të dallosh një modernitet ndërtimor që ndonëse nuk u ngjason ndërtimeve të periudhës otomane, sot përfaqëson një vlerë që duhet të ripërtërihet dhe të marrë vlerë funksionale.

    Një ndërtim tjetër i po kësaj periudhe ishte tregtorja dhe banesa e tregtarit Themeli Lito, ndërtuar tek Sheshi “Çerçiz Topulli”. Për fat të keq sot ajo nuk ekziston, pasi mbi këtë objekt është ndërtuar shtesa e hotel-turizmi “Çajupi”. Ky objekt ka pasur arkitekturë tipike italiane, në të gjithë elementët e tij. Kati i parë ka shërbyer si ambient tregtar, ndërsa katet e sipërme si banesa. Aktualisht sot ruhet vetëm një fotografi e kohës që paraqet këtë ndërtim me vlera të veçanta. Po në këtë zonë ishte ngritur edhe dyqani i Selfateve, me pamje nga sheshi “Çerçiz Topulli” (sot Banka-Popullore). Tregtorja dhe banesa e Tili Mihalit në lagjen “Varosh”, ndërtuar në vitin 1937, ka funksionuar si dyqan në katin e parë dhe si banesë në dy katet e tjera. Karakteristikë janë ballkoni me kangjella hekuri dekorativ, dritaret me grila dhe veranda në pjesën e sipërme, të gjitha të stilit italian.

    Objektet bankare

    Dy banka të ndërtuara plotësisht në shërbim të klientëve

    Lulëzimi i tregtisë, si dhe zhvillimi i ekonomisë në qytetin e Gjirokastrës, gjatë periudhës së viteve ’20-’40, solli si domosdoshmëri edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve dhe tregtarëve të rinj. Në fillim të vitit 1930, për herë të parë në qytetin e gurtë u çelën zyrtarisht dy banka: “Banca Nazionale d’Albania” dhe “Banco di Napoli”.

    “Banca Nazionale d’Albania” e ka pasur ndërtesën pas Bankës së Kursimeve, te ish-kinemaja e vjetër, ndërsa “Banco di Napoli”, ka kryer aktivitetin e saj pranë shumë pranë zonës muzeale (ish-pastiçeri “Tirana”). Të dy këto objekte kanë elementë të panjohur më parë në ndërtimet e qytetit, për vet funksionin që kanë pasur. Te “Banco di Napoli” kemi prezencën e ballkoneve me kangjella dekorative, por nuk mungojnë në këto objekte hekurat në dritare në formë kangjellash, grilat e rënda dhe taravate si element sigurie. Në ambientet e brendshme organizimi i ambienteve është në funksion të aktivitetit që ato kryenin, duke pasur mjedise me elementë të panjohur më parë, siç janë dollapët dhe tavolinat me dru are, karriget dhe kolltukët etj.

    Objektet shkollore

    Liceu i Gjirokastrës, godinë me vlera unikale

    Liceu i Gjirokastrës përfaqëson objektin kryesor arsimor në Qendrën Historike, i ndërtuar sipas teknikave arkitekturore dhe strukturore më të avancuara të kohës. Objekti përfundoi së ndërtuarit në vitin 1941, në formën që ruhet edhe sot. Godina e re u ngrit mbi objektin e ish-liceut francez të vitit 1928, i shkatërruar nga Lufta Italo-Greke. Në godinën e gjimnazit janë aplikuar shumë elementë arkitektonik, strukturor, funksional, hidraulik, të cilët i japin objektit vlera unikale, por edhe një harmonizim në kontekstin e qytetit. Në këtë objekt janë përdorur kolona, trarë dhe soleta betoni. Karakteristikë ngelet veshja e dyshemeve të korridoreve dhe klasave me pllaka graniti, si dhe shkallët me mermer. Element i rëndësishëm janë edhe volumet (kubatura) nëpër klasa. Në anën e pasme të liceut (sot gjimnazi “Asim Zeneli”), ndodhen disa objekte në formë kapanonesh, ku një prej tyre aktualisht përdoret si palestër. Sipas të dhënave të arkivit lokal të shtetit, në këto ambiente kanë funksionuar shkolla teknike italiane, filiali i institutit “Montani”. Sistemi i ndërtimit të këtyre ambienteve, është kryer sipas teknikave të reja për ato kohë (vitet ’30-’40), të panjohura më parë në qytetin e gurtë. Mbulesat janë realizuar me kapriata çeliku, tiranta dhe llamarinë e valëzuar e mbështetur në shtresë druri.

    Hartografia

    U ndërmorën studime për zhvillimin urbanistik

    Përveç ndërtimeve të shumta që u ngritën gjatë viteve ’20-’40, kemi në këtë periudhë edhe disa studime që do të ndihmonin në zhvillimet e ardhshme urbanistike. Në vitin 1937, Instituti Gjeografik Ushtarak i Firencës (Itali), realizon për herë të parë Hartografinë aerofotogrametrike në qytetin e Gjirokastrës.

    Hartografia i shërbeu gjithë studimeve dhe planeve të zhvillimit që u realizuan në vitet e mëvonshme. Hartografia u realizua mbi bazë të një politike të përgjithshme urbane, të ndërmarrë nga Mbreti Zog. Mbi bazë të modelit perëndimor, Mbreti Zog, i dha një rëndësi të madhe planeve rregulluese të qyteteve kryesore të vendit, një pjesë e të cilave gjeti zbatim edhe në qytetin e Gjirokastrës (sipas kronikave të kohës). “Periudha në fjalë përbën një nga shtresëzimet më të rëndësishme të muzeut arkitekturor që përfaqëson Qendra Historike e Gjirokastrës. Ashtu si elementët e tjerë të kësaj stratigrafie periudha paraotomane, otomane, periudha që u ndalën në këtë vështrim dhe ajo gjatë viteve të regjimit komunist, të gjitha së bashku duke u studiuar dhe evidentuar sjellin reflektime mbi të tashmen dhe të ardhmen e zonës muzeale”, pohon z. Rajmond Kola, drejtori i ZKAQMGJ-së.

    Rikthehet vëmendja e arkitektëve italianë

    “Adriatiku, një ‘det evropian’ ku mund të udhëtojnë projektet e zhvillimit”

    Pas hapjes së Shqipërisë në vitet 1990, në Gjirokastër vërshojnë jo vetëm turistë të huaj që ishin privuar nga regjimi komunist për të parë qytetin e gurtë, të cilin e njihnin më së tepërmi nga librat e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, që ishin botuar jashtë vendit, por edhe studiues dhe arkitektë.

    Ansambli i plotë i banesave që njihen si “kulla qytetare” ishte mjaft tërheqës për ta, për elementët arkitekturorë dhe të ndërtimit. Që në këto vite nis interesimi edhe i arkitektëve italianë për Qendrën Historike të Gjirokastër. Në vitin 1999, për herë të parë firmoset marrëveshja e binjakëzimit midis Bashkisë Gjirokastër dhe Bashkisë së Grottammares (Itali), marrëveshje e cila hapi rrugë shumë projekteve. Realizimi i hartografisë dixhitale, çelja e zyrës së Planit të Bashkisë dhe realizimi i planit të rikuperimit të Qendrës Historike, ishin tre fazat e një projekti kooperimi të decentralizimit, që do të niste krijimin e raporteve të bashkëpunimit të rajonit të Markeve (Itali), Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës dhe Bashkisë së qytetit me Bashkinë e Grottammare dhe me provincën e Askoli Piceno (Itali).

    “Besoj që Adriatiku mund të shndërrohet në një ‘det evropian’, mbi të cilin të udhëtojnë projektet e zhvillimit ekonomik dhe social të bazuara mbi partneritete të forta territoriale, që të japin sensin e pjesëmarrjes në një komunitet të vetëm, të përkushtuar në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm, në të cilin të jenë të vlerësuara të gjitha mundësitë dhe shanset e zhvillimit”, shkruante atëherë Gian Mario Spaça, presidenti i rajonit të Markeve (Itali). “Ky qytet që ka marrë dhe ka dhënë me brigjet përtej Adriatikut, ka tashmë lidhjet e tij, miqtë e tij, profesionistët që më shumë se politika u intereson të mbjellin pemë me rrënjë të thella bashkëpunimi që prodhojnë fryte”, është shprehur për gazetën “Metropol”, z. Rajmond Kola, drejtori i ZKAQMGJ-së.

  2. #2
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    07-10-2007
    Vendndodhja
    ne syte e tu qe adhurojne syte e mi.ne buzet e tua,qe puthin te miat cdo cast.ne frymen tende,se eshte dhe imja.ne gjakun tend,qe vlon per mua.zemra ime,Land.
    Postime
    783
    teme interesante.te lutem,posto dicka tjeter.nese ke mundesi.falemnderit.

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1013
    Postimi i Fundit: 30-06-2011, 13:05
  2. Muzika e viteve 80
    Nga Dr Rieux në forumin Muzika botërore
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 03-04-2009, 05:46
  3. Ingeborg Bachmann
    Nga Dita në forumin Shkrimtarë të huaj
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 12-10-2006, 12:39
  4. Shkrimtari shqiptar në metropolin socialist të viteve ’60.
    Nga Arrnubi në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 13-06-2006, 03:33
  5. Shkupi pas katër viteve, i rikthehet fqinjit verior
    Nga Beqari002 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-01-2003, 11:06

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •