Po i japim Shqipërisë fytyrën europiane
Sali BERISHA
Së pari, dëshiroj t'ju përshëndes përzemërsisht ju, të gjithë qytetarët e Sarandës dhe të mbarë Shqipërisë, t'ju uroj: gëzuar festën e çeljes së sezonit turistik, sezonit të gëzimit, të haresë, të mikpritjes, sezonit që do ta bëjë Sarandën dhe mbarë Shqipërinë më të gjallë, më të bukur, më mikpritëse, më të mëkëmbur dhe më të njohur në Europë dhe në botë!
Çelja e sezonit turistik në Sarandë, në perlën e bukurive mesdhetare, shënon fillimin e vërshimit të ardhjes drejt Sarandës dhe Shqipërisë të miliona turistëve shqiptarë e jo shqiptarë, për të kaluar këtu, së bashku me ju, së bashku me shqiptarët, kohën më të bukur të vitit, për veten dhe familjarët e tyre, pushimet vjetore, midis nesh.
Prandaj le t'i urojmë së bashku, me gjithë zemër:
Mirëseerdhët në Sarandë,
Mirëseerdhët në Shqipëri!
Faleminderit që vendosët të zgjidhni qytetin dhe vendin tonë si mikpritës për të kaluar pushimet tuaja. Ky është një nder i madh shumë për ne. Ne jemi krenarë t'ju presim ju, sikundër jemi krenarë me bukuritë turistike të vendit tonë, me mikpritjen tonë të njohur tashmë kudo. Por, le t'i sigurojmë ne së bashku në çdo hotel, motel apo vatër familjare, në çdo restorant apo klub, plazh, rrugë, rrugicë të qyteteve dhe fshatrave tona, se do t'u rezervojmë mikpritjen më të mirë, mirësjelljen dhe respektin më të madh, shërbimet më të shkëlqyera, dhe se do t'i përcjellim ata me urimin tonë: Mirëseardhshi përsëri!
Le t'u shprehim miqve tanë nga mbarë bota mirënjohjen më të thellë që zgjodhën Sarandën dhe Shqipërinë për të shpenzuar miliarda euro të kursimeve të tyre, duke u kthyer kështu në një faktor të fuqishëm të zhvillimit të Sarandës dhe të Shqipërisë, duke krijuar vetëm në këtë sezon mbi 100.000 vende të reja pune në shërbim të tyre.
Turizmi dhe poteciali turistik janë pasuria më e madhe e Sarandës dhe potenciali më i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndaj dhe për qeverinë time turizmi ka qenë dhe mbetet përparësia më madhore e saj.
Unë, sot, çel këtu sezonin turistik me ndjenjën e thellë të përgjegjësisë dhe krenarisë, sepse këto dy vite në këtë përparësi, vetëm gjatë dy ditëve, për t`i dhënë Sarandës pamjen europiane, ne kemi bërë një seri inaugurimesh. Inauguruam dje rrugën Konispol-Sarandë, qëndrova në Xarë dhe nuk kam parë peizazh më të bukur gjatë jetës time se sa aty. Qëndrova në një rrugë, e cila absolutisht ishte siç ka qenë shekuj më parë. Mirëpo dje premë shiritin për ta bërë atë një rrugë europiane, për ta bërë atë një rrugë ndërkombëtare. Le të falenderojmë së bashku qeverinë greke për ndihmën bujare që dha në ndërtimin e kësaj rruge.
Dje, unë vizitova dhe preva shiritin e rrugës që lidh Himarën me Sarandën. Çfarë më thanë banorët e bregut? Ky është investimi më i madh që bëhet në bregun shqiptar gjatë 90 viteve të fundit. Natyrisht, ishte një moment që më bëri krenar, sepse ishte qeveria ime që e bënte këtë investim, por nga ana tjetër, unë u trishtova, sepse këta banorë e meritonin këtë investim dhjetëra e dhjetëra vite më parë.
Ne kemi përparësuar turizmin. Vetëm në territorin e Sarandës dhe Delvinës janë në ndërtim e sipër apo prokuruar 150 km rrugë kombëtare, pa llogaritur dhjetëra të tjera rrugë dytësore, pa llogaritur dhjetëra të tjera, ujësjellësa, porte dhe ndërtime të tjera. Ne i kemi premtuar Sarandës aeroportin dhe hyrja madhështore në metropolin e bukurisë turistike shqiptare, do të fillojë brenda vitit. Çdo premtimi që kam bërë para jush, do t`i qëndroj pikë për pikë. Ky është interesi më i mirë i Sarandës dhe Shqipërisë, ky është dhe morali im: do të mbetem njeri i fjalëve të mbajtura.
Ne përparësuam turizmin dhe bëmë mirë. Sot inaugurojmë këtë sezon turistik me krenari të madhe, sepse nga vera e vitit 2005 deri tani, turizmi është rritur më shumë se çdo sektor tjetër në Shqipëri. Numri i turistëve u rrit çdo vit me 34% dhe kjo është rritja më e lartë që Europa ka njohur në të tëra vendet e saj gjatë këtyre dy viteve.
Si ndodhi që ne u shdërruam në një magnet të vërtetë të turizmit? Si ndodhi që mediat e mëdha botërore, agjencitë e mëdha turistike listonin Shqipërinë si një nga destinacionet më të preferuara për turistët? Si ndodhi që Saranda nga 100 mijë turistë që mori verën e 2005 mori 250 mijë verën që kaloi? Cilat qena arsyet? Arsyet ishin se ne e nxorëm Shqipërinë nga harta e krimit të tmerrshëm dhe të shëmtuar shqiptar, me një luftë zero tolerancë ne u treguam vendin bandave dhe bëmë që ligji të dominojë në të gjithë Shqipërinë. Ne ia dolëm që sot Shqipëria të ketë treguesin e kriminalitetit më të ulët në Europë, e bëmë atë një vend të sigurisë për qytetarët tanë dhe qytetarët e huaj. Si ndodhi që turizmi të njohë një bum të tillë brenda dy vitesh? Por ju garantoj që këtë vit do të dyfishohet numri i turistëve, krahasuar me 2005-ën. Kjo ndodhi sepse reformat tona serioze ia ndryshuan emrin Shqipërisë.
Në rast se dy-tre vjet më parë, në këto media qarkullonin çdo ditë dhe çdo javë fjalë të Vaso Pashës, "një fjalë të mirë kërkush s`ta flet", ka dy vjet që Shqipërinë e duan, Shqipërisë i besojnë, Shqipërinë mezi e presin, Shqipërisë i dhanë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Shqipërinë e vizitoi George Bush, Shqipërinë e vizituan zyrtarët më të lartë të Europës dhe të botës, Shqipërinë, vendin tuaj, në respekt dhe nderim ndaj jush, i dhanë ftesën për t`u bërë anëtare e NATO-s.
Sot, Shqipëria është tjetër, fytyra e saj po bëhet gjithnjë e më shumë europiane dhe ndaj ne ju garantojmë se me reformat e thella, ne do të arrijmë qëllimet tona. Këtë vit, numri i turistëve do të dyfishohet, në krahasim me vitin 2005. Qytetarët e Europës vijnë në Shqipëri dhe Sarandë në një vend që po ecën i sigurt drejt anëtarësimit në NATO.
Si u bë i mundur ky fluks turistik? E bënë të mundur reformat, lufta kundër kriminalitetit, lufta kundër korrupsionit, lufta për vendosjen e ligjit, lufta për përmirësimin e klimës së biznesit. Këtë vit, ne investojmë në rrugët e Sarandës, Konispolit, Delvinës, Kardhiqit, Tepelenës, Luginës së Vjosës, Lushnjës, Fierit, Vlorës, Korçës, Peshkopisë, Mirditës, Hasit, Krumës, Tropojës, Shkodrës, Lezhës. Ne investojmë 89 miliard lekë apo 1.1 miliard dollarë. Vetëm 11 miliard janë investuar në vitin më të mirë të qeverisë së mëparshme. Nga i morëm ne këto para? Ku i gjetëm ne këto fonde? Këto i morëm vetëm e vetëm duke luftuar korrupsionin, duke luftuar kontrabandën, duke luftuar evazionin dhe informalitetin, ndërkohë që kemi bërë uljen më të madhe të taksave në Europë.
Unë ju garantoj ju se projekte të tjera të mëdha do të ketë për Sarandën. I premtova mbështetje maksimale kryetarit të Bashkisë, i cili është investitor serioz, i cili i prin zhvillimit të qytetit me projekte. Sot, gjatë gjithë mëngjesit, më ka folur për projektet tuaja, për shëtitoren prej 10 km që lidh Sarandën me kanalin e Çukës, me përfundimin e rrugës së re dhe unazës, të rrugës që do të ndërtohet tek "40 shenjtorët", për hyrjen metropolitane të Sarandës. Unë e garantova se për respektin ndaj jush, ndaj Sarandës, ne do t`i realizojmë ato një më një, siç i kemi realizuar premtimet deri më sot.
Edhe njëherë ju uroj gëzuar këtë ditë të hareshme, ditë të rëndësishme për Sarandën dhe mbarë Shqipërinë!
Krijoni Kontakt