Nëntoka e Kosovës vlen para. Po të nxirreshin në sipërfaqe dhe të përpunoheshin mineralet, atëherë del se vendi ka rezerva të mëdha, të cilat arrijnë vlera astronomike kur shndërrohen në para. Pasuritë më të mëdha të vërtetuara janë në thëngjill dhe nikel. Kosova ka 14.7 miliardë ton thëngjill, të cilat kur shndërrohen në para, kalojnë vlerën e 120 miliardë eurove. Të eksploruara janë vetëm 2 për qind e rezervave, në kohën kur po përgatiten investime që shkojnë deri në 4 miliardë euro për kapacitetet energjetike. Ndërkohë, nikeli, të cilin tashmë po e shfrytëzon Alferoni, kap vlerën aktuale në treg prej 6.2 miliardë eurosh.



Bashkë me mineralet e tjera përcjellëse, tri minierat e nikelit vlejnë mbi 7 miliardë euro. Kosova ka mbi 2.2 milionë ton rezerva të plumbit, vlera e të cilave është mbi 6 miliardë euro. Minierat e Trepçës vlerësohet të kenë edhe afro 2 milionë ton rezerva të zinkut, të cilat kushtojnë rreth 5 miliardë euro. Këto miniera kanë edhe rreth 2 milionë kilogramë argjend, vlera e të cilave shkon në mbi 1 miliard euro. Kjo nuk është e tëra. Gjatë shfrytëzimit të plumb - zinkut - argjendit në Përroin e Ngjyrosur (Artana - Novo Brdo), ishin zbuluar rreth 3 milionë ton hollojzit të shkallës së lartë Al2SiO5 (OH)4. Sipas Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, ky është vetëm një nga vendburimet e njohura të shfrytëzueshme të kësaj argjile me vlerë shumë të madhe (140-450 dollarë toni). Katër vendburimet e tjera janë në Zelandën e Re, Turqi, Kinë dhe Utah (SHBA). Prodhimi botëror i sotëm është vlerësuar në 150.000 tonë/vit. Pasuritë nëntokësore të Kosovës janë të shpërndara nëpër tërë territorin. Vlera e mineraleve të vërtetuara shkon në mbi 150 miliardë euro. Por ende nuk janë bërë hulumtime të tërë territorit, kur ka indikacione të qarta se edhe shumë pasuri ekzistojnë. Pas vrojtimeve të fundit të bëra nga ajri prej JAC it, është vërejtur se ka edhe ar, krom, nikel, bakër e minerale të tjera. Kosova mund të ketë edhe naftë. "Nga informacionet e deritashme që posedojmë, punët hulumtuese që janë bërë në Kosovë në lidhje me naftën, nuk kanë përjashtuar, por as nuk kanë vërtetuar prezencën e hidrokarbureve", - tha Naser Peci, zëvendësdrejtor i KPMM-së. Nisur nga këto indikacione, del se vlera e përgjithshme e nëntokës kosovare shkon në më tepër se 200 miliardë euro. Ato mund ta bëjnë ekonominë e Kosovës shumë të fuqishme, por në të shumtën e rasteve resurset mbesin të pashfrytëzuara. Nuk duket gjithçka e errët. "Ka interesime nga kompani të ndryshme për shfrytëzimin e resurseve minerale në Kosovë," - tha Peci. Investimi në këto resurse nënkupton edhe punësimin e së paku 100 mijë punëtorëve. Ndërkohë, kur Kosova vuan nga deficiti i thellë tregtar, riaktivizimi i minierave ekzistuese dhe hapja e atyre të reja, do ta kthente komplet këtë bilanc. Kosova shumë lehtë mund të bëhet një fuqi eksportuese. Edhe ashtu për shkak të kërkesës për metale që është dukshëm më e lartë sesa oferta, çmimet botërore të metaleve kanë fluturuar. Si shembull mund të merret nikeli, i cili para 3 vitesh kushtonte 7.000 dollarë toni, ndërsa tashmë ka arritur në 32.000 dollarë. Është trefishuar gjatë kësaj edhe vlera e plumbit në 3.200 dollarë toni. Kosova është e pasur me të dyja këto metale.



qka menoni a do tia arrit kosova ti shfrytzoj resurset e veta natyrore