Praktikat fetare islame mbjellin në shpirt ndjenjat e qetësisë dhe sigurisë. P.sh. namazi i kryer me përkushtim, ëmbëlsinë e të cilit e ndjen vetëm praktikuesi, fisnikëron shpirtin dhe pastron mendjen. Durimi dhe namazi janë forma adhurimi, të cilat muslimani ia kushton vetëm Zotit. Këto për besimtarin janë armë me të cilat ai përballon vështirësitë e jetës. Namazi ishte nga kënaqësitë më të mëdha të Pejgamberit s.a.u.s. dhe për besnikët që ndoqën rrugën e tij. Zoti e ka bërë recitimin e Kur’anit ilaç dhe ushqim për shpirtin.
“Vërtetë duke kujtuar All-llahun qetësohen zemrat”, dhe mënyra më e mirë për përmendjen e All-llahut është leximi i Kur’anit. Shembulli më i mirë për këtë është praktika e sahabëve e reflektuar në një jetë të shëndetshme shpirtërore.
Kur besimtari ndien se i mbyllen rrugët, nxiton t’i lutet Zotit, duke qënë i vetëdijshëm se fuqitë dhe mundësitë e Zotit janë absolute dhe nuk krahasohen me asnjëlloj të pushtetit që zotëron njeriu. Zoti është afër njeriut. Ai e dëgjon lutjet e njerëzve dhe i përgjigjet thirrjes së lutësve. Pejgamberi i Zotit, Muhammedi s.a.u.s. i lutej Zotit kur ndodhej në vështrësi, që Ai t’i nriçonte rrugën e zgjidhjes:
“O Zot, nga dija Jote kërkoj të mirën, nga fuqia Jote fuqinë dhe kërkoj nga të mirat e Tua të mëdha. Ti mundesh dhe unë nuk mundem, Ti di dhe unë nuk di, Ti je njohësi më i mirë i të fshehtës.”
“O Zot, nëse kjo punë është e mirë dhe e dobishme për besimin, për jetën dhe për pasjetën time, atëherë më jep mundësinë ta kryej dhe më jep bekimin Tënd; e nëse është e keqe dhe e dëmshme për mua,atëherë largoje nga unë. Më sill të mirën kudo që të jetë dhë më bëj të pajtueshëm me të.”
Pasi besimtari e ka kërkuar të mirën, suksesin, zgjidhjen e dobishme në çdo çështje, ai e kryen punën me ndërgjegje të qetë, duke iu bindur vullnetit të Zotit.
Është pikërisht ky besim në fuqinë, pushtetin, mëshirën e caktimin e Zotit, që i krijon besimtarit musliman një mburojë mjaft të fuqishme dhe të sigurtë kundër ankthit dhe dëshpërimit. Besimi në All-llahun xh.sh. është padyshim çelësi i sigurisë dhe qetësisë së muslimanit në vështirësi dhe gëzime, në ditë të mira dhe të vështira, në rini dhe pleqëri, në shëndet dhe në sëmundje, i kultivuar përmes bindjes dhe praktikës.
Vetëm nën hijen e besimit në Zotin Fuqiplotë marrin kuptimin e vërtetë jeta e vdekja, gëzimi e hidhërimi, vështirësia e lehtësimi, e mangëta dhe e plota, e mira dhe e keqja, e kjo bën që njeriu të përballet me to me statusin shumëdimensional të besimtarit.
Krijoni Kontakt