Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 16
  1. #1
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874

    Të gjitha këshillat për të ruajtur shëndetin nga vapa.

    Kujdesi që duhet të tregoni për fëmijët dhe të moshuarit. 10 rekomandime për të pasur një lëkurë ngjyrë çokollate

    Ndërsa termometrat tregojnë çdo ditë temperatura të larta dhe meteorologët konstatojnë se një situatë e tillë do të vazhdojë edhe në ditët që vijojnë, specialistët e mjekësisë pranë Ministrisë japin këshillat për të mbrojtur shëndetin nga vapa. Me rikthimin e temperaturave të larta mjekët tërheqin dhe një herë vëmendjen, sidomos për moshat në rrezik, për të respektuar këto rregulla të thjeshta dhe mjaft efikase që shmangin pasojat shëndetësore të të nxehtit. Sektori i promocionit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe shërbimi i Edukimit dhe Promocionit të Shëndetit kanë hartuar udhëzime dhe fletëpalosje të shpërndara në qendrat shëndetësore jo vetëm të Tiranës si dhe të publikuara në faqen online të Ministrisë së Shëndetësisë www.moh.gov.al. Konsumoni sa më shumë lëngje, pavarësisht aktivitetit fizik, por gjithnjë duke pasur parasysh rekomandimet e mjekut. Nëse mjeku ka këshilluar që të mos merret një sasi e madhe uji për arsye shëndetësore, atëherë këshillohuni me mjekun tuaj për sasinë që duhet të përdorni. Mos konsumoni lëngje me përmbajtje kafeine, alkooli, apo sasi të mëdha sheqeri, gjë që do të sillte humbje lëngjesh nga organizmi. Evitoni gjithashtu përdorimin e lëngjeve shumë të ftohta, që mund të shkaktojnë dhimbje stomaku. Evitoni qëndrimet për një kohë të gjatë në ambiente me temperaturë të lartë dhe lagështirë të madhe. Evitoni qëndrimet në plazh dhe në rrezet e diellit në intervalin mes orës 11.00 dhe 17.00. Përdorni kapele për mbrojtjen e kokës dhe të qafës. Qëndroni brenda, nëse është e mundur në ambiente me ajër të kondicionuar. Rekomandohen banja të freskëta çdo ditë ose disa here në ditë (sidomos për fëmijët). Vishuni me rroba të lehta, të lirshme dhe me ngjyra të çelëta. Mos lini fëmijë vetëm në makina të mbyllura, të parkuara. Kujdes të veçantë për popullatat në risk, fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë me probleme kardiovaskulare të hipertensionit dhe diabetikët. Vizitoni fëmijët dhe të rriturit me probleme të shëndetit periodikisht.
    Pasojat
    Pasojat më të shpeshta që mund të vijnë si rezultat i temperaturave të larta janë: Goditja nga dielli si rezultat i qëndrimit të gjatë nën rrezet e tij; Djegia e lëkurës nga rrezatimet e forta diellore, si edhe kanceri i lëkurës; Intoksikacionet për shkak të ushqimeve; Rëndimi i disa sëmundjeve të zemrës e tensionit. Goditja nga dielli manifestohet me: djersitje, humbje të lëngjeve të organizmit, dhimbje koke, marrje mendsh, ulje të presionit të gjakut, rënie të aftësive mendore e fizike. Për të evituar një goditje të tillë, specialistët këshillojnë të: Evitoni qëndrimet për një kohë të gjatë në diell; Evitoni lëvizjet gjatë orëve 11-14 të mesditës kur rrezet e diellit janë më të forta; Përdorni çadra dhe kapele, kur ju duhet të lëvizni gjatë ditës; Vishuni sa më lehtë, përdorni veshje pambuku; Pini sa më shumë lëngje; Gjatë ditës freskohuni herë pas here me ujë; Frekuentoni plazhet. Për ata që frekuentojnë plazhet: Ekspozohuni gradualisht në diell dhe jo menjëherë; Përdorni kremrat mbrojtës të lëkurës; Qëndroni nën çadra; Pini sa më shumë lëngje. Ndërsa për helmimet ushqimore mjekët këshillojnë të lani me ujë të pastër e të rrjedhshëm të gjitha frutat dhe zarzavatet. Gjithashtu produktet ushqimore duhet të ruhen në vende të freskëta dhe të konsumohen ushqime të sapopërgatitura. Të sëmurët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të zemrës e të tensionit duhet të jenë të kujdesshëm e të konsultohen herë pas here me mjekun specialist.


    Këshilla për fëmijët
    Fëmijët të mbahen në ambiente të freskëta dhe me lagështirë normale
    Krevati i fëmijës të vendoset në një kënd të dhomës të mbrojtur nga korentet e ajrit dhe rrezet e diellit
    Të bëhet ajrimi i herëpashershëm i dhomës
    Temperatura e ambientit ku rri fëmija të jetë 24-25 gradë celsius
    Në mungesë të mjeteve ftohëse të bëhet freskimi i dhomës me ujë herë pas here dhe vendosja e çarçafëve të lagur në dritare për të freskuar dhe lagështuar ajrin
    Rekomandohen që fëmijët të shëtitën në ajër të pastër, në vende ku ka gjelbërim, larg zhurmave dhe tymrave gjatë orëve të para të mëngjesit deri në 9.30 dhe pas orës 18.00
    Rekomandohen banjat e freskëta disa herë në ditë dhe ushqyerja me gji për më të vegjlit disa herë në ditë
    Nuk rekomandohet që nëna t’i japë gji fëmijës kur është e nxehtë (nga rruga ose nga puna)
    Të konsumohen ushqime të freskëta, të pastra, të përpunuara mirë termikisht dhe të ruajtura në kushte të përshtatshme frigoriferike
    Të përdoren fruta dhe zarzavate të freskëta të lara me ujë të bollshëm
    Të mos përdoren ushqime dhe lëngje të konservuara
    Të përdoret ujë higjenikisht i pastër
    Enët e gatimit dhe ushqimit të fëmijës të lahen dhe ruhen në vende të pastra
    Ushqimet e fëmijës duhet të blihen në dyqane në kushte frigoriferike të ruajtura mire

    Këshilla për të moshuarit
    Të evitohen qëndrimet në ambientin e jashtëm në periudhën më të nxehtë të ditës
    Të bëhen shëtitje në ajër të pastër dhe në vende me gjelbërim në periudhën më të freskët të ditës
    Të përdoren kapele për të mbrojtur kokën dhe qafën
    Të përdoret dietë ushqimore me zarzavate të përpunuar mirë termikisht (të gatuara me vaj misri ose ulliri)
    Të evitohet përdorimi i yndyrave shtazore (gjalpë, dhjamë) dhe kripës së tepërt
    Të përdoren lëngje (ujë higjenikisht i pastër, lëngje frutash të freskëta, supa)
    Për të moshuarit nuk rekomandohen banja dielli, por frekuentimi i vendeve malore
    Të eliminojnë udhëtimet e gjata
    Të përdorin produkte ushqimore të kontrolluara higjenikisht
    Të bëjnë kontroll periodik tek mjeku dhe të përdorin mjekimin e rekomanduar


    10 këshilla për lëkurë çokollatë
    Përpara se të niseni, përdorni një krem parapërgatitor
    Lyeni trupin me krem përpara se të shkoni në plazh
    Pini shumë lëngje për t’u hidratuar
    Luftoni celulitin edhe në plazh
    Mbani gjithmonë syze dielli
    Mbroni flokët me vajrat e duhur
    Pastroni lëkurën tuaj
    Mbroni lëkurën e fytyrës
    Merrni rrezet kur jeni duke lëvizur
    Mos harroni kremin e pas diellit në fund të ditës


    Përgatiti: Jonida Tashi

    Të rejat nga shkenca
    Xheli aloe vera kundër djegies
    Xheli, gjalpi dhe mjalti Aloe vera, janë disa nga përgatitjet shtëpiake të cilat shfrytëzohen për mjekimin e djegieve. Përdorimi i xhelit me aloe vera ka dhënë rezultate mira kundër djegieve të lëkurës, pasi ajo jo vetëm që është freskues, por rigjeneron edhe lëkurën e djegur. Edhe pse eksperimentime të tilla nuk rekomandohen pa udhëzimin e mjekut (sepse për shembull, gjalpi mund ta rritë rrezikun për infeksion), megjithatë ekzistojnë fakte se mjalti mund të jetë i dobishëm për shkak të veprimit të tij anti-bakteror dhe kundër inflamacionit, gjë që ndihmon në përtëritjen e indit. Rezultatet e dhjetëra studimeve të reja, kanë treguar se mjalti ndikon shumë më mirë në lëkurën e djegur sesa kremrat e ndryshëm.
    "Carpe Diem"

  2. #2
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874
    Si të mbrohemi nga virusi i Poliçanit


    Stina e verës me temperaturat e larta që e shoqërojnë dhe higjiena jo e mirë, shton rrezikun për shfaqjen e virusit gastro-enteriteve virale sezonal. Bëhet fjalë për të njëjtin virus që prej disa ditësh ka alarmuar qytetin e Poliçanit. Mjekët tërheqin vëmendjen që çdo rast të trajtohet me kujdes, sepse mund të jenë ngjitëse dhe të krijojnë formën e një epidemie. Gastro-enteriti është inflamacioni i aparatit tretës që përfshin: stomakun, zorrët e holla dhe ato të trasha. Prandaj shpesh kjo konsiderohet si “ftohje stomaku”. Kjo sëmundje mund të shfaqet në çdo periudhë të vitit, por gjatë sezonit të temperaturave të larta merr formën e një epidemie. Arsyeja e numrit të lartë të rasteve shpjegohet me faktin që temperaturat e larta krijojnë terren të përshtatshëm për zhvillimin e mikrobeve që shndërrohen në patogjene për aparatin tretës. Po ashtu mungesa e kushteve higjienë-dietetike krijon terren për shfaqjen e gastro-enteriteve me natyrë joinflamatore. Shkaqet e gastro-enteritit mund të jenë të ndryshme. Kryesisht ato kanë shkaqe virale, bakteriale (E.coli, salmonela, shigella, etj.), parazitare (lambia) dhe ushqimore. Simptomat përfshijnë diarrenë e ujshme dhe të vjellat. Personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, krampe abdominale (dhimbje barku), të lokalizuara më tepër në pjesën e poshtme të barkut. Në rastet e gastro-enteriteve me natyrë virale si shenjë sëmundjeje, përveç atyre që përmendëm më lart, bashkëngjitet dhe temperatura që në disa raste mund të jetë e lartë. Gastro-enteriti viral i sezonit është ngjitës. Viruset që e shkaktojnë atë përhapen nëpërmjet kontaktit me persona të infektuar.
    Gastro-enteriti
    Në mëngjes, njeriu i prekur nga “gastroenteriti” ngrihet i sëkëlldisur dhe në mbrëmje zë shtratin. Gastroenteriti është një infeksion i faqeve anësore të tubit digjestiv dhe ndodh si shkak i një “agresioni” që në të shumtën e rasteve shkaktohet nga një mikrob. Gastroenteriti sjell të përziera dhe të vjella, sepse stomaku dhe zorrët mbrohen kundër këtij mikrobi që ka hyrë në trup, duke dashur ta nxjerrin jashtë atë. Kështu, zorrët kontraktohen dhe ne ndjejmë spazma e ngërçe që shpesh e shoqërojnë këtë sëmundje. Për këtë gjendje, shkak mund të jenë shumë lloj mikrobesh. Në helmimet ushqimore (intoksikacionet) bëhet fjalë shpesh për salmonelën apo kolibakteret. Për shembull, kështu ndodhi dhe me shumë persona që u helmuan nga qoftet të cilat ishin të ngrira dhe të infektuara. Në këto raste, gastroenteriti vazhdon disa ditë. Ethet janë të shpeshta dhe trajtimi me antibiotikë mund të jetë i nevojshëm. Epidemitë sezonale që shpesh vijnë në një kohë me gripin dhe infeksionet e tjera virale nga rrugët e frymëmarrjes janë përgjithësisht jo malinje. Shpërndarja e infeksioneve varion në funksion të tipit të virusit, por edhe sipas trupit të njeriut, organizmit dhe moshës së tij.
    Fëmijët
    Gastroenteritet tek fëmijët janë shumë të shpeshta. Ata shtrohen në spitale, pasi gastroenteriti u shkakton dehidratim , pra humbje të ujërave në trupin e tyre. Ky është dhe rreziku i këtyre infeksioneve që shpërndahen me lehtësi në ambientet kolektive si çerdhet, kopshtet, shkollat, etj. Refleksi më i mirë është që prindërit tu japin fëmijëve lëngje për hidratim, të cilat gjenden në farmaci. Këto produkte të fabrikuara duhen pasur gjithnjë në shtëpi, pasi lejojnë që të zëvendësojnë tek fëmijët lëngjet dhe kripërat minerale që kanë humbur gjatë sëmundjes. Këto sëmundje janë mjaft shqetësuese për shkak të të vjellave dhe të dhimbjeve të forta të barkut. Për këto dhimbje mjekët rekomandojnë që të përdoren ilaçe kundër spazmave për ti lehtësuar dhimbjet e barkut. Tek personat me shëndet të mirë sëmundja zgjat zakonisht 2-3 ditë dhe pastaj gjithçka hyn në fazën normale. Vetëm ato forma që zgjasin apo që provokojnë ethe, kanë nevojë për tu konsultuar. Nëse kemi tendencë për të vjella duhet të kemi refleksin që të pini rregullisht gjatë ditës lëngje dhe të zgjedhni për të ngrënë ushqime si karota, qulli i orizit, etj. Nëse në plan të parë është diarreja, këshillohen fermentet laktike të qumështit. Sipas rasteve, mund të kemi nevojë për ilaçe kundër spazmave për të qetësuar dhimbjet abdominale; për paracetamol kundër etheve, dhimbjeve trupore apo dhimbjes së kokës; për ilaçe kundër të përzierave apo të vjellave, si dhe ilaçe për ngadalësimin e tranzitit të ushqimit në zorrë, nëse diarreja është shqetësuese.
    Ushqimet
    Njerëzit mund të infektohen nëpërmjet ushqimeve dhe pijeve ose ujit të kontaminuar. Ushqimet mund të kontaminohen nga vetë personat me gastro-enterit viral, sidomos kur nuk respektohet një higjienë e rregullt personale. Po ashtu, uji i pijshëm, që bëhet burim përhapje të viruseve. Gjithsesi, tani që është periudha e plazhit, shpesh nuk respektohen kushtet higjienë-dietetike dhe ushqimi shndërrohet në këtë mënyrë burim i gastro-enteriteve. Nuk ka grupmosha më të rriskuara, çdokush mund të infektohet, por disa viruse prekin një grup specifik moshe. Megjithatë fëmijët, të moshuarit dhe personat që kanë një sistem imunitar të dobët sigurisht janë “viktimat” e para të gastro-enteriteve. Problemi kryesor që shkaktojnë gastro-enteriteve lidhet me humbjen e lëngjeve të organizmit, të cilat duhen zëvendësuar nëpërmjet solucioneve fiziologjike. Dehidrimi mund të jetë i gradave nga më të lehta deri tek ato më të rënda. Kuptohet që format e rënda shkaktojnë ndërlikime serioze, që mund të shkojnë deri në anemi, apo te personat e moshuar probleme kardiake si pasojë e humbjes së natriumit dhe kaliumit. Këto kripëra janë mjaft të rëndësishme për shëndetin e zemrës.
    Trajtimi
    Hapi i parë në trajtimin e gastro-enteritive virale është parandalimi i humbjeve serioze të lëngjeve (dehidrimi). Ky trajtim mund të fillojë që në shtëpi. Në këto raste rekomandohet marrja e solucioneve dehidruese në formën e trisolit. Një paketë tretet në ½ litër ujë të pastër. Ndërsa përsa i përket trajtimit me medikamente, rekomandohet që të nisin pas 72 orësh, kohë e mjaftueshme që organizmi të jetë “vetëpastruar” nga toksinat e mundshme që mund të ndodhen në të. Në rastet e gastro-enteriteve inflamatore, që janë kryesisht me natyrë bakteriale mund të përdoren antibiotikët. Ndërsa në rastet që nuk i përgjigjen mjekimit apo që kanë kaluar në fazë dehidrimi të rëndë, natyrisht kërkohet trajtim i specializuar në spital. Çdokush mund të reduktojë shansin e marrjes së infeksionit nëpërmjet një higjiene të mirë personale dhe larjes së shpeshtë të duarve. Gjithashtu, duhen dezinfektuar sipërfaqet e prekura me pastrues me bazë klori, si dhe eliminimi i ushqimeve të dyshuara për kontaminim. Natyrisht tani që është periudha e plazhit duhet që të tregohet kujdes në gatimin, ruajtjen e ushqimeve që mund të merren me vete. Kujdes duhet treguar në ujin e pijshëm dhe personat që kanë depozita në shtëpi duhet t’i derdhin herë pas here dhe t’i lajnë.

    Simptomat
    Diarre e ujshme
    Të vjella
    Dhimbje koke
    Ethe
    Dhimbje stomaku
    Këputje trupi
    Temperaturë
    Mungesë oreksi
    Dhimbje gjymtyrësh dhe muskujsh

    Këshilla
    Hapi i parë në trajtimin e gastro-enteritive virale është parandalimi i humbjeve serioze të lëngjeve

    Refleksi më i mirë është që prindërit tu japin fëmijëve lëngje për hidratim, të cilat gjenden në farmaci

    Kujdes duhet treguar në ujin e pijshëm dhe personat që kanë depozita në shtëpi duhet t’i derdhin herë pas here dhe t’i lajnë

    Duhen dezinfektuar sipërfaqet e prekura me pastrues me bazë klori, si dhe eliminimi i ushqimeve të dyshuara për kontaminim

    Duhet që të tregohet kujdes në gatimin, si dhe ruajtjen e ushqimeve që mund të merren me vete në plazh



    Përgatiti: Jonida Tashi

    Të rejat nga shkenca
    Fekondimi artificial pa duhan
    Femrat të cilat dëshirojnë të mbesin shtatzëna në mënyrë artificiale, duhet ta ndërpresin duhanin para se të marrin këtë hap. Ky është kriteri më i ri në Britaninë e Madhe, nga një numër i madh kriteresh të cilat duhet t’i plotësojnë femrat nëse dëshirojnë të kenë një trajtim të mirëfilltë. Ekspertët pohojnë se kjo është për shkak se “pse të kalohet nëpër trajtime të shtrenjta dhe traumatike, nëse jeni duke bërë diçka e cila e rrezikon gjithë procedurën”.
    "Carpe Diem"

  3. #3
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874
    30 ditë plazh në vit për të kuruar reumatizmën


    Këshillat si duhet ta kurojmë këtë sëmundje

    Mjekët rekomandojnë 30 ditë plazh në vit për të gjithë personat që kanë probleme me reumatizëm. Sipas tyre, rëra, (në veçanti rëra e pastër), është tepër efikase për kurimin e kësaj sëmundje. Këshilla numër një e specialistëve është që, të gjithë personat që kanë probleme me këtë sëmundje, duhet të shfrytëzojnë në maksimum, rërën gjatë orëve të mëngjesit dhe të pasdites, pasi në drekë temperatura është shumë e lartë dhe është e pamundur që trupi ta durojë atë. Ndërkohë, pas një studimi të kryer me 200 atletë, për 2 vjet studiuesit kanë dalë në një rezultat: Sporti i bën mirë kockave. Disa ushtrimeve të kombinuara kanë treguar se sporti i bën mirë forcimit dhe kalcifikimit të kockave. Vihet re që njerëzit që nuk merren me sport kanë një shkallë të lartë plogështie, e cila vjen si shkak i mosmarrjes me sport. Ndërkohë që këta persona shpesh vuajnë nga sëmundje të kategorisë reumatizmale, duke sjellë probleme të dukshme për shëndetin. Gjithashtu, të gjithë pacientët që vuajnë nga reumatizma, nuk duhet ta pinë asnjëherë çajin në një enë metali, por vetëm plastike ose prej druri. Madje mjekët rekomandojnë që edhe vetë çaji të mos zihet në një enë metali, por qelqi apo porcelani. Në këtë rast, sapo të keni pirë as gjysmën e gotës, dhimbjet kanë tendencë për të pushuar. Kompresa në vendin e dhimbjeve është në të shumtën e rasteve qetësuesi numër një që ndalon dhimbjen. Por për reumatizëm afatgjatë, megjithatë mjekët rekomandojnë pirjen e produkteve bimore si dhe kompresat në vendet më të theksuara me reumatizëm. Gjithashtu dy vitamina janë shumë të rëndësishme për trupin e njeriut dhe ndihmojnë shumë në shmangien e problemeve reumatizmale, ato janë vitamina C dhe A.
    Sëmundja
    Reumatizma, e cilësuar ndryshe edhe si sëmundja e moshës së tretë, ka lidhje të ngushtë me vendbanimin e personave të prekur. Sipas specialistëve, kjo sëmundje në vendin tonë është shumë e përhapur, për shkak të klimës dhe kushteve të punës dhe banimit. Kurat më të mira, sipas mjekëve specialistë, janë barishtet. Në farmacitë bimore, ekzistojnë bimë të Perëndimit që janë të shumta për sa i përket llojeve. Përzierje bimëve që tregtohet është tretur në alkool bimësh 39 gradë dhe quhet Schenden Bitter dhe bashkë me të edhe një lloj kremi i quajtur Calendula Saslbe dhe është e përbërë nga yndyra dhe lulja e quajtur Calendula Officinalis, që ndryshe në gjuhën e popullit quhet lule duhani, sepse i ka gjethet të ngjashme me të.
    Shkaqet
    Shkaqet e sëmundjeve reumatizmale janë të përgjithshme dhe lokale, shpjegojnë reumatologët duke pohuar se, shkaqet lokale, pra të pjesëve të ndryshme të trupit, janë të shpeshta gjatë artrozës. Sipas tyre, sa herë që sforcohet një nyjë, duhet të mendohet për rrezikun e dëmtimit të saj, sidomos ato me natyrë sportive dhe profesionale nga mikrotraumat, kjo mundësi shtohet në rast se kemi të bëjmë me një anomali anatomike të fituar apo të lindur, e cila ndikon fuqishëm mbi artrozë. Ndërsa ndër shkaqet e përgjithshme, specialistët përmendin moshën, e cila përbën një faktor etiologjik, ku artroza sa vjen e theksohet. Ndërkohë, faktori gjenetik, pra trashëgimia, sipas mjekëve, ndikon sidomos në formën e artrozës së gishtave të këmbëve dhe të duarve, ku viktimë e kësaj, sipas tij, janë sidomos femrat. Po ashtu klima e ftohë ndikon shumë në rëndimin e artrozës poliartikulare, e cila prek duart dhe viktimë janë sidomos gratë pas të 50-ve, kur kjo kombinohet me perimenofrazën, por te gratë edhe mbipesha është faktor negativ për sëmundjet reumatizmale.
    Kremrat
    Kremrat që janë të përbërë me këto lloj bimësh, kanë një përdorim shumë të lehtë, me to lyen lëkurën, në pjesën ku ke dhimbje para se të vësh kompresën e lagur me Scheden Bitter. Për kompresë merret një garzë në madhësi të vendit ku e keni dhimbjen dhe e lagni me këtë lloj tretjeje bimësh. Më pas e vendosni në vendin e dëshiruar dhe e mbështillni me qese najloni duke e shtrirë mirë në mënyrë që të mos depërtojë ajri e as të lagen apo ndoten rrobat. Por për më tepër kjo mënyrë përdoret për të mbajtur nxehtësinë, sepse po depërtoi të ftohtit, atëherë kompresa duhet të hiqet, sepse në vend të kurojë, ajo shkakton dëme. Për të ruajtur ngrohtësinë dhe për të mos lëvizur kompresa, duhet ta mbështillni garzën me qese najloni edhe me një copë të leshit apo të pambuktë dy apo trefish dhe ta lidhni me ndonjë shami apo diçka elastike që të mos lëvizë kompresa.
    Analgjetikët
    Analgjetikët janë ilaçe që lehtësojnë dhimbjen pa e ulur inflamacionin. Ato janë shumë efektive në uljen e dhimbjeve të lehta dhe jo shumë të forta, të ngjashme me atë të dhimbjes së kokës ose të dhëmbit. Ato nuk kanë efekte anësore si ilaçet e tjera. Analgjetikët japin efekt shpejt zakonisht brenda një ore. Çlirimi nga dhimbja zgjat zakonisht nga katër deri në tetë orë. Këto ilaçe funksionojnë duke penguar dërgimin e sinjaleve dhe dhimbjes në tru ose duke penguar vetë trurin që të marrë sinjale. Acetaminophen përbërësi aktiv që ndodhet tek analgjetikët më të përdorur. Përfshi ato që nuk kanë aspirinë në përbërjen e tyre si: Anacin, Execedrin, dhe Tylenol.
    Sporti
    Specialistët këshillojnë që duke u marrë me sport të paktën dy herë në javë, i bën mirë kockave, jo vetëm duke i forcuar ato, por edhe duke ndihmuar procesin e kalcifikimit, mjaft i domosdoshëm për njeriun. Madje, kjo është një ndër mënyrat kryesore për të mbajtur sa më larg vetes, reumatizmin. Jo pak, por tridhjetë ditë në vit, mjekët rekomandojnë plazh, për të gjithë personat që kanë probleme me reumatizmin. Sipas tyre, është shumë e rëndësishme, që ato të shtrihen në rërën e plazhit në mëngjes dhe në darkë. Ndërkohë që përdorimi i bimëve jeshile është shumë i këshillueshëm. Ato duhet të zihen për rreth 20 minuta dhe më pas do të pihen për të lehtësuar dhimbjet reumatizmale. Çaji duhet të zihet në një enë porcelani dhe jo metalike.


    Këshilla
    Bëni plazh çdo vit dhe e rëndësishme është që të shtriheni në rërën e mëngjesit dhe pasdites
    Mjekët rekomandojnë 30 ditë plazh në vit për të gjithë personat që kanë probleme me reumatizmin
    Bëni dy herë në javë ushtime gjimnastikore
    Merrni here pas herë, (një herë në dy ose tre muaj) tableta multivitaminë
    Jetoni në ambiente që nuk janë të ftohta
    Pini sa më shumë çarja me bimë jeshile
    Përdorni ujë mineral
    Hani sa më shumë fruta me vitaminë C dhe A
    Sa herë që ndjeheni të lodhur përdorni paracetamol ose medikamente të tjera për përmbajtje paracetamoli

    Përgatiti: Jonida Tashi

    Të rejat nga shkenca
    Bikarbonati i natriumit dhe noti
    Një studim britanik i realizuar me nëntë notues profesionalë ka treguar se bikarbonati i natriumit në ujë vepron si një mjet erogjen. Notuesit e kanë kaluar shumë më shpejtë distancën prej 200 metrash, pasi kanë marrë nga 300 mg bikarbonat natriumi për kilogram peshe trupore, në krahasim me marrjen e placebos. Shpjegimi i mundshëm i kësaj është ndikimi i bikarbonatit në baraspeshën acido-bazike të organizmit dhe eliminim e acidit laktik.
    "Carpe Diem"

  4. #4
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874
    Banjat e diellit, të dobishme për veshkat


    Banjat e diellit veprojnë mirë në punën e veshkat. Krahas me zgjerimin e enëve të gjakut të lëkurës, zgjerohen edhe enët e gjakut në veshka. Nëse shtohet djersitja në lëkurë, nuk ka ndonjë ndryshim në funksionin e veshkave, por kur nuk shtohet djersa, banjat e diellit shkaktojnë rritjen e punës së veshkave duke shtuar nxjerrjen e urinës dhe bashkë me të, edhe të lëndëve e tjera që përmban urina. Është vënë re se veprimi i rrezeve të diellit nuk shkakton ndonjë dëm mbi veshkat, jo vetëm kur ato janë të shëndosha, por edhe kur janë të sëmura. Klima e nxehtë përgjithësisht ka një ndikim të mirë në funksionimin e veshkave. Banjat e ajrit bëhen 1-2 orë në ditë, veçanërisht në sëmundjet e gurëve të veshkave dhe fshikëzën e urinës. Ato (veshkat) as që i hetojmë, e për çdo ditë filtrojnë 180 litra lëngje (prej të cilave 179 litra reabsorbohen, e vetëm 1 litër hidhet jashtë përmes urinës). Kur veshkat janë të shëndosha, ato mund t’i përshtaten mënyrës sonë të jetesës, përkatësisht shtimit të sasisë të ushqimit (nëse nuk tejkalohet jashtë mase), nuk ndikon negativisht në punën e tyre. Problemet paraqiten vetëm atëherë kur veshkat sëmuren. Kur nuk kryejnë më funksionin e tyre të filtrimit dhe të djegies të substancave të dëmshme, thuhet se fjala është për insuficiencën (pamjaftueshmërinë). Simptomat janë: lodhje, tretje e vështirësuar, anemia paraqitet më vonë, kur sëmundja të jetë në fazën më intensive.
    Ushqimi
    Kur sëmundja të jetë në fazën fillestare, artikujt e vetëm ushqimorë që duhen përjashtuar janë: gjalpi, mishi, sallamet, sepse me rastin e tretjeve të tyre prodhohen në sasi më të mëdha thartira të urinës. Meqë veshkat nuk munden më t’i largojnë këto substanca helmuese, ekziston rreziku i helmimit. Më vonë nëse përparon sëmundja, duhen zvogëluar në mënyrë drastike pemët dhe perimet. Në këto raste, ndihmë të madhe paraqesin prodhimet ushqimore pa albumina. Të sëmurët nga veshkat që janë në dializë duhet të marrin shtesa sasiore, sepse organizmi ka nevojë për energji të shtuar. Të vetmit artikuj ushqimorë që nuk duhet të konsumohen janë: fasulja, bananet, arrat, kumbullat e thara, sepse mund të shkaktojnë problem me zemrën. Po ashtu, duhet marrë sa më pak lëngje.
    Uji
    Njeriu humb përafërsisht 2-3 litra ujë në ditë nëpërmjet shkarkimit të mbeturinave trupore dhe djersës. Veshkat duhet të shkarkojnë të paktën 280 miligramë në ditë për të pastruar trupin nga mbeturinat helmuese. Kur veshkat shkarkojnë acidin urik dhe urenë, dy lëndë helmuese, këto janë të shkrira në ujë. Nëse ju nuk pini ujë të mjaftueshëm, mbeturinat nuk pastrohen si duhet dhe mund të krijojnë gurë në veshka. Uji përmban kripëra të shkrira. Kripërat rregullojnë shpërndarjen e ujit në trup. Nëse nuk pimë ujë aq sa duhet, ne dehidratohemi dhe na merr etja. Kripërat grumbullohen në një pikë dhe trupi merr ujin e qelizave për të shkrirë këtë grumbullim. Kjo sjell keqfunksionimin e veshkave, sepse pavarësisht nga sasia e ujit të marrë, ato duhet të shkarkojnë të paktën 280 ml në ditë për të pastruar trupin nga mbeturinat helmuese. Uji është element kyç për kryerjen e reaksioneve kimike gjatë tretjes dhe metabolizmit të ushqimit. Ai përçon elemente dhe oksigjen në qeliza nëpërmjet gjakut, si edhe ndihmon rregullimin e temperaturës trupore nëpërmjet djersitjes.
    Veshkat
    Në trupin e njeriut ekzistojnë dy veshka, të vendosura në regjionin e mesit nga të dy anët e shtyllës së kurrizit, nën anën e poshtme të brinjëve. Ato kanë ngjyrë të kuqe-kafenjtë e formë si kokërr fasuleje dhe madhësi sa një grusht. Përmes veshkave nga organizmi nxirren tepricat e ujit dhe produktet e fundit të metabolizmit. Funksioni kryesor i veshkave është që nga gjaku të mënjanohen produktet e fundit të metabolizmit, e gjaku i pastruar të kthehet në trup. Çdo minutë, përmes arterieve të veshkave, në veshka hyn rreth një litër gjak (një e pesta e tërë gjakut që pompohet nga zemra). Pasi të pastrohet, gjaku kthehet prapa, përmes venave të veshkave. Veshkat posedojnë sistem të komplikuar për filtrim. Në çdo veshkë ekzistojnë rreth një milion njësi, të quajtura nefrone. Çdo nefron përmban një filtër të vogël të quajtur glomerul, i cili është i lidhur me kanalthet. Teprica e ujit së bashku me produktet hedhëse ndahet nga gjaku me një proces të quajtur filtrim dhe shkon në kanalthe. Nëse humbet njëra veshkë, veshka tjetër zmadhohet që ta kompensojë funksionin e veshkës që mungon.
    Substancat në gjak
    Veshkat e kontrollojnë nivelin e shumë substancave në gjak. Me këtë ata e ruajnë përmbajtjen konstante të gjakut (homeostaza). Veshkat e ruajnë ujin e trupit dhe e mbajnë atë në nivel që është i nevojshëm për vijimin normal të funksioneve të organizmit. I mbajnë vlerat normale të natriumit, kaliumit, kalciumit, fosforit dhe mineraleve tjera, që merren me ushqimin e janë të rëndësishme për organizmin. Ata përthithen përmes veshkave në qoftë se janë në tepricë. Urea dhe produktet tjera hedhëse krijohen gjatë shpërbërjes së proteinave, të marra me ushqim (p.sh.mish). Kreatinina është produkt hedhës i muskujve. Produktet hedhëse siç janë urea dhe kreatinina hidhen përmes veshkave. Nëse funksioni i veshkave është i zvogëluar, niveli i tyre në gjak rritet. Niveli i kreatininës në gjak është tregues për funksionin e veshkave. Shumica e produkteve hedhëse janë toksike nëse rritet niveli i tyre në gjak. Veshkat normale marrin pjesë edhe në krijimin e disa hormoneve të rëndësishme. Këta hormone marrin pjesë në rregullimin e tensionit të gjakut, në krijimin e rruazave të kuqe të gjakut në palcën kockore dhe në përthithjen e kalciumit nga zorrët.


    Përgatiti: Jonida Tashi

    Të rejat nga shkenca/ Mëngjesi kontrollon peshën trupore

    Shkencëtarët amerikanë nga Universiteti Commonwealth i Virginias, kanë pohuar se ushqimi i mëngjesit është faktor shumë i rëndësishëm për humbjen e disa kilogramëve. Duke studiuar 96 femra të trasha për një periudhë kohore prej tetë muajsh, hulumtuesit kanë vërejtur se për ta zvogëluar peshën e tyre, më të prira kanë qenë pjesëmarrëset të cilat gjysmën e kalorive të tyre i kanë konsumuar që në mëngjes. Përkundër kësaj, duket se mungesa e ushqimit në mëngjes nxit më shumë dëshirën për ushqim dhe në këtë mënyrë e rrit peshën trupore.
    "Carpe Diem"

  5. #5
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874
    Rreziqet që na kanosen nga deti, dielli dhe rëra


    Në fillim mund të duket mrekullia vetë: deti, dielli, rëra, një shezlong dhe një çadër me ngjyra. Pushimet jane ato që ke pritur, një kohë e vërtetë relaksi, që mund t’i prishë ndoshta vetëm një shi i paparashikuar. Apo edhe vetë ai det, ajo rërë edhe ai diell. Sepse, pikërisht aty në mes të asaj që të ngjan me një mrekulli, fshihen edhe rreziqet. Mund të digjesh për shembull: ngjyra çokollatë, aq e lakmuar, rrezikon të mos arrihet dot dhe në vend të saj ta gjesh veten me flluska apo djegie. Por mund edhe të infektohesh, dhe nuk është aspak e vështirë që kjo të ndodhë. Në rërë, në ujë, madje edhe aty, në shezlong duke marrë rrezet e arta të diellit. Pasojat që mund të shfaqen janë disa probleme të vogla shëndetësore që lidhen me lëkurën, të cilat vijnë nga njohuria e dobët e njerëzve që kanë për shëndetësinë në përgjithësi, por dhe nga disa faktorë patologjikë të cilët e dëmtojnë rëndë lëkurën. Shumë prej këtyre problemeve varen nga faktori mjedis, lidhja diell-det-rërë.
    Infeksionet
    Gjatë pushimeve në plazh lëkurës mund ti shfaqen disa infeksione. Dielli krahas efektit pozitiv që influencon në shëndetin e njeriut mund të bëhet shkak për disa patologji kutane, që vijnë nga ekspozimi pa kriter ndaj rrezeve ultra violet dhe sidomos ato infra të kuqe, të cilat hasen nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 16 pasdite. Për këtë, shpesh këshillohet mbrojtja ndaj këtyre rrezeve duke evituar kështu qëndrimin për orë të gjata në diell dhe përdorimin e produkteve mbrojtës. Patologjia më e shpeshtë në këto raste është dermatiti solar si dhe combustoni i gradës së parë, që manifestohet me skuqje, nxehje, dhimbje të lëkurës. Kjo është e theksuar tek fëmijët dhe lëkurat me më pak melaninë (biondët). Një rrezik tjetër që haset gjatë ekspozimit ndaj rrezeve ultraviolet, apo infra të kuqe është edhe acarimi i nishaneve, si dhe pigmenteve të tjera të vogla të lëkurës. Këto të fundit, janë elemente të dyshimtë për melaunoma (tumor malinjë pigmentit melaninë) duke aktivizuar kështu qelizat malinje të këtyre elementëve. Ky është një problem për të cilin është folur shumë nga mjekët dermatologë dhe onkologë.
    Deti
    Deti veç kënaqësive të shumta që na falë rrallë herë mund të bëhet shkak edhe për dalje e elementëve alergjikë të lëkurës. Këto elementë vihen në dukje tek njerëzit në formën e puçrrave të kuqe të vogla që shpesh provokojmë kruajtje dhe bezdisin personin. Këto dermatite alergjike mund të lindin gjatë kontaktit të lëkurës në ujë, me ndonjë algë apo bimë tjetër ku ai/ajo person ka alergji ndaj këtyre agjentëve bimorë. Shkak për shfaqjen e këtyre dermatiteve alergjikë bëhen lëndë të ndryshme kimikate, të sjella në dete nga lumenjtë apo përrenjtë që derdhen aty. Veç të tjerave nuk përjashtohen gjithashtu edhe infeksionet purulente të lëkurës. Këto lëndë përveç fenomeneve kutane, influencojnë në mbylljen e poreve të lëkurës (kur bien në kontakt me lëkurën) duke favorizuar kështu shfaqjen e folikuliteve apo rrallë herë edhe furunkulave. Rreziku më i madh për shfaqjen e tyre ndodh nëse mbas daljes nga deti nuk bëhet shplarja e shpejt.
    Rëra
    Edhe nga rëra në plazhe mund të merren disa infeksione të lëkurës kryesisht ato mukotike që i marrim në rërë, apo në ambiente të tjera të plazhit, qofshin ato sportive apo gjetiu, ku persona të sëmurë me epidermofite të këmbëve kanë lëshuar mucetat. Si infeksion më të rëndësishëm mykotik mund të përmendim epidermofitin e këmbëve. Ky infeksion merret edhe nga veshja e shapkave të plazhit të personave të tjerë që kanë këtë patologji. Sëmundja shkaktohet nga agjentë infeksioz mykotik të quajtur epidermofitone, që janë të llojeve të ndryshëm dhe ndodhen në lëkurën e këtyre personave. Epidermofitia e këmbëve paraqitet me skuqje në mes të gishtërinjve, rrjepjen dhe kruarje të tyre. Në rastet kur sëmundja avancon mund të infektohet e gjithë shputa dhe anash këmbës. Këta të sëmurë lëshojnë bashkë me petëza të holla të vogla të lëkurës së këmbëve të sëmura dhe micele epidermafitonesh në tokë, shapka, shezlonge etj.
    Njollat
    Njollat e zbardhura (Pityriasis versicolor) është një tjetër infeksion mykotik sipërfaqësor që mund të merret edhe në plazh dhe shkaktohet nga një agjent mykotik i quajtur malassezia furfur. Kjo sëmundje e lëkurës paraqitet me njolla të zbardhura mbi lëkurën e shpatullave, gjoksit, krahëve dhe qafës. Mund të gjendet në vatra të vogla të veçuara apo dhe të bashkuara që marrin formën e hartës. Nganjëherë këto vatra janë më të pigmentuara se lëkura e shëndoshë. Disa njerëz këto njolla ose vatra i quajnë gabimisht si mungesë vitaminash duke e konfonduar si vitiligon. Edhe pse studimet mbi këtë dermatoze mykotike nuk kanë formuar ende karakterin kontagjoz (infektiv), përsëri mendohet se këtë infeksion mund ta marrësh në plazh gjatë fshirjes së trupit me peshqir “kolektiv” apo shezlonge. Gjithashtu, një mundësi tjetër janë dhe dyshet e shpeshta tek persona seborroike, duke e bërë kështu lëkurën të përshtatshme për të marrë pitirosporonet.
    Kruajtja
    Si përfundim vlen të përmendet dhe një infeksion tjetër që mund të merret në plazh. Është fjala për scabies (kruarje e lëkurës) e shkaktuar nga sarcoptes (acarues). Scabie është një parazit mjaft i vogël që nuk shihet me sy. Infektimi bëhet nga fjetja në jastëkët (ndoshta dhe të pastra), por që kanë fjetur një orë ose një natë më parë persona të infektuar me këtë parazit, duke i lëshuar këto të fundit në çarçafë. Personi “viktime” mund të infektohet menjëherë sapo shtrihet për të fjetur në këto jastëk. Sëmundja manifestohet me të kruara të shumta të trupit kryesisht në bark, krahë, sipërfaqe, ku lëkura ëështë më e hollë. Në këto zona dalin puçrra të vogla të kuqe sa koka e gjilpërës çifte-çifte. Kruarja dhe shqetësimi prej tyre ndodh kryesisht natën. Të gjitha këto patologji të lëkurës që përmenden më sipër duhen pasur parasysh nga çdo person që shkon për pushime në plazh, në mënyrë që ti shmanget këtyre infeksioneve apo afeksioneve të lëkurës, duke mos u larguar kështu nga plazhet me patologji të këtilla.


    Përgatiti: Jonida Tashi

    Të rejat nga shkenca
    Fitosterolet dhe acidet Omega-3 ulin yndyrat në gjak
    Është i njohur veprimi i fitosteroleve në zvogëlimin e kolesterolit në organizëm dhe po ashtu dihet ndikimi pozitiv i acideve omega-3-yndyrore në profilin e lipoideve në gjak. Shkencëtarët austriakë kanë testuar ndikimin e kombinimit të këtyre dy substancave te 60 pacientë me hiperlipidemi (nivel të lartë të yndyrave në gjak). Kombinimi i fitosteroleve (2 g/ditë) dhe acideve omega-3-yndyrore (1.4 g/ditë) është treguar shumë efikas. Pas tri javësh niveli i përgjithshëm i LDL-kolesterolit (“kolesterolit të keq”) ka qenë më i ulët për 13 për qind, ndërsa vlerat e HDL-kolesterolit (“kolesterolit të mirë”) janë ngritur për 9 për qind.
    "Carpe Diem"

  6. #6
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874
    Grykët, kujdesi që duhet të tregoi në stinën e verës


    Lëngjet e ftohta, kondicionerët, mikrobet e ndryshme që qarkullojnë në këtë periudhë janë këta disa nga shkaktarët e shfaqjes së problemeve me grykët gjatë stinës së verës. Mjekët tërheqin vëmendjen që me shfaqjen e shqetësimeve të para të drejtoheni te specialisti, sepse mostrajtimi në kohë mund të shfaqë ndërlikime serioze. Rënia e rezistencës së imunitetit, korrentet e ajrit, konsumimi i pijeve të ftohta, apo qëndrimi nën kondicioner apo ventilator, ndikojnë në acarimin e grykëve që në gjuhën mjekësore njihen me emrin faringite, por dhe rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Faktorë për acarimin e faringiteve janë dhe mikrobet dhe viruset e ndryshme, që temperaturat e larta u krijojnë terren të përshtatshëm, për t’u shumuar dhe shndërruar në patogjen për organizmin. Natyrisht ulja e rezistencës së mukozave te personat e predispozuar bën që të shfaqen të tilla probleme. Sipas mjekëve, më të prekurit nga këto probleme janë ato grupmosha që kanë sistem imunitar të dobët, për këtë arsye fëmijët janë kontingjent më i rriskuar dhe më i prekur nga faringitet (fëmijët e moshave 2-6-10 vjeç). Ka raste që janë forma akute, por ka dhe raste riakutizimi të formave kronike, që kur krijohen kushte të përshtatshme rishfaqin simptomat.
    Shenjat
    Shenja kryesore është dhimbja e fytit, ndryshime të timbrit të zërit (ngjirje të zërit), këputje trupore. Fëmijët e vegjël mund të mos pranojnë ushqimin, për shkak të dhimbjes së fytit. Në disa raste, si në ato me natyrë virale apo mikrobiale mund të shfaqet temperatura që është zakonisht jo shumë e lartë (subfebrile 37.5-38 gradë). Parandalimi është kompleks. Ai përfshin kujdes në ruajtjen e një ambienti me lagështi dhe temperaturë të përshtatshme. Po ashtu duhet treguar vëmendje në mënyrën e veshjes, duhet kujdes në qëndrimin në ambiente me ajër të kondicionuar. Por ashtu rekomandohet një ushqim i pasur me vitamina dhe kripëra minerale, që ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar. Natyrisht nevojiten kontrolle dhe ndjekje e vazhdueshme nga mjeku specialist otorino-laringolog, në mënyrë që problemet të diagnostikohen dhe trajtohen në kohë, sidomos i personave që kanë kaluar më parë probleme të tilla.
    Trajtimi
    Trajtimi bëhet në varësi të shkaktarit. Kështu në rastet virale, lihet të bëhet cikli i vet nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekut specialist. Në këto raste jepen ushqime dhe pije të ngrohta, rekomandohet vitaminoterapi për të rritur rezistencën e organizmit. Ndërsa në rastet kur shkaqet janë mikrobiale dhe shoqërohen me temperaturë, rekomandohen antipiretikët për uljen e temperaturës dhe antibiotikë pasi të jetë bërë më parë një kulturë fyti, për të përcaktuar llojin e mikrobit shkaktar. Po ashtu rekomandohen vitaminoterapi, kryesisht vitaminë C si dhe kalcium, që ndikojnë në rritjen e rezistencës së organizmit. Në mjekësinë popullore përdorimi i manit të zi është një mënyrë për trajtimin e faringiteve. Manat përmbajnë rreth 9 për qind sheqer, acide organike, taninë, kripëra të ndryshme etj. Në ditët e ngrohta të verës ato përdoren për të shuar etjen. Pekmezi (shurupi i manave) përdoret në stomatitet dhe faringitet. Në këto raste lyhet goja dhe gryka me pekmez, sidomos në darkë para fjetjes. Pekmezi përdoret gjithashtu në mjekimin kundër anemisë, duke u dhënë fëmijëve ose të rriturve nga 2-3 lugë gjelle në ditë. Manat e papjekura përdoren për luftimin e krimbave parazitarë të aparatit tretës.



    Këshilla

    Kujdes në ruajtjen e lagështirës së ajrit në ambientin ku jetoni

    Ajroseni shpesh ambientin ku qëndroni

    Pini sa më shumë lëngje dhe konsumoni ushqime të pasura me
    vitamina

    Tregoni kujdes në mënyrën e veshjes

    Shmangni korrentet e ajrit

    Qëndroni larg kondicionerëve apo ventilatorëve

    Konsultohuni me mjekun specialist për çdo shqetësim

    Faringu
    Shtrihet nga koka e deri te pjesa e mesme e qafës
    Organ gypor, me gjatësi 13-15 cm
    Kufijtë
    Baza e kafkës - lart
    Ezofagu - poshtë
    Zgavra e hundës, zgavra e gojës dhe hyrja në laring - përpara
    Gjashtë unazat e para të qafës - prapa
    Enët e gjakut dhe nervi vagus - anash
    Pjesët e faringut
    Tri kate
    Nazo-faringu - pjesa hundore e faringut
    Oro-faringu - pjesa gojore e faringut
    Laringo-faringu - pjesa laringale e faringut
    Vetëm laringo-faringu është pjesë e qafës, dy të tjerat janë pjesë të kokës
    Funksioni i faringut
    Tonsilla e tretë
    Unaza Ëaldeyer
    Kryqëzimi i rrugëve të frymëmarrjes dhe të tretjes


    Përgatiti: Jonida Tashi


    Të rejat nga shkenca

    Rrezet ultravjollcë dhe mbrojtja nga to

    Jo të gjithë kremrat për diell ofrojnë mbrojtje të njëjtë kundër rrezeve ultravjollcë të diellit. Ekzistojnë rrezet ultravjollcë UVA, UVB dhe UVC. Rrezet UVC nuk mund ta kalojnë shtresën e ozonit dhe nuk mund të arrijnë te ne, për këtë arsye janë të panevojshëm kremrat për mbrojtje nga këto rreze. Rrezet UVB mund të shkaktojnë djegien nga dielli dhe mund të nxisin zhvillimin e kancerit të lëkurës. Shkencëtarët besojnë se rrezet UVA janë të padëmshme për lëkurën tonë, mirëpo ekziston një hipotezë se ato mund të depërtojnë shumë më thellë se rrezet UVB, dhe mund t’u ndihmojnë atyre për të shkaktuar kancer. Për ta mbrojtur lëkurën nga rrezet UVA zgjidhni llojet e kremrave që në etiketë shkruajnë “me spektër të gjerë”. Ndërsa për t’u mbrojtur nga rrezet UVB zgjidhni kremrat me faktor më të lartë se 15. Gjithashtu, për të pasur mbrojtje më të sigurt nga rrezet e diellit duhet që: të qëndroni nën hije nga ora 11 e paradites deri në orën 15 të pasdites, të përdorni kremra me faktor të lartë (mbi 15) dhe mos u digjni në diell, në periudhën e rrezikshme të ditës (nga ora 11 deri në orën 15) mbulojeni lëkurën me diçka, mbani syze dhe kapelë.
    "Carpe Diem"

  7. #7
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874
    Helmimet ushqimore, si mund t’i parandalojmë në verë


    Stina e verës dhe temperaturat e larta që e shoqërojnë atë, shtojnë rastet e helmimeve ushqimore. Pasojat janë dehidrim deri në toksikacione të shkallës së rëndë, shpesh serioze dhe për jetën e pacientit. Kur nje pjestar i familjes tuaj ankon për të vjela dheose heqje barku të shoqëruara me rritje të temperaturës, kjo përbën atë që quhet helmim ushqimor. Nga vetë emri duhet të kemi parsysh që edhe shkaqet janë të shumëllojshme (në varësi nga ushqimi që ka ngrënë i sëmuri). Shenjat kryesore janë: të vjella, heqje barku, temperaturë, dobësi, zverdhje të lëkurës, djersë. Në raste të tilla rekomandohet që të sëmurit ti bëhet lavazh (shpërlarje) duke i dhënë lëngje. Këto lëngje duhet të jepen shpesh e nga pak. Gjithashtu, duhet të eliminohen ushqimet e thata për 4-6 orë. Sëmundjet diarreike akute shkaktohen nga agjentë patogjenë, si baktere, viruse ose protozoarë dhe mund të zhvillohen si shqetësime të lehta të zorrëve e deri në sëmundje të rrufeshme, që vënë në rrezik jetën. Dekadat e fundit është arritur veçimi i agjentëve etiologjikë specifikë dhe numri i tyre vjen duke u shtuar. Disa nga shkaktarët e sëmundjeve diarreike dhe helmimeve ushqimore janë disa mikrobe dhe viruse. (Të tilla janë escherichia coli enterotoksigjene, clostridium perfingensm staphylococus aureusm. Viruset coxsackie, viruset echo dhe rotaviruset, etj). Shkaktarët ndodhen në ajër, ujë dhe ushqime të kontaminuara, kafshë shtëpiake dhe të egra bartëse të këtyre mikrobeve, njerëz të sëmurë, ose bartës të tyre. Insektet mund të jetë transportues pasivë, sidomos për viruset. Periudha më e favorshme për përhapjen e tyre është stina e verës dhe sidomos periudha korrik-tetor.
    Rruga e infektimit
    Këto lloj infeksionesh pothuajse gjithmonë merren nga goja, zakonisht nga gëlltitja e ushqimit ose pijeve të helmuara. Çdo prodhim ushqimor është një burim potencial për infektimin e njeriut. Burim për helmimin e ushqimit ose pijes mund të jenë njerëz mbartës pa klinikë, por burimi kryesor i infeksionit të njeriut është rezervuari i gjerë i salmonelave në kafshët e ulëta. Incidenca e lartë e infeksionit të përpunimit të ushqimeve dhe të prodhimit të tyre në sasi të mëdha shtojnë rrezikun e infektimit të njerëzve. Mishi kontaminohet me shumë rrugë, por më të zakonshmet janë infeksioni natyror i vetë kafshëve të përdorura si mish dhe i gjithë pajisjeve që përdoren gjatë therjes ose përpunimit. Vezët ose produktet e vezëve duke përfshirë vezët e thata ose të ngrira janë gjithashtu burim i zakonshëm infeksioni. Nga speciet e ndryshme të kafshëve, shpezët shtëpiake duke përfshirë pulat, gjelat e detit, rosat dhe vezët e produktet e vezëve përbëjnë një rezervuar të gjerë të infeksionit dhe burimin më të shpeshtë për infektimin e njerëzve. Eshtë e rëndësishme të theksohet që temperaturat e larta shkatërrojnë shumicën e mikrobeve, por temperaturat e ulëta mund të mos pengojnë zhvillimin e tyre. Disa nga mikrobet mund të qëndrojnë shumë gjatë dhe në pluhur. Gjithashtu ushqimi ose pijet mund të kontaminohen nga minjtë, macet, insektet ose parazitë të tjerë, që strehojnë këto mikroorganizma.
    Ushqimet
    Ushqimet mund të rikontaminohen pas përgatitjes së tyre nga pajisjet e kuzhinës apo personeli i kuzhinës (mbartës mikrobesh). Ushqimi mund të rikontaminohet nëse pas gatimit lihet të ftohet për një kohë të gjatë sidomos në periudhën e verës. Por nuk duhet të mendohet se ushqimi i futur në kohë në frigorifer nuk kontaminohet dhe nuk shkakton helmim. Një shembull i qartë është stafilokoku aeurus që quhet ndryshe “helmimi ushqimor” klasik. Helmimi ndodh nga enterotoksina e prodhuar më parë në produktet ushqimore, ndërsa vetë stafilokoku mund të jetë larguar nga ushqimi. Ky lloj helmimi dallon nga të gjithë të tjerët, sepse shfaqet me shumë të vjella, diarre, temperaturë të lartë dhe shenjat shfaqen brenda një periudhe të shkurtër që nga koha e marrjes së ushqimit deri në shfaqjen e shenjave të para. Meqë helmimi ndodh nga toksina, mjekimi me antibiotikë nuk ka efekt.
    Trajtimi
    Trajtimi është i lidhur ngushtë me stadin e sëmundjes dhe llojin e mikrobit. Zëvendësimi i lëngjeve dhe kripërave minerale është kushti i parë. Në format e lehta dhe kur nuk ka të vjella, marrja bëhet nga goja. Në format më të rënda, me temperaturë, të vjella të shumta, diarre dhe dhimbje barku, mjekimi bëhet intravenoz me perfuzione (serume) që mund të arrijnë disa litra në 24 orë, elektrolit, kortikoid dhe antibiotikë. Duhet theksuar që jo çdo helmim kërkon përdorim antibiotikësh. Antibiotikët e përdorur pa kriter mund të zgjasin dekursin e sëmundjes. Ndërsa kortizonikët jepen në raste të veçanta. Duhet të kihet parasysh se edhe disa ditë ose javë pas kalimit të sëmundjes, pacienti eliminon mikrobe, prandaj trajtimi i zgjatur i tyre ka shumë rëndësi. E vetmja mënyrë për të parandaluar helmimet ushqimore është zbatimi i rregullave higjienike dhe teknologjike në përgatitjen e ushqimit. Mbrojtësja më e rëndësishme është higjiena vetjake. Duhet të tregohet mjaft kujdes në restorante, fast-foode dhe në konsumimin apo përgatitjen e prodhimeve të detit.

    Simptomat
    Të vjella
    Heqje barku
    Temperaturë
    Dobësi
    Zverdhje të lëkurës
    Djersë

    Këshilla
    Lani me ujë të pastër e të rrjedhshëm të gjitha frutat dhe zarzavatet
    Ruani produktet ushqimore në vende të freskëta
    Konsumoni ushqime të sapopërgatitura
    Të sëmurët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të zemrës e të tensionit duhet të jenë të kujdesshëm e të konsultohen herë pas here me mjekun specialist

    Përgatiti: Jonida Tashi


    Të rejat nga shkenca
    Studimi, vera e kuqe aleate kundër helimeve ushqimore


    Vera e kuqe është aleate kundër helmimeve, që shkaktohen si nga bimët ashtu dhe nga mishrat. Të paktën ky është përfundimi i një studimi të kryer pranë universitetit të “Missouri-Columbia”. “Studimi ynë është paksa i ndryshëm nga të tjerë që janë kryer deri më sot, që kanë treguar se nëse konsumon sasi të moderuara të verës së kuqe dhe gjithmonë gjatë vakteve ka veti mbrojtëse mbi sistemin kardiovaskular. Duke u nisur nga ky tip studimi, kemi pyetur veten, nëse vera e kuqe i bën mirë zemrës, çfarë efektesh mund të ketë mbi sistemin gastro-intestinal?”,- ka deklaruar një nga autorët e studimit. Studiuesit kanë matur në këtë mënyrë se si varion përqendrimi i baktereve si: Escheria coli, Salmonella typhimurium, Listeria monocytogenes, Helicobacter pylori, nëse shoqërohen vakte me verë. Ata kanë zbuluar se përqendrimi i këtyre baktereve, disa prej të cilëve përgjegjës të infeksioneve të rënda ushqimore, është i pakët në sistemin gastro-intestinal të atyre që kanë pirë verë. Sipas shkencëtarëve, përdorimi i verës ul pH gastrik dhe liron, pas procesit të metabolizmit, një polifenol që ndodhet te rrushi, që ka veti antioksidante dhe antibakteriale. Kombinimi i këtyre dy elementëve do ta bënte më të vështirë mbijetesën e baktereve në traktin gastro-intestinal dhe ka veti mbrojtëse mbi organizmin.
    "Carpe Diem"

  8. #8
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874
    35 sëmundjet që prekin shëndetin e njeriut në stinën e verës


    Temperaturat vazhdimisht të larta, shkaktojnë një ulje të nivelit të kujdesshmërisë së trurit dhe dobësim të madh të kujtesës njerëzore. Jo vetëm dimri na bën të ankohemi dhe të zëmë shtratin prej sëmundjeve. Por edhe stina e verës, ka “avazet” e saj. Sipas ekspertëve, ato po shtohen edhe më tepër në kuadrin e ngrohjes së përgjithshme globale, e cila po na sjell çdo vit stina verore edhe më të nxehta se të tjerat. Në suplementin e sotëm të gazetës “Albania”, ju do të njiheni me 35 sëmundjet dhe patologjitë që shfaqen gjatë kësaj stine. Gjithashtu, në suplementin e sotëm ju do të gjeni rekomandimet, këshillat dhe kujdesin që duhet të tregoni për këto sëmundje, për të evituar problemet. Ndërsa për të gjithë pyetjet ju mund të na shkruani në adresën tonë të e_malit:albania.shëndetësia@gmail.com. Çdo stinë vere, nuk kalon pa shfaqur patologjitë e saj të zakonshme te njerëzit, por edhe të tilla të reja për çdo vit. Në këtë kuadër, kërkuesit e Kolegjit “Imperial” në Londër kanë studiuar rastet e sëmundjeve tipike që shfaqen nën të nxehtin e madh. E para në listën e tyre është astma, e cila njihet edhe si vështirësia e qarkullimit te ajrit në rrugët e frymëmarrjes. Po kaq problematike në stinën e verës janë edhe dhimbjet e kokës si dhe sëmundjet e zemrës.
    Stina e verës
    Stina e verës është një nga periudhat më të parapëlqyera për njeriun. Megjithatë, edhe kjo stinë ka ndikimet e veta në shëndetin e njerëzve, e veçanërisht problemet që lidhen me ndryshimet klimatike që ndodhin gjatë kësaj periudhe. Është e njohur prej të gjithëve se gjendja shëndetësore e popullsisë në përgjithësi varet shumë nga ndryshimet fizike të mjedisit atmosferik, pra ndotjes së këtij mjedisi, pa nënvlerësuar edhe faktorët e tjerë me ndikim. Shmangia e vetive fizike të ambientit nga kornizat normale ka për pasojë një numër më të madh të sëmundjeve, ose ndikon në shfaqjen e patologjive të ndryshme. Kjo fillimisht si pasojë e reagimit të organizmit të njeriut ndaj hyrjes së substancave të jashtme në brendi të tij. Në situata të këtilla organizmi reagon ndaj këtyre substancave dhe bëhet i ndjeshëm ndaj tyre. Një “sulm” i dytë i tyre bën që reagimi i organizmit të jetë më i shpejtë dhe më i fortë. Në këtë rast kemi të bëjmë ose me një funksion mbrojtës duke formuar bazën e rezistencës së organizmit ose me një funksion të dëmshëm që shkakton shfaqjen e ndonjë sëmundjeje. Në vendet e industrializuara ekziston një rritje e shpeshtësisë së këtyre sëmundjeve që në fakt janë reagim i organizmit ndaj ndryshimeve në ambient. Niveli i tyre është më i lartë në zonat urbane se në ato rurale apo ato më me lartësi mbidetare më të lartë. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një ndikim të dukshëm të ndotjes së ambientit në intensitetin e shfaqjes së sëmundjeve të këtilla të njohura si alergji. Dikujt i bie të fikët, një tjetrit i dhemb gjoksi, dikush ka të dridhura, diku është bërë një aksident, pra të gjitha këto situata kërkojnë ndihmën urgjente mjekësore. Vetë fjala urgjence vjen nga anglishjta (emergency) që do të thotë veprim i shpejtë për ndihmë.

    Këshilla, për të qenë në formë gjithë verën
    Vera imponon rregulla të forta edhe për linjat e trupit. Nga njëra anë joshin ushqimet kalorike, nga ana tjetër rrobat e banjës kërkojnë trup të bukur dhe të rregullt. Por si mund të realizohet diçka e tillë? Ja, rregullat që vendosin dietologët për këtë sezon të nxehtë:
    Përpiquni të ruani të njëjtin racion ditor. Mund të tregoheni maniak, vetëm pas lëngjeve dhe frutave
    Pini sa më shumë ujë natyral apo të gazuar. Këshillohet dhe pak limon ose mente, sipas preferencës
    Përdorni sa më shumë sallata të freskëta me perimet e stinës, veçse përdorni sa më pak vaj
    Në restorant, porosisni peshk ose mish me garniturë perimesh dhe në vend të makaronave merrni fruta deti
    Hani sa më shumë fruta, por mos e privoni veten dhe nga akulloret
    Lëvizni sa më shumë, bëni sa më shumë shëtitje, not dhe aktivitet fizik
    Mos i lini pas dore lëngjet. Uji është ndihmësi më i mirë për t´i shpëtuar vapës, sepse vera është stina që than më tepër lëngjet e trupit
    Pini sa më shumë edhe lëngje të tjera natyrale (qumësht, çaj, lëng supe)
    Shmangni ushqimet e rënda dhe hani sa më shumë perime, sallata dhe fruta. Lajini me kujdes
    Dilni sa më pak në diell mes orëve 10.00-16.00. Është mirë që të sëmurët me tension, fëmijët dhe të moshuarit të mos dalin fare jashtë në këto orare
    Mbani sa më shpesh kapele dhe syze dielli
    Vishni rroba të lehta dhe të pambukta, që t’ju pinë djersën

    Si të mbrohemi nga temperaturat e larta
    Të mos dilet jashtë në periudhën nga ora 10:00 deri 17:00 pa nevojë, ndërsa rekomandohet që njerëzit të lëvizin vetëm në orët e mbrëmjes
    Gjatë këtyre temperaturave tropikale shmangen aktivitete të rënda, duke përshirë sportin, veçanërisht në periudhën më të nxehtë të ditës
    Të vishen veshje të lehta dhe me ngjyra të hapua, syze dielli dhe kapele në kokë. Gjatë qëndrimit të domosdoshëm në të hapur, rekomandohen pushime më të shpeshta nën hije
    Të pihen së paku dy litra lëngje dhe ato ujë jo të gazuar, ujë mineral, lëngje, çaj dhe supë. Ndalohet rreptësisht konsumimi i ushqimeve me yndyrë dhe ëmbëlsirave
    Qytetarët duhet t’u shmangen pijeve alkoolike, pijeve që përmbajnë kafeinë, pijeve tepër të ftohta;
    Shpesh të kontrollohet tensioni i gjakut dhe menjëherë të vizitohet mjeku në qoftë se paraqitet dhimbje koke, mundime ose humbet sasi më e madhe e ujit nga organizimi
    Rekomandohet që vozitësit të cilët duhet të bëjnë relacione më të gjata të nisin në mëngjes, ose në orët e pasdites
    Rekomandohet që fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna të qëndrojnë më shumë në hapësira të mbyllura, të klimatizuara, ndërsa obligimet e domosdoshme t`i kryejnë deri në orën 10 të mëngjesit, ose pasdite pas orës 17
    Veçanërisht të disiplinuar duhet të jenë të sëmurët kronikë e sidomos ata me sëmundje të zemrës, neurologjike, të sëmurët me diabet, të sëmurët me sëmundje të mushkërive të bardha dhe të tjera. Për të gjitha ndryshimet në gjendjen shëndetësore është e domosdoshme të konsultohen me mjekun.

    "Gazeta Albania"
    "Carpe Diem"

  9. #9
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874
    Sëmundjet verore dhe trajtimi

    1. Goditjet astmatike
    Temperaturat e larta janë të rrezikshme për ata që marrin frymë me vështirësi, pasi ato e thajnë ajrin dhe e ashpërsojnë atë. Të gjithë ata që vuajnë prej kësaj sëmundjeje, sapo vjen stina e verës, nisin njëkohësisht edhe stinën e “vuajtjeve” të tyre. Prandaj, ekspertët japin këshillën kryesore ndaj këtyre pacientëve, që të mos dalin në asnjë mënyrë gjatë pikut të vapës në stinën e nxehtë të verës. Pasi ata rrezikohen të pësojnë atake të forta astmatike, të cilat mund t’i çojnë edhe drejt vdekjes. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se shkalla e lartë e lagështirës, shkakton probleme të mëdha në rrugët e frymëmarrjes si edhe në lëngjet e kockave. Viruset respiratore bëhen edhe më agresive në temperatura të larta. Astma bronkiale është një sëmundje alergjike e bronkeve dhe rrugëve të frymëmarrjes. Në pjesën më të madhe, në gati 80 për qind të rasteve, shkaqet përgjegjëse për shfaqjen e sëmundjes ndodhen në ajër dhe përcaktohen me anë të provave të alergjisë. Në një pjesë të vogël, gati në 20 për qind, sëmundja nuk ka shkaktarë përgjegjës të dukshëm. Por mund të ndodhë që faktorë shkaktarë të ndodhura në mjedisin e jashtëm ta shpërthejnë për herë të parë dhe ta ngacmojnë vazhdimisht sëmundjen gjatë ecurisë së saj në mënyrë të vazhdueshme. Përveç kësaj, të gjitha astmat bronkiale janë të njëjta për sa i përket mekanizmave që janë përgjegjës për ndryshimet që ndodhin në epitelin bronkial (mukozën që mbështjell bronket). Si rezultat, të gjitha astmat bronkiale janë sëmundje alergjike të rrugëve të frymëmarrjes. Shkaktarët alergjikë në ajër më të shpeshtë janë mikroorganizmat, që ndodhen te pluhurat e shtëpisë dhe polenet e ndryshme. Por ajo mund të shkaktohet dhe nga substanca të ndryshme të prejardhura nga kafshët shtëpiake, mykrat e ambienteve të brendshme, por dhe të jashtme, alergjenët e tjerë që gjenden te ilaçet dhe ushqimet, viruset e ndryshme që kapin rrugët e frymëmarrjes (të ftohurat e zakonshme). Në faktorët e jashtëm futen dhe cilësia e ajrit si: lagështia, presioni atmosferik, tymrat dhe ndotësit e ndryshëm, faktorë këta që zënë një peshë të rëndësishme në rëndimin e gjendjes shëndetësore të astmatikëve.

    Këshilla parandaluese
    Mbajini fëmijët në vende të ajrosura mirë
    Eliminoni lagështirën, sidomos në dhomat e gjumit
    Eliminoni ambientet e pa ajrosura mirë dhe me myk
    Ushqeni me gji fëmijët, të paktën deri në moshën 1 vjeç
    Shmangni sterilitetin e tepruar në rritjen e fëmijëve
    Shmangni mbipërdorimin e detergjenteve
    Shmangni përdorimin e ushqimeve që përmbajnë alergjentë
    Shmangni ekspozimin ndaj poleneve të luleve
    Gratë shtatzëna nuk duhet të qëndrojnë në ambiente me tym duhani
    Fëmijët e vegjël nuk duhet të qëndrojnë në ambiente ku pihet duhan
    Ndjekja te mjeku specialist dhe zbatimi me përpikmëri i rekomandimeve të tij

    2. Dehidratimi
    Dehidratimi i organizmit ndodh atëherë kur trupi nuk merr lëngje të mjaftueshme. Në stinën e verës si pasojë e temperaturave të larta pothuajse të gjithë njerëzit janë të rrezikuar nga dehidratimi. Azilet për shembull, janë të detyruara të mbajnë një enë me ujë të ftohtë pranë krevatit të çdo pacienti. Megjithatë, mund të ketë probleme të tilla si: nuk jepen lëngje të mjaftueshme, ose pacienti nuk mundet ose nuk do të pijë lëngje, ose i duhet ndihmë. Nëse një i moshuar nuk pi lëngje aq sa duhet, ai mund të dehidratohet. Si rrjedhim ai mund të këtë infeksion, pështjellim, dhe/ose plage në trup. Shenjat janë: gojë tepër të thatë, lëkurë tepër të thatë, sy të futur thellë, gjuhë të trashur, pështjellim të pashpjegueshëm dhe/ose përgjumje të pashpjegueshme. Shumica e ekspertëve këshillojnë të pini të paktën 8-10 gota ujë në ditë nëse peshoni 75 kg. Për çdo 11 kile mbipeshë, duhet të shtoni një gotë uji. Pini më shumë nëse jetoni në klime të nxehtë ose nëse lëvizni shumë. Nëse hani fibër me shumicë (bukë, drithëra, etj.), duhet gjithashtu që të pini më shumë ujë. Shpesh, uji thirret “elementi ushqyes i harruar”. Pas ajrit, megjithëse shumë rrallë i njihet merita, uji është elementi më i rëndësishëm jetësor për shëndetin dhe jetën e njeriut. Mund të jetojmë pa ushqim për pothuajse dy muaj, nëse kemi shëndet të plotë, por mund të rrojmë vetëm pak ditë pa ujë. Uji përçon elementet ushqyes nga ushqimet që hamë si edhe mineralet që drejtojnë rrugën e këtyre elementeve, oksigjen në qelizat trupore, si edhe ndihmon rregullimin e temperaturës trupore me anë të djersës. Njeriu humb përafërsisht 2-3 litra ujë në ditë nëpërmjet shkarkimit të mbeturinave trupore dhe djersës. Veshkat duhet të shkarkojnë të paktën 280 miligram në ditë për të pastruar trupin nga mbeturinat helmuese. Kur veshkat shkarkojnë acidin urik dhe urenë, dy lëndë helmuese, këto janë të shkrira në ujë. Nëse ju nuk pini ujë të mjaftueshëm, mbeturinat nuk pastrohen si duhet dhe mund të krijojnë gurë në veshka.

    Ujë i pamjaftueshëm
    Nëse nuk pini sasinë e duhur të ujit për të plotësuar nevojat tuaja trupore ju mund të keni këto pasoja:
    Probleme tretjeje
    Lëkure të thate dhe zë të ngjirur
    Ngadalësim të organeve trupore
    Probleme me mbajtjen e ujit
    Dhimbje muskujsh
    Dhimbje kyçesh
    Rritje e toksinave (helmeve) në trup
    Metabolizëm i dobët i yndyrave të trupit
    Dhjamë të tepërt
    Muskuj të dobët dhe formë të keqe trupore
    Kapsllëk të përhershëm


    3. Tensioni i lartë i gjakut
    Tensioni i lartë i gjakut është një sëmundje, që bëhet mjaft serioze gjatë stinës së verës. Me rritjen e temperaturës, sistemi kardiovaskular është i pari që preket, pasi aorta dhe venat e tjera ngushtohen dhe shkaktojnë probleme me shëndetin. Hipertensioni është një prej sëmundjeve shumë të rrezikshme gjatë periudhës së verës. Edhe më serioze sëmundja bëhet te personat që paralelisht vuajnë edhe nga sëmundje të tjera kronike. Për të gjithë këta të sëmurë shumë e rëndësishme është shmangia e ekspozimit në diell gjatë pikut të vapës, pasi mund të pësojnë infarkte ose kriza të rënda, që çojnë në humbjen e jetës. Për të lehtësuar disi këtë problem, mjekësia popullore vjen në ndihmë me kurat e përftuara nga bimët natyrore. Një mënyrë mjaft e suksesshme për uljen e tensionit të lartë të gjakut, është lëngu i limonit. Hipertensioni arterial është ngritja e presionit në enët e gjakut. Shenjat e sëmundjes shfaqen gradualisht. Presioni arterial, në fazat fillestare, lëkundet me ngritje e zbritje dhe më vonë stabilizohet me shifra të ngritura. Me zhvillimin e mëtejshëm të sëmundjes shfaqen dhimbjet e kokës, marrja e mendve, çrregullimi i gjumit, shpejtimi i ritmit të pulsit si dhe dobësi e përgjithshme. Thellimi i gjendjes së hipertensionit mund të sjellë edhe ndryshime në zemër, e cila fillon të zgjerohet. Kjo sëmundje nganjëherë shoqërohet me arteriosklerozën e enëve të gjakut, që nuk lë pa prekur enët koronare që ushqejnë zemrën, ngushtimi i të cilave shkakton dhembje në zonën e zemrës, vështirësi në frymëmarrje gjatë sforcimit fizik. Në të gjitha këto sëmundje të shkaktuara nga hipertensioni, lëngu i limonit jep rezultate shumë të mira, ndaj dhe mjekët popullorë këshillojnë që kjo agrume të konsumohet sa më shpesh për parandalimin e tyre. Ekspozimi në diell në orët më të nxehta gjatë ditës, i personave që vuajnë nga hipertensioni dhe në veçanti i atyre që përveç saj vuajnë edhe nga sëmundje të zemrës, mund të shtojë rrezikun e e krizave dhe të infarktit.
    Simptomat
    Hipertensioni zakonisht zhvillohet pa shumë ndërlikime, por në raste të tensionit të lartë paraqet këto simptoma:
    Dhimbje koke
    Marramendje
    Dhimbje dhe ndjenje rëndese në gjoks
    Pagjumësi
    Urinim i shpeshtë
    Etje e madhe
    Dobësi muskulore dhe humbje ekuilibri.
    Rekomandime
    Humbisni peshën e tepërt
    Shëtisni
    Lini duhanin
    Kontrolloni stresin
    Mbani regjim të rregullt ushqimor
    Preferoni frutat dhe zarzavatet
    Rregulloni temperaturën e shtëpisë

    "Gazeta Albania"
    "Carpe Diem"

  10. #10
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874
    4. Tromboza
    Temperaturat e lartë gjatë stinës së verës bëhen shkak për shfaqjen e trombozave dhe ishemive. Për të parandaluar rrezikun e goditjeve nga dielli duhet të kihen parasysh rregullat dhe këshillat kryesore që japin mjekët. Ndërkohë që më të rrezikuarit nga temperaturat e larta janë të moshuarit, sidomos ata që kanë probleme me zemrën dhe fëmijët. Mjekët rekomandojnë të pini sa më shumë lëngje për të shmangur dehidratimin e organizmit, e për rrjedhojë, për të luftuar trombozat. Këshilla mbërrin nga kirurgët e shoqërisë italiane të kirurgjisë vaskulare dhe endovaskulare, që shpjegojnë se si me anë të djersës arrihet një përqendrim më i madh i rruazave të kuqe të gjakut dhe të trombociteve, duke shtuar rrezikun për shfaqjen e trombozave dhe ishemive te personat e predispozuar. “Patologjitë e vjetra zakonisht përkufizoheshin si ‘inspissatio sanguinis’”,- shpjegon Domenico Palombo, kirurg vaskular dhe predisent i Sicve. Sipas tij, te personat e predispozuar kjo gjendje favorizonte zhvillimin e trombozave venoze dhe arteriale. Faktorët predispozues përfaqësohen nga disa sëmundje hematologjike, si shtimi i trombociteve dhe ai i rruazave të kuqe të gjakut, për të kaluar te problemet që shfaqen me koagulimin, konjunktivitet e shkaktuar nga sëmundjet e imunitetit dhe tumorale. Në veçanti, trombozat arteriale janë më të fshehura. Janë të shumtë studimet që mbështesin rolin e “inspissatio sanguinis” në shfaqjen e këtyre trombozave. Kjo është arsyeja që gjatë kësaj periudhe të vitit kërkohet një kujdes i jashtëzakonshëm për parandalimin e këtyre problemeve. Nga analizimi i të dhënave të mbledhura nga rastet klinike të paraqitura ndër vite, ka rezultuar se ekziston një lidhje e ngushtë mes nxehtësisë dhe shtimit të numrit të rasteve me këtë patologji.
    Rregullat antitrombozë
    Pini vazhdimisht ujë, deri në 2 litra në ditë, në mënyrë që të arrini ta bëni gjakun më fluid
    Nëse djersini shumë, përdorni përbërës të kripës
    Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta
    Mos praktikoni aktivitete fizike intensive, sidomos nëse dielli është i nxehtë
    Mos e teproni me ushqime dhe preferoni perimet, frutat dhe brumërat
    Për personat e predispozuar këshillohet përdorimi i antikoagulantëve, por gjithmonë nën rekomandimin e mjekut specialist

    5. Zemra
    Problemet me zemrën mund të jenë shkaktarë kryesorë të vdekjeve në femra dhe meshkuj, por ju nuk keni pse te trembeni duke e pranuar si një risk tuajin. Edhe pse nuk mund të keni fuqinë të ndryshoni disa faktorë rriskues si historia e familjes, mosha dhe raca, ju keni gjithmonë në dorë të jetoni me stil. Shmangni dëmtimet në zemër, duke lënë duhanin, bëni ushtrime rregullisht dhe hani ushqime të shëndetshme. Ja pesë strategjitë nga mund t’ia nisni: Mos pini duhan! Nëse i bëni dalje duhanit, atëherë keni në dorë fuqinë e madhe të parandalimit nga infarktet. Cilësia e cigareve nuk të jep siguri. Cigaret me përqindje nikotine të ulët, janë njësoj rriskues si për ata që nuk e pinë duhanin por e marrin në ambientin ku pihet nga të tjerët. Femrat që pinë duhan janë shumë herë më të rriskuar se të tjerat. Madje kanë një ulje të moshës së infarkteve, mbi 35 vjeç. Tashmë e dini se ushtrimet gjimnastikore janë më e mira për ju. Por ende nuk bëni asnjë: Ushtrimet e rregullta fizike të kombinuara me një jetë të organizuar mirë, ndihmojnë në arritjen e një peshe trupore normale dhe reduktojnë mjaft goditjet në zemër. Ato ndihmojnë reduktimin e presionit të lartë të gjakut, kolesterolit të lartë dhe diabetit. Përdorni një dietë të pasur me fruta, perime, drithëra, peshk që mbrojnë zemrën. Limitoni konsumimin e yndyrave, si mish, djathë, gjalpë, qumësht. Përdorni fasulet dhe thjerrëzat në vend të mishit. Frutat dhe perimet janë parandaluesit kryesorë jo vetëm të sëmundjeve të zemrës por edhe të kancerit, shprehet kardiologët. Ruani peshën normale. Mbipesha është e rrezikshme. Bëni rregullisht ekzaminime. Presioni i lartë i gjakut dhe kolesteroli i lartë dobësojnë sistemin kardiovaskular, duke përfshirë dhe zemrën.
    Ekzaminimet e rregullta ju tregojnë rrugën se ku të mjekoheni.

    6.Infrakti
    Mbi 25 për qind të njerëzve që vdesin nga sulmi në zemër, nuk kanë simptoma paralajmëruese, siç është dhimbja e gjoksit. Nuk mund të mbështetemi në mendimin se, “nëse kam sulm në zemër, mjekët do të më shpëtojnë dhe do të më japin barna, sepse disa njerëz nuk arrijnë në spital, vdesin në shtëpi”. Për këtë arsye, parandalimi duhet të fillojë herët. Infarktet në zemër ndodhin kur një ose më shumë arterie të zemrës bllokohen, duke zvogëluar ose ndërprerë rrjedhën e gjakut që të arrijë në një pjesë të caktuar të muskulit të zemrës. Ato zakonisht paraprihen nga formacionet e depozitimit të yndyrave ose pllakave yndyrore brenda murit të arterieve, duke bërë që të formohen mpiksjet e gjakut (trombët) të cilat e mbyllin arterien. Nëse furnizimi me gjak ndërpritet disa minuta, pason vdekja. Një prej veprimeve që duhet të bëni për ta parandaluar sulmin në zemër është ndryshimi i ushqimit.
    Duhet të merrni të gjitha ushqimet, por dominues duhet të jetë ushqimi vegjetarian, i përbërë nga pemët dhe perimet e freskëta, të cilat përmbajnë vitamina dhe minerale.
    Merrni një lugë vaj ulliri në ditë bashkë me sallatë dhe përdorni më shpesh mishin e peshkut, i cili përmban acide të shumta yndyrore omega-3, që zvogëlojnë kolesterolin dhe si rrjedhojë, edhe rrezikun për sëmundje kardiovaskulare.
    Disa vezë në javë nuk janë të ndaluara. Edhe mishi lejohet, por pa dhjam dhe në sasi më të vogël. Po ashtu mund të merren në sasi jo të tepërt edhe arrat, bajamet, lajthitë dhe shqemet, por në kokrra të plota. Kontrollimi i porcionit do të ndihmojë që të keni në dorë peshën tuaj. Kur të gatuani mos hidhni gjysmën e orizit në tenxhere, por duhet ta matni atë. Shmangni lëngjet e ftohta dhe ushqimet e kripura. Nëse mund të braktisni disa kafshime, keni krijuar barrierë ndërmjet jush edhe ushqimit. Jeni të ngopur, por nuk jeni aq sa të keni nevojë të shkopsitni pantallonat.

    7. Qarkullimi i gjakut
    Lëng i kuq në vena i domosdoshëm për jetën tek njerëzit dhe kafshët e rendit më të lartë që mbart oksigjen, lëndët ushqyese etj. përbrenda trupit dhe mban në marrëdhënie me njëri-tjetrin qelizat aktive dhe indet e trupit; ndonjëherë quhet kështu edhe lëngu me funksion të ngjashëm tek kafshët e rendit më të ulët. Lidhja e vazhdueshme që mundëson gjaku midis qelizave aktive dhe indeve të trupit furnizon indet me energji dhe lejon daljen e materialeve te padobishme, përfshirë acidin karbonik, të cila kalojnë nga indet ne gjak. Normalisht zbret çdo 24 orë përafërsisht dy deri tre litra lëngje në zorrë nga ushqimi dhe pijet. Përveç kësaj krijohen çdo 24 orë gjashtë deri shtatë litra lëngje në kanalin midis stomakut dhe zorrës nga gjëndrat e pështymës, stomaku, pankreasi, tëmthi dhe zorra e hollë. Pjesa më e madhe e lëngjeve thithet nga muri i zorrës thellë në zorrën e hollë dhe kalon pastaj në gjak. Pirja e një deri në dy gota uji esëll në mëngjes është kuruese, sepse te gjitha helmet që janë formuar natën ne gjak pastrohen. Sekrecionet e shumë gjëndrave të trupit kalojnë nëpërmjet gjakut në indet e ndryshme që janë të destinuar të influencojnë. Gjithashtu qarkullimi i gjakut luan rol themelor në mbajtjen konstante të temperaturës së trupit në pjesë të ndryshme të tij. Nga neuropërcjellësi katekolaminë varet kontrolli i trysnisë së gjakut. Gjaku është me ngjyre te kuqe, viskoz, opak, alkalin (në reaksion) e me një erë të dobët por karakteristike. Përbëhet nga një likuid transparent, ngjyrë të verdhë të hapur i quajtur plazma ose liquor sanguinis, në të cilin ”notojnë” një numër i pafund qelizash apo trupëzash, qelizat e bardha dhe të kuqe e plateletet e gjakut.



    8. Dhimbja e gjoksit
    Çdo person me moshë 40 vjeç e lart, që ankohet për dhimbje gjoksi duhet të kërkojë ndihmën mjekësore, sepse këto dhimbje mund të kenë origjinë nga sëmundje të zemrës që përbëjnë dhe një urgjencë mjekësore të padiskutueshme, neurologjike (nervore), dhimbje të muskulaturës (mialgji), për shkak të sëmundjeve të mushkërive. Dhimbjet e gjoksit, të shkaktuara nga sëmundje të zemrës kanë këto karakteristika: shtypëse, shpuese, gërryese, shtrënguese.
    Ato gjithashtu shoqërohen me shenja dytësore si: ndjenjën e frikës, djersë trupore, zbehje. Kohëzgjatja e dhimbjes mund të jetë 2-10 minuta, por mund të jetë edhe më e zgjatur, me ndërprerje ose jo. Masat që duhet të merrni në këtë rast është të bëni pushim absolut, duke ndërprerë çdo lloj aktiviteti, qoftë fizik apo mendor. Angina është një dhimbje gjoksi ose një shqetësim i cili ndodh kur muskuli i zemrës nuk merr mjaftueshëm gjak. Angina mund të ndihet si një dhimbje shtrënguese në kraharor. Dhimbja mundet, gjithashtu, të ndodhë ose të përhapet edhe në shpatulla, krahë, qafë, grykë ose në shpinë. Shumë njerëz me angina pektoris kanë sëmundje të arterieve koronare, me ngushtim të arterieve si rrjedhojë e aterosklerozës. Kur arteriet janë ngushtuar rrjedhja e gjakut për në zemër reduktohet. Format më të shpeshta të angines janë angina e qendrueshme dhe ajo e paqëndrueshme. Një formë më pak e hasur është angina që është quajtur angina variant (e luhatshme). Angina e qëndrueshme është dhimbja e gjoksit apo shqetësimi i cili ndodh kur zemra është duke punuar më shumë se zakonisht. Dhimbja e anginës së qëndrueshme kalon kur personi qëndron, qetësohet, apo merr medikamentin për anginën. Ilaçet e anginës, siç janë nitritet, ndihmojnë në zgjerimin dhe qetësimin e arterieve. Në këtë mënyrë mund të shkojë më shumë gjak për në zemër. Angina e paqëndrueshme është një gjendje shumë e rrezikshme e cila kërkon një trajtim urgjent. Angina e paqëndrueshme është një shenjë që tregon se infarkti i miakordit mund të ndodhë shpejt. Angina e paqëndrueshme mund të ndodhë pa shtim të aktivitetit fizik. Kjo anginë nuk lehtësohet nga të qëndruarit në qetësi ose mjekimi. Angina variant shkaktohet nga një spazëm në një arterie koronare. Spazma shkakton ngushtim të mureve të arterieve. Ky ngushtim i arterieve pakëson ose ndalon rrjedhjen e gjakut për në zemër. Diagnostikostikimi i anginës bazohet në anamnezën personale, familjare egzaminimin fizik dhe rezultatet e testeve të ndryshme kryesisht EKG-së. Kur ilaçet dhe ndryshimi i stilit të jetës nuk e kontrollojnë anginën, atëherë mund të nevojiten procedura të posaçme. Angioplastika dhe byipass-i i arterieve koronare janë dy procedurat më të zakonshme që përdoren për të trajtuar

    "Gazeta Albania"
    "Carpe Diem"

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Drafti për Unitet
    Nga Modesti në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 39
    Postimi i Fundit: 04-08-2010, 16:10
  2. Sheikh Muhamed Nasuridin Albani
    Nga forum126 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 19-08-2009, 11:01
  3. Shkrimet e Hershme: Bariu i Hermansit
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 13-12-2006, 08:01
  4. Standartet demokratike të Kosovës
    Nga Albo në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 12-11-2005, 07:12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •