TIRANË- Kriza ekonomike është shtruar këmbëkryq në vendin tonë. Të dhënat e fundit që sjell Partia Socialiste janë alarmante. "Mbi 10.000 punonjës kanë humbur vendet e punës, 500 punonjës të ndërtimit janë në risk, 600 punonjës të Alpetrol për dy muaj s'marrin rrogat, mijëra të tjera janë përballë uljes së pagave apo humbjes së vendit të punës në sektorin privat dhe public". Kështu është shprehur sot Arben Malaj.
Ndryshe nga çfarë ishte deklaruar deri tani nga qeveria se kriza ekonomike nuk e ka prekur vendin tonë, të dhënat flasin ndryshe. Flasin për krizë pune. Bizneset për shkak të mungesës së aktivitetit, nuk kanë mundësi të paguajnë punëtorët, sidomos në sektorin e ndërtimit. Sipas PS-së, janë në risk për të dalë pa punë 500 vetë, si të punësuar në ndërtim. Po kështu, janë 600 punonjës të kompanisë së naftës, Alpetrol që nuk po marrin dot pagat e para disa muajve.
Në këtë kuadër, Partia Socialiste paralajmëron qeverinë të marrë masa dhe jo të rrisë rrogat e pensionet. "Ne nuk jemi kundër rritjes së pagave, pensioneve dhe investimeve, por jemi qartësisht kundër çdo rritjeje abuzive thjesht elektorale, që nesër do t´i bëjë pensionet, pagat, asistencën për të paaftët dhe të papunët të vlejnë më pak", u shpreh Malaj nga selia e PS-së.
Para pak ditësh, FMN-ja deklaroi se rritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2009 mund të jetë zero ose edhe më pak. Ndërkohë, që edhe INSTAT, në të dhënat e fundit që publikoi, deklaroi rënie të eksporteve me 13 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Malajt, vetëm një qeveri për të cilën pushteti është gjithçka, mund të injorojë rrisqet në rritje që ka ekonomia shqiptare nga rënia 6 - 10% e rritjes ekonomike, si dhe nga rritja e defiçitit buxhetor dhe borxhit publik. Ndërsa evidentoi faktin se kostoja e financimit të borxhit për shpenzimet dhe investimet elektorale po rritet nga 6% në 9,3%.
Ndaj, Malaj propozon: Qeveria një orë e më parë duhet të ndërmarrë një paketë konkrete antikrizë, si në pjesën e të ardhurave ashtu edhe të kontrollit të shpenzimeve. "Këtë e kanë bërë sot me jo pak kosto, por më shumë përgjegjësi shumë qeveri, jo vetëm të vendeve të rajonit", përfundoi ai.
Shekulli
Krijoni Kontakt