Propozimet e Kryesisë së BI të Kosovës për ndryshime dhe plotësime drejtuar Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës
KOMISIONIT KUSHTETUES
PËR HARTIMIN E DRAFT-KUSHTETUTËS
SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
PRISHTINË
LËNDA: Propozimet për ndryshimin dhe plotësimin e draft-
Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, pas leximit dhe analizimit të Draft-Kushtetutës, konsideron se komisioni i nderuar ka bërë një punë të madhe, e cila gjithsesi duhet vlerësuar lart. Megjithatë, kjo kryesi, në emër të organeve dhe institucioneve të BI-së dhe në emër të saj, duke u bazuar në momentin aktual politik dhe duke i vlerësuar rrethanat aktuale ekzistuese, komisionit të respektuar kushtetues, minimalisht i bën këto:
P R O P O Z I M E
Neni 1.
Alineja 3 e këtij neni të jetë: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti.” (Pjesa vijuese e kësaj alineje të fshihet).
Neni 8.
Neni 8 i propozuar, të ndryshohet dhe të bëhet: “ Republika e Kosovës është shtet neutral në çështje të fesë”.
Neni 38.
Tek alineja 1, ku shkruhet: “Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar“ të shtohet edhe : “Ajo mund të ushtrohet lirshëm në jetën private dhe publike”.
( Sa për ilustrim, kështu e ka te rregulluar Kushtetuta e Sllovenisë dhe disa të tjera)
Pas paragrafit 1 të nenit 38, të shtohet edhe një paragraf me këtë përmbajtje: “Institucionet publike sigurojnë manifestimin dhe praktikimin e besimit”.
Pas paragrafit 3 të nenit 38, të shtohet edhe një paragraf:
“Shteti siguron mbajtjen e mësimit (kulturës ose edukatës) fetare tradicionale në shkollat publike”.
Neni 39.
Paragrafi 4 të plotësohet dhe të jetë:
“Bashkësitë fetare kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare, institucione arsimore-edukative dhe institucione bamirëse, të cilat shteti i ndihmon në përputhshmëri me këtë Kushtetutë dhe me ligjin”.
Pas paragrafit 4 të shtohet edhe një paragraf me këtë përmbajtje:
“Shteti i financon bashkësitë fetare tradicionale”.
(Duke qenë se këta besimtarë-shtetas janë taksapagues të po këtij shteti, është e drejtë e natyrshme dhe legjitime të gëzojnë nga shteti financimin e bashkësive të tyre).
Vërejtje e përgjithshme:
Në tërë tekstin e draft-Kushtetutës fjala “konfesion” të zëvendësohet me fjalën “bashkësi”.
(Sepse në tekst bëhet fjalë për bashkësi po thuhet konfesion, gjë që shkencërisht dhe logjikisht nuk qëndron).
* * *
Të nderuar anëtarë të Komisionit kushtetues!
Këto janë vetëm disa nga vërejtjet dhe propozimet tona. Jemi përcaktuar në minimumin që mund t’Ju propozojmë.
Duke Ju falënderuar për mirëkuptim dhe me shpresë se këto propozime do t’i përfillni, me se do t’i nderoni të gjithë besimtarët, Ju përshëndesim sinqerisht.
Prishtinë, 1 mars 2008
Me respekt,
K R Y E T A R I,
Myftiu mr. Naim Tërnava
Propozimet e bashkësive fetare tradicionale të Kosovës: Kryesisë së BI-së të Kosovës dhe Ipeshkëvisë së Kosovës për ndryshime dhe plotësime drejtuar Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës
REPUBLIKA E KOSOVËS
KRYESIA E BASHKËSISË ISLAME
IPESHKËVIA E KOSOVËS
dt.17 mars 2008
KOMISIONIT KUSHTETUES TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
PRISHTINË
Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike e Kosovës, pas shqyrtimit të kujdesshëm të Projekt-Kushtetutës, kanë qëndrim të përbashkët rreth disa çështjeve parimore dhe tejet të rëndësishme mbi jetën dhe familjen. Prandaj, duke u nisur nga fakti se jeta është e pacenueshme dhe e shenjtë, dhe se familja është qeliza bazë e çdo shoqërie, ne si përfaqësues të bashkësive fetare dhe për të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve, propozojmë që në Projekt-Kushtetutë të bëhen disa ndryshime dhe plotësime të domosdoshme.
Në Projekt-Kushtetutë, kapitulli II, neni 25 (E drejta e jetës), pika 1 thuhet:
“Secili individ që nga lindja gëzon të drejtën e jetës”.
Ne propozojmë që kjo pikë të ndryshohet si vijon:
“Secili individ që nga ngjizja (fillimi, zanafilla) gëzon të drejtën e jetës”.
Arsyetim
Për ne si shqiptarë dhe si fetarë, jeta është e pacenueshme dhe e shenjtë që nga zanafilla deri në mbarimin e saj natyror, pra në çdo fazë apo periudhë të saj.
Kjo bindje dhe ky përcaktim mbështetet në traditën tonë, në parimet fetare dhe në realitetin shkencor.
Neni 37 (E drejta e martesës dhe familjes), pika 2, thuhet:
“2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve”.
Ne propozojmë që kjo pikë e këtij neni të ndryshohet ose të përplotësohet si vijon:
“Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve të gjinive të kundërta (të ndryshme).”
Arsyetim
Formulimi i Projekt-Kushtetutës neni 37, pika 2, nuk është i qartë sa duhet, dhe jep mundësi të keqinterpretimeve dhe keqpërdorimeve.
Ne jemi thellësisht kundër legalizimit të martesave brenda gjinisë së njëjtë, për faktin se kjo është në kundërshtim të plotë me vetë natyrën e njeriut, dhe si e tillë edhe kundër Krijuesit të tij.
Neni 39 (Konfesionet Fetare), pika 3, thuhet:
“Konfesionet fetare janë të lira që të rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm, veprimtaritë fetare, si dhe ritet fetare”.
Ne propozojmë që kësaj pike t’i shtohet si vijon:
“Konfesionet fetare janë të lira që të rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm, veprimtaritë fetare, ritet fetare, si dhe disponimin e pronave dhe të mirave materiale”.
Arsyetim
Bashkësitë tona fetare jetojnë kryekëput nga kontributet e besimtarëve, prandaj ato duhet të gëzojnë të drejtën e disponimit dhe të menaxhimit në mënyrë autonome të mjeteve të tilla.
* * *
Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike e Kosovës janë thellë të bindura se këto propozime të cituara janë minimum i kërkesave tona dhe, si të tilla, do të hasin në mirëkuptimin dhe pëlqimin e Komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në qoftë se këto propozime nuk merren parasysh nga Komisioni Kushtetues, jemi të detyruar që këto qëndrime tona, t’i bëjmë publike duke theksuar mospëlqimin tonë të plotë në pikat e lartpërmendura.
Propozimet e dërguara me shkrim nga secila Bashkësi Fetare veç e veç (Islame dhe Katolike), mbesin në fuqi dhe shpresojmë se edhe ato do të hasin në mirëkuptimin e Komisionit Kushtetues.
Me nderime,
Për Bashkësinë Islame, Për Kishën Katolike
Kryetari, Myftiu Naim Tërnava Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës
Krijoni Kontakt