• Genc Kondi/ Elira Çanga
Mos lejoni që rusët të marrin sektorin strategjik të naftës shqiptare! Ka qenë ky reagimi i shumë përfaqësuesve të biznesit, qeverisë, medias dhe qarqeve akademike kosovare, të kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” ditët e fundit, pas publikimit të artikujve të saj, që kanë sinjalizuar se kompani ruse, të lidhura me interesat e drejtuesve më të lartë të Kremlinit, kanë marrë nga ministri i Energjetikës, Genc Ruli, oferta për blerjen e 85 % të aksioneve të ARMO-s, tenderi për të cilin ka filluar dhe më 21 maj shpallet parakualifikimi. Të fshehura pas kompanive të tilla, si “Penta Group” (çeke), INA (kroate) ose MOL (hungareze), praktikisht fshihen “Yukos”, “Rossneft”, “Gazprom” etj, të cilat me të sipërpërmendurat kanë marrëdhënie të fshehta aksionere dhe i kanë përdorur për të siguruar hyrjen në tregun energjetik të rajonit të Europës Qendrore e Ballkanit. Kontrolli i industrisë së vetme të përpunimit të naftës në vend, do të krijonte mundësinë që Rusia të ndikonte mbi politikën dhe diplomacinë, jo vetëm të Tiranës zyrtare, por edhe në shmangien e prirjes së shpallur pro-perëndimore të mbarë kombit shqiptar drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian, - theksojnë të intervistuarit nga Kosova. Ja se ç’thanë ata, konkretisht për “Gazetën”
Prof.dr. Musa Limani
Si ekonomist dhe intelektual shqiptar, kam të drejtën të jap opinionet e mia edhe për rrjedhat ekonomike në Shqipëri, sepse trendet ekonomike që zhvillohen në vendin amë, reflektohen në mënyrë indirekte apo direkte edhe në Kosovë. Parimisht, nuk jam dakord me privatizimin e burimeve natyrore, sepse ato nuk janë pasuri e ndonjë subjekti, por janë begati gjithëkombëtare. Prandaj, duke u nisur nga e kaluara historike e hidhur shqiptare, mund të them se ajo çka vjen nga Rusia, nuk është në të mirën e shqiptarëve. Qëndrimi antishqiptar i Rusisë u tregua edhe tani, me rastin e pavarësisë së Kosovës. Ishte i vetmi vend, i cili, pa kurrfarë të drejte dhe arsyeje, ishte këmbëngulës kundër pavarësisë së Kosovës, që njëkohësisht do të thotë edhe kundër interesit gjithëkombëtar. A nuk do ta bënte këtë, nëse futej në sektorin e naftës në Shqipëri?
Prandaj, unë mendoj, duke u nisur nga fakti se Rusia, historikisht gjithmonë ka mbajtur qëndrim antishqiptar, se ajo, po të arrinte të kontrollonte kompaninë shqiptare të naftës, ARMO, me siguri nuk do të angazhohej për të mirën dhe zhvillimin e Shqipërisë, por për fitimet e saj. Kontrolli i Rusisë në sektorin e naftës, Shqipërinë do ta shndërronte në një neo-koloni (ndoshta, madje, edhe në një koloni klasike) ekonomike. Jo vetëm për ekonominë e Shqipërisë, por edhe për ekonominë e Kosovës do të ishte një handikap i madh, nëse Rusia do të kontrollonte sektorin e naftës në Shqipëri. Me këtë rast, ajo do të kontrollonte edhe zhvillimet ekonomike të Shqipërisë. Rusia asnjëherë nuk do të kontribuojë në dobi të ekonomisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. Përkundrazi, ajo do të jetë pengesa kryesore ndaj integrimit dhe zhvillimit ekonomik mbarëkombëtar.
Me siguri që Rusia do të tentojë që proceset ekonomike të Shqipërisë t’i lidhë, kryesisht me ekonominë e saj, nëpërmjet këmbimit ndërkombëtar ekonomik, transferimit të proceseve teknologjike, furnizimit me lëndë të para, tregut të punës, të kapitalit etj. Në këtë mënyrë, do të sprapste orientimin pro-perëndimor, politik dhe ekonomik të Shqipërisë dhe do të synonte izolimin në proceset integruese me ekonominë e Kosovës.
Safet Gërxhaliu
Shef i Marrëdhënieve me Jashtë pranë Odës Ekonomike të Kosovës
Ne ndodhemi në procese integruese dhe vërtet jemi në një ekonomi të lirë të tregut, por pavarësisht nga kjo, të gjitha vendimet e mëdha për çështjet ekonomike dhe të energjetikës duhet të ndërmerren, duke pasur parasysh edhe detyrimet morale dhe etikën e biznesit. Këtë e mishëron nacionalizmi ekonomik; ai është pjesë e ekonomisë dhe tregut tonë të lirë. Duke u nisur nga përvoja e hidhur e Kosovës përballë pengesave që ka vendosur Rusia ndaj pavarësisë së saj, duhet të kemi parasysh se Shqipëria nuk duhet të bëhet çerdhe e atyre që kanë rezerva ndaj interesave kombëtare, që kanë qëndrim armiqësor ndaj Kosovës, por dhe shqiptarëve. Interesat kombëtare në këtë rast, duhet të mbahen mirë parasysh.
Përveç qëllimit ekonomik, hyrja e kompanive ruse në tregun shqiptar është më tepër një qëllim politik, dhe Rusia do të dijë ta përdorë këtë, si një mjet për të vonuar proceset integruese të Kosovës. Më pas, me siguri do të vijonin implikime dhe reflektime negative në Kosovë. Hyrja e kapitalit rus në Shqipëri, pa dyshim do të kishte edhe efekt negativ, ndoshta jo tani për tani, por më vonë, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Blerim Rexha
Zëvendësministër,
Ministria e Energjisë dhe Minierave e Kosovës
Është evidente që Rusia është duke e përforcuar pozitën e vet në sektorin e energjisë në Europë, përfshirë pjesën e saj juglindore. Shpresoj që çdo lëvizje e Shqipërisë në çdo fushë, do të jetë në mbështetje të njohjes së mëtejshme dhe konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës.
Kosova tani është shtet i pavarur, dhe ky fakt nuk mund të injorohet më nga askush.
Gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt