Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Humanisti
    Anëtarësuar
    03-05-2008
    Vendndodhja
    Prizren
    Postime
    278

    Prizreni, qendër e rëndësishme në kohën e Skendërebeut

    ~ Prizreni qendër administrative gjatë Epokës së Skënderbeut

    Lidhur me studimin e qytetit të Prizrenit si qendër administrative, janë marrur një sërë medievistësh të huaj si Konstantin Jireçeku, Milan Shufllaj, Johan Thalloci, St. Novakoviçi, Ivan Bozhiçi, Mihajllo Diniçi, dhe vendas Dr. Skënder Rizaj, Dr. Jahja Drançolli, Dr. Selim Daci, Dr. Pranvera Bogdani, Dr. Kasem Biçoku, Dr. Luan Malltezi etj.

    Duke filluar nga fundi i shekullit XIV, me daljen në skenë të familjeve feudale arbërore, qyteti I Prizrenit u shëndrrua në qendër administrative, politike, tregtare dhe fetare.
    Në kohën e dinastisë Nemanjidase, Prizreni në burimet dhe dokumentet e kohës del si qytet me tipare pothuajse perëndimore në arealin e këtyre trevave. Ai përbëhej prej qytetit kala - castellum dhe nga Civitas - Varoshi i cili gjendej përbri kështjellës. Gjatë gjysmës së parë të shek. XIV, këtu lëshoheshin kartat apo diplomat nga sundimtarët Nemanjidas të cilat i’u ipeshin raguzanëve për qështje tregtare, dhënje të beneficioneve, por nuk përjashtoheshin as marrëveshjet me personalitetet vendase.
    Raguzasit kishin rolin vendimtarë në jetën tregtare të qytetit. Këtu eksportoheshin mallrat e tyre në të gjithë Ballkanin kurse eksportoheshin deri tek qyteti i Venedikut i cili njëherit konsiderohej si skela e Adriatikut. Pas rënies së dinastisë së Nemanjidasve, Prizreni bie në duart e Balshajve të cilët e pushtuan qytetin në vitin 1371 dhe Pejën (1372), duke depërtuar deri në Kriva Rekë ku raguzasit paguanin doganën e tyre. Sipas disa studiuesve ata zotëronin edhe qytetin e Novobërdës. Poashtu si sundimtarët Nemanjidas edhe Balshajt I akomoduan raguzasit në këtë qytet. Në kohën kur Prizreni ishte i rrethuar nga Nikolla Alltomanoviçi këta të fundit ishin strehuar në manastirin e Kryeengjujve. Balshajt e çliruan qytetin kurse si shpërblim nga raguzasit Gjergj Balsha mori katër pancir. Ndërsa Gjergji si privilegj iu jep atyre doganën e Prizrenit. Sipas Millan Shufllait, Balshajt kishin në Prizren edhe ipeshkvin katolik ( frater Johannis episcopus Prizrenensis ), i cili kishte lënë në Ston katër libra si testament më 16 qershor 1375. Si dëshmi dhe gjurmë e administrimit të Prizrenit nga Balshajt është varri i Strazimir Balshës i gjetur afër varrit të Dushanit në manastirin e Kryeengjujve nga arkeologu serbë Radosllav Gruiç në vitin 1927. Balshajt, edhe shpirtërisht ishin të lidhur me Prizrenin. Pas humbjes së betejës së Savrës më 1385 dhe pas sulmeve të parreshtura osmane, Balshajt e humbin kontrollin në këtë anë duke ia lëshuar vendin dy principatave mjaft të fuqishme, e që lidhen ngushtësisht me Prizrenin.

    Kastriotët dhe Dukagjinasit zotërues të Prizrenit

    Ngjarjet që rodhën pas invadimit osman në trojet shqiptare në fillimet e viteve 80-ta të shek. XIV bënë që një pjesë e bujarisë arbërore të përkulen para osmanëve.
    Në skenën politike tani dualën në krye Dukagjinasit të cilët kishin hyrë në vasalitet të osmanëve. Vasaliteti i tyre daton qysh nga viti 1387 atëhere kur qeveria raguzane mirret vesh me dukagjinasit që të tregtojnë lirisht nëpër tokat e tyre të cilët shtriheshin që nga Lezha dhe Zadrima e deri në Prizren. Por, përderisa ishin Balshajt ende në pushtet në veri të Shqipërisë me qendër në Shkodër ata nuk mundën të konsolidoheshin për aq sa kishin mundësi gjeostrategjike. Këtë rast do ta shfrytëzojnë pas pushtmit osman të principatës së Gjon Kastriotit nga Sulltan Murati II në vitin 1430.
    Në fundin e shek. XIV dhe fillimin e shek. XV Kastriotasit u fuqizuan në pjesën verilindore të Shqipërsië duke zotëruar rrugët më të rëndësishmë që kalonin në këtë pjesë.
    Vëmendje dhe studim të posaçëm kësaj çështje i ka kushtuar Dr. Jahja Drançolli në punimin “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu dhe Kosova”, botuar në “Studime Historike” të Institutit të Historisë-Tiranë në vitin 1992.
    Sipas tij kronisti raguzan i shek. XVII, Jak Pjeter Llukari në kronikën të Raguzës flet edhe për Arbërin ku thot se: “Gjon Kastrioti, ishte zotërues i Krujës, familja e të cilit rrjedh nga fshati Kastrat apo Kastriot, nën juridiksionin e Hasit të Arbëris, jo fort larg lumit Dri”
    Lidhur me këtë edhe Frang Bardhi në Apologjinë e vet kushtuar Skenderbeut, polemizon me burimet e kohës si dhe me traditën e historisë gojore duke u pajtuarë me origjinën hasiane të Kastriotasve, dhe konkludon se “ kështu është në pajtim të plotë mendimi i përgjithshëm i kombit tonë ”.
    Gjatë dy dhjetëvjeqarëve të fundit të shek. XIV, zotërimet e Kastriotasve zgjerohen sidomos në drejtim të veri-lindjes, në rajonin e Prizrenit, të Gostivarit e të Tetovës. Gjoni pra siq dihet kishte katër djem më I vogli prej të cilëve ishte Gjergj Kastrioti-Skenderbeu i cili do të shquhet në mbrojtjen e tokave arbërore nga osmanët e sidomos të atyre verilindore.
    Shteti i Kastriotasve përshkohej nga rrugë tregtare shumë të rëndësishme, veqanërisht rruga mesjetare Via de Zenta që e lidhte qytetin e Prizrenit me viset bregdetare të Shkodrës e të Lezhës. Sipas burimieve osmane gjyshi i Skënderbeut, Gjergj Kastrioti kishte marr pjesë në betejën e parë të Kosovës më 1389.
    Në një dokument të vitit 1420, Gjon Kastrioti si vasal i osmanëve i’u lejon tregtarëve raguzan që të tregtojnë në tokat e tij prej Shufadas e deri në Prizren. Kjo tregon njëherit se Prizreni ishte urë-lidhëse në mes Lindjes dhe Perëndimit ku mallrat raguzane hynin në grykën e Shufadas e pastaj kalonin nëpër vaun e Dejës dhe mbërrinin në Prizren për të marr rrugën për në Novobërdë e gjetiu.
    Pas pushtimit të Selanikut i cili ishte koloni e rëndësishme e venedikasve në detin Egje, osmanët nën udhëheqjen e vet sulltan Muratit II dhe të komandantit Ishak beut pushtuan tokat e Gjonit duke e suprimuar prej privilegjeve te mëparshme me ç’rast i shkretohen një sërë kështjellash duke përjashtuar vetem kështjellën e Krujës e cila kishte një pozitë të veçant gjeostrategjike ku u vendos administruesi osman. Dobësimi I tyre solli në krye familjen e njohur të Dukagjinasve.
    Kjo më së miri shpjegohet nga dokumenti i vitit 1438 ku, osmanët për ta pasur mbrapashpinën e sigurt iu dhanë privilegje dukagjinasve që ti lejojn raguzanët të qarkullojn nëpër tokat e tyre dhe të paguajn doganën në afërsi të Prishtinës njësoj si në kohën Gjonit. Sipas studiuesit Tonin Çobanit, Lekë Dukagjini i biri i Palit ka lindur në Ulpianë, në vitin 1410, gjë që dëshmon, se ata u forcuan dhe u konsoliduan në këtë trevë, kurse Prizreni ishte kryeqendra e principatës së tyre.
    Lidhur me këtë humanisti shkodran Marin Barleti, në “Historin e jetës dhe vepravet të Skenderbeut” e cila u shkrua në frymën humaniste të kohës në fjalë, shton se Pali dhe djali i tij Nikoll Dukagjini ishin zotërues të Zadrimës së Sipërme si dhe të Misisë së Sipërme (Kosovës-A.RR), “krahinë e gjerë e pjellore për prodhime, e vaditur nga burime e përrenj tërë shëndet dhe e banuar “nga burra fortë trima”!

    Skënderbeu meremetoi kalanë e Prizrenit

    Në vitet e 40-ta të shek. XV Sulltan Murati II u interesua për pushtimin e Hungarisë. Me këtë rast, trupat osmane të udhëhequra nga bejlerbeu i Rumelis Shehabedin Pasha u munduan më kot të pushtonin territoret hungareze në vitet 1441-1442 sulme të cilat përfunduan me disfatë. Pasiqë u thye miti mbi ushtërin osmane, hungarezët u pregatitën për “fushatën e gjatë” kundër osmanëve për të çliruar viset e pushtuara në Ballkan. Kësaj ekspedite i ndihmoi edhe sulmi i Ibrahim beut të Karamanis mbi qytetet e Anadollit.
    Hungarezët të udhëhequr nga Janosh Huniadi princi i Transilvanis u lëshuan përgjat Danubit në territorin e despotatit të Rashës ku i’u bashkangjit edhe Gjergj Brankoviçi. Kështu në një letër që e dërgon Huniadi në Hungari thot se ushtëria e tij po rritej vazhdimisht me bullgar, “arbër”, vlleh, serbë etj, të cilët dëshirornin që të çliroheshin nga zgjedha osmane.
    Te dy ushtërit u takuan në afërsi të Nishit më 3 nëntor 1443. Sipas Jozef von Hamerit në Historin e Perandoris
    Osmane, vol I.ushtria osmane përbëhej prej tri kolonave të gjata të cilat komandoheshin prej bejlerbeut të Rumelisë, Kasem Pashës. Njëra kolonë ishte nën Ishak beun, nga familja e Evrenosëve, e dyta komandohej prej “një beu të panjohur” që ndoshta duhet të ketë qenë Skënderbeu. Dhe e treta nën Turhan beun, kolona të cilat u shpartalluan nga hungarezët. Pasi ushtria osmane pësoi disfatë të rëndë Skënderbeu shfrytëzoi rastin që te kthehet në vendlindjen e tij duke kaluar pikerisht nëpër Kosovë.
    Sipas Kasem Biçokut, Gjergj Kastrioti takohet në Prizren me Stanishën për ta konsoliduar pushtetin administartivo-politk. Folkloristi i njohur Qamil Haxhihasani në “Tregime popullore për Skënderbeun” të mbledhura edhe në viset e Kosovës thuhet se në bazë të historisë gojore të trashëguar nga brezi në brezë se “Skënderbeu kishte shetitur dhe mbledhur gurë në lumin e Drinit dhe kishte meremetuar kalanë e Prizrenit”. Kjo kryengritje njëherit konsiston edhe me çlirimin e viseve të tjera shqiptare të Kosovës duke depërtuar në lindje deri në kështjellën e Zveçanit dhe Novobërdës. Zotërues të këtyre dy kështjellave sipas Konstantin Jireçekut, janë Pjetër Spani me birin e tij Aleks Spanin si sundimtarë të kësaj ane. Kurse qytetin e Prizrenit dhe të Pejës e kishin në duar Dukagjinasit. Për këtë arsye ai do të shprehet në Kuvendin e Lezhës se donte të rikrijonte shtetin e Balshajve.
    Pas Prizrenit ai u drejtua nga Tetova e Dibra aty ku organizoi edhe planin për marrjen e kështjellës së Krujës me anë të një dredhie e cila është folur tash e sa here nga studiues të ndryshëm. Më 2 mars 1444 u organizua Kuvendi i Lezhës në të cilën Skënderbeu kishte rolin “PRIMUS INTER PARES” ( i barabartë në mesin e të barabartëve), ku u zgjodh komandant suprem i ushtrisë arbërore, kurse princat e tjerë u zotuan që do ta ndihmonin me ushtëri sa herë që të lypsej nevoja për të luftuar me osmanët. Dukagjinasit qysh gjatë ekspeditave të para ishin kyqur në mbrojtjen e kufijve të tyre. Në luftën me Venedikun 1447 Nikoll Dukagjini merr pjesë me trupat e tij në rrethimin e Danjës si dhe në vet betejën me venedikasit, por e veçant ishte përkrahja e Pal Dukagjinit për ti ndihmuar me një ushtrti prej 5000 vetash dhe për t’iu bashkangjitur Janosh Huniadit në Fushë-Kosovë.
    Megjithëse, Marin Barleti e ngatërron betejën e dytë të Kosovës 1448, me Betjën e Varnës 1444, thekson gatishmërin e Palit në kuvendin që e organizoi Skënderbeu në Lezhë për qështjen e Huniadit, përkundër princave që e kundërshtonin Skënderbeun, Pal Dukagjini u ngrit duke i këshilluar princat, dhe duke përkrahur Gjergjin, për në këtë ekspeditë, ku shprehet se “do ti jep 5000 ushtarë e në krye me ta edhe vehten e vet”. Gjeostratigisht dihet se kufijt e tyre kufizoheshin me ato të Gjergj Brankoviçit diku në Drenicë dhe ishte në interes që t’i largonin osmanët nga domeni i tyre.

    A u pushtua Prizreni më 1455 ?

    Pas betejës së II të Kosovës, Dukagjinasit u shkëputën nga Lidhja e Lezhës duke anuar nga venedikasit për tu lidhur përfundimisht me osmanët. Venedikasit bënin ç’mos që ti shkëputnin Pal dhe Lekë Dukagjinin nga Skënderbeu, pasiqë e dinin se pa këta princa, ai do të ishte i pafuqishëm duke pasë paraysh formacionin e tyre ushtarak prej 5000 vetash.
    Kështu, sipas Kristo Frashërit, Skënderbeu u mundua me të gjitha mjetet ti shkëpuste ata nga osmanët duke ndërmjetësuar deri tek papa Nikolla V i cili reagoi menjëherë duke dërguar, në vitin 1452 sipas Millan Shuflljat Pal Dushmanin (Engjëllin), peshkopin e Drishtit i cili ishte në farefisne me Dukagjinët. Ndërmjetësimi i tij pati sukses sepse Dukagjinasit u shkëputën nga miqësia me osmanët dhe lidhën paqë me Skënderbeun.
    Kjo, edhe ishte arsyeja që Sulltan Mehmeti i II pas pushtimit të Konstantinopojës 1453 u vërsul për ti pushtuar viset e Kosovës. Ai urdhëroi Isa beun që ta rrethoj kështjellën e Novobërdës. Pas një rrethimi njëvjeqar dhe pas bombardimit 40 ditësh, qyteti pushtohet më 1 qershor 1455. Së bashku me të pushtohen edhe dy kështjella në afërsi: Prilepci dhe Prizrenci. Në veri u pushtuan kështjella e Zveçanit, dhe Trepça me përjashtim të Prizrenit dhe të Pejës.
    Se kur u pushtua qyteti i Prizrenit, në historiografinë e huaj dhe atë shqiptare ka mendime të ndryshme. Jireçeku mendon se Prizreni është pushtuar më 21 qershor 1455. Këtë e ndjek edhe Franc Babingeri në biografin e Mehmetit II, por asnjëri e as tjetri nuk na jep proviniencën e kronikës apo burimit arkivor.
    Sipas Kasem Biçokut, sulltan Mehmeti i II ishte angazhuar vet në këtë rrethim ku vendos kampin në fshatin Reçan të Prizrenit në mesin e muajit qershor 1455. Njëri fshat gjendet në rrethin e Prizrenit, përkatësisht në Zhupën e Bistricës kurse tjetri Reçan gjendet në rrethin e Suharekës, për të cilin mendoj se ky duhet të ketë qenë vendi ku është stacionuar ushtria osmane në krye me Mehmetin II. Megjithat, Prizreni nuk ra të duar të osmanëve, pasiqë atë e mbrojti Nikollë Dukagjini me ushtrin e tij dhe “me banorët-burrat fort trima të Mysisë së sipërme”. Barleti për këtë princ thot: “ Nikolla, biri i Palit, për nga lavdia luftarake i ka kaluar shumë nderet e t’et dhe të të parëvet të vet. Një përmednore e këtij trimi, të pathyeshëm me atë të djathën e tij, si t’i themi, të pavdekëshme ndodhet akoma gjer më sot në Peneropolis, qytet i Thrakës ( Kosovës së sotme A.RR), të cilin sot vendasit e quajnë Prizren; mbi të janë varur mbeturinat e një mburoje armike, të cilën, në një betejë që është ende e freskët në kujtesën e njerëzvet, Nikolla e çau aqë keq me goditjen e shpatës së vet, sa që edhe dorën e armikut luftëtar e bëri të pavlefshme për luftë “. E dhëna e Barletit e përmendur më lart për ushtirnë prej 5000 vetash, dhe ndihma që duhet ta kenë pasur nga arbëroret e Rrafshit të Dukagjinit flet për një rezistenc të fuqishme dhe për pamundësin e pushtimit të qytetit nga osmanët.

    Prizreni ndoshta u pushtua përkohësisht në vitin 1459 dhe Peja më 1463. Dr. Skënder Rizaj, kundërshton Jireçekun dhe Franc Babingerin duke u bazuar në historianin turk Ismail Uzunçarlshli. Në veprën e tij Historia Osmane, vol.II, shton se në vitin 1459 veziri Mahmut pasha, pas pushtimit të Smederevës e nënshtroi edhe Prizrenin kryengritës. Kurse, osmanologu i njohur Jozef von Hameri thot se: Mehmeti pasi e pushtoi Prizrenin më 1459 i’u vërsul Smederevës. Kjo mund të forcohet edhe nga e dhëna e kronikës së kronistit osman Oruçit ku tregon “në vitin 863 hixhri (1459), sulltani, mblodhi ushtarë dhe sulmoi Semendren ( Smedereven ) të cilën e pushtoi dhe aty caktoi Mehmet beun si administrues, ndërsa Evrenos beun ( Isa beun A.RR) e urdhëron që të sulmoj “Vilajetin e Shqiptarëve” Mirëpo, Sipas prof. Biçokut, ky pushtim ishte i përkohshëm sepse nuk ishte konsoliduar pushteti osman në këtë qytet. Prezenca e Skënderbeut në këtë trevë dhe idea e tij e shtetit centralist që synonte ta krijonte, gjeti vend gjatë vititeve 60-ta. Në dokumente të viteve 1460-63 ai cilësohej si “Zot i Arbëris”. Për këtë shkak Lekë Dukagjini shprehet se “nuk don të jetë më nën Skënderbeun”. Ndërmetësimi i papa Piut II me ndihmën e Pal Engjëllit peshkopit të Durrësit në vitin 1463 bënë që Leka të shkëputet përfundimisht nga osmanët dhe te pajtohet me kryeheroin duke i shërbyer deri në shtratin e vdekjes. Sikur Lekë Dukagjini poashtu edhe princërit e tjerë e dinin se pa Skënderbeun në krye s’mund ti ndalnin hovin ushtrisë osmane e cila udhëhiqej nga sulltan Mehmeti i II , ndërsa Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte I vetmi strateg i kalitur e i edukuar në oborrin e Muratit dhe dinte të gjitha strategjitë luftarake osmane, vetem me ate ne krye mund ti mbanin larg osmanët prej Shqipërisë. Kështu për ta siguruar kufirin veri-lindorë dhe me kërkesën e mbretit boshnjak Tomashit, Skënderbeu kreu një fushtë të suksesshme në Sjenicë më 1464. Këtë e pohon edhe kronisti osman Ashik Pasha Zadeja në Historin Osmane ku thot se në vitet 1462-63, “Mehmeti hani I cili pushtoi Bosnjën, në atë kohë vuri si qëllim Hercegovinën dhe Shkodrën e shqiptarëve, ai nguli këmbë edhe për të tjera” ( kështjella A.RR ). Sipas Biçokut i cili bazohet tek medievisti rumun Francisk Pall nga burimet mesjetare të Arkivit të Napolit, konkludon se Skënderbeu në fillim të muajit shtatorë të vitit 1464 u nis me ushtrin e tij nëpër Prizren-Pejë në drejtim të Sjenicës me çrast ndeshet me ushtrinë osmane në Sjenicë të cilën e shpartallon.
    Nëqoftëse kjo tezë merret për bazë nga medievistët dhe nga studiuesit e tjerë atëhere do të linte të kuptojmë se Rrafshi I Dukagjinit duke përfshirë edhe një pjesë të Drenicës ishte ende mbrenda kufijve të shtetit centralist të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, deri në kohën kur ai u sëmur në shtratin e vdekjes më 1467, me ç’rast një ushtëri osmane u nis nga Prizreni nëpër Mirditë për ta pushtuar Shkodrën, por ajo u shpartallua nga Lekë Dukagjini diku në afërsi të Shkodrës.

    Kjo teme me eshte botuar ne gazeten e perditshme Koha Ditore 19 maj 2007

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Humanisti
    Anëtarësuar
    03-05-2008
    Vendndodhja
    Prizren
    Postime
    278
    Per ta shkruar kete tem me ka shtyer njohja ime qe kisha per mesjeten shqiptare, qasja e Skenderbeut ne kete ane te Kosoves apo si quhej ne ate kohe Mysia e Eperme.
    Nje gje tjeter eshte se ne kete qytet eshte edhe "minoriteti turk" i cili pretendon qe Prizreni eshte pushtuar patjeter me 1455 bile edhe me heret dhe ate me lehtesi!
    Kjo bie ndesh me burimet narrative dhe arkivore te cilat na i jep Marin Barleti, kronistet osman, studjuesit si Skender Rizaj, Jahja Drançolli, Kasem Biçoku etj.
    Pasiqe qyteti kishte nje pozite strategjike, kishte kalan dhe varoshin qe rralle qytete e kan ne Ballkan, perveq Beratit dhe Dubrovnikut ne Kroaci. Ate e mbronin here Skenderbeu e here Dukagjinasit sepse ishte domeni i tyre.

Tema të Ngjashme

  1. Jeta e Prizrenit fillon me Therandën e lashtësisë
    Nga Davius në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 03-08-2014, 06:49
  2. Deputet e Kosoves: Jo Prishtina por Prizreni kryeqytet
    Nga Val9 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 103
    Postimi i Fundit: 18-06-2009, 09:59
  3. HISTORIA E QYTETEVE SHQIPTARE (edmondfieri)
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 12-03-2008, 14:28
  4. Tifozët e Super Kampiones Tirana
    Nga BlueBaron në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 26-02-2006, 22:05
  5. Kosova me kod të ri ndërkombëtar postar
    Nga Arb në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 19-06-2005, 07:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •