Nga Express më 15.10.2009 në ora 9:50
Në pritje të hapjes së Panairit të Librit në Frankfurt, shkrimtarja gjermano-turke Seyran Ates diskuton për librin e saj më të ri, i cili përshkruan domosdoshmërinë e një revolucioni seksual në botën islame, debatin e fundit mbi integrimin në Gjermani dhe arrogancën e aktivisteve për të drejtat e grave.
SPIEGEL: Zonja Ates, në librin tuaj të ri kontradiktor, ju bëni thirrje për një revolucion seksual në botën islamike.
Ates: Ju nuk e dini se sa e nevojshme është kjo.
SPIEGEL: Por çfarë saktësisht mendoni me revolucion seksual?
Ates: Përdorimi im i termit është i bazuar në Wilhelm Reich dhe librin e tij mbi revolucionin seksual. Besoj se bota islamike duhet të përballet me pasojat e moralit të ashpër seksual, jo ndryshe nga mënyra që, siç e përshkruan ai, është marrë Bashkimi Sovjetik me rrethanat e veta. Duhet të gjurmojë shtegun e ndryshimit, mu sikurse çdo sistem totalitar duhet të bëjë për t’u bërë shoqëri demokratike. Pjesë e procesit është ajo që seksualiteti duhet të njihet si diçka që çdo individ e përcakton për veten e tij apo të saj. Institucione si policia religjioze apo morale duhet të shfuqizohen. Njerëzit që bëjnë seks para martesës nuk mund të ndëshkohen apo të izolohen nga shoqëria. Prindërit duhet të përballen me pyetjen se pse nuk e lejojnë vajzën e tyre 16 vjeçare të ketë të dashur, derisa djemtë e tyre mund të mburren rreth asaj se sa të dashura kanë. Edukata seksuale duhet të jepet si lëndë në shkolla. Prindërit nuk kanë nevojë ta bëjnë këtë, ata duhet ta pranojnë kur shkolla e bënë. Të rinjtë dhe të vjetrit që tashmë po e jetojnë seksualitin e vetpërcaktuar në botën islamike duhet të kenë më shumë besim në vete dhe të bëjnë t’u dëgjohet zëri.
SPIEGEL: Ku i shihni shenjat që ka ardhur koha për një zhvillim të tillë?
Ates: Shumë të rinj bëjnë seks para martesës dhe shumica nuk janë madje besimtarë të mëdhenj në institucionin e martesës. Vetëm shikojini ata të rinj. Ata po vlojnë nga pasioni. Ata kanë një dëshirë të madhe për jetën dhe ende janë të frenuar. Njerëzit në Lindje të Mesme janë poetë, që shkruajnë poezi nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe për çfarë shkruajnë ata? Për epshin. Djaloshi i vogël në rrugë e bënë këtë dhe kështu bëjnë edhe punëtori i ndërtimtarisë edhe akademiku. Ata të gjithë shkruajnë poezi mbi të njëjtin subjekt, subjektin që është i shtypur më shumë se gjithçka tjetër.
SPIEGEL: Ju i përmendni njerëzit në Lindjen e Mesme, por myslimanë ka në të gjithë botën. Shteti më i madh mysliman është Indonezia, një shtet aziatik. Në fakt, a mundemi t’u referohemi myslimanëve si grup unik?
Ates: Mendoj se është e mundur. Ekziston një lidhje e fortë kulturore në mesin e myslimanëve të botës: religjioni. Mendoj se është një religjion i mrekullueshëm, por interpretimi kulturor i këtij religjioni ka quar drejt represionit seksual. Nuk ka qenë tmerrësisht i ndryshëm në perëndim para pak kohe. Por nuk dua të jap një gjykim përgjithshëm dhe t’i trajtoj njëjtë të gjithë gjermanët dhe myslimanët.
SPIEGEL: Është gjithashtu e vështirë të kalohet një gjykim mbi një komunitet që mund të mos jetë aq homogjen. Thilo Sarrazin, anëtar i bordit në Bundesbank (banka qendrore e Gjermanisë), u kritikua kohëve të fundit kur shfaqi pakënaqësi për myslimanët gjermanë, veçanërisht në Berlin. A ka pasur të drejtë?
Ates: Besoj se vërejtjet e Z. Sarrazin kanë qenë me vend. Ne kemi probleme serioze në shoqërinë tonë multikulturore. Z. Sarrazin nuk është i pari që i ka shfaqur këto pakënaqësi.
SPIEGEL: Me fjalë të tjera, ai ka pasur tërësisht të drejtë?
Ates: Jo, është shumë më e ndërlikuar se aq. Z. Sarrazin është gjerman dhe kur një gjerman i një profili të lartë publikisht u referohet turqve, që nuk kanë ‘funksion produktiv’, atëherë aty ka mundësi të mëdha për keqinterpretim. Njoh turq nëpër rrugë që thonë gjëra të tilla, por atyre u lejohet. Z. Sarrazin jo – pa marrë parasysh sa e mirë ka qenë pjesa tjetër e artikullit të tij. Por ne myslimanët duhet t’i udhëheqim këto diskutime, për shkak se ato bëhen për ne.
SPIEGEL: Në rregull, atëherë na tregoni çfarë keni përjetuar. Ju keni qenë më sa duket një prej atyre vajzave tipike që keni jetuar me prindërit në Berlin dhe jeni mbajtur larg dashurisë.
Ates: Seksi nuk është diskutuar në familjen time. po ashtu ishin ndërmarrë hapa për t’u siguruar që unë të kem sa më pak të jetë e mundshme kontakte me djem. Natyrisht, nuk më është lejuar të kem dashnor. Asnjëra prej këtyre nuk është diskutuar. Ata nuk janë ulur për të thënë: e dashur bijë, ti je vajzë dhe kjo është arsyeja pse nuk mund të kesh të dashur, sepse ne nuk dëshirojmë që ti të flesh me një djalë para martesës. Apo: e dashur bijë, ti ke një cipë të virgjërisë dhe ne duhet të jemi të sigurt që ajo cipë e virgjërisë të mbetet e paprekur deri në martesën tënde. I tërë sistemi është i përcaktuar në atë mënyrë që gjithkujt i jepen instruksione të pashprehura për atë çfarë duhet apo çfarë nuk duhet të bëjë.
SPIEGEL: Pse është kaq e rëndësishme cipa e virgjërisë?
Ates: Për shkak se ka qenë gjëja kryesore, gjëja kryesore ndërmjet këmbëve të mija.
SPIEGEL: Si mendojnë ta zbatojnë prindërit myslimanë këtë bindje që e përshkruat? Shumë prindër gjermanë nuk mund madje t’i detyrojnë fëmijët e tyre t’i bartin pjatat e tyre nga tavolina deri në pjatalarëse.
Ates: Prindërit gjermanë kanë harruar se sa shumë mund të mbështeten tek dashuria e fëmijëve të tyre. Fëmijët janë besnikë. Që prej momentit që kanë lindur, ata rriten në një sistem nga i cili ata dëshirojnë pranim, dashuri dhe falënderim. Shumë turq gjermanë ashpërsisht e izolojnë veten prej botës përreth tyre. Kjo gjithashtu krijon një ndjenjë të komunitetit.
SPIEGEL: Sidoqoftë, në librin tuaj ju e përshkruani një botë që së brendshmi është e ndarë në disa mënyra. Ju pajtoheni se aty është një standard i dyfishtë, një mospërputhje ndërmjet pamjes së jashtme dhe jetës së brendshme.
Ates: Po, kjo është mënyra si e shoh unë. Kam përcjellë intervista për librin tim. Shumë djem të rinj që i kam intervistuar janë ankuar se mund të bëjnë vetëm seks anal, për shkak të cipës së virgjërisë. Prindërit dyshojnë dhe e dinë për këtë dhe ende ata nuk i lirojnë fëmijët e tyre nga kërkesat e tyre absurde. Nëse ky nuk është standard i dyfishtë, çfarë është?
(Vazhdon nesër)
http://www.gazetaexpress.com/index.p...17045/C6/C112/
Krijoni Kontakt