Fitimet dhe shpenzimet marramendëse të kampionëve që mbështeten nga një industri e tërë bastesh e reklamash
Një tjetër kontratë që të rrëqeth mishin: në olimpin e multimiliarderëve të sportit, tani hyn edhe Fernando Alonso. Rroga e re te Reno është vërtet marramendëse: 90 milionë për tri sezone. Rrogë e lartë, vetëm pak nën mesataren, nëse e krahasojmë me "bigët" e tjerë, duke filluar që nga mbreti i golfit. Sipas llogarive të thjeshta, Alonso do të përfitojë 30 milionë në sezon. Është shumë e sigurt që Fernando ka për ta harruar shpejt sezonin e "dështuar" te Mec Claren, sepse mekanizmi që shtëpia franceze e Reno-së ka zgjedhur për ta bërë për vete, është shumë efikas. Në fillimet e karrierës së tij, kampioni spanjoll i F1 fitonte jo më shumë se 10 milionë dollarë. Por, ky ishte vetëm fillimi. Jeta e vërtetë për të fillon tani, pikërisht aty ku e nisi dhe ku arriti të bëhej dy herë kampion bote. Në të vërtetë, sporti është një ndërmarrje gjigande që punon vetëm për një objektiv: të prodhojë sa më shumë para, ndaj edhe sportisti që bën pjesë në të, më shumë se të drejtojë, të gjuajë, kërcejë apo vrapojë, fiton duke parë. Strategjitë që u përkasin kampionëve të të ardhurave janë perfekte dhe mekanizmi funksionon shkëlqyeshëm, deri në momentin kur "subjekti" fillon të japë shenja të rënies. Prej vitesh emrat që udhëheqin klasifikimin e më të pasurve në sport janë pak a shumë të njëjtët. Tiger Woods, me 100 milionë dollarë në vit, është i pakapshëm në klasifikim. Vlen të thuhet se mjafton sa për një vit topi i goditur nga Woods. Pas e ndjek rivali i tij në golf, Phil Mickelson dhe Kimi Raikonen, edhe pse këta të fundit kanë një diferencë prej afro 60 milionë dollarësh me të. Pas tyre renditet menjëherë Michael Shumaher. Shtatë herë kampioni i botës në F1 me "kokëkuqen", edhe pse është tërhequr, merr një rrogë prej 4,5 milionë eurosh nga "Ferrari" si konsulent, duke e renditur automatikisht në vendin e 8 të rrogave më të majme të "Formula 1", pas Raikonen, Alonso, Ralf, Button, Barrichello, Massa dhe Trulli. Është e vërtetë që motorët janë një burim i mirë fitimi. Fitoret botërore në Moto Gp e kanë Valentino Rosin në klasifikimin e më të pasurve të botës.
Pas Schumit, në ndjekje të Woods janë edhe David Bekam, Kobe Bryant, Shaq O‘Neal, Ronaldinjo, Majkëll Xhordan dhe Fernando Alonso. Po futbollistët? Vërtet mund të jenë jashtëzakonisht të paguar, por në krahasim me Woods duken si varfanjakë. Ronaldinjo, Henry, Beckham, Del Piero, Totti, Ronaldo, Figo, diferenca me Woods shkon në 70 milionë dollarë. Në futboll pak fitojnë shifra absurde, të tjerët vetëm sa mbijetojnë.
A shkojnë paratë në sport nga të gjitha anët? Përgjigjja është jo. Pjesa më e madhe e përfitimeve të kontratave private, të të drejtave televizive dhe të të drejtës së imazhit, shkojnë drejt golfit, automobilizmit, futbollit, basketbollit amerikan, futbollit evropian dhe manifestimeve të mëdha. Motoçiklizmi dhe tenisi janë një shkallë më poshtë. Skitë i garantojnë Bode Millerit 90 mijë euro në fillim të sezonit. Jo më shumë se aq. Edhe pse të gjithë nuk mund të ankohen. Valentino Rosi, në fund të fundit, fiton 28 milionë euro në vit, ndërkohë që Lance Armstrong përpara se të fitonte turin e tij të 7 arrinte deri në 22. Por, e bukura është se nuk ankohet as Ibrahim Cory, atleti nga Mauritania, që në vitin 2006 fitoi turin e Nasar. Ai është mjaft i kënaqur me 100 dollarë në muaj.
Çmenduritë e Tiger Woods
Siç thamë, që prej dhjetë vjetësh në krye në klasifikimit të bërë nga Forbes qëndron fytyra e qeshur dhe e pamundur e Tiger Woods. Llogaritet se deri më sot kampioni i golfit amerikan ka fituar mes çmimeve dhe sponsorëve rreth 650 milionë dollarë dhe nëse ecën me këtë ritëm, pritet që brenda vitit 2010 të arrijë një miliard dollarë. Kapriçioja e fundit është një pronë në ishullin Jupiter në Florida, e cila kushtoi 41 milionë dollarë. Dhjetë hektarë tokë përballë oqeanit. Woods ka punësuar një skuadër të specializuar për shkatërrimin dhe për ta sheshuar të gjithë zonën. Woods ka një projekt për një banesë të dizajnuar sipas stilit ultramodern. Dy kate me dritare të stërmëdha mbi det, në brendësi të kësaj prone hapësirë për barkat, një fushë stërvitjeje golfi, një garazh, një hotel për miqtë, përveçse një palestre dhe disa fusha tenisi.
Industria e Bekam
Me Los Angeles Galaxy, Bekam ka firmosur një kontratë që e bën të fitojë 250 milionë dollarë për pesë sezone. Vetëm në muajin e parë shoqëria kaliforniane arriti të fitojë 20 milionë dollarë nga shitja e 250 mijë bluzave me emrin e tij, për një çmim rreth 80 dollarë secila. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bekam ka blerë një vilë për 22 milionë dollarë. Shtëpia me rreth 1200 metra katrorë ka tetë dhoma gjumi, kinema, pishina dhe fushë tenisi. Madhështore? Dhe të mendosh që pak para se ta blinte, bashkëshortja e tij, Viktoria, kishte deklaruar: "Na duhet diçka jo shumë e madhe".
Avion përrallor për Shumin
Një makinë në pistë për momentin është një industri e majme për të firmosur kontrata publicitare. Mihael Shumaher (tashmë ka hequr dorë nga garat dhe ka hyrë në "Money list", bërë nga "Forbes", në vendin e 24 me 36 milionë euro) po e vë theksin gjithmonë e më shumë tek investimet imobiliare. Është në ndërtim e sipër një vilë në "La rezerve", në Gland të Zvicrës, një vend i mrekullueshëm, vetëm me 11 banorë, i vendosur mes Lozanës dhe Gjenevës. Rezidenca aktuale e Shumaherit është Vufflens-Le-Chateau, me vlerë 70 milionë euro. Një tjetër shtëpi nën pronësinë e tij është edhe në Norvegji, ndërsa në Zvicër ndodhet edhe një fermë, pronë e gruas së tij, Korine, për rritjen e kuajve. Mes xhevahireve të shtëpisë Shumaher është edhe një avion "Falcon 2000EX", me vlerë 28.5 milionë euro (dhjetëvendësh dhe me kuzhinë).
Futbolli amerikan, probleme
Sporti më i ndjekur në Amerikë është futbolli NFL, megjithatë agjencitë publicitare duket se janë shumë pak të interesuara për kampionët me kaska. Lider, për sa u përket fitimeve, është Rexhi Bush i Nju Orlins, ku të ardhurat së bashku me sponsorët arrijnë vlerën 23.8 milionë. Me të vërtetë shumë pak, në krahasim me basketbollin dhe makinat. I gjithë faji është i rrogës fikse që nuk duhet të kalojë 109 milionë për skuadër dhe i kaskave të kampionëve, të cilat pëlqehen shumë pak nga magjistarët e marketingut.
Bamirësi me dollarët në NBA
Në moshën 41-vjeçare, Dikembe Muotmbo luan me Hudsonin sezonin e tij të shtatëmbëdhjetë dhe të fundit. Fenomen absolut në sportin e top-koshit amerikan. Këtë vit kampioni nga Kinsasha ka investuar 11 milionë dollarë për një spital me 300 vende në Republikën demokratike të Kongos.
Mbretëreshat e marketingut
Janë ndër më të preferuarat nga fotografët dhe markat prestigjioze. Maria Sharapoqa, ylli siberian i tenisit dhe Michelle Wie, nga Havai, me një talent të lindur për golfin. E para ka arritur në kuotën e 23 milionëve përmes turneve dhe sponsorëve të pasur, ndërsa vogëlushja e dytë shifrën e 18 milionëve, e cila në turneun e parë si profesioniste u skualifikua, pasi theu një nga rregullat e cirkuitit (e lëvizi topin në mënyrë të parregullt). Por ç‘rëndësi ka kjo tani?
Nga parketi amerikan, në letërsinë e zezë
Mike Glen, fenomen në gjuajtje në basketbollin amerikan të viteve ‘80, sot është një nga koleksionistët më të mëdhenj të letërsisë së zezë me tremijë copë. Mes "relikeve" të tij, edhe një fotografi origjinale në podiumin e 200 metrave në lojërat olimpike të vitit 1968.
Rossi, makinat dhe problemet me taksat
Valentino Rosi është sportisti italian më i paguar dhe renditet në vendin e 58-të në botë me 30 milionë euro. Doktori 27-vjeçar, pjesëmarrës në gara që në moshën 17-vjeçare, 7 herë kampion bote, 4 në "MotoGp", 1 në 500 Ç, 1 në 250Ç dhe 1 në 125Ç me 88 Gp në 192 gara, që këtë vit ka pasur jo pak probleme me taksat, ka investuar mbi të gjitha në fushën imobiliare, duke blerë një vilë në Majami dhe një në Ibiza. Por pasioni i tij i madh ngelen makinat sportive, ndaj në garazhin e tij numërohen shtatë të tilla.
Botërori i pokerit sportiv
Kërkojnë të njihen si disiplinë olimpike letrat e versionit amerikan të pokerit. "World Series" luhen në Las Vegas çdo verë. Në Botërorin e vitit 2006, që konsiderohet një ndër më të bukurit në llojin e vet, Jamie Gold, ish-agjenti kinematografik, fitoi çmimin e parë prej 12 milionësh. Por fatkeqësisht nuk mundi t‘i shijonte dot të gjitha. Gold (në këmbim të parave për të hyrë në Botëror), i kishte premtuar një mikut të vet gjysmën e çmimit të këtij evenimenti. Ai premtim ishte regjistruar dhe fitorja (nën kërcënimet e avokatëve) u nda përgjysmë.
Nga shigjetat, te bilardoja
Lojëra që të hipnotizojnë për përsëritjen e veprimeve, pas të cilave fshihen sponsorë dhe fitime që të sigurojnë gjithë jetën. Raymond van Barneveld, kampioni holandez 40-vjeçar, ka qenë fituesi i fundit i botërorit të hedhjes së shigjetave. Çmimi i fituar ishte rreth 100 mijë sterlina. Fituesi i Botërorit të Snooker-it, disiplinë e bilardos në Mbretërinë e Bashkuar, që mbërthen pas vetes miliona spektatorë, fiton 220 mijë sterlina ose 306 mijë euro.
Toti & company
Ekziston një luftë spotesh në televizion mes sportistëve italianë. Në Itali, yjet e futbollit janë jashtëzakonisht të paguar, sidomos gjatë periudhës së Krishtlindjeve. "Vodafone" ka zgjedhur Totin dhe Gatuzon, "Fiat" Bufonin, ndërsa "Unicredit" ka hedhur në fushë treshen Materazzi, Pirlo dhe De Rossi.
Dhjetëshja e sportistëve më të paguar
1.Tiger Woods
Amerikë
Golf
32 vjeç
100 milionë dollarë në sezon
Është ylli absolut botëror i golfit. 32-vjeçari ka fituar 12 tituj të "Grande slam", mes të cilëve 4 edicione të "Masters"
2. Phil Mickelson
Amerikë
Golf
37 vjeç
42 milionë dollarë
Në moshën 37-vjeçare është një nga yjet e golfit të SHBA-së, fitues i 31 turneve në karrierë, mes të cilëve 3 tituj të "Grande slam"
3. Kimi Raikonen
Finlandë
F1
28 vjeç
I cilësuar ndryshe si "njeriu i akullt", finlandezi i Ferrarit, që arriti të fitojë këtë sezon Botërorin e F1, është i treti në botë për sa u përket fitimeve për sezon, me 40 milionë dollarë
4.Michael Shumacher
Gjermani
Formula 1
37 vjeç
36 milionë dollarë
Është njeriu i rekordeve të Formula 1. Kampioni gjerman i "kokëkuqes" është tërhequr nga sporti pasi fitoi 7 botërorë dhe 91 "GP"
5. David Beckham
Angli
32 vjeç
33 milionë euro
Ka fituar në të gjithë Anglinë me Manchester: 6 Premier, 1 Champions, 1 ndërkontinental. Pas katër sezoneve me Realin e Madridit, ai është idhulli i Los Angeles Galaxy
6. Kobe Bryant
Amerikë
Basketboll
29 vjeç
33 milionë dollarë
Një nga basketbollistët më të talentuar të NBA-së, ylli i Los Anxhelos Lakes. Ka fituar tre tituj të njëpasnjëshëm: 2000, 2001 dhe 2002 dhe 9 herë "NBA All star"
7. Shaquille O‘Neal
Amerikë
Basketboll
35 vjeç
32 milionë dollarë
I gjatë 2,16 metra, për 145 kg, më i paarritshmi i qendrës së basketbollit në Amerikë. Ka fituar 4 tituj NBA, 3 me "Lakers", së bashku me Bryant. Çmimi i fundit ka qenë në 2006-ën, në Majami
8. Ronaldinjo
Brazil
Futboll
27 vjeç
Ylli i Selecaos dhe Barcelonës arrin të fitojë 31 milionë dollarë gjatë një sezoni. Ndër dhjetë sportistët më të paguar, ai mban vendin e tetë
9. Michael Xhordan
Amerikë
Basketboll
44 vjeç
Ylli i Chichago Bulls ka fituar gjashtë NBA, dy medalje të arta dhe është konsideruar si një nga basketbollistët më të mirë të të gjitha kohërave
10. Fernando Alonso
Spanjë
Formula 1
27 vjeç
30 milionë dollarë
Është piloti i zbuluar i dy sezoneve të fundit. Alonso me Renault ka fituar dy botërorë në Formula 1. Pas një viti jo shumë me fat te Mc Claren, do të kalojë sërish te Reno
Shqip
Krijoni Kontakt