Unë deri vonë i kam pas injoruar teknologjitë e mësipërme.
Sidoqoftë, disa vite më parë u bëra i vetëdijshëm se këto teknologji ofrojnë një infrastrukturë FANTASTIKE për të prezantuar informacionin, edhe jashtë kontekstit të Internetit.
Jo vetëm Help-i i Windows-it dhe MSDN-ja (versionet në CD/DVD) por edhe produkte që s’kanë të bëjnë me kompjuterin si p.sh enciklopeditë multimediale si Encarta, apo DeAgostini, si dhe shumë “tituj multimedial”, janë ndërtuar bazuar mbi këto teknologji (HTML, css, js, vb, flash, ActiveX, etj.)
Fatkeqësisht, Shqipëria është jo vetëm një vend i vogël, por edhe ndodhet në një stad të tillë zhvillimi, ku “industria kombëtare” vazhdon të jetë “pill kalamaj, dhe nisi refugjat”, e për pasojë tregu i Teknologjive të Informacionit përbëhet vetëm nga disa “okazione” për t’i krijuar dikujt një database apo website, të cilat janë më të rralla se numri i njerëzve të aftë për t’i krijuar.
Sidoqoftë, edhe Shqipëria ka një sistem arsimor, i cili (me gjithë prapambetjen e tij) përfaqëson “tregun më të madh të informacionit” – treg që aktualisht dominohet tërësisht nga librat.
Se sa i madh është tregu i teksteve shkollorë, mund ta llogarisni duke shumëzuar rreth 30,000 nxënës (në ç’do vit të shkollës së mesme) x 3 vite x rreth 10 libra në vit x rreth 3 mijë L (të vjetra) për libër / 2 (supozojmë se i njëjti libër përdoret mesatarisht nga dy nxënës) => më shumë se 1 miliardë L. (të vjetra) në vit, vetëm për ciklin e mesëm. Dhe është një treg që nuk ezaurohet kurrë.
Si një mënyrë tjetër për të vlerësuar tregun, mund të përmendja se në Shqipëri ekzistojnë së paku 30 shtëpi botuese, dhe së paku disa prej tyre janë biznese të mëdhenj, dhe së paku 70% e të ardhurave të tyre vijnë nga tekstet shkollorë.
Sot, të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë janë të pajisura me kompjutera (sipas informacioneve zyrtare), dhe besoj se brenda disa vitesh do pajisen edhe ato 9-vjeçare.
Dhe pavarësisht asaj çka bën shteti, dhjetëra mijëra nxënës kanë kompjutera në shtëpitë e tyre. Dhe me kalimin e kohës, shifrat do rriten.
Është e tepërt të vësh në dukje avantazhet që teknologjitë e mësipërme (html, css, js, vb, flash, video, audio, ActiveX, etj.) ofrojnë krahasuar me “letrën e njollosur me bojë” (librat), kështu që po shpenzoj nja dy rreshta për të argumentuar se sa e rëndësishme është për një shoqëri (dhe konkretisht për sistemin arsimor) adaptimi i teknologjisë më të përparuar (që mund t’i lejojë vetes).
Ç’është e vërteta, Natyra e ka garantuar vazhdimësinë e jetës, duke “gdhendur” në gjenet e gjallesave dëshirën seksuale. Kaq mjafton për shumë gjallesa, por jo për njerëzit.
Në kushte natyrale, ky planet nuk do mund të mbante dot as 600,000 njerëz (10,000 herë më pak nga ç’jemi), pasi ka një rregull në Natyrë: “sa më të mëdhenj ekzemplarët e një specie, aq më i vogël numri i tyre” (mbasi krijesat e mëdha konsumojnë më shumë, dhe të gjithë jemi pjesë e një ekuilibri).
Aftësia jonë për të qenë “një rast i veçantë”, që nuk i nënshtrohet rregullave të seleksionimit natyror, nuk i detyrohet ndonjë “dhuntie hyjnore”, por observimit prej qindra mijëra vjetësh të gjithçkaje që na rrethon, dhe shfrytëzimin e “sekreteve” të zbuluar, për t’i manipuluar këto ekuilibra.
Kësisoj, transmetimi i kësaj dije nga brezi në brez, nuk bëhet as për hir të “amanetit të të parëve”, as sepse “kështu bën gjithë Bota” (argumenti “multi-purpose” i njerëzve të privuar nga intelekti), e ca më pak për “implementimin e Bolonjës” (apo broçkullave të kësaj natyre, me të cilat bashkëkohësit budallallepsin njëri-tjetrin), por është një detyrim biologjik.
Nëse ne nuk do u transmetonim brezave pasardhës dijen tonë mbi diagnostikimin e sëmundjeve, prodhimin e ilaçeve, ... e gjer tek njohuritë inxhinierike për prodhimin e pajisjeve diagnostikuese, apo kuruese, pasardhësit tanë jo nuk do jetonin më mirë, por thjesht s’do jetonin dot fare.
Dikur, dikushi mund të ishte njëherësh poet, filozof, astronom, matematikan, mjek, piktor, a ndonjë gjë tjetër (tingëllon komike, por historia ka njohur vërtet “eruditë” të tillë). Ndërsa sot, edhe “zanate” që kanë lindur relativisht vonë (p.sh. ato që kanë të bëjnë me kompjuterin, kanë lindur mbas shpikjes së kompjuterit) janë pasuruar aq shumë me informacion, sa është dashur të ndahen në dhjetëra profesione të tjera.
Pra ndërsa transmetimi nga brezi në brez i kësaj dije nuk është diçka e re,
sasia e informacionit nuk është e njëjta, pasi çdo brez e pasuron atë me kontributin e tij, dhe aftësitë tona biologjike për ta asimiluar këtë informacion, nuk mund të rriten dot me të njëjtin rritëm.
E vetmja mënyrë për ta përballuar këtë sfidë, është përmes rritjes së efikasitetit të teknikave të transmetimit të informacionit.
Sidoqoftë, ju i dini të gjitha këto, kështu që po i jap fund menjëherë “delirit tim filozofik”, për t’ju rikthyer arsyes pse po e shkruaj këtë tekst, dhe mundësisë së re për të cilën “flet” titulli.
Arsyeja pse autorët e html-së, script-eve, etj. duhet t’i kthejnë sytë nga tregu i teksteve shkollorë, nuk ka të bëjë as me “filozofinë” e as me patriotizmin, por me faktin se ai është realisht tregu më i madh, dhe që sot ekzistojnë kushtet (dhe interesi) për futjen e këtyre teknologjive.
Teknologjitë multimediale dhe interaktive të shekullit të XXI, ofrojnë një përmirësim dramatik në cilësinë, efikasitetin dhe komoditetin me të cilin ekspozohet informacioni, përkundrejt librave, një teknologji e shekullit të XV, të aftë të mbartin vetëm dy lloj mediash statike (tekst dhe figurë), dhe krejtësisht të pa-aftë të asistojnë në kërkimin (search) e informacionit, proces ky gjithnjë e më i rëndësishëm me rritjen e sasisë së informacionit.
Sidoqoftë, të gjithë atyre “që u ka vajtur mendja” t’i shfrytëzojnë këto teknologji (përfshi mua), janë ndeshur me një problem të madh: html-të, css-të, script-et, flash-et, videot, etj. janë lehtësisht të kopjueshëm, nga cilido. Jo vetëm kaq, por cilido mund të marrë lehtësisht jo vetëm “produktin” por edhe “dijen” e atij që e ka krijuar (p.sh. duke këqyrur përmbajtjen e skripteve).
Kjo është arsyeja kryesore, pse edhe ato pak përpjekje që janë bërë për shfrytëzimin e këtyre teknologjive, kanë përfunduar në shtojca mediokre të librave. Sepse autorët i shohin librat si të vetmen mënyrë për t’u shpërblyer për punën e tyre, pasi librat janë të pa kopjueshëm, së paku nga individët (natyrisht mund t’i fotokopjosh, por kostoja është edhe më e lartë se çmimi).
Reagimi im i parë kur u ndesha me këtë problem, ishte “t’i implementoj në server” (d.m.th. si një website).
Sidoqoftë, mbasi e analizova më me nge, arrita në konkluzionin se ishte një zgjidhje më pak se ideale.
Nëse gjithçka do ta implementosh në server (duke i dërguar browser-it vetëm HTML statike të sintetizuar në server), do të thotë të jetosh mbrapa në kohë, kur browser-at nuk suportonin script-et, DHTML, etj. dhe kompjuterat multimedialë, disa Giga Hercësh të përdoruesve, t’i trajtosh thjesht si “remote console”.
Për më tepër, mund të respektohet nga browser-at kryesorë, por kjo nuk i pengon mijëra browser-at “jo standard”, apo ndonjë program të krijuar enkas, që jo thjesht t’i bëjë “cache”, por të ruajë “lokalisht” thuajse gjithçka nga përmbajtja e website-t.
Autori mund të ketë kontroll mbi softwerin që përdoret në server, por nuk ka kurrfarë kontrolli mbi softwerin që përdoruesi përdor në kompjuterin e tij.
Një rrjedhim i natyrshëm i kësaj analize, ishte se në një farë mënyre, duhet ta krijoj vetë edhe browser-in, dhe duhet t’i bëj gjërat në mënyrë të tillë, që ky të jetë i vetmi browser i aftë të “komunikojë” me serverin.
Pa humbur më shumë kohë me përshkrimin e gjithë “historikut” të arsyetimit tim, përfundimisht arrita në konkluzionin se zgjidhja më e mirë, ishte t’i encrypt-oja html-të, css-të, skriptet, flash-in videot, audiot, ActiveX-et, etj. në një file të vetëm (të kompresuar). Pra një zgjidhje pak a shumë si Encarta, apo produkte të tjerë të ngjashëm.
Vetëm se, programi nuk është “i lidhur” me përmbajtjen që ai shfaq, pra i njëjti program mund të përdoret për të shfaqur përmbajte të krijuar edhe nga autorë të tjerë.
Në një farë mënyre është i ngjashëm me Acrobat Reader, vetëm se në vend të një formati të varfër privat, mund të përdoren të gjitha teknologjitë e Internetit, dhe në vend të një password-i (krejtësisht i padobishëm në një skenar komercial), përdoren kodet e regjistrimit, të cilët ndryshojnë nga kompjuteri në kompjuter.
Një infrastrukturë e tillë, nuk përdor cache-n e Internet Explorer, nuk krijon mundësinë që përdoruesi të “zgjedhë” një browser (apo program të krijuar enkas) për të shtënë në dorë file-t që implementojnë përmbajtjen (jashtë vullnetit të autorit), dhe shfrytëzon, si gjithë avancimet që kanë ndodhur në Internet Explorer (dhtml, xml, behavior-s, etj.) ashtu edhe investimin që ka bërë përdoruesi duke blerë një kompjuter të shekullit të XXI. Dhe natyrisht, kjo zgjidhje nuk e përjashton implementimin (ndoshta të pjesshëm) të përmbajtjes në server (Encarta bën ekzaktësisht këtë).
Ndonëse motivimi im fillestar për krijimin e këtij programi, ishte t’i jepja vetes një avantazh përkundrejt të tjerëve që do angazhohen në krijimin e teksteve shkollorë të së ardhmes (apo duhet të them të së tashmes), tregu i teksteve shkollorë është kaq i madh, sa jo vetëm ka vend për të gjithë, por unë druaj se nuk ka mjaftueshëm njerëz për ta “ngopur”.
Kështu që, investimin tim të më shumë se një viti, mund ta përdorin edhe autorë të tjerë html, css, script-esh, etj, të cilët në bashkëpunim me autorë tekstesh shkollor, mund të duan të angazhohen në krijimin e teksteve multimedialë dhe interaktiv.
Tani, unë mund të argumentoja se pse kjo platformë ofron për html, css, js, vb, flash, video, audio, etj, një mbrojtje edhe më të fortë se ajo që adaptojnë shumica e programeve (ndërkohë që për t’i autorësuar këto file, është shumë më e lehtë se sa të krijosh një program), por një eksperiencë e mëparshme në një sipërmarrje të tillë, më thotë se do ishte diçka e kotë.
Kështu që në vend të fjalëve, do e demonstroj aftësinë e kësaj infrastrukture për të mbrojtur htm, css, js, vb, etj. (file lehtësisht të kopjueshëm), nëpërmjet një produkti konkret, të cilin mund ta download-oni duke klikuar këtu.
Bëhet fjalë për një libër për të mësuar kompjuterin. Në mënyrë që faili për download-im të ishte sa më i vogël, kam lënë vetëm pak mësime (në këtë sens është demo) por që mjaftojnë për të ilustruar shumëçka.
P.sh. se si autori mund të kontrollojë faqe më faqe se cilat do jenë të mbrojtura, dhe cilat falas (për demonstrim).
Në rastin konkret, vetëm mësimet 6 dhe 11 janë të mbrojtur.
Meqenëse kjo është një demo, kodi i regjistrimit është emri i kompjuterit tuaj (për të ilustruar se s’bëhet fjalë për password por për kod, pra që ndryshon nga kompjuteri në kompjuter).
Gjithashtu, me këtë rast dua të sqaroj se mbrojtja nuk është pjesë e infrastrukturës (d.m.th. programit), por ç’do produkt (libër kompjuterik) shoqërohet me mbrojtjen e tij (pra emri i kompjuterit shërben si kod regjistrimi vetëm për këtë përmbajte).
Një gjë e tillë është bërë, si për t’u dhënë mundësi autorëve të ndryshëm që ta implementojnë vetë (po të duan) mbrojtjen e tyre, si për të “çliruar” programin kryesor nga presioni i krakimit.
Megjithëse titulli i kësaj kollone nuk u adresohej specifikisht krakerave, jam i sigurt se ata hyjnë pa ftuar, kështu që për t’ua bërë sa më komode kushtet për të eksperimentuar thyerjen e kodit, programi e “mban mend” kodin vetëm për pak minuta, mbas të cilave rikthehet në gjendjen fillestare (i pa regjistruar).
Përfundimisht, mendoj se kjo demo do ilustrojë në mënyrën më të mirë se sa e pamundur është të kopjosh apo shikosh p.sh. përmbajtjen e skripteve, css-ve, etj. Dhe krahasojeni me ç’do alternativë tjetër.
----------------------------------------------------
Përpara ndonja një shekulli, libri ishte teknologjia më e përparuar për kohën, dhe Shqipëria ishte nga vendet e fundit që e shfrytëzoi këtë teknologji, dhe jo pa sakrifica (me sa kam kuptuar nga filmi “Udha e shkronjave”).
Historia nuk ka pse përsëritet (duke na lënë sërish në vend të fundit).
Sot, pengesa nuk janë më priftërinjtë Grek, që donin që gjuha Shqipe të mos ekzistonte. Dhe nuk kërkohen më sakrificat e disa patriotëve.
Gjithsesi, mungesa e njerëzve të aftë për t’i përdorur teknologjitë bashkëkohore, ose edhe kur ata ekzistojnë, mungesa e kushteve për të jetuar me dinjitet me punën e tyre, mund të jetë një pengesë po aq serioze.
Edhe nëse alternativa ime nuk ju duket interesante (për më tepër nuk është gratis), unë sërish ju sugjeroj t’i ktheni sytë nga arsimi, sepse njohuritë tuaja, mund të jenë “flori e shkuar floririt, or Tunxh...”
Krijoni Kontakt