Sot, Wednesday, 07 May 2008
Kosova nderon Adem Demaçin
po ju zoti Berisha kur do ta respektoni heroin Adem Allçin?
Nga Besim NDREGJONI, Sekretari i përgjithshëm i Integrimit të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë
Këto ditë ndodhem në Danimarkë, ku në mes problemeve të shumta që kam trajtuar është edhe problemi i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, si e qysh i trajton shteti dhe qeveria shqiptare disidencën antikomuniste apo siç i quajmë ne në Shqipëri “Të përndjekur politikë të regjimit komunist”.
Në mes fakteve tronditëse që paraqita, ishte vrasja e poetëve Vilson Blloshmi, Genc Leka, varjen e poetit Havzi Nela, pushkatimet, varjet e klerikëve si priftërinj, hoxhallarë, shehelerë, e baba të teqeve. Pushkatimi i intelektualëve në ditët e vendosjes së diktaturës në kryeqytet apo pushkatimi i deputetëve. Vrasjet masive të bëra në Malësi të Madhe, Mirditë, Shkodër, Dibër ku regjimi komunist nuk njihte apo toleronte çdo kundërshti ndaj ideologjisë së tij kriminale.
Faktet dhe dokumente që iu vura në dispozicion kolegëve të drejtave dhe lirive të njeriut këtu në vendet skandinave, jo vetëm që patën interesin, dhe përkushtimin për njohjen e këtyre krimeve ç’njerëzore të kryera nga një diktaturë po çnjerëzore, në një popull të vogël, por dhe me një humanizëm të madh dhe të respektuar nga bota demokratike për këto vlera.
Tronditëse ishte kur ata morën vesh se një pjesë e madhe e atyre pushtetarëve të diktaturës ndodhen sot në krye të shtetit në institucionet kushtetuese dhe pa i vrarë ndërgjegjja janë kthyer në “demokratë të flaktë” mbrohen nga forca politike si “intelektuale”, që i japin kombit etj, pra këta që të dënonin dje për kundërshti ndaj diktaturës, sot pa i vrarë ndërgjegjja na janë kthyer në “lektorë” të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, këta bastardë që dje varnin poetin, sot janë në mbrojtje të kushtetutës kapitaliste të kësaj kushtetute, që dje e dënonin si borgjeze dhe e papranueshme për diktaturën e proletariatit. Dje dënonin me mijëra qytetarë, që e donin kapitalizmin, sot duke qenë në krye të shtetit, prodhojnë me mijëra ligje kundra pronës, kundra të përndjekurve të regjimit diktatorial komunist. Dhe paguhen nga taksapaguesit shqiptarë me paga të majme dhe trajtohen me privilegje heronjsh.
Ata dinin shumë pak për këto masakra, që diktatura kishte kryer për 45 vjet në Shqipëri, dhe shfaqnin habi si ka mundësi që disa organizata joqeveritare që i kishin financuar ato, nuk i kanë bërë prezente këto krime monsturoze. U zura shumë ngushtë, nuk dija si të përgjigjesha, më në fund vendosa të them të vërtetën se vetëm e vërteta të bën që të jesh i lirë, ju tregova se të gjitha institucionet joqeveritare për fatkeqësinë e vendit dhe të shoqërisë shqiptare, janë të politizuar dhe të varura nga forca politike që ideologjinë e së kaluarës e kanë moto të funksionimit të tyre.
Kjo është që demokracia në Shqipëri njeh jo përparime në mbrojtje dhe respekt të disidencës, që luftuan kundra komunizmit, por përdor të gjithë ideologjinë dhe demogagjinë e së kaluarës për t’i fshirë këto krime nga historia, për të paraqitur diktaturën komuniste si një regjim konservator por jo kriminal, kurse forca politike të dala në vitet e pluralizmit përdorin “harresën” dhe nuk hezitoi aspak se harresa ndaj krimit është krim dhe jo gabim, këtë e kam për Koalicionin e djathtë që është në qeverisje.
Çdo harresë ndaj krimit komunist dhe çdo vonesë në dënimin e tij, do të thotë një kthim mbrapa, një urrejtje e ndarje të shoqërisë së re demokratike, që po mundohemi të ndërtojmë, por që politikën ideologjike të së kaluarës e kemi si shpata e Demokleut mbi kokë. Disidenca shqiptare është një disidencë, e cila ka përballuar një diktaturë nga më të egrat në të gjithë Evropën Juglindore për 45 vjet rresht. Ajo u përball me përçmimin, me ndalesën e të drejtave të arsimimit, të punës, me internimin, me burgimin, me pushkatimin. Nga të gjitha vendet ish-komuniste, e vetmja Shqipëria, shteti që pati një regjim komunist shfarosës ndaj popullsisë së saj.
Të gjithë të burgosurit politik shqiptarë, që dënoheshin për motive politike që nga viti 1944 e deri në vitin 1991 kur u vendos pluralizmi, kishin një dënim politik me vendimin e gjykatës, dhe një vendim të pashkruar ku ata ishin të detyruar që të punonin në të gjitha vendet që grupi terrorist, që quhej komunist kishte nevojën e tyre, ata ndërtuan Maliqin. Bedenin, Tërbufin, nxorën krom, bakër ndërtuan pallate banimi, spitale, hekurudha, aeroporte, uzina, këto punë të rënda i kryenin me tortura. Torturat ndaj tyre ishin të barabarta me torturat e nazizmit ndaj hebrenjve, vetëm me një ndryshim, se nazizmi ndaj hebrenjve veproi në një afat kohor 3 deri në 5 vjet, kurse tek ne këto tortura vazhduan mëse 45 vjet. Tek ne, pushkatimet ndaj disidencës vepronin në dy mënyra me gjyq dhe pa gjyq. Pra, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që disidencën e ka pushkatuar pa vendim gjyqi. Sot, numërohen mbi 2000 disident shqiptarë që nuk u janë gjetur akoma eshtrat, që familjaret e tyre të jenë të qetë, dhe të kenë mundësinë për tu ndezur një qiri për shpirtrat e tyre.
Dhe gjatë 17 viteve të tranzicionit, kjo disidencë apo siç u pëlqen klasës politike t’i quajnë të përndjekur politikë, nuk kërkuan hakmarrje për gjenocidin që u kishte shkaktuar diktatura kriminale komuniste, nuk u hakmorëm, jo se harruam krimin e një bande terroriste që e mbante pushtetin me krime, por nuk deshëm që kombi ynë të vazhdonte rrugën e hakmarrjes, dhe treguam paqe për të mposhtur urrejtjen, kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë që drejtësia të dënojë krimin. Që ish-mbrojtësit dhe bashkëpunëtorët e diktaturës të japin llogari para drejtësisë për gjenocidin komunist. Që gjykatat të jenë pa bashkëpunëtorë të krimit, që Parlamenti të jetë pa bashkëpunëtorë të krimit, që administrata të jetë pa kriminelë, që shteti të ketë dhe të drejtohet nga njerëz me integritet të lart moral e profesional, që për fat të mirë shoqërisë shqiptare nuk i mungojnë, por që klasa politike aktuale i ka uzurpuar me të padrejtë dhe i mbron për interesa personale me një papërgjeshmëri të theksuar dhe shumë të dëmshme si për demokracinë dhe për kombin.
Nëpërmjet internetit u njohëm me një lajm, se qeveria e Kosovës paska marrë një vendim për disidentin e shquar kosovar Adem Demaçin që t’i krijojë kushte sa më të mira për aktivitetin e tij, duke i dhënë një rrogë të mirë, një makinë dhe një zyrë, ndërsa shtëpinë e tij ta kthejë në një shtëpi muze për disidencën e tij, që tregoi ndaj regjimit okupues serbe.
Ky lajm, më gëzoi pa masë jo vetëm që u nderua Demaçi i Kosovës, por u respektua disidenca dhe qëndresa e tij ndaj një regjimi okupues dhe mizor siç ka qenë regjimi komunist jugosllav. Demaçi vuajti jo pak nën atë regjim, por plot 28 vite. Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Hashim Thaçi me ketë vendim tregoi jo vetëm respekt ndaj disidentit Demaçi, por mirënjohje dhe nderim ndaj të gjithë bashkëluftëtarëve antikomunistë në Kosovë, që u sakrifikuan kundra regjimit mizor komunist serb. Tregoi përgjegjshmëri kombëtare ndaj qytetarëve të shtetit më të ri, siç është shteti i Kosovës. Të lumtë Thaçi!
Në evidencën e shumtë të disidencës shqiptare antikomuniste ne shohim një hero dhe ky është Adem Allci, është nga Vicidoli i Tropojës, jo shumë larg Gjakovës, pak a shumë pjesë e Kosovës. Disidenti Allci ka kryer 28 vite burg, ku nga këto më shumë se 20 vjet i ka bërë hetuesi speciale duke u torturuar në mënyrë me çnjerëzore. Por, edhe pse ai ishte në tortura çmendëse nga terroristët, dhe i lidhur këmbë e duar nuk do të pushonte luftën dhe qëndresën ndaj diktaturës, edhe pse 3 vëllezërit e tij do të vazhdonin të ishin të burgosur dhe nëna e vetme do të vdiste në internim në shete, të Durrësit, dhe do ta varrosnin vetëm shokët e tij të burgut si Fejzi Alizoti, Bujar Bakalli e disa të tjerë. Dhe këta kishin kryer me dhjetëra vite burgu politike. Ai në Burrel do të shpërthente burgun, e do t’i tregonte diktaturës se lirinë nuk mund ta mbani të burgosur.
Disidenti Allci është moshatar dhe krahinor me Kryeministrin e vendit, Sali Berishën. Ai është kryetari i shoqatës mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, shoqata më e madhe që ka në gjirin e saj mbi 80 për qind të përndjekurve politikë të Shqipërisë, si brenda vendit dhe jashtë vendit si; Amerikë, Gjermani, Angli, Francë, etj. Kjo shoqatë njihet nga institucionet ndërkombëtare, ka mbajtur konventën e parë kombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, ka organizuar tryeza për të drejtat e të përndjekurve, ka protestuar mbi 4 vite rresht për ligjin e dëmshpërblimit. Mbi 7 vjet, që lufton për të drejtat ligjore të bashkëvuajtësve të vet me të gjitha qeveritë. Allci në këto vite pësoi dhe një ishemi cerebrale, zoti Kryeministër vetëm një ilaç për këtë diagnozë që quhet plavikse kushton më shumë se pensioni i tij, ai nuk lutet nuk kërkon mëshirë, edhe pse i sëmurë ai vazhdon luftën për të drejtat e të përndjekurve, ai nuk e ndalon misionin që i kanë ngarkuar bashkëvuajtësit e vet.
Disidenti Allci së bashku me klasën e tij kërkojnë që në parlament të mos ketë deputetë, që kanë bashkëpunuar me diktaturën dhe kanë vrarë disidentët shqiptarë. Ai dhe ne, kërkojmë që të hapen dosjet, disidenca shqiptare nuk kërkon lëmoshë, ajo kërkon respekt ndaj saj.
Zoti Kryeministër, kur ju do të respektoni heroin e burgjeve Adem Allcin, pensioni i tij dhe i bashkëvujtësve të tij është qesharak, është 8000 lekë. Zoti Kryeministër, bijtë dhe bijat e disidencës shqiptare janë pa punë, janë pa pronë, ministri i juaj i Arsimit ua ka ndalur dhe të drejtën e arsimimit. Administrata shtetërore nuk i pranon në punë ish-bijat dhe bijtë e disidencës antikomuniste, ajo do pinjollët e atyre që kësaj klase i kanë shkaktuar krime e fatkeqësi. Kur, do të shpallni burgun e Burrelit, Spaçit, Qafë-Barit muze të gjenocidit komunist? Kur do të ngrini përmendoren e holokaustit shqiptare në Tiranë, siç u zotuat në Konventën Kombëtare për dënimin e krimit komunist? Apeli i bashkëvuajtësve disidentë antikomunistë është: Kur ju, i nderuar Kryeministër, do të nderoni dhe integroni disidencën antikomuniste shqiptare. Kosova, që është shteti më i ri në bote e respektoi disidencën.
Misioni antikomunist gjatë kësaj periudhe tranzicioni ka dështuar nga politika shqiptare, zoti Kryeministër. Por, krimi nuk mund të harrohet, ai duhet të dënohet. Është nder dhe patriotizëm, që të respektosh luftëtarët e lirisë siç janë disidentët apo të përndjekurit politikë shqiptarë, që i sollën këtij kombi me qëndresën e tyre demokracinë. Unë besoj tek JU, Kryeministër se të kemi votuar ju, besimin e votën dhe paqen tonë duhet t’i shndërroni në ndërgjegje dhe respekt kombëtar ndaj kësaj disidence, që fisnikëria dhe integriteti, morali, shpresa të jenë moto e kësaj demokracie që po ndërtojmë. Që misioni antikomunist në Shqipëri të fitojë, se fitorja e misionit, është fitore juaj, dhe e shoqërisë. Jo vetëm e jona. A duhet të shpresojmë Kryeministër? Shpresojmë...
Krijoni Kontakt