Doc.dr. Fehari Ramadani botoi librin: Kontributi i Austro-Hungarisë për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare
Për hartimin e kësaj monografie (teze disertacioni) autori ka shfrytëzuar dokumentet arkivore të periudhës Austro-Hungareze, të cilat janë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe ndodhen në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë, materiale nga arkivi i Stambollit dhe burime nga revistat shqiptare: Hylli i Dritës, Leka, Studime Historike, Përparimi, Përpjekja jonë, Kosova, Revista Pedagogjike, Jehona, Gjurmime Albanologjike etj.
Doc. dr. Fehari Ramadani dekan i Fakultetit Filozofik dhe mësimdhënës në Universitetin Shtetëror të Tetovës, botoi librin “Kontributi i Austro-Hungarisë për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare (1900-1912)”
Monografia në fjalë vjen si rezultat i punës hulumtuese-kërkimore disavjeçare dhe i kushtohet ndihmës që qeveria e Vjenës ka dhënë për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare në fillim të shek. XX. Libri në fjalë ndahet në katër kapituj ku jepen të dhëna historike për kontributin e Austro-Hungarisë për arsimin dhe kulturën shqiptare Në hyrje është trajtuar edhe e drejta e Kustusprotektoratit, që Porta e Lartë, në bazë të disa marrëveshjeve që nënshkroi me qeverinë e Vjenës, i njohu kësaj të fundit të drejtën për t’u interesuar për katolikët e Perandorisë Osmane. Duke shfrytëzuar këtë të drejtë , qeveria austro-hungareze filloi të hapte shkollat e saj në trojet shqiptare dhe t’i financonte ato. Ajo, filloi të interesohej dhe të përkrahte edhe organet e shtypit shqiptar, të ndihmonte financiarisht personalitetet e shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare dhe katolicizmin shqiptar, ndau bursa për të rinjtë shqiptarë, të cilët ishin të interesuar për të vazhduar arsimimin e tyre në shkollat e Monarkisë Austro-Hungareze etj.
Për hartimin e kësaj monografie (teze disertacioni) autori ka shfrytëzuar dokumentet arkivore të periudhës Austro-Hungareze, të cilat janë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe ndodhen në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë, materiale nga arkivi i Stambollit dhe burime nga revistat shqiptare: Hylli i Dritës, Leka, Studime Historike, Përparimi, Përpjekja jonë, Kosova, Revista Pedagogjike, Jehona, Gjurmime Albanologjike etj.
Në kapitullin e parë, trajtohet ndihma financiare e qeverisë austro-hungareze për shkollat në gjuhën shqipe dhe veprimtaria e mësuesve të këtyre shkollave, në periudhën nga viti 1900 deri në vitin 1912. Gjatë asaj kohe, ndihmat financiare të qeverisë së Vjenës për shkollat e saj në Shqipëri rriteshin nga viti në vit. Po ashtu Ballhausplatzi, hapte pothuajse çdo vit shkolla të reja, krahas atyre ekzistuese. Hapja dhe financimi i shkollave në gjuhën shqipe, përbënin një ndihmesë të rëndësishme për Lëvizjen Arsimore Shqiptare në veçanti dhe Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi, po të kemi parasysh faktin se qeveria osmane pengonte zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe. Qeveria austro-hungareze ishte e interesuar të ndihmonte ngritjen e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar, pasi ajo i shihte ata si një barrierë kundër shtrirjes së ndikimit sllav në brigjet lindore të Adriatikut. Me ndonjë përjashtim të vogël, në shkollat austro-hungareze në Shqipëri, mësimi është zhvilluar në gjuhën shqipe, prandaj edhe numri i nxënësve që i ndiqnin mësimet në ato shkolla rritej nga viti në vit. Veprimtaria e këtyre shkollave ishte e një rëndësie të madhe për popullin shqiptar. Në to u arsimuan shumë personalitete kombëtare, të cilët dhanë kontribut të rëndësishëm për çështjen shqiptare.”
Në kapitullin e dytë trajtohet kontributi i qeverisë austro-hungareze për botimin e teksteve shkollore, librave shkencor në gjuhën shqipe, ndihmat financiare për botimin e organeve të shtypit shqiptar si dhe ndihma për klubet shqiptare, në periudhën midis viteve 1900-1912. Duke filluar që në vitet e fundit të shek. XIX, por sidomos nga fillimi i shek. XX, qeveria e Vjenës do t’i kushtojë rëndësi gjithnjë e më të madhe botimit të librave në gjuhën shqipe. Sidomos rëndësi do t’i jepet botimit të teksteve shkollore, me të cilat pajiseshin shkollat e mbajtura nga Austro-Hungaria. Ballhauplatzi shpesh ndihmonte financiarisht edhe autorë të ndryshëm shqiptarë që të botonin veprat e tyre, si dhe autorë të huaj, të cilët botonin vepra me interes për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Qeveria e Vjenës dha një kontribut të rëndësishëm për botimin e organeve të shtypit shqiptar. Fillimisht ajo ndihmoi financiarisht dy organet më të rëndësishme, siç ishin Albania dhe Drita, por më vonë do të rritet numri i gazetave shqipe, të cilat merrnin ndihma financiare nga Austro-Hungaria. Shumë nga ato do ta kishin të pamundur të ekzistonin pa këto ndihma. Gazetat dhe revistat shqiptare, që u ndihmuan nga qeveria e Vjenës, dhanë një kontribut shumë të rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin e gazetarisë shqiptare dhe rritjes së konkurrencës, por edhe në zhvillimin e gjuhës shqipe. Faik Konica në Albania përdori shumë fjalë të reja, çka ndihmoi në pasurimin e gjuhës shqipe. Fillimi i botimit të Albanias shënon edhe fillimin e gazetarisë mirëfilltë shqiptare.
Në këtë kapitull trajtohen edhe ndihmat që Ballhausplatzi u dha klubeve shqiptare, pas themelimit të tyre. Klubet ndihmoheshin me para, libra, harta etj.
Në kapitullin e tretë trajtohet kontributi i qeverisë së Vjenës për fenë katolike dhe personalitete shqiptare. Në bazë të marrëveshjeve të Kultusprotektoratit, Perandorisë Austro-Hungareze i ishte njohur e drejta që të interesohej për fenë katolike në Perandorinë Osmane. Në bazë të këtyre marrëveshjeve, Vjena ngriti në Perandorinë e sulltanëve 240 institucione katolike, prej të cilave 220 u ngritën vetëm në Shqipëri, çka dëshmon për interesimin e madh të qeverisë austro-hungareze për çështjen shqiptare. Ndihmat financiare të Ballhausplatzit, ndihmuan jo vetëm në ruajtjen e institucioneve katolike ekzistuese por edhe në rritjen e numrit të tyre, në arsimimin e klerikëve shqiptarë etj. Një çështje tjetër që është trajtuar në këtë kapitull janë ndihmat financiare të kësaj Perandorie për personalitete të shquara shqiptare, gjatë periudhës të cilën e kemi në shqyrtim. Shumë personalitete të shquara shqiptare, si: Faik Konica, Dervish Hima, Sotir Peci, Atë Gjergj Fishta, Dr. Gjergj Pekmezi, Gjergj Qiriazi, Preng Doçi etj., kanë marrë ndihma të rregullta dhe ndihma të jashtëzakonshme financiare nga qeveria e Vjenës. Këto ndihma u krijuan mundësi atyre të zhvillonin veprimtari në interes të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në kapitullin e katërt trajtohen ndihmat e Austro-Hungarisë për arsimimin e të rinjve shqiptarë në shkollat e saj. Përhapja e shkollave austro-hungareze në Shqipëri dhe futja e gjuhës shqipe, si gjuhë mësimi në ato shkolla, nxorën në pah mungesën e mësuesve të cilët e njihnin gjuhën shqipe. Kështu lindi nevoja e arsimimit të të rinjve shqiptarë në shkollat jashtë vendit. Prandaj, Ministria e Punëve të Jashtme e Austro-Hungarisë filloi të jepte bursa për të rinjtë shqiptarë, të cilët ishin të interesuar për të ndjekur shkollat e mësuesisë në Austro-Hungari. Është për t’u theksuar se përpos ndjekjes së mësimeve të rregullta në shkollat e atjeshme të mësuesisë, Ballhausplatzi, u siguronte disa të rinjve shqiptarë që të ndiqnin edhe kurse të gjuhës shqipe, me mbajtjen e të cilëve ishte ngarkuar gjuhëtari i shquar shqiptar i asaj kohe, Dr. Gjergj Pekmezi. Këta të rinj pasi të mbaronin shkollat e atjeshme, do të ktheheshin në atdhe dhe do të ushtronin profesionin e mësuesisë, në shkollat austro-hungareze ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Nëse ata do të arsimoheshin vetëm në gjuhën gjermane, kur të ktheheshin në Shqipëri, sigurisht se do të përballeshin me vështirësi në punën e mësuesisë. Prandaj, ishte e nevojshme që ata të mësonin edhe gramatikën e gjuhës amtare.
Përpos shkollave të mësuesisë, Shqipëria e fillim-shekullit të XX, përballej edhe me mungesën e shkollave të tjera në gjuhën shqipe. Për rrjedhojë, në Shqipëri kishte mungesë të theksuar të mjekëve, inxhinierëve, agronomëve, juristëve etj. Prandaj, shumë të rinj shqiptarë, pasi siguronin bursa nga qeveria austro-hungareze, vazhdonin t’i ndiqnin mësimet në shkollat e mesme dhe universitetet e atjeshme.
Qeveria e Vjenës synonte të ndihmonte ngritjen kulturore të popullit shqiptar, prandaj, ajo ndihmoi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, të fillimit të shek. XX, në forma të ndryshme. Ajo hapi shkolla, botoi tekste shkollore dhe libra të tjerë, ndihmoi financiarisht organet më të rëndësishme të shtypit shqiptar, ndihmoi kishën katolike dhe personalitete të shquara shqiptare, ndau bursa për të rinjtë shqiptarë etj.
“ Konstatojmë se Fehari Ramadani, jo vetëm që ia doli i pari të trajtojë gjithanshëm temën që ka marrë si tezë doktorate, por njëkohësisht të hedh dritë në më tepër probleme, qofshin ato edhe detaje, duke i dhënë temës së tij një karakter të drejtë e objektiv dhe duke e vendosur atë në vendin që është dashur ta kishte. Kështu, autori ka bërë përpjekje serioze për të shpaguar moralisht rolin e Austro-Hungarisë që ka luajtur për çështjen shqiptare” vlerëson prof. dr. Ramiz Abdyli recensent i kësaj monografie.
Po ashtu edhe dy recensentët tjerë akademik. asoc. Marenglen Verli dhe prof. dr. Hajrulla Koliqi kanë dhënë vështrimet e tyre për rëndësinë e botimit të kësaj vepre. “Autori me të drejtë konstaton se veprimtaria për zhvillimin e arsimit dhe kulturës , padyshim më rezultativja e më cilësorja në ato vite (rreth 50 shkolla), ishte në linjën e emancipimit të kombit shqiptar për të cilin Austro-Hungaria interesohej që të kishte shtetin e vet autonom ose të pavarur”, thotë akademik Marenglen Verli.
“Monografia shkencore Kontributi i Austro-Hungarisë për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare 1900-1912 e z. Fehari Ramadani, është një kontribut shumë i rëndësishëm dhe me vlerë për historinë e arsimit dhe të kulturës kombëtare shqiptare” thekson në mes tjerash në vlerësimin e tij prof. dr. Hajrulla Koliqi. http://www.yllpress.com
Krijoni Kontakt