LËVIZJA INTELEKTUALE PËR REFERENDUM



Ta kapim për brirësh fatin,
bile tani, në Republikën e Kosovës!

LËVIZJA INTELEKTUALE PËR REFERENDUM
referendumliri@yahoo.com,tel.044147 547
L I R/08/01
Datë 21/04/2008

" Jam përherë në gjendje ta kap fatin për brirësh e ta sundojë atë sipas dëshirës, me fuqinë e vullnetit". (Betoveni)

Me shqetësim të madh po përcjellim zhvillimet e fundit të ngjarjeve rreth Republikës së Kosovës. Sot ( më 21 prill 2008) lexuam në të përditshmen “Zëri” (f.3), Telegramin e Zhan Mari-Gueno-os, një ndër Shefat e hierarkisë së lartë të OKB-së në Nju-Jork, i cili duke përdor komunikimin e fshehtë konfidencial, autorizon shefin e zyrës së UNMIK-ut në Beograd, Riçard Vilkoks-in për bisedime me zyrtarët e Qeverisë së Serbisë, për “çështje praktike” të zhbërjes së Republikës së Kosovës, temë kjo që është hapur në këto gjashtë (6) pika të këtij telegrami të errët, siç janë:

1. në marrëveshje me Serbinë dhe autoritete e duhura serbe në Kosovë,
2. që të ndihmohet nga Serbia menaxhimi i situatës në Kosovë, në kuadër të kornizave të rezolutës 1244 (nga viti 1999),
3. në konsultim të ngushtë me UNMIK-un, dhe sipas dokumentit të Qeverisë së Serbisë me titull: ”Propozimarrëveshja mes UNMIK-ut dhe Republikës së Serbisë, për implementimin e përbashkët të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas shpalljes ilegale të pavarësisë së Kosovës nga ana e institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes (PISG)”, si dhe letrën e Ministrit të jashtëm Jeremiq, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm, më datën 17 mars. Këtu përfshihen: (1) policia, (2) sistemi juridik, (3) doganat, (4).transporti, (5).kontrolli kufijve administrative dhe (6) objektet religjioze, historike dhe kulturore serbe.
4. Dialogu mes OKB-së dhe Serbisë për çështje praktike në rajonet e Kosovës me popullate shumicë serbe ka nevojë për rregullore të qarta (nën.LIR-i) dhe formale për të cilat është arritur pajtimi, si dhe çështje dhe synime të definuara si duhet.”
5. synimi ynë duhet të jetë arritja e marrëveshjes deri në fund të prillit…
6. “Sekretari i përgjithshëm dhe unë për këtë iniciativë do të konsultohemi me partnerin kryesorë dhe shtetet anëtare. Do të ishim tejet mirënjohës, nëse UNMIK-u dhe UNOB do të ushtronin diskrecionin më të madh në lidhje me këtë.”- përfundon kështu plani i një pjese të OKB-së për një MARRËVESHJE TË FSHEHTË në proces që qenka duke u realizuar lidhur me mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244 dhe të sistemit juridik që imponon ajo, me çka, nëse kjo marrëveshje realizohet, dokumentet ekzistuese juridike të Republikës së Kosovës, de facto dhe de jure mbesin, nën hije, të parealizueshme, iluzore, dhe më në fund ashtu siç do Serbia edhe “ilegale”?
Por në fakt, kush këtu punon dhe juridikon ilegalisht? Serbia dhe UNMIK-u, apo Republika e Kosovës dhe 37 shtete që e njohën atë? Komenti pozitiv për legjitimitet dhe legalitet është në anën e Republikës së Kosovës.
Kthimin në zero dhe anulimin de jure dhe de facto i republikës së Kosovës me këtë marrëveshje të fshehtë mes këtyre dy subjekteve që punojnë prapa shpinë së qytetarëve të Kosovës dhe që planifikojnë se në këtë drejtim “ është me rëndësi të kërkohet miratimi i kryesisë së shqiptarëve të Kosovës për marrëveshjen e mundshme” a do të mund të kapërdihet nga populli i stërmunduar me këso gjerash dhe nga qytetarë të uritur, që tani, në krizën aktuale ekonomike (e politike latente) në Kosovë përbëjnë shumicën?
Sigurisht, që Republika e Serbisë e ka llogaritur gjendjen e krizës së rëndë ekonomike e politike në Kosovë dhe ka planifikuar dhe shpallur botërisht se ka për qëllim sfidimin a anulimin e gjithanshëm të Republikës së Kosovës.
Është interesant se edhe me këtë telegram konfidencial udhëheqës dhe zyrtarë të UNMIK-ut kanë planifikuar se “ do të ekzistojë nevoja që UNMIK-u të mbajë të informuar në lidhje me diskutimet kryesinë e shqiptarëve të Kosovës dhe të kërkojë pikëpamjet e tyre në lidhje me çështjet e mundshme të bisedimeve.” (Zëri, datë 21 prill 2008, f. 3)
Nëse Qeveria e Republikës së Kosovës bie në këtë grackë të kësaj marrëveshje të fshehtë mes UNMIK-ut dhe Republikës së Serbisë, ajo në fakt mohon vetveten si legjitime dhe pranon tjera rregullore të cilat do ta zyrtarizonin marrëveshjen e fshehtë të planifikuar dhe do të ishin në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Kosovës, sidomos me nenet 1 e 2 te Dispozitat Themelore, ku është zyrtarizuar përkufizimi i shtetit të Kosovës dhe sovraniteti e integriteti territorial i Republikës së Kosovës i cili është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me gjithë mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj. Duke u bazuar në këto nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në logjikën e thjeshtë të gjërave, se ne vet duhet ta bëjmë realitet konkret Republikën tonë, mund të përfundojmë se është absurd lejimi i zgjedhjeve lokale të Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës, kinse për hir të të drejtave të minoritetit serb në Kosovë.
Pa asnjë dyshim se ky sfidim i Serbisë me zgjedhjet e 11 majit duhet të analizohet edhe si agresion i llojit të vet, ndaj shtetit më të ri në botë, të përballohet me sukses duke e bërë atë të dështojë me turp.
Mbesim me shpresë se Qeveria e Kosovës duhet t’i kalkulojë me mendjekthjellëtësi e largpamësi të gjitha pasojat që mund t’i vijnë Kosovës dhe institucioneve të saj, nëse lejohet shkelja e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së re të Kosovës.
Mendojmë, se tani ka ardhur koha që çdo Qeveri e Kosovës të mos mendoj e veprojë vetëm për privilegje që ofron posti shtetëror po edhe për detyrat që i jep Kushtetuta e Republikës në lidhje me Atdheun dhe Qytetarët e Shtetasit e Republikës.
Shpresojmë që ndaj kushtetutës aktuale të Republikës së Kosovës, të mos ketë sjellje dhe shkelje të ngjashme, siç ka pasur ndaj Kushtetutës së Kaçanikut. Po të sillemi edhe ndaj Kushtetutës aktuale siç jemi sjellë ndaj kushtetutës së Kaçanikut, atëherë nuk do të plotësojmë kurrë parakushtin për rend ligjor të mirëfilltë në Kosovë si dhe për integrime të Kosovës me vetveten dhe me botën.

Trepçë-Prishtinë Koordinatori i LIR-it
21-22 prill 2008 Mr.sc. Rexhep Ahmeti