Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Përvjetori i lindjes së imzot Frano Illisë

    OPINION

    Përvjetori i lindjes së imzot Frano Illisë


    06-09-2008 / Nga Ardian Ndreca

    (Juban 1918- Shkodër 1997) Këtë vit asht 90 vjetori i lindjes së nji prej prelatëve ma të njohtun të Kishës katolike shqiptare në gjatë shekullit të kaluem, imzot Frano Illisë. Kush e ka njohtë e kujton si nji burrë të urtë, të virtytshëm, të përvujtë e puntor, njeri i butë e i devotshëm por i papërkulun para dhunës dhe terrorit komunist. Dom Frano Illia ka lindë në Juban, katund i Nënshkodrës që asnjiherë gjatë viteve të diktaturës nuk u komunistizue si shumë zona tjera, por i ndejti besnik traditave e fesë të të parëve tue u mundue me ruejt nji ishull rezistencet të heshtun. Megjithatë dom Franja nuk jetoi veç pak kohë në katundin e tij, pse vala e persekutimin komunist e mori para dhe e dënoi së pari me pushkatim e mandej me burgim të gjatë. Me 25 prill 1968 nji gjykatë e RPSSH e dënoi me vdekje me pushkatim si «spiun të Vatikanit». Kur avokati përpiloi kërkesën për falje të jetës, ku shkruhej se gjoja prifti jubanas mohonte fenë e të parëve, dom Franja u kthye e i tha: «Edhe 100 jetë të kisha, nji nuk e due tue mohue fenë». Firmosi kërkesën vetëm kur prej saj u hoq fjalia që fliste për mohimin e fesë. Dënimi me vdekje u kthye në 25 vjet burg, prej të cilave bani 20 vjet, tue u lirue me 12 prill 1988. Para se me hy në burg, kur ishte famullitar në Milot, ai kishte përkthye me durim e me përkushtim vëllimin e veprës «Illyricum Sacrum» që i kushtohet Arbnisë. Për ata që s’e dijnë, «Illyricum Sacrum» asht përmbledhja me dokumente historike mesjetare që jezuiti italian Daniele Farlati kishte botue në Venedik (1751 vijim) së bashku me sivllaun e tij F. Riceputi. Dom Franja e kishte përkthye ketë vëllim prej latinishtes në shqip dhe e kishte paraqitë për botim në të atëhershmin Institutin e Historisë në Tiranë. Jo vetëm që dinosaurët e institutit nuk ia botuen, por të pazotët me kuptue origjinalin latinisht, përdornin përkthimin e tij në dorëshkrim pa e citue kurrë burimin. Vetëm në vitet ’90 dom Franja mujti me e shti në dorë rishtas punimin e vet. Me të dalë prej burgut ai nisi mshehtas me pagzue e me rrëfye, me lidh kunora e me ndihmue në orët e mbrame ata që lejshin këtë botë. Shkroi e botoi katekizma, libra me kangë fetare, vepra letrare etj. Por vepra e tij kryesore asht përmbledhja «Kanuni i Skënderbeut», i mbledhun prej tij në malsitë e Kurbinit e Milotit. Ky variant i Kanunit të Lekës e ven dom Franon Illinë krahas atyne që me përkushtim kanë punue me nxjerrë në pah dhe me shpëtue traditat tona të lashta. Me 25 prill 1993 në përvjetorin e dënimit të tij me vdekje prej regjimit të E. Hoxhës, Papa Gjon Pali e shuguroi gjatë vizitës së tij në Shkodër ipeshkëv tue i dhanë në administrim dioqezën e moçme të Shkodrës. Edhe pse ishte ba arqipeshkëv i Shkodrës prej Papës Gjon Pali II, ai ruente thjeshtësinë e nji prifti katundi, priste në zyrë njilloj nji fshatar që vinte me qa hall e nji ministër a deputet. Këta të fundit ma së shumti ia mësynin me kërkue vota, por imzoti ndigjoi deri në fund vetëm ndërgjegjen e tij e nuk i shërbeu kurrkuj tjetër posë Zotit. Gjatë viteve që ishte arqipeshkëv i Shkodrës qe i rrethuem prej dashunisë së popullit të thjeshtë, për të cilin punoi gjithë jetën, por jo rrallë hasi vështirsina të mëdha në punën e tij dhe ndeshi në pengesa të pamendueme e të paprituna. E djeshmja vepronte ende dhe imzot Illisë i duhej me luftue dhe me u përpjekë për me kalue vështirsinat. Imzot Illia pati deri në fund ndihmën e sekretarit të tij besnik dom Michelangelo Bragës, italian prej Brescia-s, i cili i dashunuem mbas Shqipnisë, erdhi me punue e me jetue mes shqiptarëve, tue ba nji seri veprash me karakter humanitar dhe tue ndihmue gjithkënd. Qe pikërisht dom Braga që u kujdes deri në çastet e fundit për imzotin dhe që kujdesoi botimin e veprave të tija. 10 vjetori i vdekjes së imzot Frano Illisë kaloi pa asnji shenj përkujtimi, po në anën tjetër populli i Shkodrës e kujton ende me dashuni bariun e vet gojëambël, të ndieshëm ndaj vorfnisë së grigjës së vet, të pastër në shpirt e të përvujtë. ...

    55

  2. #2
    Lazaratas Maska e Bel ami
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Vendndodhja
    Lazarat
    Postime
    1,184
    Martirizimi i kishtareve Katolike te Shqiperise eshte krimi me i shemtuar qe Komunizmi shkaktoi ne Shqiperi.Te denosh dhe te zhdukesh intelektuale te ketyre permasave ,te shkaterosh mundin dhe punen e tyre eshte si te thuash vetevrasja e kombit.
    ... E ku thuhene ne karte
    Fjalet e Gjuhes se Zjarrte!

Tema të Ngjashme

  1. Premisa të gabuara
    Nga Arrnubi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 30-04-2012, 18:25
  2. Një vështrim i shkurtër historik rreth debatit mbi filoque
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-12-2006, 07:52
  3. Rexhep Qosja: Të vërtetat e vonuara
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 19-09-2006, 20:51
  4. KADAREJA mbi Fene ne Shqiperi !!
    Nga NoName në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 126
    Postimi i Fundit: 01-07-2006, 00:09
  5. Zgjidhja e krizes shqiptare
    Nga Albo në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 25-04-2002, 06:34

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •