Gjovalin Shkurtaj:Si të shkruajmë shqip

20/04/2008-gazeta shqiptare
• Prof.dr. ALI JASHARI


Ky është më i fundit libër i prof.dr. Gjovalin Shkurtajt, një nga partizanët më të përkorë për shqipen e pastër dhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët, çka ai e ka treguar me vepra. Që mësuesit dhe nxënësit ta kuptojnë qëllimin përse e ka shkruar këtë libër profesor Shkurtaj, po përmend diçka nga fjala paraprirëse: “Lexojmë e dëgjojmë çka thonë shtetarët, çka shkruajnë gazetarët, çka botojnë studiuesit dhe njerëzit me grada e tituj shkencore shumë të lartë. Gati të gjithë jemi pushtuar nga dëshira për të qenë modernë. As kjo nuk është e keqe, por është e keqe, madje sa nuk ka ku të vejë më e tillë, dëshira e disave për ta shfaqur “modernitetin” me fjalë të huaja. Të tmerron trumbeta e drafteve, bordeve, implementimeve, fizibiliteteve, bi-e multilateraleve, curriculumeve, konsensuseve, gjenerimeve dhe kushedi sa anglo-italianizmave të panevojshme. Po përdoren shumë fjalë të huaja, po edhe mënyra të thëni të huaja, jo vetëm të panevojshme, por shpesh edhe të pahijshme e të pamoralshme, siç janë, ndër të tjera, fjalët e pista në emisionet e mjaft shfaqjeve të humorit dhe në emisione televizive, që meritojnë të quhen “pornoligjërime”. Po të ishte gjallë i ndjeri Atë Anton Arapi do të thoshte me të drejtë “na hypi hordhëku”. Shumëkush e di se gjendja e shqipes dhe kujdesi për të sot është për të vënë duart në kokë. Përçudnimi i shqipes bëhet përfaqe dhe është i pakundshoq në botë. Duke lexuar gjithçka të zezë mbi të bardhë, krijon përshtypjen e njëmendshme se përdorimi i fjalëve të huaja të panevojshme, mospërdorimi i shenjave të pikësimit etj., janë bërë “modë”. Shkartisja e shqipes me fjalë të huaja është dukuria që bie më shumë në sy. Shqipen e përkeqin, në radhë të parë, njerëzit e penës. “Shfytyruesit” më të zellshëm janë redaktorët dhe gazetarët e televizionit, që edhe emrat e njerëzve i shkruajnë me shkronjë të vogël, si edhe ata të gazetave të llojllojshme, që ia kanë hequr shqipes shkronjën “ë” (aq sa ëndje shkruhet endje, apo mëshoj shkruhet meshoj) dhe në fund të rreshtit i ndajnë shkronjat e përbëra të alfabetit të shqipes (kështu sh-ja shkruhet s-h, dh-ja shkruhet d-h etj). Nuk e teproj po të them se artikujt e mjaft gazetave duhet t’i përkthesh me ndihmën e fjalorëve dygjuhësh, si italisht-shqip apo anglisht-shqip. Me një fjalë, shprishjen e shqipes e bëjnë vetë shqiptarët, madje, mjaft syresh e mësojnë shqipen përmes gjuhëve të huaja që studiojnë(!). Ndërkaq, gjithë atdhetarët dhe lëvruesit e shqipes, mësuesit e zellshëm të saj, gjithnjë e më shumë po bëjnë pyetjen “Quo Vadis?”
Përballë kësaj gjendjeje, libri i profesor Shkurtajt është shpresëdhënës dhe i mirëpritur. Lexuesit shqipfolës dhe shkrues të shqipes, që nga nxënësit e shkollave të mesme, studentë të lëmive të ndryshme, mësues, pedagogë, intelektualë e të tjerë, mund të gjejnë në këtë libër përgjigje të dobishme për shumë pyetje që kanë lidhje me mënyrën e të shkruarit në jetën e përditshme apo me zanatin e secilit. Kështu, në kreun e parë të librit të quajtur “Duhet të dimë të shkruajmë”, autori rreket të shtjellojë mirë e mirë çështje të tilla: si realizohet me shkrim një ide (fantazi); si kalohet nga të folurit te shkrimi; si përmbushet procesi i të shkruarit duke u nisur nga përditësimi i urtisë romake “kush shkruan, lexon dy herë” (qui scribit, bis legit) dhe fakti kuptimplotë se mjeshtëria e të shkruarit nuk është vetëm për shkrimtarët (për njerëzit e penës në përgjithësi), ndaj është domosdoshmëri të dimë se çfarë duhet të bëjmë për të shkruar mirë dhe si duhet të shkruajmë që të na lexojnë dhe të na kuptojnë të tjerët, për të vënë mënjanë thënien e njohur se “flasim shqip e nuk merremi vesh”. Në 18 sythet e këtij kapitulli prof.Shkurtaj, me një gjuhë të thjeshtë dhe tërheqëse, sjell një informacion të gjerë për titullin e shkrimit (llojet e tij, sintaksa e titullit etj.); për retorikën klasike dhe neoretorikën; për kumtimin dhe funksionet e gjuhës së folur dhe të shkruar, për tekstet informative, argumentuese, rregulluese dhe rrëfyese etj. Por, “qershia mbi tortë” për këtë kapitull është pjesa për “leksionet amerikane” të Italo Kalvinos, që shumëkush edhe mund të mos i ketë lexuar. Në kreun II me titull “Veçori të ligjërimit të shkruar profesional” autori përfaq disa vlerësime të përgjithshme për ligjërimet profesionale dhe pastaj nxjerr në pah të metat kryesore që e shëmtojnë mjaft shqipen e shkruar si, për shembull, kalkimet e panevojshme prej anglishtes dhe italishtes; përdorimi i gabuar i parafjalëve në rasa të ndryshme; raste kur nyja joshquese “një” nuk përdoret në vendin e duhur; forma foljore të gabuara etj. Në vazhdim të këtij kreu, me nëntitullin “Njohuri mbështetëse”, ai jep njohuri të thukëta për drejtshkrimin e disa formave gramatikore më të përdorshme lidhur me emrat, përemrat, foljet etj. Më tej, profesor Shkurtaj shtëllit një informacion të domosdoshëm për ligjërimet profesionale, duke dhënë veçoritë kryesore dhe mjetet karakteristike shprehëse për ligjërimin e veprimtarisë shkencore e teknike, për ligjërimin e veprimtarisë shtetërore e administrative dhe për ligjërimin e veprimtarisë politike e shoqërore. Me një pasion të veçantë ai i ka shkruar faqet kushtuar gazetarisë ose të shkrimit si mjet informacioni, siç quhet ndryshe, ku jepen dije të mjafta për tekstet gazetareske, për shkrimet publicitare dhe utilitare, për publicistikën dhe ligjërimin e saj, për rolin e korrektorit si “rojtar” i rregullave gjuhësore, për mënyrat e popullarizimit të veprave të ndryshme shkencore dhe artistike etj.
Kreu III përmbledh gjuhën e letërsisë artistike, për të cilën autori ka bërë një punë të gjatë hulumtuese dhe përgjithësuese, duke na mësuar shumë gjëra interesante për karakterin e figurshëm të gjuhës së letërsisë artistike, për gjuhën artistike si tipar i origjinalitetit të shkrimtarit, për veçoritë e gjuhës në krijimet lirike e ato epike etj. Më pas ky kapitull plotësohet me shembuj të bukurisë së gjuhës shqipe nga proza e Mitrush Kutelit, nga “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës, nga poezia e Lasgush Poradecit etj. Qëllimin e autorit për të shkruar këtë libër e shohim të sendërtuar edhe në kreun IV për format e komunikimit profesional, që sot janë bërë edhe më të larmishme. Format e komunikimit profesional autori i ndan në tre grupe: a) shkrime për informacion të pastër (procesverbale, përmbledhje, skeda, shënime për përdorimin, shkurtore të përmbajtjes etj.); b) shkrime që kërkojnë një vendim (raporte, lajmërime hierarkike të shënuara në një dokument, dërgim letrash, listë pagesash etj.); c) shkrime që formulojnë një vendim (letra që shprehin një urdhër, shënime shërbimi, qarkore, këshilla, rregullore etj.).
Në këtë kapitull lexuesi i interesuar do të rrokë të dhëna për çdo formë të komunikimit profesional, do të mësojë rregullat kryesore, si dhe do të përfitojë nga këshillat që jep autori për të shkruar një letër, kartëvizitë, kartolinë, për një përmbledhje (shkurtore), kumtesë për shtyp, relacion, procesverbal, broshurë apo fletëpalosje, njoftim (qarkore), jetëshkrim etj.
Njohuritë që jepen më pas këtu lidhen me paraqitjen e studimeve akademike, si për një tezë doktorati, një artikull shkencor, libër monografik etj., duke përimtuar disa të dhëna të domosdoshme e standarde për kapakun e librit, ballinën, parathënien, hartimin e tekstit, citimet, shënimet, referimet bibliografike, treguesit në fund të librit etj. Megjithëse këto njohuri i interesojnë një grupi të vogël specialistësh të fushave të ndryshme, ato kanë vlerë për njerëzit e letrave në përgjithësi, pra për të gjithë ata që ushtrojnë shkrimtarinë. Kreu V mbushet me njohuritë e duhura për shkruar qartë e në mënyrë të kuptueshme. Aty trajtohen disa pika të “kodit” shkrimor të shqipes, si për theksin dhe veçoritë e tij në gjuhën shqipe, për zanoren ë të patheksuar, rastet kryesore të përdorimit të shkronjave të mëdha në shqipen, disa shkurtime dhe shkurtesa të domosdoshme dhe drejtshkrimi i tyre. Me vlerë praktike janë edhe njohuritë që jepen për përdorimin e shenjave të pikësimit, si dhe shembujt për përdorimin e gabuar të tyre.
I fundit nga radha, por jo nga rëndësia, është kreu VI i librit ku autori shkruan për rrugët e pasurimit të gjuhës shqipe dhe mënyrat për pastrimin e saj nga fjalët e huaja të panevojshme, duke shtjelluar një koncept të qartë se nga cilat fjalët duhet “tëharrur” gjuha jonë amtare. Për të ndihmuar lexuesit, autori në këtë kapitull shton edhe një tregues me rreth 610 fjalë të huaja që janë zëvendësuar ose mund të zëvendësohen me fjalë shqipe.
Libri i profesor Gjovalin Shkurtajt vjen si një zë i plotë dhe grishës për gjithë njerëzit e penës, për të mbledhur mendjen dhe për të rregulluar “penën” që të shkruajmë shqip, thjesht, bukur, qartë dhe lehtë, sepse vetëm kështu i bëjmë nder vetes dhe kombit tonë. Ky libër është dhe një gjedhe për t’u ndjekur nga gjithë hartuesit e teksteve shkollore, që të shkruajnë shqip për nxënësit dhe studentët tanë. Ky libër është një shembull për drejtuesit e arsimit të të gjitha shkallëve, të cilët duhet t’u vënë një prag të lartë përkthimeve të llojllojshme për metodologjinë e mësimdhënies dhe fusha të tjera tw shkollws me terma që askush nuk i merr vesh. Madje, veç të mira do të kishte futja e një lënde mësimi me titull “Si të shkruajmë shqip”.
Në përmbyllje të këtyre përsiatjeve për librin e profesor Shkurtajt po sjell në kujtesë të lexuesve disa fjalë të vyera të korifejve më të mëdhenj të albanologjisë, Aleks Buda dhe Eqrem Çabej: “Ne si popull jemi pjesë e familjes evropiane, por të jesh pjesë e kësaj familjeje të madhe evropiane nuk do të thotë harrim i vetvetes dhe nënshtrim ndaj ndonjë gjuhe tjetër. Në këtë bashkësi qytetërimesh ne duhet të futemi në radhë të parë me identitetin tonë kulturor e kombëtar. Gjuha është pjesa themelore dhe shprehësja më e dukshme e këtij identiteti, tipari dallues më kryesor i mbijetesës sonë si komb”.