Deklarata e imamit të ehli Sunetit në kohën e tij, Abdulaziz bin Abdil-lah bin Baz – Allahu e mëshiroftë – në lidhje me bin Ladenin dhe ata që shkojnë rrugës së tij


Kjo deklaratë e shejhut të nderuar, Allahu e mëshiroftë, gjendet në "Mexhmu’u Fetava ve Mekalatish-Shejh", vëll. 9, f. 100, si dhë në një shkrim të tij në revistën "el-Buhuthul-Islamijeh" nr. 50, f. 7-17.





Thotë shejh bin Bazi, Allahu e mëshiroftë:



"Ajo që sot vepron Muhammed el-Mi'sari, Sa'd el-Fekih dhe ata që shkojnë rrugës së tyre, me përhapjen e thirrjeve të devijuara e shkatërruese, pa dyshim se është sherr i madh. Ata janë thirrës në një sherr dhe shkatërrim të madh. Prandaj, është detyrim që të kemi kujdes nga deklaratat e tyre, si dhe është detyrim që mendimet e tyre të shkatërrohen. Po ashtu është detyrim që të mos bashkëpunojmë me ata në asnjë gjë e cila çon drejt shkatërrimit, të kotës dhe përçarjes, sepse Allahu na ka urdhëruar që të bashkëpunojmë në të mirë, jo të bashkëpunojmë në sherr dhe shkatërrim, shpërndarje të gënjeshtrave dhe thirrjeve të kota, të cilat janë shkak i përçarjes, pasigurisë dhe gjërave tjera. Këto ide që burojnë nga Mi’sari, Fekihu, apo dikush tjetër, të cilët thërrasin në të kotën, në sherr dhe përçarje, është detyrim që t’i shkatërrojmë dhe mos të merremi me to. Është detyrë e jona që t’i këshillojmë ata persona dhe t'i udhëzojmë në të vërtetën, duke ua tërhequr vërejtjen të tjerëve që të mos bashkëpunojnë me ata. Ndërsa është detyrë e tyre që të pranojnë këshillën dhe udhëzimet dhe të kthehen në udhëzim, si dhe ta lënë atë të kotë. Këshilla ime për Mi’sarin1, Fekihun2, (Usame) bin Ladenin dhe gjithë ata që pasojnë rrugën e tyre, është që ta lënë këtë rrugë të mjegullt, t’i frikësohen Allahut dhe të kenë kujdes nga hidhërimi i Tij, të kthehen në udhëzim, si dhe të pendohen tek Allahu nga ato vepra që i kanë bërë. Allahu i nxit robërit e Tij që të pendohen duke ua pranuar atyre pendimin. Thotë Allahu:



"Thuaj: O robërit e Mi që keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën për mëshirën e Allahut, se Ai është Falësi dhe Mëshiruesi. Dhe kthehuni tek Zoti juaj dhe përuluni Atij para se t’u vijë dënimi, (sepse) pastaj nuk ka kush t’ju ndihmojë". (ez-Zumer, 53-54)



Po ashtu thotë Allahu:



"Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim". (en-Nurë, 31)3



--------------------------------------------------------------------------------
1. Muhammed el-Mes'ari është themeluesi i partisë Hizb et-Tahrir në Gadishullin Arabik dhe mburret me këtë në fjalimet e tij. Ka qenë imam në xhaminë e Universitetit Imam Muhammed bin Su'ud në Rijad. Ka ikur nga Arabia Saudite dhe ka marrë azil ne Britani, në kryeqytetin e kufrit, Londër, dhe nga atje bën thirrje për rrëzimin e shtetit Saudit.


2. Sa'ad el-Fakih ka qenë profesor i kirurgjisë në Universitetin e Mbretit Saud deri në Mars të vitit 1994. Ai u burgos për shkak të përfshirjes serioze në lëvizjen për reforma të vendit. Me daljen e tij nga burgu, ai u bë drejtor i zyrës së Londrës së Komitetit për Mbrojtje të Drejtave Legjitime, aso kohe grupi kryesor opozitar Saudit. Ai lëshoi KBDN për të themeluar Buletinin për Inteligjencë të Lindjes së Mesme [BILM] në Angli më 1996. el-Fakih jeton dhe vepron në Angli, ku është i angazhuar në përmbysjen e regjimit Saudit me anë të propagandës kundra familjes mbretërore dhe rregulllimit shtetëror të tanishëm.



3. Cili do të jetë komenti i atyre që rininë tonë islame të paditur e mashtrojnë dhe e drejtojnë kah idetë e të lartpërmendurve, të cilat vijnë në kundërshtim me burime islame (Kur’anin dhe Sunetin), pas deklaratës së dijetarit, udhëzuesit - me lejën e Allahut -, thirrësit në të vërtetën, imamit të këtij umeti në kohën e tij, Abdulaziz bin Bazit, Allahu e mëshiroftë?



Këshilla ime për rininë islame në përgjithësi dhe rininë tonë kosovare islame në veçanti, është që të kthehen kah dijetarët të cilët janë dritat udhëzuese drejt së vërtetës, në kohën kur terri i injorancës është shumë i dendur. Ta dini, o rini islame, se Allahu na ka urdhëruar t’i pyesim dijetarët për atë që nuk e dimë. Thotë Allahu:"Pyetni dijetarët për atë që nuk e dini", dhe thotë:"Me të vërtetë, më së shumti që i frikësohen Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët".





Prandaj, çështja e bin Ladenit dhe atyre që kanë mendimet e tij është një çështje për të cilën pyeten diejtarët, e jo injorantët apo ata që veten e tyre – fatkeqësisht - sot e emërojnë apo e konsiderojnë "dijetar", kurse dijetarët tanë të mirënjohur dhe të dashur akuzohen dhe shpifet rreth tyre, se ata na qenkan "Murxhie", apo "agjentë shteti", apo diç të ngjashme nga akuzat dhe shpifjet e pabaza, që ne i kemi dëgjuar dhe lexuar dhe të cilat janë shumë të njohura por edhe të kundërshtuara nga ne, pasuesit e sunetit. Mishi i dijetarëve është i helmuar, andaj kujdes!



A nuk po e meritoka shejh bin Bazi – Allahu e mëshiroftë – t’i merret fjala në këtë çështje dhe çështje tjera, kurse bin Bazi është shumë i njohur dhe i respektuar nga të gjithë?!



A nuk po e meritoka shejh Albani – Allahu e mëshiroftë - t’i merret fjala, kurse Albani është rigjallëruesi i Sunnetit dhe muhadithi më i madh i kohës sonë. Albani është ai i cili fraksionin e Murxhieve e luftoi në kohën kur shumë nga ata që sot e akuzojnë atë se i përket fraksionit të Murxhieve (gjë që realiteti e mohon), nuk ishin fare të lindur ose ishin bashkë me çunat e tjerë të lagjes duke lozur. Shiqoni librat e tij dhe dëgjoni audiokasetat në të cilat është incizuar Albani, ku flet lidhje me çështjen e Murxhieve dhe çështjen e imanit tek ehli Suneti. Nëse kjo nuk mjafton, atëherë nuk qenkeni në gjendje ta kuptoni çështjen e imanit. Lexoni deklaratat e dijetarëve si bin Bazi, Ibn Uthejmini, Abadi, Rebiu, Fevzani, Abdulaziz Al Shejhu, Ahmed Jahja en-Nexhmij, Mukbili, etj. Lexoni deklaratat e tyre në lidhje me Albanin dhe akidenë e tij në çështjen e imanit. Pa dyshim se përgjigjet e tyre në lidhje me këtë çështje janë shumë të qarta dhe pozitive, sepse pa kurrfarë dyshimi Albani është SELEFI nga A deri në Zh, mirëpo çka t’i bëjmë mbylljes së syve para së vërtetës dhe pasimit verbërisht!



Kurse pyetja ime është: A jeni ju më të ditur apo dijetarët e lartpërmendur?! Dhe tek Allahu do të mblidhemi një ditë që të gjithë dhe Ai është Gjyqtari më i drejtë.



A nuk po e meritoka shejh Ibn Uthejmini – Allahu e mëshiroftë – t'i merret fjala, kurse të gjithë të ndershmit e nderojnë dhe respektojnë?



A nuk po e meritoka shejh Rebi – Allahu e ruajt dhe i ndihmoftë që t’i shkatërrojë dyshimet e bidatçinjëve në kohën tonë (me të vërtetë shejh Rebi është bartësi i flamurit në Xherh/Kritikës dhe Ta’dil/Aprovimit në kohën tonë, ashtu siç e ka përshkruar Albani) - t'i merret fjala? Shejh Rebi është ai që me lejen e Allahut shpëtoi rininë islame nga devijimet e Sejjid Kutubit (imamit të Kutbive) dhe xhemateve tjera të devijuara. Shejh Rebinë të gjithë ehli Suneti e duanë dhe e nderojnë, si dhe nga librat e tij ata përfitojnë.



Vallahi, është shumë padrejtësi që t’u kthehet shpina dijetarëve të njohur (Ah! Sikur t'i linin e mos të shpifnin ndaj tyre!), kurse rinia jonë të drejtohet nga xhahilat të cilët vetë janë të devijuar dhe devijojnë të tjerët, siç ka thënë Pejgamberi (sal-lallahu alejhi we sel-lem). Prandaj, kujdes! Kujdes! Kujdes! Kjo është një temë e cila kërkon kohë më të gjatë për shtjellim dhe komentim, mirëpo po e mbaroj me përmendjen e disa dijetarëve të Sunetit (prej tyre katër të parët janë të vdekur - Allahu i mëshiroftë -, ndërsa tre të tjerët janë të gjallë – Allahu i ruajt dhe u dhashtë shëndet e jetë -, të cilëve u merret fjala dhe u besohet: shejh Albani, shejh bin Bazi, shejh Ibn Uthejmini, shejh Mukbili (Allahu i mëshiroftë), shejh Abadi (në Medine), shejh Rebi bin Hadij el-Med’halij (në Meke), dhe shejh Salih el-Fevzan (në Rijad) – Allahu i ruajt dhe u dhashtë jetë e shëndet. AMIN.



Pa dyshim se ka edhe shumë dijetarë të tjerë të Sunetit të cilët nuk i përmendëm, mirëpo këta që i përmendëm janë më të njohur në mesin e muslimanëve, dhe janë ata të cilët secili musliman, i cili zemrën e ka të shëndoshë dhe jo të sulmuar nga ndonjë bidat, i do dhe i respekton. Allahu i ruajt.



--------------------------------------------------------------------------------


Përktheu dhe përgatiti: Ebu Muadh el-Ensari
Më 21 Dhilhixh-xheh, 1425H (31.01.2005)
Medine