Vendimi i Islamit për Lënësin e Namazit
Dijetari i madh dhe muhadithi i kohës,
Imam Muhamed Nasirudin el Albani
Vdekur në vitin 1420 h. (Allahu e mëshiroftë!)
Përgatiti për botim:
Ali ibën Hasen ibën Ali ibën Abdulhamid el Halebi el Etheri
Titulli në Origjinal:
"Hukmu Tariki es Salat"
Autor: Muhamed Nasirudin el Albani
Përktheu: Unejs Shuajb Murati & Ylli Rama
Recensim: Bledar Hoxha
Përmbajtja
Parathënia e botimit të dytë
Parathënia e botimit të parë
Parathënia e autorit
Teksti i Hadithit
Nxjerrja dhe transmetimi i Hadithit
Kuptimi i Hadithit
Studime dhe diskutime
Konkluzioni i broshurës
Përfundimisht
Parathënia e botimit të dytë
Falenderimi i takon Allahut të Vetëm. Paqa dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e tij, shokët dhe pasuesit e tij!
Botimi i parë i kësaj brushure të dobishme ka qenë gjatë jetës së profesorit dhe dijetarit tonë, imamit Ebu Abdurrahman Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!), në prezencën e vetë atij. Ndërsa sot, ajo po përgatitet të ribotohet dhe të shpërndahet, por pas ndarjes dhe vdekjes së tij, Allahu e mëshiroftë!
Në fjalën hapëse, ne përforcojmë edhe më shumë faktin se botimi i parë i kësaj broshure të bereqetshme ka bërë dobi të shumta, në dy drejtime:
Së pari: Kthimi i shumë lënësve të namazit, të humbur e të prishur, të devijuar nga rruga e së Vërtetës, tek e Vërteta dhe serioziteti, tek Rruga e Drejtë e Allahut. Shkak ka qenë se kjo broshurë ka mbledhur nga të mirat e ligjit Islam, kërcënime fetare dhe shtytje studimore, të cilat ringjallën vdekjen e zemrave të tyre dhe shëruan gjymtyrët e sëmura të tyre.
Së dyti: Përpikmëria në përmbledhjen e subjektit dhe studimin e tij, nga aspekti i të gjykuarit me dalje nga Islami apo jo, duke qëndruar në fjalën e mesme, pa lënë diçka mangut dhe pa e tepruar. Larg tejkalimit dhe neglizhencës. Në pëlqim me metodën e pasuesëve të Selefëve.
Ashtu siç kam përmendur edhe në parathënien e botimit të parë, esenca e kësaj broshure është kërkim akademik studimor i profesorit tonë, Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!), i bazuar në një transmetim të saktë nga transmetimet e Hadithit të ndërmjetësimit, bazën e të cilit e kanë kundërshtuar disa grupacione nga pasuesit e bidateve e dëshirave të tyre, qofshin ata të hershëm apo bashkëkohorë. Këtë Hadith, ai e ka nxjerr në librin e tij të shndritshëm "Silsiletu el Ehadith es Sahihatu" (Nr.3054).
Pas botimit të kësaj brushure për herë të parë, përveç asaj që gjendet në "Silsiletu el Ehadith es Sahiha", shtoi edhe disa fjalë që kanë lidhje të ngushtë me këtë temë. Ai e titulloi atë shtesë:"Hadithi i ndërmjetsimit përfshin edhe lënësin e namazit prej muslimanëve".
Ai (Allahu e mëshiroftë!), në atë shtesë thotë:
"Më pas e kam botuar këtë punim studimor në një brushurë të posaçme, me titull "Vendimi për Lënësin e Namazit"1, me të cilën Allahu u bëri dobi shumë krijesave të Tij, megjithëse disa autorë librash e refuzuan vendimin dhe përfundimin e nxjerr në atë broshurë; se lënësi i namazit nga përtacia, por duke besuar se ai është i obligueshëm, nuk është "kafir", pasi që kjo bie në kundërshtim me bindjen e tij të mëparshme, për këtë shkak ai konsiderohet kundërshtar i asaj broshure. Ndërsa ai (besimi i lënësit të namazit se namazi është obligim, me të cilën gjë ai nuk e ka lënë të gjithë obligimin, siç thotë Ibën Tejmije, në "Mexhmuul Fetava": 20/91,92. –fjalë e shejh Aliut), është vepër e zemrës, të cilin Allahu i Lartësuar ka garantuar se nuk ia humb poseduesit të tij, siç ka thënë edhe Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) për këtë Hadith:"Kush nuk e beson këtë Hadith, të lexojë Fjalën e Allahut të Lartësuar: "Sigurisht që Allahu nuk bën padrejtësi as sa një grimcë…" [en Nisa: 40]".
--------------------------------------------------------------------------------
1. Pas gjithë kësaj, dr. Sefer Havali (Allahu e faltë!) hedh dyshime mbi atë broshurë, dhe në librin e tij "Dhahiretu el Irxha." (2/759), ai shprehet kështu:"Broshurë e cila i është mveshur shejh Albanit", ndërmjet shumë e shumë dyshimeve boshe, të kota e të pabaza!!
--------------------------------------------------------------------------------
Por nëse do të shihnim tek ai për nga lënia e namazit, ai ngjan më shumë me mosbesimtarët në veprën e tij, ata të cilët do të vajtojnë fatin e tyre në Ditën e Gjykimit, duke qenë në Zjarr. Ata thonë:"Ne nuk qemë prej atyre që e falin namazin, dhe as prej atyre që e ushqejnë të varfërin." [el Muddethir: 43-44].
Kështu që, kufri i tij është kufër në vepër, sepse ai ka vepruar vepër të mosbesimtarëve. Ai është njësoj si mosdhënësi i Zekatit, për të cilin është transmetuar gjithashtu Hadith i saktë, se mosdhënësi i zekatit do të dënohet në Ditën e Kijametit, për shkak të pasurisë që nuk e pastroi me zekatin e saj, pastaj do të dërgohet për në Xhenet ose në Zjarr.
Mirëpo, autori i përmendur më sipër (dr. Seferi), Allahu na udhëzoftë neve dhe atë, ka bërë komentim të gabuar, ashtu si ka komentuar gjithashtu edhe Hadithin për mosdhënësin e zekatit, me një komentim që ia ka shfuqizuar kuptimin dhe argumentimin e tij të qartë për atë që folëm më sipër, në dallimin ndërmjet kufrit me zemër dhe kufrit me vepër, edhe pse ky dallim është vërtetuar nga Ibën Abasi dhe disa nxënësit2 e tij, për t'u pasuar më pas nga pasuesit e Selefëve, si Ibën Kajjimi dhe mësuesi i tij3.
--------------------------------------------------------------------------------
2. Është për qëllim fjala e tij:"Kufër (vepër kufri) pa Kufër (që nuk e nxjerr personin nga Feja)". Nga Ibën Abasi janë përcjellë edhe shprehje të tjera të ngashme me këtë, shprehje të cilat janë shpata që ua thyejnë kurrizin grupacioneve të Tekfirit dhe shokëve të tyre në skajshmëri", siç thotë profesori ynë, në "es Sahiha" (7/135).
Sigurisht se ai që dyshon në transmetimin apo tekstin e këtyre fjalëve të Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), është njësoj sikur të dyshojë tek vetë ai!!
3. Shih: "Tenvir el Erxhai" (f.91-92/ Revista "el Esale").
--------------------------------------------------------------------------------
Megjithatë, personi në fjalë nuk ka qëndruar absolutisht në këtë fjalë të tyre, qoftë edhe për t'iu kundërvënë, por ku është ai nga kjo?! Allahu i Lartësuar thotë:"A do të sillemi Ne atëherë me muslimanët njësoj si me kriminelët e mosbesimtarët? Si është kështu me ju? Si gjykoni?" [el Kalem: 35-36].
Po ashtu, autori në fjalë e ka hequr vështrimin nga Hadithi:"Vërtet që Islami ka disa shenja…"4, i cili flet qartë për dallimin ndërmjet "atij që lë një pjesë prej Islamit, e cila është një pjesë Islami e lënë mangut" dhe ndërmjet "atij që i lë të gjitha pjesët e Islamit, i cili e ka lënë të gjithë Islamin". Ai nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë Hadith!!
Megjithëse nuk e quaj çudi, nëse ai përpiqet t'a interpretojë ndyshe apo t'a konsiderojë të dobët atë, siç ka vepruar edhe me Hadithe të tjera të sakta!!
--------------------------------------------------------------------------------
4. Hadithi i plotë është kështu:"Vërtet që Islami ka disa shenja dhe drita si ato të rrugës. Prej këtyre shenjave është që të besosh në Allahun dhe të mos i përshkruash Atij shok askënd, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin, të kryesh Haxhin, të urdhërosh për të mirë dhe të ndalosh nga e keqja, të përshëndesësh familjen tënde me selam kur të hysh tek ata në shtëpi dhe të përshëndesësh me selam njerëzit me të cilët këmbehesh në rrugë. Kush lë diçka prej këtyre, ai ka lënë mangut një prej pjesëve të Islamit, ndërsa kush i lë të gjitha ato, ai i ka kthyer shpinën Islamit." Hadithi gjendet në "es Sahiha" (nr. 333). Ndërsa në "Korrektimin" e bashkangjitur "es Silsile es Sahiha" (Vëll: 1, pjesa: 2, f. 935, botimi i ri), profesori ynë (Allahu e mëshiroftë!) ka shënuar:
"Them: Ky është tekst i qartë, i cili tregon se muslimani nuk del nga Islami për shkak të lënies së një prej pjesëve të tij, prej të cilave është edhe namazi. Mjafton që lënësi i namazit është Fasik/i shthurur, që nuk i pranohet dëshmia dhe se për të ekziston frika e mbylljes së keqe të kësaj jete."
--------------------------------------------------------------------------------
Shkurtimisht, mundësia për t'i kthyer kundërpërgjigje atij (dr. Seferit) është e madhe dhe e lehtë, dhe nuk e di se kur do të jepet rasti që të ndërmarrë një hap të tillë5 për të qartësuar kritikat që i drejtohen atij, si nga shkenca e fikhut, ashtu edhe nga ajo e Hadithit. Megjithëse përbri kësaj, unë e falenderoj atë për edukatën, butësinë dhe respektin që ka treguar për autorin e atyre fjalëve (shejh Albanin), si dhe e falenderoj gjithashtu për mbrojtjen që i ka bërë Akides së Dijetarëve të Hadithit, në fjalën se besimi shtohet dhe pakësohet, edhe pse ndonjëherë ai ka përzier me të diçka nga tejkalimi, apo mospajtimi e akuzimi me Irxha6, megjithëse ai e di mirë se unë i kundërshtoj rrënjësisht murxhiet dhe them se besimi shtohet dhe pakësohet, veprat e mira janë nga besimi, dhe se në të janë të mundshëm edhe përjashtimet, ndryshe nga murxhiet. Megjithatë, ai më akuzoi me Irxha, më shumë se një herë, duke e përmbysur me këtë porosinë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!):"Veprën e keqe pasoje me një të mirë, që ajo t'a fshijë atë…"!!!
Them: Sa i përngjan e sotmja të djeshmes! Një burrë i tha Ibën Mubarekut: Ç'thua për atë që bën prostitucion dhe pi alkool, a është besimtar ai?
- Ai tha: Unë nuk e nxjerr atë nga besimi.
- Ai burri tha: A tani në moshën e pleqërisë u bëre Murxhi!?
- Ibën el Mubarek i tha atij: Murxhiet nuk më pranojnë mua, sepse une them se besimi shtohet dhe pakësohet, ndërsa murxhiet nuk e thonë këtë. Murxhiet thonë se veprat e tyre të mira janë të pranuara, ndërsa unë nuk e di nëse më është pranuar ndonjë vepër e mirë apo jo! Por unë shoh se ti ke nevojë të madhe të kapësh defterin dhe të ulesh para dijetarëve." Këtë e transmeton Ibën Rahavejh, në "Musnedin" e tij (3/670-671).
--------------------------------------------------------------------------------
5. Më pas, Allahu i mundësoi profesorit tonë që ta lexonte librin e personit në fjalë, "Dhahiratu el Irxha", dhe ai bëri disa shënime të shkurtra mbi të, por ato janë shumë të forta, falë Allahut!
6. Murxhiet janë ata që e nxjerrin punën nga esenca e besimit dhe thonë se besimi është vetëm në zemër, nuk shtohet e nuk pakësohet, etj.
--------------------------------------------------------------------------------
Them: Pika e takimit ndërmjet dy shpifjeve të padrejta, është të bashkuarit në shprehje me disa nga fjalët e murxhieve; unë ngase nuk e kam konsideruar të dalë nga Feja (kafir) atë person që e lë namazin nga përtesa, ndërsa Ibën Mubareku, ngase nuk e konsideronte të dalë nga Feja atë person që bën gjynah të madh!
Nëse do t'i kundërvihesha atij me të njëjtën mënyrë, unë do t'a akuzoja atë se ai është prej Havarixhëve7, pasi që havarixhet e nxjerrin nga Feja lënësin e namazit dhe secilës prej katër shtyllave të tjera të Islamit!
Por:"Unë i kërkoj mbrojtje Allahut, nga të qënurit prej injorantëve që nuk marrin vesh." [el Bekare: 67].
--------------------------------------------------------------------------------
7. D.m.th: Në çështjen e Namazit…
Tërheqim vërejtjen këtu, se nuk ka kundërthenie ndërmjet kësaj fjale të shejhut tonë (Allahu e mëshiroftë!), me atë që është përgjigjur në pyetjen që i është bërë, më 27/Dhilhixhe/1418h. siç gjendet në kasetën e titulluar "Havarixhët bashkëkohorë", për librin "Dhahiretul Irxha fi el Fikri el Islami" të Sefer Havalit, nëse e ka parë apo jo atë libër?
- Shejhu tha: Po, e kam parë.
- I thanë: Po shënimet (fusnotat), a i ke vënë re, veçanërisht ato në vëllimin e dytë?
- Shejhu tha: Unë kam pasur dikur një mendim, të cilin e kam shfaqur para më shumë se tridhjetë vjetësh, kur kam qenë në "Universitetin Islamik" në Medine, dhe në një tubim jo të vogël, jam pyetur se çfarë mendimi kisha për xhematin e Tebligëve? Unë thashë se ata janë "Sufije bashkëkohorë". Ndërsa sot, më shkoi në mendje që t'i quaj këta, që u janë bashkangjitur atyre, të cilët kanë dalë kundër udhëheqësave në kohën tonë dhe të cilët i kanë kundërshtuar selefët në shumë prej metodave e rrugëve të tyre. Kështu që, mua m'u duk e përshtatshme t'i quaj këta "Harixhije asrije/bashkëkohore".
Këta të sotmit ngjajnë shumë me havarixhët, sidomos kur lexojmë fjalët e tyre, fjalë të cilat në fakt ndjekin rrugën dhe drejtimin e havarixhëve, në lidhje me nxjerrjen nga Feja të atij që bën një gjynah të madh, gjë e cila, nuk di ç'të them, por ndoshta është pavëmendësi e tyre, ose kurth i ngritur nga ata!
Këtë e them gjithashtu, nisur nga Fjala e Allahut të Lartësuar:"…e mos lejoni që armiku dhe urrejtja ndaj të tjerëve t'ju bëjë që t'i shmangeni drejtësisë. Jini të drejtë; kjo është më afër përkushtimit dhe kini frikë Allahun." [el Maide: 8]. Nuk di ç'të them! Këta nuk e shprehin hapur se çdo gjynah i madh e nxjerr vepruesin e tij nga Islami, por ata sillen rreth disa gjynaheve të mëdha dhe heshtin, apo mbyllin sytë para disa aspekteve të tjera. Kjo fjalë që themi për ta, është prej drejtësisë për të cilën jemi urdhëruar të mbajmë."
Them (shejh Aliu): Profesori ynë i nderuar, shejh Rabij ibën Hadi (Allahu largoftë nga ai kurthet e shtegjeve!), ka bërë një koment të mrekullueshëm për këto fjalë të shejhut tonë. Atë koment e kemi shënuar në revistën tonë "el Esale" (Nr. 24/f. 88-89), si dhe në librin tim "et Tearif ue et Tenbie" (139-141).
Shih gjithashtu disa kundërpërgjigje me vlerë të shejhut të nderuar, Rabij ibën Hadi, kundër dr. Sefer el Havali, të përmendura në revistën tonë, "el Esale" (Nr. 24/f.15-21 dhe nr. 35/f.55-62).
Vazhdon inshAllah...
Krijoni Kontakt