Dhjetëra denoncime ndaj arsimtarëve: Po shfaqin shenja çekuilibri mendor. Autoritetet: Faji i mjekëve që nuk tregojnë
Mësues të çmendur në shkolla. Alarmi vjen nga Fieri, ku numërohen dhjetëra raste kur mësuesit shfaqin shenja paqëndrueshmërie psikologjike dhe kthehen në rrezik për nxënësit. Një mësuese në fshatin Frakull ka arritur deri aty sa ka kafshuar me dhëmbë tre nxënës. Një mësues në fshatin Levan i ka kërcënuar dhe terrorizuar nxënësit pa shkak. Një tjetër u bën presion gjimnazistëve në qytetin e Fierit...
Denoncimet
Pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit (DRA) në Fier janë depozituar shumë denoncime për mësuesit e dhunshëm dhe të çekuilibruar mendërisht. Kjo sjellje ka lidhje direkte me shëndetin e tyre mendor. Madje, në shkolla të niveleve të ndryshme arsimore në Fier ekzistojnë mësues që trajtohen edhe me mjekime për shkak të gjendjes depresive apo sëmundjeve më të rënda mendore. Kjo pranohet edhe nga departamenti i inspektimeve në Drejtorinë Rajonale Arsimore të Fierit, si dhe nga sektori i burimeve njerëzore. Këto dy departamente të institucionit më të lartë arsimor në Fier, duke dashur të shmangen nga përgjegjësia fajësojnë komisionet mjekoligjore për mosidentifikimin e mësuesve me probleme mendore. Nxënësit dhe prindërit e nxënësve kanë denoncuar raste konkrete të mësuesve me probleme mendore. Shqetësimi i tyre ka mbërritur deri në institucionin arsimor Fier dhe prej këtij të fundit mësohet se: "kjo ka lidhje direkte me situatën ekonomike, sociale dhe shoqërore të mësuesit". Mësohet se vetëm gjatë vitit 2008 pranë Drejtorisë Arsimore janë denoncuar katër raste të mësuesve me sjellje anormale. Burimet zyrtare pohojnë se ka raste kur mësuesit edhe kanë kafshuar nxënësit apo i kanë kërcënuar me fjalë si "do të hedh nga kati i tretë". Situatat e tilla kanë bërë që të merren edhe masa konkrete, duke transferuar mësuesit problematikë në shkolla të tjera.
"Faji i mjekëve"
Por, zyrtarët e arsimit thonë se nuk është faji i tyre mosidentifikimi i mësuesve me probleme. Drejtoria Arsimore nuk mund ta bëjë vetë vlerësimin e gjendjes mendore të mësuesve, por bazohet në raportet mjekoligjore që mësuesit paraqesin para se të fillojnë punë. "Në fillim të vitit arsimor, çdo mësues paraqet raportin mjekoligjor. Ky raport kërkohet edhe për arsimtarët që futen për herë të parë në shkollë dhe është kusht i domosdoshëm", thotë Ilir Lugaj, drejtor i burimeve njerëzore në Drejtorinë Arsimore të Fierit. Por, pas denoncimeve të shumta për mësues me probleme mendore, zyrtarët e DRA kanë vendosur të analizojnë më hollësisht çdo raport mjekoligjor për mësuesit e të gjitha nivele në shkallë rrethi. "Nuk është përgjegjësia jonë kontrolli i aftësive mendore dhe fizike të mësuesve, pasi kjo bëhet nga komisionet mjekoligjore. Ne si institucion pranojmë se kur na janë shfaqur fenomene të tilla kemi ndërhyrë", thotë Ilir Lugaj.
Rastet
Burimet zyrtare të institucionit më të lartë arsimor në Fier tregojnë edhe raste konkrete të mësuesve me sjellje anormale, por duan të fshehin identitetin e këtyre të fundit. Këto burime tregojnë se një mësues i shkollës 9-vjeçare në Levan ishte denoncuar nga nxënësit vetëm gjatë vitit arsimor 2007-2008 mbi katër herë. Inspektimi i bërë nga DRA-ja ka vërtetuar se nxënësit kishin të drejtë, ndaj është vendosur që mësuesi në fjalë të largohet nga shkolla dhe të transferohet në fshatin Kafaraj. Rast tjetër është në një nga shkollat fillore të Komunës Frakull në rrethin e Fierit, ku mësuesja e një shkolle fillore ka kafshuar tre nxënës pa pasur asnjë arsye. Ndërkohë, edhe në një nga gjimnazet e Fierit një mësues matematike paraqet sjellje anormale.
Kafshon nxënëset se s‘kanë mësuar
Mësuesja V.A. e shkollës fillore në Komunën Frakull, njihet si një person që trajtohet me mjekime nga ana e një mjeku neuropiskiatër. Madje, vizitat e saj drejt Tiranës janë të shpeshta, edhe pse raportin mjekësor e ka të pastër. Mësohet se në ditët e para të muajit mars të këtij viti, për shkak të përgjigjeve të pasakta të një nxënëseje, ajo ka reaguar duke e kafshuar atë në krah. Për këtë nxënësja ka njoftuar prindërit dhe është vërtetuar nga Drejtoria e Arsimit Fier se nxënësja në fjalë, si dhe dy shoqe të saj, të cilat janë kafshuar disa ditë më vonë, kanë munguar pak kohë në shkollë. Kjo mësuese vazhdon të japë mësim ende në një nga shkollat fillore të Frakullës.
Në muajin janar të këtij viti, mësuesi Ll.P. i shkollës 9-vjeçare të Levanit, gjatë zhvillimit të një ore mësimi, duke shpjeguar, në mënyrë të befasishme është drejtuar nga klasa dhe u ka thënë nxënësve se "do t‘ju hedh nga kati i tretë". Por, në ditët në vijim, edhe pse në të shumtën e rasteve ai është paraqitur shumë i heshtur, ka shpërthyer në forma të ndryshme, si duke qarë në mes të klasës apo dhe duke kapur një nxënës fort nga duart. Pas këtyre veprimeve, Komuna Levan dhe nxënësit kanë kërkuar më 26 janar që ky mësues të largohet nga shkolla. Në zyrën e burimeve njerëzore të Drejtorisë Arsimore gjendet e arkivuar kërkesa e bërë nga komuna edhe ankesat e përsëritura të nxënësve, senati i tyre dhe prindërit. Në muajin shkurt, ky mësues është transferuar në një shkollë tjetër.
Shpërthen dhunshëm pa arsye
Mësuesi A.M. që jep lëndën e matematikës në një nga gjimnazet e Fierit njihet për veprime anormale në raport me nxënësit dhe kolegët e tij. Nuk bëhet fjalë për veprime imorale, por të pakontrolluara, ku ai paraqet çekuilibrim të theksuar. Rastin më të fundit e ka pasur gjatë një provimi në një klasë të vitit të dytë të gjimnazit. Kur klasa ka qenë në qetësi, mësuesi ka qëlluar me shqelm një bankë, duke terrorizuar nxënësit. Për këtë mësues, i cili vjen nga një shkollë periferike, gjatë gjithë kohës ka pasur shqetësime edhe nga stafi i mësuesve të shkollave ku ka punuar.
Një mësuese që ushtron këtë profesion që nga viti 2006 është kujtuar krejt papritur se ka bërë edhe shkollë të lartë dhe duhet të paguhet më shumë. Rasti i mësueses me inicialet M.D., në Fushë-Bulqizë, ka bërë që mbi drejtorin e arsimit në rreth të lëshohen një lumë akuzash. Dy mësues dhe ish-drejtues në shkollën 9-vjeçare Fushë-Bulqizë, Hasan Lami dhe Agim Balla, akuzojnë hapur drejtorin e kësaj zyre, Agim Tuci edhe për pranim me dashje të diplomave false. Kështu, ata konfirmojnë për "Shqip", se janë ndjerë të habitur kur në fillim të këtij viti mësimor, me shkresë të zyrës arsimore, firmosur nga drejtori Agim Tuci, mësuesja e kësaj shkolle me inicialet M.D, duhej paguar me arsim të lartë, ndërkohë që vetëm një vit më parë, ajo ka filluar punë në këtë shkollë si mësuese pa arsim përkatës. Burime pranë zyrës arsimore, të pyetur për këtë problem edhe pse nuk pranojnë të prononcohen zyrtarisht, pohojnë për "Shqip", se mësuesja në fjalë, disponon pranë degës së kuadrit "diplomën" me nr.1835, lëshuar nga universiteti "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, sipas të cilës M.D, ka "mbaruar" pa shkëputje nga puna studimet për cikël të ulët pranë këtij universiteti, në afatin kohor 1995-1999. Por ish-drejtuesit e shkollës së Fushë-Bulqizës, Lami dhe Balla, thonë se nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë përse mësuesja filloi punë në vitin shkollor 2006-2007 dhe jo më parë, kur dihet se shkollat në rrethin e Bulqizës kanë shumë nevojë për mësues me arsim përkatës, pasi shumica e tyre janë pa arsimin e duhur. Madje, vazhdojnë më tej ata, "në vitin 2006-2007, kur mësuesja M.D nisi punën pranë shkollës tonë, figuronte me arsim të mesëm. Atëherë natyrshëm lind pyetja: Si ka mundësi që për një vit ajo të mbarojë arsimin e lartë pa shkëputje nga puna? Ndaj dyshimet tona për "fabrikim" të diplomave false nga drejtori Tuci, njëherësh edhe kryetar i PDR-së, për rrethin, janë krejt të sakta po të kemi parasysh se mësuesja është marrë në punë si kushërirë e gruas së drejtorit dhe jo se ka pasur ndonjë meritë të veçantë, kur edhe shkollën e mesme e ka mbaruar 17 vjet më parë dhe me rezultate të dobëta". Është ky fakt që e implikon keqas drejtorin Agim Tuci, se është bërë palë në këtë falsifikim diplome, pasi ai më mirë se kushdo tjetër e di si qëndron e vërteta e kësaj diplome. Nëse nuk do të kishte gisht në këtë falsifikim, atëherë drejtori, duhej të çonte për verifikimin e kësaj diplome në universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, inspektorin e tij të kuadrit. Ndryshimi vetëm brenda një viti i pagës së mësueses M.D, nga trajtimi me arsim të mesëm, në atë të lartë, konfirmohet edhe nga zyra e financës së Komunës Fushë-Bulqizë. Por ajo që i rrit përmasat e këtij falsifikimi, është deklarimi për "Shqip" i mësuesve Hasan Lami dhe Agim Balla, se ky rast në shkollën e Fushë-Bulqizës, nuk është i vetëm, por pasohet nga dhjetëra të tjerë. E nëse do të ishte kështu, atëherë do të kishim të bënim me një skandal të vërtetë korrupsioni të drejtorit të zyrës arsimore, Agim Tuci.
Shqip
Krijoni Kontakt