Kryengritja e pambaruar e shqiptarëve duhet të përfundojë!


Koço DANAJ *

Fragment nga libri “Kryengritje e pambaruar” i Koço Danajt

· Ne Populli i Shqipërisë......me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar.....; është kërkesa kryesore e Kryengritjes shqiptare.

· Projekti Politik Adem Jashari, i cili përmbante nëpërmjet betimit ushtarakë, idenë e përfundimit të Kryengritjes shqiptare, është i freskët, i njohur për të gjithë, qytetarë dhe politikanë. Shprehja: Bacë, u kry, më shumë se sa realitet, është një mbulesë e dobët e pafuqisë për të përfunduar Kryengritjen. Thelbi i Projektit Politik Adem Jashari është bashkimi i trojeve shqiptare.


Kryengritja duhet të përfundojë

Por a duhet të përfundojë kryengritja e pambaruar e shqiptarëve? Kjo është e nevojshme, e domosdoshme për stabilitetin e Maqedonisë, për zgjidhjen e problemit shqiptar, për stabilitetin e Ballkanit.

Përfundimi i saj është një detyrim i madh kombëtar përpara elitës politike, civile dhe sociale shqiptare. Bashkimi Europian është një bashkim kombesh, jo thjesht shtetesh. Elita e kombit shqiptar, nuk mund të ndjehet e qetë në mjedisin europeist teksa kombi, të cilit i përket i ka punët të pambaruara. Kësisoj, përfundimi i Kryengritjes, përbën një detyrim të madh kombëtar.

Përfundimi i «Kryengritjes» nga elita politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Tetovë ka një taban të fortë mbështetës historik, por është edhe nocion europeist.

Cili është tabani historik mbështetës?

Përgjatë afër një shekulli, shqiptarët festojnë si Ditë të Pavarsisë së tyre, 28 Nëntorin e vitit 1912. Ndërkaq, kufijtë administrativë u përcaktuan më vonë në Konferencën e Londrës, në korrik 1913, e cila me vendimet e saj, e la përgjysëm Kryengritjen e shqiptarëve. Brënda ndërgjegjes apo nënndërgjegjes, si një mjet ngushëllimi apo si një mjet mos harrimi, si një manevër e mënçur politike apo thjesht si një instikt nacional, nuk ka rëndësi se kush është në krye. Ajo që ka rëndësi, është se brezit të sotëm të elitës intelektuale dhe politike shqiptare i ofrohet jo vetëm mospajtimi me ata që nuk lejuan mbarimin e Kryengritjes shqiptare, por edhe bazamenti politik dhe historik për ta përfunduar atë. Pavarsisht se bashkësia ndërkombëtare nuk e njohu 29 nëntorin 1912 dhe kufijtë e Shqipërisë i caktoi në 29 korrik 1913, shqiptarët kanë festuar dhe vazhdojnë të festojnë vetëm 1912. Eshtë një mospranim në heshtje, por gjithsesi është i tillë.

Konferenca e Bujanit e fundvitit 1943 dhe fillimvitit 1944 artikuloi të drejtën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, pra të drejtën e tyre për ta përfunduar Kryengritjen. Kjo Konferencë dhe Platforma e saj Nacionale, nuk u hodh poshtë nga shqiptarët, ajo u hodh poshtë nga ata që nuk donin të përfundonte Kryengritja e tyre. Ky dokument madhor i rrugës se si përfundon Kryengritja, përsëri është në duart e elitës politike dhe intelektuale të kombit shqiptar si një ndihmesë e rëndësishme drejt përfundimit të Kryengritjes.

Projekti Politik Adem Jashari, i cili përmbante nëpërmjet betimit ushtarakë, idenë e përfundimit të Kryengritjes shqiptare, është i freskët, i njohur për të gjithë, qytetarë dhe politikanë. Shprehja: Bacë, u kry, më shumë se sa realitet, është një mbulesë e dobët e pafuqisë për të përfunduar Kryengritjen. Thelbi i Projektit Politik Adem Jashari është bashkimi i trojeve shqiptare.

Pavarsisht ngjyrimeve politike apo nivelit intelektual, pavarsisht dukurive frenuese, elita politike dhe intelektuale shqiptare e ka pasur brerjen më të madhe të ndërgjegjes, mospërfundimin e Kryengritjes shqiptare. Ajo që në fjalorin sociologjik konsiderohet Ndërgjegja e Vrarë, në momente të caktuara të jetës së një kombi, mund të lindë edhe gurë rubini. Kështu ka ndodhur edhe me elitën politike dhe intelektuale shqiptare të periudhës së pas viteve 90-të të shekullit të shkuar. Në kulmin e garës për internacionalizëm apo globalizëm apo integrim, ajo formulon Kushtetutën e re të Shqipërisë Pluraliste. Dhe në këtë Kushtetutë, të miratuar me Referendum në vitin 1998, formulohet, fraza rilindase si më poshtë: Ne, Populli i Shqipërisë......me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar..... Është produkti 100 vjeçar i Ndërgjegjes së Vrarë. Është një rikthim në Kuvëndin e Vlorës, të Lezhës, të Bujanit, të Prizrenit, është një talisman vizionar që pret vetëm misionarë për tu realizuar. Sanksionimi në Kushtetutën e Shqipërisë i të drejtës për bashkim kombëtar, miratimi i kësaj të drejte me Referendum Popullor, pranimi i saj edhe nga ekspertët ndërkombëtarë të Komisionit të Venecies, përbën themelin mbi të cilin mund dhe ka nevojë të ndërtohet arkitektura e përfundimit të Kryengritjes së shqiptarëve.

Dialog me këdo, dialog për gjithshka

Por me çfarë mjetesh duhet të përfundojë Kryengritja?

Më duhet të bëj një sqarim të domosdoshëm për lexuesin. Në trajtesë, nocioni Kryengritje, nuk ka të bëjë me përdorimin e dhunës, me përdorimin e armëve. Nuk ka të bëjë me kuptimin klasik të saj. Por me vetë thelbin e fjalës dhe jo me historikun e saj. Një komb i pabërë ka të drejtë të ngrejë krye. Ndërsa një komb që nuk ngrë krye (Krye-ngritje), ai komb duhet të iki, është i vdekur dhe i vdekuri nuk mund të qëndrojë me të gjallët. Për më tepër kur kemi të bëjmë me kombin shqiptar i cili është i pa bërë, jo vetëm për shkak të pafuqisë së elitave të tij, por edhe për shkak të mosmarrëveshjeve të të tjerëve. Sentenca shekullore e vendosur në ballë të Kushtetutës se: Ne Populli i Shqipërisë......me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar.....; është kërkesa kryesore e Kryengritjes shqiptare.

Arma kryesore e saj është dialogu. Dialog me këdo, dialog për gjithshka, edhe për thelbin e vetë Kryengritjes, pa vendosur fillimisht për asgjë. Sot shqiptarët nuk kanë më nevojë për Kallashnikovë. Ata e kanë Vizionin në Kushtetutë. Prandaj kanë nevojë për mision dhe misionarë.

Dhe duhet ti kenë ata. Dhe do ti kenë ata.

· Autori është analist politik dhe drejtor i Institutit të Prognozave Rajonale me seli në Tiranë.