Kapen dy grekë me 450 mijë euro në çantë, po kalonin drejt Greqisë
KAKAVIJË – Sërish bien në prangat e policisë shtetas të huaj, por kësaj radhe janë ndaluar dy grekë pasi po tentonin të kalonin drejt vendit të tyre me 450 mijë euro, të cilat po i transportonin me mjetin e tyre. Burimet zyrtare në shërbimin e policisë kufitare të Kakavijës, në Gjirokastër, bëjnë të ditur se “gjatë kontrollit të kryer nga punonjësit e shërbimit kufitar në automjetin tip “Seat”, me targa greke ZMX 9897, me drejtues Konstandinos Iliadis, janë gjetur në brendësi të sediljes së krahut të majtë të pasagjerit, 450 mijë euro”. “Dy shtetasit grekë, Konstandinos Iliadis, 48 vjeç dhe Ioanis Boussias, 33 vjeç, që të dy punonjës të kompanisë së ndërtimit “Terna S.a - Branch Albania”, që kishin si destinacion shtetin fqinj, nuk kanë deklaruar pranë autoriteteve doganore shumën dhe për këtë arsye ekspertët e krimit ekonomik kanë nisur hetimet”, - tha Jorgo Çili, përgjegjësi i turnit në Stacionin Kufitar të Kakavijës. Dy sipërmarrësit u ndaluan për shkak se nuk respektuan rregullat për deklarimin e shumës në të holla, çeqeve bankare, metale ose gurë të çmuar, sende me vlerë dhe objekte antike, duke filluar nga shuma 1 milionë lekë”. Kjo përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”. Ndërkohë, ekspertët e krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë vlerësuar të paligjshëm transportimin e shumës prej 450 mijë euro, duke i ndaluar dy shtetasit grekë, me akuzën “evazion fiskal”, “transport të paligjshëm të kartëmonedhave”, si dhe “mosdeklarim të shumës monetare”. Sipas legjislacionit shqiptar, çdo shtetas që hyn apo del nga territori shqiptar, është i detyruar të deklarojë shumën monetare që disponon me vete.
12 Prill 2008
Gazeta Abania
Krijoni Kontakt