Vajrat eterikë, të përftuar nga bimë të ndryshme, kanë dhënë rezultate të mira në kurimin e disa sëmundjeve. Këta vajra bimorë janë të pasur me shumë lëndë ushqyese dhe kuruese dhe në sajë të përbërjes së tyre kanë specifikat e veta në trajtimin e sëmundjeve. Më poshtë paraqiten vajrat eterikë të nxjerrë nga shtatë bimë dhe pemë të njohura, të cilët kanë gjetur një përdorim të gjerë në mjekësinë popullore. Përveç rëndësisë që kanë vajrat eterikë në organizmin e njeriut, ju do të njiheni edhe me mënyrën e përdorimit të tyre. Aromaterapia është njëra ndër fushat më të popullarizuara të mjekësisë tradicionale dhe është e pranishme në shumë kultura. Dhjetë vitet e fundit, kur njeriu i është kthyer natyrës, ajo është riaktivizuar. Aromaterapia është formë e mbajtjes së mirë fizike dhe psikike, zbut dhembjet, jep bukuri, etj. Aromaterapia i jep njeriut mundësi që në mënyrë të natyrshme të shfrytëzojë ekstraktet e bimëve. Për shembull, nëpërmjet masazhit me vajra të ndryshëm, ruhet baraspesha psiko-fizike, rritet sistemi i imunologjisë, trupi çlirohet nga ngarkesat si dhe qetësohet nga emocionet e tij. Sipas specialistes Mimoza Petani, aromaterapia mund të përdoret edhe për problemet e sëmundjeve të ndryshme, ku aplikohen vajra të ndryshëm që aplikohen për të zvogëluar dhe qetësuar simptomat e sëmundjeve. Kjo formë është forma më e vjetër e shërimit në historinë e njerëzimit. Këto vajra kurues bëhen edhe kombinime: për relaks, freski, tonifikim, shërim të plagëve, bukuri lëkure, hidratim, smaliatura etj. I pari që njihet, që është marrë me aromaterapinë, mendohet të jetë kimisti Rene Maurice. Gjatë një prove që ai ka dhënë, ka djegur dorën e tij dhe për të ndalur dhembjet ka urinuar në vajin e lavandës, e cila ndodhej më afër tij. Pas kësaj, ai ka hetuar se veprimi i lavandës ka filluar të ndikojë shpejt në mbylljen e djegies.
Vajrat esencialë
Vajrat esencialë mund të merren në dy lloj mënyrash: nëpërmjet kanaleve të frymëmarrjes dhe nëpërmjet lëkurës. Po kështu, këto vajra bimorë mund të përdoren dhe të përgatiten për masazhin, për kujdesin e fytyrës dhe trupit, për fërkim lokal, për kompresa, për hapjen e poreve etj. Vajrat esenciale më shumë përdorim kanë gjetur për hapjen e kanaleve të frymëmarrjes, për problemet e sistemit të tretjes, në rastet e mosfunksionimit të mirë të mëlçisë dhe tëmthit, në problemet reumatizmale, ku vajrat veprojnë në mënyrë të shkëlqyer. Gjithashtu, këta vajra kurues ndihmojnë për nxjerrjen e ujit nga qelizat (si diuretik), për probleme të lëkurës, në rëniet e sistemit imunitar. Bukuria dhe e veçanta e vajrave në të cilat bazohet aromaterapia është veprimi i tyre i shkëlqyer në të gjitha nivelet e qenies sonë, pasi ata nuk japin asnjë lloj efekti negativ. Këto lloj vajrash apo përzierjesh kthejnë harmoninë, vitalitetin dhe qetësinë shpirtërore.
Përbërësit
Përbërësit e vajrave që merren nga bimët nuk dallohen vetëm nga lloji, por edhe ku është mbjellë ajo bimë dhe karakteristika të tjera si psh ku rritet bima, teknologjia që përdoret për nxjerrjen e vajit, izolimi i vajit, mënyra e përzierjeve në persona të ndryshëm, në lëkura të ndryshme, në metabolizmin e njerëzve të ndryshëm dhe te çdo njeri një vaj ka efekte të ndryshme biologjike. Është e rëndësishme që në këta vajra të kemi një garanci të plotë në teknologjinë e nxjerrjes së tyre duke u bazuar që në analizë të bimës, mbjelljes, mbrojtjes nga infeksionet, sëmundjeve të ndryshme dhe parazitët. Është mirë që bima të jetë biologjike. Gjithashtu, vajrat bimorë mund të përdoren edhe në përbërjen e kremrave të ndryshëm, të cilët përdoren për: probleme të artritit, artrozës, spondiloartrozës, në dhembje të përgjithshme të shtyllës kurrizore. Kështu për këto dhembje rekomandohet përdorimi i kremit “Leni” që është një kombinim i përsosur nga bimë të ndryshme si çajra ose përdorimi i kapsulave bimore që shërbejnë për këto dhembje. Edhe ilaçi bimor “Arnika” (që përdoret për trauma të ndryshme) nga ndjesia e freskisë që jep zëvendëson akullin, heq nxirjet nga goditjet, largon dhembjet etj.
1. Vaji i limonit
Një ndër vajrat esencialë që përdoret për kurimin e disa sëmundjeve ose problemeve është vaji i limonit. Ai mund të përdoret dhe si aromatizues për gojën dhe mund të merret tri herë në ditë nga një pikë. Nëse përdoret para ngrënies, vaji i limonit është shumë i mirë për celulitin, për mykun. Si përdorues i jashtëm, vaji limonit ka efekte pozitive për forcimin e thonjve, jep hidratim dhe shkëlqim lëkure, heq rrudhat etj. Gjithashtu, ky vaj mund të përdoret edhe për masazh dhe freskim. Për këtë, ai duhet të shfrytëzohet pas lodhjes për ta përtërirë trupin. Ndërsa në rastet e reumatizmës, kur keni dhembje muskujsh, vaji i limonit përzihet me vajin e gështenjës për të qetësuar dhe larguar dhembjet. Pas masazhit, trupin e pushton një ndjenjë e mirë nxehtësie dhe relaksimi.
2. Vaji i gështenjës
Vaji i gështenjës është një tjetër vaj esencial i përdorur nga mjekësia tradicionale. Ai ka gjetur përdorim të gjerë në sëmundjet reumatizmale. Me vajin e gështenjës për të larguar dhembjet duhet të fërkohet vendi i sëmurë dhe kjo mund të përsëritet disa herë në ditë pa probleme të dëmshme. Gështenja është një bimë mjaft e përhapur jo vetëm në Europë, por edhe në vendin tonë. Falë përbërësve të saj, përdorimi i gështenjës në mjekësinë popullore është i njohur dhe mjaft i përhapur. Kokrrat e gështenjës kanë vlerë të lartë ushqyese e dietike. Ato përmbajnë rreth 40 për qind niseshte, kur janë të freskëta. Gështenjat përdoren të freskëta, të ziera, të pjekura ose të përpunuara. Kokrrat e gështenjës, të ziera a të pjekura, kanë veti të mira rrudhëse dhe rregullojnë funksionimin e stomakut dhe të zorrëve, treten lehtë dhe ndihmojnë në tretjen edhe të ushqimeve të tjera duke aktivizuar organet dhe gjëndrat e tretjes. Përdoren me efekt të mirë në rastet e heqjes së barkut ose diarresë. Veçanërisht këshillohen për fëmijët e vegjël disavjeçarë për të normalizuar procesin e tretjes kur karakterizohet nga mjaft çrregullime. Gjethet e gështenjës kanë gjetur një përdorim të mirë si zbutës të rrugëve të frymëmarrjes dhe qetësues të kollës. Çaji me gjethet e gështenjës ka veti tonike dhe jep rezultate të mira në stomak si tretës dhe si nxitës për hapjen e oreksit. Bën mirë posaçërisht kundër heqjes (shkuarjes) së barkut. Ndikon edhe për uljen e temperaturës.
3. Vaji i mentës
Vaji i mentës është një vaj esencial shumë i mirë për t’u përdorur pas depilimit. Ky vaj nuk lejon që të rritet qimja shpejt, jep freski, mbyll poren e hapur, e cila nuk lejon që qimja të depërtojë në lëkurë (qimja del drejt). Nëse përdoret për masazh në të gjithë trupin, vaji i mentës jep freski dhe kënaqësi. Ai gjithashtu ndihmon kanalet e frymëmarrjes, përdoret në rastet e ftohjeve, ndihmon në uljen e temperaturës, në bronkite dhe kollë, ku mund të masazhohet dhe vetëm pjesa e gjoksit. Vaji i mentës mund të përdoret për t’u pirë nga goja kur keni probleme me fytin, në erën e padurueshme të gojës, për kujdesie të dhëmbëve ose zgavrës së gojës ose mund ta përzieni me ujë për shpëlarje të gojës me gargarë. Ai është dhe një antimikrob shumë i mirë. Vaji i mentës është shumë i mirë të përdoret për fërkim kur keni probleme me venat, por ai mund të përdoret edhe për lyerjen e këmbëve për të larguar aromat e pakëndshme të djersës, sepse mban gjatë gjithë kohës këmbën të freskët. Kjo bimë është mjaft e përhapur në natyrë. Në Shqipëri njihet me emrat: mendër, hithër e butë, hithër e egër, dhiozmë, mendërz, nane, mendër e butë. Mendra shtëpiake (Mentha piperita L) është bimë shumëvjeçare. Gjethet e saj kanë formë vezake, ndërsa lulet janë në majë të kërcellit, të formuara nga lulëzat e vogla. Karakterizohet nga aroma e mentolit, për këtë dhe kultivohet nëpër kopshte. Në mjekësinë popullore është tejet i përhapur përdorimi i kësaj bime. Çaji nga gjethet e kësaj bime, të cilat duhen mbledhur para se të lulëzojë, përdoret si spazmolitik kundër ngërçeve, pastaj për qetësimin e tërheqjeve muskulare, sidomos në organet e tretjes. Gjethet e saj janë përbërës të shumë preparateve dhe çajeve në farmakologji. Në formë çaji përdoret edhe kundër vjelljes, dhembjes së stomakut, të mëlçisë, sëmundjeve të lëkurës, kundër tendosjeve psikike, streseve, kundër reumatizmit etj. Lulëzon në muajt korrik - nëntor.
4. Vaji i portokallit
Vaji esencial i portokallit mund të përdoret me pika nga goja duke e marrë tre ose katër herë në ditë nga një pikë për të larguar erërat e këqija nga goja, mund të largojë aromat e këqija të djersës duke u përdorur në vendet intime. Ky vaj, duke pasur Vitaminën C, jep ndjenjën e nxehtësisë duke u ndier mirë dhe i qetë. Portokalli është i pasur me Vitamina A, B, C, P, me kripëra kalciumi, fosfori etj. Lëngu i portokallit, i konsumuar me ose pa sheqer, ose me gaz karbonik, është freskues. Nga lëvozhga e portokallit del vaj eterik shumë i mirë, i cili gjen përdorime të shumta në prodhimin e pijeve, aromave, ilaçeve etj. Lëngu i portokallit ka veti diuretike dhe antiseptike (që ndalon kalbëzimin ose pengon zhvillimin e mikroorganizmave), përdoret me sukses në luftimin e sëmundjeve të veshkave edhe në rastet kur janë formuar gurë në to, në sëmundjet e mëlçisë dhe në ato të zemrës dhe të enëve të gjakut. Lëngu i portokallit, duke i shtuar pak sheqer, pëlqehet edhe nga fëmijët e vegjël dhe këshillohet të përdoret qysh në muajin e tretë pas lindjes. Portokallet përdoren me efekt të mirë në luftimin e anemisë, duke pasuruar gjakun me elemente të reja. Portokalli ka përmbajtje të lartë të Vitaminës C. Kjo vitaminë merr pjesë në shumë procese të shkëmbimit të lëndëve në organizëm. Lëvozhgat janë të pasura me elemente aktive dhe lëngu i fituar nga zierja e tyre përdoret edhe në rastet e çrregullimeve të stomakut dhe të zorrëve.
5. Vaji i eukaliptit
Është një mrekulli për të çliruar rrugët e frymëmarrjes, për ftohjet, për kollën. Përdoret për t’u pirë edhe në formë çaji, për t’u futur në vaskë ose për masazh. Pas përdorimit të këtij vaji, ndihet menjëherë çlirimi i muskujve të trupit dhe mbushja e tyre me ajër.
Eukalipti (Eucaliptus globulus Lab.)
Eukalipti është një dru që arrin lartësinë deri në 3 m. Ka dy lloje gjethesh: gjethet e vjetra janë të gjata në formë drapri, të trasha, me gjatësi rreth 35 cm, kurse ato të rejat janë pa bisht, në formë vezake, me erë të këndshme. Lulet i ka të veçuara, fryti kapsollë me madhësi 3-4 cm. Lulëzon nga muaji shkurt-korrik. Bimës i mblidhen gjethet e vjetra gjatë muajve korrik-gusht, të cilat thahen në diell. Eukalipti ka veprim antimikrobik. Përdoret si balsamik, në jashtëqitjen e këlbazës, si dezinfektant urinar. Nga jashtë, në formë pomade përdoret në sëmundjet dermatologjike.
"Gazeta Albania"
Krijoni Kontakt