Shtipi, Prilepi e Manastiri ishin në Shqipëri
Mr.Sc.Ilmi VELIU
Me që jam studiues i Mesjetës dhe hulumtues i vetëm në Maqedoni i periudhës së Skënderbeut, do ti përgjigjem Pavlovskit po edhe pavlovskave të tjerë, të cilët janë të një mendimi dhe nuk dallojnë asnjë gram nga njëri-tjetri kur është në pyetje Historia e Popullit Shqiptarë dhe falsifikimi e zhdukja e gjurmëve të shqiptarëve në këto troje. Pikërisht kjo më shtyri që unë në pleqëri (55 vjet) të regjistroi shkallën e tretë te "Shën Kirili", dhe para një komisioni shumë të ashpër, të arrijë ta mbroj temën për Skënderbeun, dhe të detyroi komisionin që të gjunjëzohet para argumenteve dhe burimeve Osmane e Bizantine se Skënderbeu ishte nga gjaku shqiptar. Autorët e këtyre veprave, megjithëse nga një anë vënë në dukje sulltanët dhe komandantët turq si figura që kanë luajtur rolin vendimtarë në zhvillimin e ngjarjeve, nga ana tjetër duke shkruar në bazë të kujtimeve të veta ose të tregimeve të atyre që i kanë jetuar ngjarjet, zgjerojnë rrethin shoqërorë të pjesëmarrësve në këto ngjarje dhe japin njoftime edhe për masat popullore shqiptare, e në veçanti për Skënderbeun. Asnjë autorë Osman nuk e përmend Maqedoninë e aq më pakë maqedonasit. Të gjithë thonë se Sulltani shkoi në Shqipëri (Arnaut Vilajeti) dhe pushtoi Shtipin, Prilepin e Manastirin.
1.Oruç Bin Adil. Është autor i njërës nga historitë më të vjetra të shtetit osman "Tevari el Osman", (Historitë Osmane). Të dy dorëshkrimet e Orçut të gjetura në Oksford dhe në Kembrixh janë botuar nga Franc Babinger me titullin "Die Fruhosmanicshen Jaherbucher des Urudsch", Hanover 1925. Ai kur shkruan për betejat e shumta kundër Skënderbeut, në faqe 96 potencon se sulltani shkoi të luftonte kundër Iskendert në tokat shqiptare, ose vendin e shqiptarëve (Arnavud ilinden) dhe jo në Maqedoni. Në faqe 115, tokat shqiptare Oruç i përmend edhe si Vilajeti i Shqiptarëve (Arnavud vilajetine). "…..Ali Beu, thotë ai, mblodhi ushtrinë dhe akinxhinjtë e Rumelisë dhe hyri në vilajetin e shqiptarëve në Manastir…..". F.121 thotë se "….Sulltan Murati II dërgoi akinxhinjtë kundër vilajetit të shqiptarëve dhe pushtoi kështjellën e Sfetigradit. Sundimtari shqiptar, Iskenderi u arratis…". Në origjinal, "Arnavud begi Iskender" ku potencohet shumë qartë se Iskenderi ishte sundimtar shqiptar dhe jo serb, bullgar, grek, boshnjak, hungarez, ose si që thonë "Popovskat" se ishte me origjinë sllavo-maqedonase.
2. Kronikat Anonime Osmane. Është fjala për veprën me titull "Tevarih El Osmaan" e cila përmbledh një numër të shumtë kronikash anonime të shkruara në fund të sh.15 dhe fillimi i sh.16. Janë analizuar dhe botuar nga Franc Giese, "Die altosmanischen anonymen Chroniken", 1922, Bruksell. Faqe70: "….Sulltan Murat Hani kreu një fushatë kundër tokave të Juvanit (Gjon Kastriotit) dhe vilajeteve tjera të shqiptarëve. Ai pushtoi kështjellën e Sfetigradit. Pushtoi pastaj edhe dy kështjella tjera. Sundimtari shqiptar - Iskenderi nuk u pa se ku ishte". Kronikat kur flasin për sulmet e viteve1450, 1466, 1467 dhe rrethimet e Krujës, janë shumë decide dhe të qarta se lufta është bërë kundër shqiptarëve të udhëhequr nga sundimtari i tyre shqiptar- Iskenderi.
3. Ashik Pasha Zade. Është një nga kronistët e hershëm osman, i cili jetoi gjatë shekullit 15. Veprën e tij e ka botuar Ali Beg , me titull "Ashik Pashazade tarihil Osman", Istambull 1332 hixhri. Për këtë kronist ka shkruar edhe Sami Frashëri në Kamusul al-lam, vl, IV. Në faqen 63 të veprës së tij, Pasha Zade thotë se njeriu që e vrau Sulltan Muratin - I - quhej Bilush Kuble, që ne mendojmë se është një emër shqiptar dhe jo Millosh Obiliq, si që e kanë emëruar serbët dhe e kanë shpallur si serb. F. 124: "....Një arnaut i pa fe me emrin Iskender që ishte "i biri i një sundimtari shqiptar", (Gjonit) dhe kishte qenë içogllan i sulltanit e që tash kishte ngritur krye kundër tij, dhe ua kishte bllokuar rrugët akinxhinjve". Pra, Zade jo që e dokumenton se Iskenderi ishte shqiptar, por ai informon se ai ishte i biri i një sundimtari të shqiptarëve. A ka argumente më të forta historike se sa këto të dhëna që na jep Pasha Zade e që Pavllovski e Popovski nuk i kanë lexuar ose nuk dëshirojnë t'i lexojnë dhe të binden se ai ishte shqiptarë dhe bir shqiptari. Argumentet janë edhe më të forta kur kihet parasysh se këto fjalë i thotë një autor osman dhe nuk i thotë nga dashuria që ka pasur ndaj Skënderbeut por nga urrejtja.
4. Mehmet Neshri. Vepra e tij, "Cihan Numaa", (Treguesi i Botës), analizuar dhe botuar nga Franc Taechner, " Die altosmanischen Hroniken des Mevlana Mehmet Neschri", Lajpsig 1951. Në faqe 71 tregon për pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës: "Llazarit i shkuan në ndihmë hungarezët, vllahët, çekët, shqiptarët....". të cilën të dhënë e kanë fshehur serbët e maqedonasit. Faqe 79...ndër ta ishte një i pa fe me emrin Jorgji (Gjergji i II Ballsha) i cili kishte 30 mijë ushtarë. Në kapitullin e veprës së Neshriut "Lufta me shqiptarët" (gazaul arnevud) faqe 201 thuhet se "... Iskenderi, sundimtari shqiptar (Iskender arnavud begi oglu idi) e tradhtoi padishahun.....". Ai si hakmarrje, shkoi dhe grabiti shumë bagëti të osmanëve në malet e Tetovës (Kallkandelen) .
5. Dursun Beg. Vepra, "Tarihi ebul Feth" (Historia e Babait të pushtimeve) e botuar nga Mehmet Arif, Istambull, 1914. Në faqe 123: "... popullsia mosmirënjohëse shqiptare u hodh në kryengritje, e udhëhequr nga arnauti kryeneç Iskenderi. Faqe 132, "...Mbasi sulltani u hakmor kundër frengjëve dhe hungarezëve, u preokupua të zhdukte nga rrënjët shqiptarët mosmirënjohës të udhëhequr nga arnauti Iskender...". Nga që ishin tepër të këqij, ata rezistuan me kokëfortësi dhe me tërbim të madh..."Faqe 136, " ... Arnauti, Iskender tradhtari, i cili qysh si fëmijë ishte rritur në pallatin mbretëror, iku dhe pëlqeu rrugën e kryengritësit. Ai shkoi dhe u tha shqiptarëve, "unë jam djali i sundimtarit tuaj... (i Gjonit), ata e pranuan".
6. Idris Bitlisi. Vepra:"Hesht Bihisht" (Tetë parajsat) dhe është e shkruar në Persisht. Autori në mënyrë të drejtpërdrejtë thotë se: "Shqiptari Iskender, i cili qe ngarkuar me detyra nga sulltani, ishte një nga më të besuarit e më të shquarit, ndër personat e zgjedhur, që mbaheshin në shërbim të sulltanit. Do të thotë se ka qenë e njohur se Iskenderi ka qenë shqiptarë, edhe në kohën kur ai ishte në oborrin e sulltanit. "...ata shqiptarët si shpendët grabitës, domosdo janë nga natyra trima e guximtarë sa s'ka se ku të vejë më". Faqe 127. Një nga shërbëtorët e sulltanit arnauti Iskender, që kish qenë rritur që fëmijë me të mirat e Padishahut që kish gëzuar gjithmonë kujdesin, shpirtmadhësinë dhe ledhatimin e pakufizuar, i shtyrë nga lakmia që të bëhet mbret i Shqipërisë, bashkë më një grup intrigantësh u larguan nga selia e lumturisë.
7. Kemal Pasha Zade. Vepra-"Tevarih el Osman" (Historitë Osmane) F. 279, autori thotë se: "....Në vendin e shqiptarëve doli në skenë një njeri prej një fisi të vjetër mbretërorë, një ngatërrestarë dhe turbullues i njohur me emrin, i biri i Juvanit, (Gjonit) emri i të cilit ishte Iskender. F. 280, tradhtia e tij kriminale u bë e famshme kudo, dhe të gjithë në (Perandorinë Osmane) e thirrin me emrin tradhtari arnaut Iskenderi. Ai shkoi dhe me lehtësi hyri në vilajetin e të atit të tij, i cili në vendin e shqiptarëve njihet me emrin nahija e ashpër e tokave të Juvanit. Populli i atij vendi e pranoi dhe iu nënshtrua, duke thënë së ky është djali i sundimtarit tonë. Në këtë mënyrë pushtoi vendin e sipërpërmendur dhe u bë mbret i shqiptarëve.
Po të kishte qenë me origjinë sllave, ai do të shkonte në Sofje, në Beograd ose në Strumicë që të bëhej mbret i atyre popujve që jetonin atje dhe jo në Krujë.
8. Hoxha Sadedini. Është një nga historianët më të dëgjuar osmanë, i cili ka marrë pjesë edhe në punët shtetërore. Vepra e tij titullohet "Tacut-tevarih" (Kurora e historive) dhe më së shumti përmendet si Hoxha tevarihi. Ajo që neve na lë përshtypje është shkrimi i tij për Skënderbeun në faqe 351, ku thotë se: "...Sundimtari shqiptar (Gjoni) kishte një djalë të pashëm që quhej Iskender, figura trupore e të cilit të frymëzonte dashurinë, ndërsa fytyra e tij tërheqëse ishte shprehëse e bukurisë dhe e hirësisë së tij. Ai e dërgoi djalin Iskender në kryeqytet për të konfirmuar nënshtrimin e tij ndaj sulltanit." Është shumë interesant dhe rast shumë i rrallë që dikush nga autorët osmanë ta përshkruaj në këtë mënyrë pamjen fizike dhe bukurinë e Skënderbeut. Jo se ky autorë ka pasur ndonjë simpati por ai e ka thënë të vërtetën, pra ashtu si që është dukur Skënderbeu.
9. Ali Mustafa bin Ahmed. Vepra e tij është: "Kunhul Ahbar" (Bërthama e lajmeve)Se Skënderbeu ishte me origjinë shqiptare, Ali e dokumenton në faqe 76 kur flet për Hamza Kastriotin dhe thotë se: "...Hamza beu ishte i nipi i Iskenderit të shqiptarëve, nga prijësit e vjetër kokëfortë e inatçi, me trupa divash, që ishin grumbulluar në disa kodra e vende të çuditshme, e të pa depërtueshme të Shqipërisë....." Në faqe 124 , Ali e përsërit edhe njëherë se Iskenderi ishte shqiptarë dhe thotë: "....Një njeri i pa vlerë nga fisi shqiptar (arnaut) i quajtur me emrin tradhtari Iskender, i cili pasi u rrit dhe edukua në oborrin e sulltanit, doli jashtë dh mori rrugë të shtrembët".
10. Solkzade. Është njëri nga historianët osmanë të sh.XVII. Vepra e tij titullohet "Fihrist Shahan" , por sot më së shumti njihet si "Tarihi Sollakzade" (Historia e Sollkazades)
Ai në faqe 43 përmend pjesëmarrjen e shqiptarëve në Betejën e Kosovës, në faqe 168 e përshkruan pamjen fizike të Skenderbeut ku thotë se "....Pamja fizike e këtij njeriu të bukur të çlodhte sytë, kurse fytyra e tij tërheqëse të jepte një kënaqësi. Pastaj më poshtë vazhdon ndryshe. "...Ai arnaut sojëkeq dhe fatzi i harroi mirësitë e padishahut dhe i ktheu shpinën atij.
11. Mynexhimbash. Po ashtu është historian i sh.XVII. Vepra e tij titullohet "Sahaful ahbar", e botuar nga Nedim Ahmet, me titull "Mynexhimbashi Sahaful ahbar", Istambull 1285 h. Faqe 352 autori përsërit të dhënat që i përmendëm më lartë. Me siguri se ai gjatë shkrimit të historisë së ti është mbështet tek këto autorë. Ai përsërit se Iskenderi ishte i biri i Juvait, sundimtarit shqiptar dhe se ishte rritur në oborrin e sulltanit. Kishte qenë i emëruar nga sulltani si zëvendës i të atit në tokat shqiptare (subash i Krujës). Pastai e tradhtoi sulltanin dhe ngriti krye. Pra autorët serbë e sllavo-maqedonas që kanë shkruar, e disa të tjerë që edhe sot shkruajnë se Skenderbeu ishte me origjine sllave, duhet ta kuptojnë se ai i hoqi nga krahu të gjitha gradat osmane dhe iku e shkoi në Shqipëri, ose shkoi dhe u bë mbret i shqiptarëve. Pra është e natyrshme që secili kthehet në tokën që e ka lindur dhe as-sesi në tokë të huaj. Vetë autorët osmanë e vërtetojnë se ai ishte nga gjaku i shqiptarëve dhe ishte i gatshëm ta derdhte atë gjak për tokën shqiptare.
Autori është drejtor i Muzeut të Kërçovës
Krijoni Kontakt