Sot, 07 April 2008
Shefja e ILDKP Laskaj,
kasaforta e fshehjes së pasurive të politikanëve
Nga Milton NUSHI
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është kthyer në një institucion inventarizues, ku punonjësit e saj me në krye zonjën Laskaj, ka kohë që merren vetëm me statistika dhe nuk kryejnë detyrën për të cilën është krijuar, për të kontrolluar dhe vënë para drejtësisë zyrtarët e korruptuar. Nuk po e kuptojmë çfarë detyre ka zonja Laskaj, përveçse të na thotë se gjysmat e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë nuk kanë deklaruar pasuritë e tyre?
U bë një kohë e gjatë që politikanët tanë akuzojnë njëri tjetrin, por jo vetëm ata, por dhe kancelaritë e huaja,se korrupsioni në Shqipëri vazhdon të jetë në nivele të frikshme. Përditë dëgjojmë përzierje të politikanëve nga të dyja kahet e politikës me klane mafioze, të cilët vjedhin dhe shpërdorojnë në mënyrë konstante pasuritë e shqiptarëve. Çdo zyrtar i lartë i shtetit në formularët e deklarimit të pasurive i jep të drejtën zonjës Laskaj të kontrollojë çdo qindarkë të pasurisë së tij, por ende kjo zonjë e nderuar nuk na ka bërë me dije asnjë politikan të pasuruar padrejtësisht dhe ta vërë atë para drejtësisë.
Shqiptarët i kanë sytë në ballë dhe e shikojnë jetën luksoze të politikanëve të tyre, të cilët pa iu dridhur qerpiku nga kontrollet rutinë të Inspektoratit, vazhdojnë të rrisin pasuritë pa iu futur gjemb në këmbë. Në deklaratën e saj para dy ditëve, zonja Laskaj vlerësoi bashkëpunimin e saj me mediat për përcjelljen e kujtesave të herëpashershme që ka bërë ILDKP për zyrtarët që të përmbushin në afat detyrimin ligjor. Pra sipas zonjës Laskaj, mediat e kanë për detyrë vetëm të kujtojnë zyrtarët që të mos vonohen për ti dorëzuar ato letra bakalli asaj, në mënyrë që ajo të dalë më pas dhe të thotë se e ka kryer më së miri detyrën që i është ngarkuar. Media, bashkëpunimin më të cilën kjo zonjë e lavdëron kaq shumë duhet të kryejë një sërë formalitetesh dhe të paguajë një mal me lekë për fletushkat pa vlerë të saj.
Pse nuk i bën publike pasuritë e politikanëve në faqet e internetit kjo zonjë, në mënyrë që çdo qytetar i këtij vendi të shikojë me sytë e tij se si zyrtarët e zgjedhur dhe të paguar prej tyre fusin pa pikën e turpit duart në xhepat e tyre? Cilin politikan apo zyrtar të lartë ka denoncuar në prokurori që nga koha që është krijuar ky institucion zonja Laskaj? Në deklaratën e saj, kjo zonjë na bëri me dije se vitin e kaluar ky institucion ka aplikuar kontrollin e plotë, si një nga fazat më të rëndësishme të hetimit administrativ, për 650 subjekte. Pra deri këtu përfundon detyra e këtij institucioni totalisht inekzistent.
Ky institucion dhe kur vihet në lëvizje mbas korrupsionit të zyrtarëve të denoncuar në media, vrapon ti mbulojë ata duke kërkuar gjoja dorëheqje të tyre për shkak të konfliktit të interesit pa i hyrë në thelb çështjes dhe të denoncojë publikisht dhe përpara organit të akuzës pasuritë e paligjshme të tyre. Ky institucion është kthyer në një institucion bunker dhe çdo veprim i zonjës Laskaj është jo transparent, pasi nën justifikimin e ruajtjes së jetës private i kryen veprimet e saj në fshehtësi të plotë.
Zonja Laskaj harron se zyrtarët shtetërorë apo politikanët, të cilët pranojnë të paguhen nga ne, duhet ti tregojnë xhepat e tyre jo vetëm për të por dhe për kontribuuesit e të tyre . Nuk ka se si të mos kujtojmë daljen e saj në parlament, në situatën e krijuar nga tragjedia e Gërdecit, duke mbajtur fjalime pa vlerë, që të bën të mendosh se ajo jeton në një vend tjetër dhe për të nuk ka ndodhur asgjë. Në gjuhën e popullit, të na falë lexuesi për etikën, do ta komentonim fshati digjet dhe “gruaja e ndershme” krihet.
A e ndjen ndopak veten përgjegjëse kjo zonjë për inkompetencën e saj për zbulimin dhe vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve të përzierë në aferat mafioze të kontrabandës së armëve të cilat sollën si pasojë dhe tragjedinë e Gërdecit? Si ka mundësi që mbas shpërthimit të skandalit të trafikut të armëve, na dalin zyrtarë, subjekte të ILKDP, me prona marramendëse të cilat nuk e kanë shqetësuar aspak atë që ti verifikonte? Me sa duket ky institucion është krijuar vetëm për të mbuluar vjedhjet dhe korrupsionin duke shpenzuar më kotë taksat e shqiptarëve për rrogat e majme të tyre.
Ajo që të bën përshtypje është se edhe mbas ardhjes në pushtet të PD, e cila moto të saj kishte tolerancën zero korrupsionit, ILDKP është i vetmi institucion që nuk u reformua në mënyrë që të hynte në shinat për të cilin ishte krijuar. Me sa duket zonja Laskaj është bërë një lojtare e aftë për të krijuar dosje vetëm për përdorim vetjak, për favoret që politika nga frika e tyre i jep pa kursim asaj. Zonja Laskaj dhe institucioni i saj është përgjegjës për këtë korrupsion galopant që ka përfshirë zyrtarët dhe politikanët shqiptarë.
Vetëm një reformim rrënjësor dhe largimi i menjëhershëm i saj nga drejtimi i tij mund ti hapë rrugë pastrimit të politikës dhe administratës shqiptare nga individët e korruptuar, të cilët duhet të përballen pa humbur kohë me drejtësinë.
Krijoni Kontakt