Ekspertët ushtarakë: Në vendet e magazinimit nuk zbatohet asnjë rregull


Gërdecë të tjerë qëndrojnë në heshtje për t‘iu dëgjuar zëri një ditë. Frika për rrezikun e shpërthimeve të tjera masive vjen nga vetë specialistët, njohës të municioneve dhe kushteve të ruajtjes së tyre. Sipas vetë ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes, shkak për tragjedi të reja mund të bëhen ato qindra tonelata municionesh, të trashëguara ndër dekada, për të cilat nuk tregohet kujdes dhe shkelen të gjitha rregulloret e ruajtjes dhe magazinimit. Specialistët, që kanë studiuar për vite me radhë rregullat teknike të ruajtjes së municioneve dhe shkatërrimit të materialeve që dalin jashtë përdorimit theksojnë se A-ja e kësaj pune qëndron te zbatimi i rregulloreve të kushteve teknike. E që prej gati 20 vitesh, këto jo vetëm që nuk respektohen, por shkelen në mënyrën më abuzive të mundshme.

Ekspertë piroteknikë në Ministrinë e Mbrojtjes bëjnë me dije se laboratorët ushtarakë për analizat e municioneve janë jashtë përdorimit. Ata nuk kryejnë më funksionin e tyre të analizimit të barutit, nëse ai ka marrë lagështirë apo jo. Të njëjtët ekspertë pohojnë se lagështira në barut shkakton edhe vetëndezjen e tij, duke u shndërruar kështu në burim katastrofash njerëzore.

"Dikur municionet izoloheshin që të mos merrnin lagështirë, pasi fillonte veshja me myk dhe rridhte lënda plasëse në formë gazi. Bëheshin kontrolle në kushte laboratorike për rrjedhjen e gazit të barutit. Nëse nuk ishte shumë i mirë përdorej për qitje", thotë njëri prej ekspertëve të ministrisë. Sipas tij, tunelet ishin të thella deri në 100 metra. Ishin me lidhje paralele për ajrimin. Qarkullimi i ajrit bëhej me regjim dhe asnjëherë në verë, pasi ajri është i ngrohtë. "Ajrosja bëhet kur temperaturat jashtë me ato brenda nuk ndryshojnë me më shumë se 5 gradë. Kur diferenca arrin në 10 gradë, futet ajri i nxehtë që në kontakt me të ftohtin shkakton kondensimin e ajrit dhe rrjedhimisht lagështirën. Temperatura e tunelit duhet të ruhet në gjendje të pandryshueshme prej 16 gradësh", shpjegon ai. Por në qoftë se përpara 20 viteve këto rregulla ishin një punë e përditshme e ushtarakëve përgjegjës, tashmë kjo nuk ndodh. Askush në Ministrinë e Mbrojtjes nuk mund të japë garanci se municionet e magazinuara në reparte të ndryshme në të gjithë vendin ruhen sipas rregullave strikte. Gjë që sipas tyre përkthehet ndryshe, rrezik i lartë për denatyrim të barutit dhe vetëshpërthim të tij. Ndërkohë që specialistët e mirëmbajtjes së municioneve në qendrat e qendërzimit, tregojnë se kur kanë filluar njollat e blerta ose të ndryshkut bëhet riparimi vjetor me njerëz specialistë, nën masa sigurimi të rrepta, procedura që sot kanë degraduar.

Në vendin tonë janë në gjendje të magazinuar rreth 100 mijë tonë municione, mosha e të cilëve përkon me periudhat e marrëdhënieve shumë të mira diplomatike, herë me Bashkimin Sovjetik dhe herë me Kinën. Këto municione janë vënë në shënjestër për t‘u shkatërruar prej faktit se përbëjnë rrezik për popullatën. Pas ngjarjes së Gërdecit, në shumë reparte ku qëndrojnë këto municione, u zbulua fakti se ato "ruhen" vetëm nga ushtarë në hyrje të tyre. Ndërsa askush nuk zbaton protokollet apo rregulloret për mirëmbajtjen e municioneve.

Flet Arif Llaveshi, ish-shef i municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes për 27 vjet


Municionet nëse nuk mirëmbahen, shpërthejnë


Arif Llaveshi, ish-shefi i municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes që prej viteve 1959-1986, pra për 27 vjet me radhë, tregon për kushtet skrupuloze të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së municioneve. Ai ka studiuar në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad, shkencën e piroteknikës dhe është një ndër njohësit më të mirë të saj në vendin tonë. Familja Llaveshi në zonën e Matit që prej 6 shekujsh ka prodhuar barutin në tre punishte, që kanë funksionuar deri në 1939. Ato u shkatërruan në vitin 1940 nga italianët. Ai pohon se tragjedia e Gërdecit ka ndodhur pikërisht nga shkelja e rregullave teknike dhe i një sërë rregulloresh ushtarake. Pasi shpjegon cilësitë e lëndëve plasëse, Llaveshi tregon edhe rrezikun shpërthyes që ato përmbajnë në rast se nuk trajtohen në përputhje me rregullat e paracaktuara. Gjë kjo që mund të shkaktojë edhe Gërdecë të tjerë. Kur vihen re rrjedhje të mbushjes së tritolit në predhë, ajo bëhet e paqëndrueshme fizikisht, prandaj predha të tilla hiqen nga përdorimi, pasi paraqesin rrezikshmëri, vëren Llaveshi. Ai thekson se veçanërisht kujdes duhet treguar për predhat e mortajës 82 mm, sepse djegoret e tyre janë të pasiguruara dhe nga rënia e arkës nga blloku ose nga përplasja e saj gjatë sistemimit apo ngarkim-shkarkimit mund të hidhet në erë magazina e municionit.




Çfarë rrezikshmërie paraqesin municionet gjatë ruajtjes së tyre, si dhe gjatë përdorimit të pakujdesshëm?

Përpara se t‘u përgjigjem pyetjeve tuaja, unë do të doja, në radhë të parë, të ngushëlloj familjet e viktimave të Gërdecit dhe t‘u uroj shërim të shpejtë të lënduarve nga kjo tragjedi.

Municionet, nga vetë përbërja e tyre, me kalimin e kohës maksimale të ruajtjes e të përdorimit të tyre skadojnë kimikisht dhe bëhen të papërdorshme, ose edhe të rrezikshme për ruajtje të mëtejshme, së bashku ose veç nga municionet e tjera të rregullta. Jetëgjatësia e përdorimit dhe e ruajtjes së municioneve varet nga cilësia e lëndës së parë, teknologjia e prodhimit të materialeve që përbëjnë municionet, kushtet e ruajtjes, përdorimit e të kryerjes në kohë e në cilësi të shërbimeve tekniko-profilaktike, si dhe nga vetitë fiziko-kimike që kanë komponentët që hyjnë në përbërje të elementeve të municioneve.

Kështu p.sh., barutet që hyjnë në përbërjet e municioneve janë materiale kimikisht të paqëndrueshme. Ato në mënyrë të vazhdueshme dhe të ngadaltë çlirojnë elementët përbërës të tyre (çdo barut përbëhet nga 5-6 elementë). Ky proces, sidomos shpejtohet nga temperatura e lartë, mbi 25-30 gradë Celsius. Kurse prania e lagështirës i shkatërron dhe i nxjerr jashtë përdorimit e veçanërisht kjo e fundit nxjerr jashtë përdorimit barutin e zi.

Po kështu, edhe lëndët plasëse kanë qëndrueshmëri dhe veti të ndryshme, në vartësi të përmbajtjes së lëndëve. Tritoli i pastër që nuk përmban përzierje të lëndëve të tjera, në qoftë se ruhet në kushte normale, nuk pëson ndryshime fiziko-kimike, prandaj për predhat e artilerisë, granatat e dorës dhe minat xheniere përdoret ky lloj tritoli. Në rastet kur këto përmbajnë përzierje tritoli me amonit në raportin 80% tritol dhe 20% amonit, me kalimin e kohës, në varësi të ruajtjes mund të ketë dukuri të rrjedhjes të së ashtuquajturave vajra të tritolit. Rrjedhjet e të cilave kristalizohen dhe bëhen të ndjeshme nga fërkimet, po kështu nga këto rrjedhje mbushja e tritolit në predhë bëhet e paqëndrueshme fizikisht, prandaj predha të tilla hiqen nga përdorimi, pasi paraqesin rrezikshmëri.


Si duhet të verifikohen rastet e municionit që prishet dhe përbën rrezikshmëri? Cili është protokolli që duhet të ndiqet?

Për të ditur gjendjen teknike të municioneve bëhen kontrolle vjetore me komision nga njësia (reparti) dhe në bazë të konstatimeve planizohet riparimi i lehtë i partive përkatëse të municionit. Municionet përbëhen edhe nga lëndë iniciale të ndjeshme ndaj fërkimit e goditjes, prandaj duhet të tregohet kujdes gjatë sistemimit të blloqeve të municioneve, që të mos përplasen mbasi në arkat e tyre janë edhe djegoret përkatëse. Arkat me djegore që bien në 1 m lartësi veçohen nga të tjerat dhe djegorja nxirret jashtë përdorimit. Veçanërisht kujdes duhet treguar për predhat e mortajës 82 mm, sepse djegoret e tyre janë të pasiguruara dhe nga rënia e arkës nga blloku ose nga përplasja e saj gjatë sistemimit apo ngarkim-shkarkimit mund të hidhet në erë magazina e municionit.

Kushdo qoftë magazinier, punëtor, teknik, inxhinier apo drejtues që merren me punime të ndryshme me municion, duhet të freskojë dijet dhe të jetë i përpiktë dhe rigoroz për zbatimin e rregulloreve dhe të rregullave të sigurimit teknik. Çdo nënvleftësim në këtë drejtim të çon në fatalizëm për vete dhe për të tjerët. Kujdes me municionin, gabon vetëm një herë në jetë.


Cilat janë rregullat që duhet të ndiqen në magazinimin e municioneve?

Rregulli në magazinimin e municioneve fillon që nga zgjedhja e vend-ndërtimit të përshtatshëm të depos ose të grup-depove, të cilat vendosen larg qendrave të banuara, të përshkuara nga rruga automobilistike dhe mundësisht të maskuara nga aviacioni. Në afërsi të magazinave nuk duhet të kalojë linja e tensionit të lartë (rreth 3 shtylla gjatësi). Në rastet kur janë grup deposh, ato ndërtohen larg njëra-tjetrës. Territori i magazinave mbahet i pastër dhe rreth tyre vendi mbahet i punuar. Në hyrje të territorit të depos, në postbllok vendoset kutia e dorëzimit të mjeteve ndezëse dhe të armës personale. Çdo magazinë (tunel) kompletohet me tavolinë pune dhe lagështimatës, si dhe libër për shënime të lagështirës, gjithashtu edhe çizme gome këpucë apostafat për magazinierin. Në qoftë se magazinat tunel ishin të gjata, ato pajiseshin me shina bronzi. Po kështu prej bronzi ishin edhe rrotat e transportuesit. Sistemimi i municioneve bëhet me blloqe të ndara në parti prodhimi e kompletimi, me lartësi blloku aq sa e lejojnë rregullat e sigurimit teknik, gjithmonë sipas llojit të municionit. P.sh. blloku i municioneve me predha akumulative të kompletuara me djegore duhet të jetë deri në 2 m lartësi. Çdo parti municionesh ka kartelën përkatëse ku bëhen shënimet për partitë e kompletimit dhe të përdorimit, afati i analizave laboratorike, si dhe sasia e municionit.


Cili është mendimi juaj për tragjedinë e Gërdecit?

Arsyeja kryesore që shkaktoi këtë tragjedi, kam mendimin se ka ndodhur nga shkelja flagrante e rregullave të sigurimit teknik.

Dyshimet që jepen se ngritja e tymit me përzierje të zezë dhe në formë kërpudhe, mendoj se ndodhi kështu për arsye se aty, sipas të dhënave kanë qenë mijëra ton municione. Një gjë e tillë nuk duhej të ndodhte kurrë kështu. Bashkë me predhat thërrmuese dhe eksploziv-thërmuese mendoj se duhet të ketë pasur edhe predha akumulative siç ndodh me kalibrat 75 mm PZ, 82 mm PZ, 76 mm, 122 mm Obuz dhe granata hedhëse model 56 dhe 69. Po kështu edhe djegia e naftës dhe baruti i zi që kanë shtimjet e artilerisë si përforcues të djegies së barutit pa tym. Shqetësime për ndotjen e ambientit me rrezatim, mendoj se nuk duhet të ketë pasi materiale të tilla nuk kemi pasur. Ndërsa, për versionin se mund të ketë ndodhur nga jashtë ajo u takon organeve përkatëse ta saktësojnë, por me këto masa sigurimi që ka pasur uzina, tragjedia mund të ndodhte në çdo kohë.



[B]Shqip[/B