Meningjiti, humb jetën lojtari 17-vjeçar
Geri Shatku luante në Itali
Geri Shatku, një futbollist i ri shqiptar, i cili aktivizohej në Itali me Ivrea Calcio, ka humbur jetën. Tragjedia ka ndodhur në mëngjesin e djeshëm në një spital të Torinos dhe shkak duket se është bërë meningjiti. Lajmi është bërë i ditur nga sajti "localport.it", që saktësonte se djaloshi i datëlindjes 1990 aktivizohej në skuadrën e të rinjve të klubit piemontez, në rolin e portierit. Shatku është aktivizuar normalisht në ndeshjen që skuadra e tij ka luajtur të shtunën, me 29 mars dhe të hënën u stërvit me pjesën tjetër të skuadrës. Shqetësimet e futbollistit kanë filluar të martën, kur ai ishte paraqitur në stërvitje, megjithatë është dërguar në shtëpi nga përgatitësi atletik i skuadrës, Xhovani Brola, pasi i ishte rritur temperatura.
Rreth orës 23:00, duke parë që gjendja e Gerit nuk po përmirësohej, prindërit e tij kanë kërkuar ndihmën e një ambulance, duke e transportuar 17-vjeçarin në spitalin "Xhovani Bosko". Djaloshi paraqiste të gjitha simptomat karakteristike të meningjitit: temperaturë e lartë, dhimbje koke dhe me kalimin e minutave i janë shfaqur njolla të errëta në fytyrë. Në harkun e pak orëve situata ka precipituar, e pavarësisht tentativave të mjekëve, në orën 7:45 të mëngjesit të ditës së mërkurë, Geri Shatku është ndarë nga jeta. Djaloshi me origjinë shqiptare jetonte në Torino, qytet ku ndiqte edhe shkollën e mesme.
Rishfaqja e kësaj sëmundjeje ka sjellë alarm në qytetin e veriut të Italisë dhe tashmë në të gjithë spitalin po bëhen analizat e nevojshme për të vërtetuar nëse meningjiti ka qenë shkaku i vërtetë tragjedisë. Analizave u janë nënshtruar edhe të gjithë pjesëtarët e stafit mjekësor, që kanë qenë në kontakt me futbollistin e ri, por edhe shokët e skuadrës, familjarët dhe miqtë e viktimës.
Krijoni Kontakt