Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 25
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    E martë, 12. Prill, 2005

    GK: NUK KA NDARJE, NUK KA KTHIM NË GJENDJEN PARA '99, NDËRSA PAVARËSIA DUHET TË JETË NË TRYEZË






    Pas bisedimeve të djeshme me zyrtarët më të lartë të bashkësisë shtetërore Serbi-Mali i Zi, drejtorët politikë në ministritë e jashtme të 6 vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, sot mbajtën një konferencë për shtyp në ambasadën e Rusisë në Beograd, në të cilën u theksua se zyrtarët e Beogradit kanë shprehur gadishmëri për dialog me autoritetet në Prishtinë dhe se presidenti i Serbisë Boris Tadiç ka paralajmëruar se presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova do ta ftojë për bisedime në Beograd.
    Nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka kthim në gjendjen para vitit 1999. Ky është qëndrimi i përbashkët i të gjitha palëve, të cilat do të marrin pjesë në bisedimet për statusin e Kosovës. "Kjo domethënë se po i afrohemi kompromisit", tha diplomati gjerman Michael Scheffer.
    Ai gjithashtu e theksoi domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në institucionet në Prishtinë.
    "Me gëzim i pritëm dy mesazhet që na i thanë bashkëbiseduesit nga Serbia. I pari është se autoritetet e Beogradit do ta mbështesin dhe do ta inkurajojnë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në
    grupin punues për decentralizimin, si dhe do t'i inkurajojë ata që të inkuadrohen edhe në grupet e tjera punuese, ndërsa në fund edhe në institucionet e Kosovës," tha Scheffer.
    Mesazhi i dytë, vazhdoi diplomati gjerman, është se do të mbështetet dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa presidenti i Serbisë Boris Tadiç, paralajmëroi se do ta ftojë për bisedime në Beograd presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
    Diplomati rus Vladimir Çizhov, refuzoi të flasë për rezultatin e bisedimeve mbi statusin e Kosovës, por tha se përparimi në proces do të varet nga plotësimi i standardeve të një shoqërie demokratike.
    "Grupi i Kontaktit ka theksuar se zbatimi i standardeve dhe zgjidhja e statusit të ardhshëm të Kosovës, duhet të bazohen mbi shumë-etnicitetin, respektimin e të drejtave të pakicave, kthimin e të zhvendosurve, pjesëmarrjen e pakicave në pushtet, decentralizimin, mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe fetare, si dhe luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit", tha diplomati rus Vladimir Çizhov.
    Përfaqësuesja e Luksemburgut, vendit kryesues të Bashkimit Evropian, Silvija Lukas, tha se zgjidhja e statusit të Kosovës do t'i kontribuojë përfundimit të proceseve integruese evropiane të Serbisë e Malit të Zi.
    "Në bisedimet me autoritetet e Baogradit gjithashtu theksuam se çdo zgjidhje e statusit të Kosovës do të jetë e inkuadruar në Bashkimin Evropan si tërësi," tha përfaqësuasja e Luksemburgut.
    Diplomati britanik John Soyers, tha se "opcioni i pavarësisë ka mbështetje shumë të madhe në Kosovë", prandaj "duhet ai të jetë në tryezë".


    marrë nga:
    RFE
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    Grupi i Kontaktit shkon në Prishtinë

    Muharrem Nitaj
    BBC, Prishtinë





    GK bën vlerësimin e përmbushjes së standardeve në Kosovë
    Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit (GK) përfundojnë të martën vizitën e tyre në Beograd dhe gjatë dy ditëve të ardhëshme do të qëndrojnë në Prishtinë.
    Përfaqësuesit e gjashtë vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Rusisë si dhe BE-së patën takime të nivelit më të lartë në Beograd.

    Ata u takuan me presidentin e Unionit Serbi Mali i zi, Svetozar Maroviq me presidentin e Serbisë Boris Tadiq, me kryeministrin Voisllav Koshtunica, ministrin e Punëve të Jashtme Vuk Drashkoviq, si dhe me shefin e Qendrës Koordinuese për Kosovë, Nebojsha Coviq.

    Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura dhe hollësi të tjera rreth tij do te merren vesh më vonë, mirëpo nga burime mire të informuara merret vesh se Grupi i Kontaktit, ka përjashtuar disa opsione të zgjidhjes së problemit të Kosovës.

    Ka përjashtuar ndarjen territoriale të saj, bashkimin e mundshëm të Kosovës me ndonjë shtet fqinjë, si dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme.

    Autoritetet në Beograd kanë kërkuar që zgjidhja e statusit të Kosovës të gjendet ndërmjet autonomisë dhe pavarësisë, përkatësisht të jetë diçka në mes të këtyre të dyjave.

    Një këshilltar i kryeministrit të serbisë, Vladeta Jankovqi, ka deklaruar se Beogradi do të kërkojë nga Grupi i Kontaktit që Beogradi të jetë palë e barabartë në besat për statusin përfundimtar të Kosovës.

    Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, në mesin e të cilëve është edhe diplomati i njohur amerikan, Carl Inglish pas Beogradit, për dy ditë do të qëndrojnë në Prishtinë.

    Ata pritet që në një mbledhje të përbashkët, ku do të jenë edhe drejtuesit më të lartë të Kosovës, presidenti dhe kryeministri, si dhe drejtuesit e Misionit të Kombeve të Bashkuara, të bëjnë vlerësimin rresht për rresht të përmbushjes së standardeve.

    Ky është një prej vlerësimeve të fundit që i bëhët zbatimit të standardeve, përpara së të pasojë vlerësimi përfundimtar i tyre, në qershor të këtij viti.
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    Rugova, Daci dhe Kosumi thanë se vlerësimi i standardeve ka marrë nota shumë të larta nga Grupi i Kontaktit

    Prishtinë, 13 prill - Gjashtë anëtarët e Grupit të Kontaktit diskutuan sot me krerët e institucioneve të Kosovës: Presidentin Ibrahim Rugva, Kryeparlamentarin Nexhat Daci dhe Kryeministrin Bajaram Kosumi rreth vlerësimit teknik të përmbushjes së standardeve.
    Pas takimit Rugova, Daci dhe Kosumi deklaruan se vlerësimi i standardeve ka marrë nota shumë të larta.
    Presidenti Rugova në një deklaratë para mediave, pasi vlerësoi lart takimin me Grupin e Kontaktit, tha se ky është një hap përpara për Kosovën në realizimin e aspiratave të saja. Presidenti theksoi se Grupi i Kontaktit ka shprehur qëndrimin se "Kosova do të jetë unike dhe nuk do të ketë kurrfarë bashkimi me ndonjë shtet apo me ndonjë union ose lidhje të tjera".
    "Kjo është një bazë e mirë tash për tash ne, kosovarët t'i vazhdojmë proceset tona të zhvillimit dhe decentralizimin do ta bëjmë vetë. Ajo është me rëndësi për zhvillimin e Kosovës, për zhvillimin ekonomik, dhe jo vetëm për minoritetet, siç po interiretohet. Pavarësia është një optimum për Kosovën", u shpreh Presidenti Rugova.
    Kryeparlamentari Daci takimin e sotëm të Grupit të Kontaktit e vlerësoi si më të suksesshmin deri tani, duke thënë se 13 prilli do të shënohet si datë e veçantë për Kosovën. "Data 13 për Kosovën kanë një rëndësi shumë të madhe. Vitet e hershme në të '8O të shekullit të kaluar
    ishtë data 13 kur u mbajtën protestat më të mëdha në Evropën Juglindore për status. Dhe Universitetit të Prishtinës iu bashkangjit tërë Kosova", tha Daci duke shtuar se data 13 ka shumë domethënie edhe në karrierën e tij profesionale. "Data e sotme 13 shpresoj të ishte datë e mirë për status", tha Daci.
    Edhe Kryeministri Kosumi u shpreh shumë i kënaqur me takimin e sotëm, sipas të cilit institucionet e Kosovës kanë marrë vlerësime të mira rreth procesit të deritashëm të përmbushjes së standardeve.
    "Do të them se ishte një takim shumë i mirë, shumë frytdhënës dhe u diskutuan çështjet themelore të procesit të gjithëmbarshëm në Kosovë. Diskutimet janë përqëndruar në tri çështje themelore: në arritjet e standardeve, në çështjen e decentralizimit dhe në çështjen e stutusit final", tha Kosumi.
    Ndërkaq, Slavisha Petkoviç, ministër në Qeverinë e Kosovës për Kthim, kërkoi që në takimet e ardhshme të dëgjohet më shumë zëri i serbëve të Kosovës, e jo vetëm qëndrimet e Beogradit. Ai tha se ka ka insistuar në pjesëmarrjen më të madhe të serbëve të Kosovës dhe se e pengon që vetëm Beogradi përmendet, e harrohen serbët në Kosovë. "U përkujtova se nuk do të pranojmë asnjë marrëveshje mes BE dhe Prishtinës, e cila bëhet pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës", tha ai.
    Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit janë takuar edhe me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi dhe atë të ORA-s, Veton Surroi.
    Pasdite pritet që Grupi i Kontaktit të dalë me një komunikatë për takimin e sotëm në Prishtinë.

    QIK
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622

    Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin paraqet pikëpamjet e tij mbi të ardhmen e Kosovës



    Institucione dhe organizma të specializuara perëndimore po përpunojnë tezat dhe parashtrojnë pikëpamjet e tyre mbi të ardhmen e Kosovës. I fundit në rradhë që ka bërë të njohur pikëpamjet e tij mbi të ardhmen e Kosovës në veçanti dhe të Europës Juglindore në përgjithësi është Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin

    Pak nga pak po fillon të kuptohet se çfarë do të thotë Bashkimi Europian me shprehjet se « Kosova nuk do të kthehet kurrë më në situatën që ka qënë para vitit 1999 » ose se « E ardhmja e Kosovës është në Europë ».
    Institucione dhe organizma të specializuara perëndimore po përpunojnë këto teza dhe po parashtrojnë pikëpamjet e tyre mbi të ardhmen e Kosovës. I fundit në rradhë që ka bërë të njohur pikëpamjet e tij mbi të ardhmen e Kosovës në veçanti dhe të Europës Juglindore në përgjithësi është Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin, një organizëm i pavarur ky, por që mbështetet dhe financohet nga fondacioni gjerman Robert Bosch Stiftung, nga fondacioni belg Mbreti Boduën, nga Gjerman Marshall Fond i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe fondacioni tjetër amerikan Çarl Stjuart Mott. Në përbërje të këtij Komisioni gjenden figura të rëndësishme të skenës politike perëndimore siç janë ish presidenti i Gjermanisë Rikard von Vajceker, ish - kryeministri italian Xhuliano Amato dhe të tjerë personalitete.

    Dhe siç duket kjo përbërje dhe ky nivel i lartë i sponsorizimit shkaktoi atë interes të pazakontë që shoqëroi paraqitjen që iu bë në Bruksel konkluzioneve të raportit të hartuar nga ky Komision, i cili titullohej : « Ballkani në Europën e ardhshme ».

    Duhet thënë që në fillim se edhe ky Komision njëlloj si dhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave apo dhe ish- Komisioni Ndërkombëtar për Kosovën i kryesuar nga Riçard Goldstoun, ka arritur në të njëjtin përfundim se Kosova e pavarur apo një pavarësi e kushtëzuar e Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë e statusit të saj të ardhshëm. Madje për ish - kryeministrin italian, Amato problemi tani më shumë se te zgjidhja e statusit qëndron në mbrojtjen që i duhet bërë pakicave serbe në Kosovë apo monumenteve të tyre fetare dhe kulturore. Prandaj Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin ka paraparë që pjesët e populluara me serbë, siç është rasti i rajonit verior të Mitrovicës apo enklavat e Deçanit etj të gëzojnë një lloj statusi të posaçëm autonomie nga pushteti qëndror në Prishtinë. Dhe që njëkohësisht Beogradi të ketë të drejtën apo të lejohet të tregojë kujdes për këto rajone.

    Si ish- kryeministri italian, që kryeson këtë Komision, por po ashtu edhe ish - presidenti gjerman Von Vajceker i bënë thirrje Bashkimit Europian të mos nënvleftësojë vendet e Europës Juglindore, por të marrë masa konkrete për një integrim të tyre të ardhshëm në BE. Aq më shumë tani, siç tha Vajceker, që vende të mëdha si Turqia apo Ukraina po trokasin me forcë në derën e BE-së nuk duhet që Bashkimi Europian t'i lëjë mënjanë vendet e varfëra dhe të vogla të këtij rajoni. Nga ana e tij Xhuliano Amato ishte edhe më i qartë kur shprehu ndrojën dhe dyshimin se BE-ja nuk ka tani po të njëjtin interes për të pranuar në gjirin e saj vendet e Europës Juglindore siç pati premtuar 2 vjet më parë në samitin e Selanikut.

    Duke u ndalur në situatën në këto vende, përkatësisht në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, Xhuliano Amato theksoi ndër të tjera se Shqipëria të tërheq vëmendjen si shteti më laik në botën e sotme, por njëkohësisht si një vend ku efiçenca është zëvendësuar nga korrupsioni.

    Ndër oratorët që bënë prezantimin e këtij raporti ra në sy edhe pjesëmarrja e ish- kryeministrit shqiptar, Ilir Meta, i cili falenderoi veçanërisht ish - presidentin gjerman dhe ish- kryeministrin italian për punën e tyre, interesin dhe thirrjen drejtuar BE-së që të mos e braktisin këtë rajon të Europës.


    Viron Gjymshana
    DW
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    Grupi i Kontaktit: Nuk ka kthim para 1999


    Grupi i Kontaktit mblidhet në Kosovë
    Nuk do të ketë as ndarje të Kosovës e as bashkim të saj me ndonjë shtet fqinjë, këto janë dy porosi shumë të qarta, me të cilat Grupi i Kontaktit ka ardhur në Prishtinë.
    Për përfaqësuesit e Kosovës, kjo është hapje e rrugës për pavarësimin e Kosovës.

    Përfaqësues gjashtë vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit Plus Rusinë janë takuar për dy ditë me përfaqësues të institucioneve qeveritare dhe politike të Kosovës.

    Kjo është hera e parë që Grupi i Kontaktit dhe përfaqësuesi i Rusisë, në nivel të drejtorëve politikë të ministrive të jashtme të vendeve anëtare të këtij Grupi, kanë takuar në Prishtinë udhëheqësit e institucioneve vendase dhe përfaqësuesit e partive politike e të pakicave.
    Të gjitha alternativat e tjera janë në tavolinë, përfshirë ato që janë zhvilluar në Kosovë dhe gjithashtu edhe në Beograd.


    Michael Scheffer, përfaqësuesi gjerman

    Ata kanë ripërsëritur qëndrimin se nuk ka kthim të Kosovës në gjendjen e para vitit 1999, se nuk ka ndarje të saj dhe nuk pranojnë asnjë bashkim të saj me ndonjë vend fqinj.

    Drejtori politik i ministrisë së jashtme të Gjermanisë, mikëpritëse e takimit, Michael Scheffer, tha se Grupi i Kontaktit nuk e përjashton asnjë lloj alternative tjetër për Kosovën, përfshirë këtu edhe atë të pavarësisë së saj.

    "Të gjitha alternativat e tjera janë në tavolinë, përfshirë ato që janë zhvilluar në Kosovë dhe gjithashtu edhe në Beograd, por ne të gjithë e dimë se gjetja e një zgjidhjeje të përhershme mund të jetë rezultat i procesit të dialogut dhe negociatave," tha zoti Scheffer.

    "Si gjithmonë në procese të këtilla zgjidhja duhet të gjendet në një kompromis ndërmjet zgjidhjeve që janë zhvilluar para procesit," tha ai.

    "Grupi i Kontaktit mban një qëndrim të qartë se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të gjitha komunitetet," tha zoti Scheffer në emër të Grupit të Kontaktit.

    Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit nënvizuan se për Kosovën është me rëndësi përmbushja e plotë e standardeve, vlerësimi i parë teknik i të cilave do të bëhet nga muaji maj.

    Një vlerësim i plotë i standardeve, që do të mund të hapte bisedimet për statusin përfundimtar, do të mund të bëhet nga muaji korrik i këtij viti.

    Drejtorët politikë të ministrive të jashtme të Grupit të Kontaktit bën thirrje sot për krijimin e një mirëbesimi ndërmjet komuniteteve në Kosovë dhe në veçanti ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

    Ata kërkuan që të përshpejtohet procesi i decentralizimit, si më i rëndësishmi për Kosovën.

    Anëtarët e Grupit të Kontaktit ndërkaq u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të krijojnë kushtet për një dialog të drejtpërdrejtë dhe u angazhuan që ta ndihmojnë këtë process.

    Reagimi kosovarëve

    Përfaqësuesit shqiptarë thanë pas takimeve me Grupin e Kontaktit se bisedimet ishin të frytshme dhe të rëndësishme.

    Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se ideja e Grupit të Kontaktit për një Kosovë unike është bazë e mirë për vazhdimin e proceseve të filluara.
    Nga ana e Grupit Kontaktit kishte ide shumë të rëndësishme se Kosova do të jetë unike dhe se nuk do të ketë kurrfarë bashkimi me ndonjë shtet apo union apo lidhje të tjera.


    Ibrahim Rugova, president i Kosovës

    "Nga ana e Grupit Kontaktit kishte ide shumë të rëndësishme se Kosova do të jetë unike dhe se nuk do të ketë kurrfarë bashkimi me ndonjë shtet apo union apo lidhje të tjera," tha zoti Rugova.

    "Kjo është një bazë e mirë tash për tash për ne kosovarët, të vazhdojmë proceset tona të zhvillimit edhe, natyrisht, decentralizimin do ta bëjmë ne vet kosovarët edhe i kemi përgatitur dokumentet që është me rëndësi për zhvillimin ekonomik jo vetëm për komunitetet ashtu siç po interpretohen," tha presidenti i Kosovës.

    Duke e cilësuar takimin me Grupin e Kontaktit Plus, si shumë të rëndësishëm dhe të frytshëm, kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, tha se parimet e drejtorëve politikë për Kosovën, janë një fillim i mirë, por nënvizoi se do të kërkohen edhe sqarime të tjera plotësuese për statusin përfundimtar.

    "Kërkuam të gjithë dhe edhe në të ardhmen do të kërkojmë të sqarohet edhe një çështje që vullneti demokratik i popullit të Kosovës është vërtetë vullnet i popullit të Kosovës," tha zoti Kosumi.

    "Këtu flitet për fatin tonë, për të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë dhe zëri ynë duhet të dëgjohet."

    "Ne jemi të gatshëm që të krijojmë raporte me të gjitha kryeqytetet e rajonit, por këtu është në pyetje fati ynë në të ardhmen dhe ne do të vendosim se si do të jetojmë," tha ai.

    Përfaqësuesi i "Nismës Qytetare Srbija", Sllavisha Petkoviq, njëkohësisht edhe ministër në qeverinë e Kosovës, pohoi se ka insistuar në takimin me Grupin e Kontaktit që serbëve të Kosovës t'u jipet më shumë hapësirë për veprim në institucionet vendore, e jo që për të gjitha çështjet të bisedohet me Beogradin.

    "Kam tërhequr vërejtjen se asnjë zgjidhje që apostrofohet vetëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe ku serbët e Kosovës nuk marrin pjesë, nuk do të na obligojë ta pranojmë," tha zoti Petkoviq.

    Takimi i Grupit të Kontaktit, bëhet në kohën e përpjekjeve dipomatike për gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën, dhe pak javë para vlerësimit teknik të përmbushjes së tetë standardeve të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare.

    BBC-Shqip
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    KELMENDI: "PAVARËSIA E KUSHTËZUAR – MOSBESIM NDAJ KOSOVËS"



    Nekibe Kelmendi, deputete në Kuvendin e Kosovës


    EVROPA E LIRË
    Zonja Kelmendi, Grupi i Kontaktit ka përjashtuar si opsione ndarjen e Kosovës, kthimin në gjendjen e vitit 1999 dhe bashkimin me ndonjë vend, me ndonjë shtet tjetër. Si do të reflektohet kjo në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës?

    NEKIBE KELMENDI
    Unë mendoj se Grupi i Kontaktit për dallim nga herët e tjera ka ndryshuar edhe qasjen ndaj problemit të Kosovës, por edhe fjalorin që përdor ndaj Kosovës. Qëndrimi i Grupit të Kontaktit që Kosova të mos i bashkohet ndonjë shteti fqinj në të ardhmen, është qëndrim realist për kohën e tashme dhe unë mendoj se kjo nuk e dëmton fare çështjen e Kosovës, por unë kam pritur që Grupi i Kontaktit të jetë më konkret dhe më i qartë sa i përket statusit politik të Kosovës, sepse që Kosova nuk do të ndahet, ne e kemi ditur edhe vetë përpara dhe nga ana tjetër nuk kemi shprehur aspirata si institucione të Kosovës që t’i bashkohemi ndonjë shteti fqinj. Mirëpo, kam pritur se ata do të dalin me një qëndrim paksa më konkret, sepse Kosova për pothuaj njëzet vjet është në një proces dhe ai proces duhet të marrë fund ndonjëherë.

    EVROPA E LIRË
    Ndërkohë, zonja Kelmendi, bashkësia ndërkombëtare ka bërë të qartë se nëse nuk do të ketë vlerësim pozitiv të standardeve do të shtyhet edhe koha e përcaktimit të statusit final. Cilat janë gjasat për një vlerësim pozitiv?

    NEKIBE KELMENDI
    Mendoj se janë krijuar të gjitha gjasat për një vlerësim pozitiv. Standardet janë duke u realizuar aq sa kemi mundësi dhe aq sa kemi përgjegjësi ne. Mendoj se ato duhen vlerësuar pozitivisht, sidomos sa i përket respektimit të të drejtave njerëzore, sepse ne institucionalisht asnjëherë prej se është vendosur administrata e UNMIK-ut, por edhe më përpara kur e kishim njëfarë autonomie në kuadër të ish-Jugosllavisë nuk i kemi cenuar të drejtat e askujt. Përkundrazi, kanë qenë të cenuara të drejtat tona. Qëndron fakti se liria e qarkullimit është paksa e kufizuar, mirëpo në këtë do të ndikonin vetë serbët që të mos ndodhë kështu dhe të jene më të hapur dhe më të afërt, sidomos me institucionet e Kosovës. Të kërkojnë aty mbështetje dhe aty të kërkojnë një garanci për lëvizje të lirë.

    EVROPA E LIRË
    Ndërkohë, Grupi i Kontaktit ka lënë të hapura të gjitha opsionet e tjera përveç atyre të përjashtuarave për statusin përfundimtar dhe përcaktimin e tij. Cilat sipas jush janë mënyrat për ta bërë përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës?

    NEKIBE KELMENDI
    Mënyra më e mirë për ta bërë përcaktimin e statusit politik të Kosovës do të ishte pranimi i pavarësisë së Kosovës. Ne pavarësinë e kemi shpallur shumë më përpara, në vitin 1991, atëherë kur ishte luftë në ish-Jugosllavi. Mendoj se prej asaj kohe ka filluar procesi i pavarësimit të Kosovës dhe tash do të duhej të definohej ky status me njohjen e pavarësisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga ana e bashkësisë evropiane.

    EVROPA E LIRË
    Zonja Kelmendi, ndërkohë është folur shumë për një zgjidhje të mesme, siç është pavarësia e kushtëzuar. Si e vlerësoni ju një opsion të tillë dhe si do të mund të dukej një pavarësi e kushtëzuar?

    NEKIBE KELMENDI
    Unë mendoj se pavarësia e kushtëzuar është një mosbesim në institucionet tona se do t’u garantojnë respektimin e të drejtave, sidomos të minoritetit serb. Nuk ka baza që të dyshohet se ne do t’i shkelim ato të drejta, pasi ne do t’i garantojmë ato të drejta me aktin tonë më të lartë juridik, me Kushtetutën e Kosovës dhe mendoj se në këtë aspekt nuk do të ishte zgjidhje e plotë e statusit politik të Kosovës, por prapë do të lejohej një hapësirë që Kosova të mbetet në njëfarë mënyre përsëri shtet pa sovranitetin e vet e kjo e dëmton në njëfarë mënyre edhe procesin e demokratizimit të Kosovës, por e dëmton edhe procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe në Bashkimin Evropian.

    EVROPA E LIRË
    Ndërkohë, përmbushja e standardeve është vlerësuar se do të jetë e vështirë pa shprehjen e vullnetit të mirë të përfaqësuesve serbë. Si do të ndikojë një hyrje eventuale e serbëve në Kuvendin e Kosovës për gjithë këtë proces?

    NEKIBE KELMENDI
    Për pakicën serbe Kuvendi i Kosovës ka qenë gjithmonë i hapur, bile- bile mund të them edhe zemërgjerë, mirëpo ata e kanë pasur politikën e tyre të programuar, qëndrimet e programuara në Beograd. Mendoj se inkuadrimi i tyre tash, megjithëse me pak vonesë që nga konstituimi i parlamentit, por megjithatë edhe tash nuk është vonë që tash të kyçen vetë të marrin pjesë në institucionet e Kosovës, të bisedojnë përmes institucioneve të Kosovës për hallet e tyre për problemet e tyre dhe me siguri se do të gjejnë mbështetje edhe tek institucionet, por vërehet një relaksim i qëndrimit edhe të qytetarëve të Kosovës ndaj minoritetit serb.

    EVROPA E LIRË
    Zonja Kelmendi, ndërkohë në raportet ndërmjet pozitës dhe opozitës vërehet një fjalor i ashpërsuar politik, pas disa akuzave të opozitës në drejtim të një pjese të kabinetit aktual qeveritar. Si do të reflektohet kjo në gjithë procesin, sipas jush?

    NEKIBE KELMENDI
    Unë mendoj së pari se këto akuza nuk qëndrojnë dhe janë akuza të pabazuara dhe të fabrikuara shumë herët dhe që tash e kanë gjetur momentin që të shfrytëzohen kundër pozitës në tërësi e në veçanti kundër disa anëtarëve të qeverisë së Kosovës. Edhe po të qëndronin ato që thuhen në akuza nuk është momenti që ato akuza tash të ngrihen dhe të shndërrohen në problem, sepse do të harxhohej energji shumë e madhe dhe do të orientohej kahu i veprimit nga shfajësimi nga ato akuza, në vend që energjia të orientohet nga realizimi i standardeve dhe e ardhmja e Kosovës. Nëse eventualisht, edhe pse unë dyshoj së është i involvuar, edhe nëse është dikush i involvuar, ndonjë anëtar i qeverisë në ndonjë veprim kriminal, ato nuk vjetrohen dhe duhet pritur që në kohë të caktuar, nëse ka raste të tilla të procedohen, t’u jepen organeve gjyqësore dhe kjo të kalojë në binarët e gjyqësorit. Kështu si po veprohet tash, është një fjalor jashtëzakonisht i ashpër politik, që së pari e dëmton imazhin e vetë subjekteve politike në Kosovë, qofshin ato pozitë apo opozitë. Unë shpresoj se ky trend i përkeqësimit të raporteve ndërmjet partive politike do të ndalet dhe shpresoj se kjo ka qenë vetëm zbrazje e një mllefi që dikush ka qenë në opozitë. Por, gjithnjë e kam thënë dhe e them se Kosovës i nevojitet një opozitë konstruktive e cila do ta korrigjojë punën e pozitës brendapërbrenda institucioneve të Kosovës, kurse me veprime inkriminuese, me inkriminime të ndryshme, me përfshirjen e personave të caktuar në veprime kriminale le të merren institucionet, e jo me u marrë opozita. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se çfarë institucioni është opozita që të shkojnë qytetarët dhe tek ajo të rrëfehen se ky apo ajo është marrë me veprimtari kriminale, kur ne i kemi shërbimet policore, edhe sistemin gjyqësor, ku përfshihet edhe prokuroria. Nëse dikush ka diçka konkrete, adresa është aty.

    Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI

    RFE
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    E enjte, 21. Prill, 2005
    HUNDOZI: JO-PAVARËSISË SË KUSHTËZUAR



    Zylfije Hundozi, deputete e AAK-së në Kuvendin e Kosovës


    RADIO EVROPA E LIRË
    Zonja Hundozi, Grupi i Kontaktit ka përjashtuar si opsione ndarjen e Kosovës, kthimin në gjendjen e vitit 1999 dhe bashkimin me ndonjë vend, me ndonjë shtet tjetër. Si do të reflektohet kjo në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës?

    ZYLFIJE HUNDOZI
    Vullneti i popullit të Kosovës dhe i të gjitha institucioneve, qeverisë dhe Kuvendit është që Kosova të shpallet shtet i pavarur, me tendenca për integrim në institucionet e BE-së dhe në NATO. Grupi i Kontaktit e ka bërë një përkufizim pak më të gjerë dhe në realitet, nëse lexohet mes rreshtash, ata janë në përputhshmëri me vullnetin e popullit të Kosovës.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Zonja Hundozi, ndërkohë është folur shumë për një zgjidhje të mesme, siç është pavarësia e kushtëzuar. Si e vlerësoni ju një opsion të tillë dhe si do të mund të dukej një pavarësi e kushtëzuar?

    ZYLFIJE HUNDOZI
    Unë mendoj se ne e kemi caktuar rrugën tonë, prej të cilës nuk ka kthim dhe ajo është pavarësia e Kosovës – jo pavarësi e kushtëzuar, por një shtet me pavarësi të plotë, një shtet sovran, i cili do ta luajë një rol të rëndësishëm në stabilitetin e Ballkanit.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Ndërkohë, pavarësia e kushtëzuar është menduar që të bëhet për të mbrojtur më shumë të drejtat e pakicave. Sa janë në gjendje institucionet e Kosovës të garantojnë të drejtat e pakicave?

    ZYLFIJE HUNDOZI
    Synimet e institucioneve të Kosovës janë që të krijohet një shtet demokratik dhe demokracia nënkupton dhe përfshin edhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha pakicave që jetojnë në këtë shtet. Unë besoj se ne jemi në rrugë të mirë për realizimin e këtyre synimeve. Kuvendi i Kosovës para dy vjetësh e ka nxjerrë ligjin kundër diskriminimit, i cili ka filluar të aplikohet. Tendencat e institucioneve të Kosovës janë që të përmbushen të gjitha standardet prioritare dhe njëri prej tyre është mbrojtja e të drejtave të pakicave. Unë mendoj që ne nuk do të kemi kurrfarë problemi në atë drejtim, për arsye se qëllimet tona madhore janë krijimi i shtetit të pavarur, pavarësisht se me çka kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare ka bërë të qartë se nëse nuk do të ketë vlerësim pozitiv të standardeve, do të shtyhet edhe koha e përcaktimit të statusit përfundimtar. Cilat janë gjasat për një vlerësim pozitiv?

    ZYLFIJE HUNDOZI
    Qeveria dhe të gjitha institucionet, si edhe Kuvendi janë duke punuar me të madhe për plotësimin e standardeve dhe janë në rrugë të mirë për jetësimin e tyre. Unë mendoj se nëse bëhet vlerësimi i tyre kah fundi i qershorit, vlerësimi do të jetë pozitiv dhe nuk do të ketë asnjë problem.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Ndërkohë, përmbushja e standardeve është vlerësuar se do të jetë e vështirë pa shprehjen e vullnetit të mirë të përfaqësuesve serbë. Si do të ndikojë një hyrje eventuale e serbëve në Kuvendin e Kosovës për gjithë këtë proces?

    ZYLFIJE HUNDOZI
    Përfaqësues të serbëve të Kosovës, një pjesë e tyre, kanë hyrë tashmë në Kuvendin e Kosovës dhe njëri prej tyre është edhe ministër, Slavisha Petkoviq, ministër në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete dhe ka punësuar një numër të madhe të serbëve, diku rreth 180 serbë në ministrinë e tij. Kohët e fundit Grupi i Kontaktit dhe ambasadorët e shteteve të huaja, kanë biseduar me përfaqësues të Listës Serbe, të cilët e kanë shprehur vullnetin e tyre për të hyrë në Kuvendin e Kosovës dhe e kanë kuptuar se bojkoti që ata kanë bërë, nuk u ka ndihmuar. Gjithashtu e kanë vërejtur se kohët e fundit edhe qeveria e Serbisë, edhe pse nuk e ka thënë në mënyrë direkte se është koha për pavarësinë e Kosovës, prapëseprapë e kanë kuptuar se edhe nga ana e tyre po egzistojnë indikacione që Kosova do të pavarësohet, prandaj mendoj se kanë ndërruar mendim dhe besoj se së shpejti do t’i shohim në Kuvendin e Kosovës. Kjo do të jetë pozitive edhe për vlerësimin pozitiv të standardeve, por pozitive edhe për vetë ata.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Zonja Hundozi, në raportet ndërmjet pozitës dhe opozitës vërehet një fjalor i ashpërsuar politik, pas disa akuzave të opozitës në drejtim të një pjese të kabinetit aktual qeveritar. Si do të reflektohet kjo në punën e institucioneve, sipas jush?

    ZYLFIJE HUNDOZI
    Opozita e ka atë rol që të kritikojë qeverinë dhe nëse kritikat janë konstruktive, ato vetëm sa i shtyjnë institucionet që të punojnë më mirë. Mirëpo, ndonjëherë dinë edhe ta teprojnë në atë drejtim dhe mendoj që akuzat që i kanë dhënë kohët e fundit, ka qenë mirë të vërtetoheshin nga drejtësia e pastaj kjo punë të sillet në Kuvend. Kështu, kjo ka mbetur vetëm në nivel të dyshimeve të tyre dhe kuptohet që e ka vështirësuar anën e pozitës. Por unë shpresoj që organet e drejtësisë do të jenë ato që do ta japin fjalën përfundimtare dhe shpresoj se nuk do të përsëritet prapë ky lloj i fjalorit në Kuvendin e Kosovës nëse nuk ka arsye.

    RADIO EVROPA E LIRË
    Ndërkohë, java e shkuar është karakterizuar nga vrasja e Enver Haradinajt dhe një shpërthim në selinë e partisë "Ora". Si do të reflektohet kjo në gjithë procesin, zonja Hundozi?

    ZYLFIJE HUNDOZI
    Ne me keqardhje e kemi përjtuar sidomos vrasjen e Enver Haradinajt, i cili ka qenë luftëtar, invalid i luftës, djalë i ri 24 vjeç dhe ajo që dhemb më së shumti është se shumë vrasje po ndodhin në Kosovë dhe nuk po sqarohet se kush i ka bërë këto vrasje. Kjo, në njëfarë mënyre, po krijon një frikë dhe pasiguri te qytetarët e Kosovës dhe po jep të kuptohet që organet kompetente, në këtë rast policia dhe KFOR-i, nuk janë në gjendje ta kryejnë si duhet punën e tyre dhe kjo vlen edhe për atë që i ka ndodhur partisë "Ora". Mirëpo, unë mendoj që vetë familja Haradinaj e dha nje shembull se si duhet te kalohen këto procese, që u bë një udhërrëfyes se çka është me rëndësi tani për tani për Kosovën që t’i arrijmë synimet tona shumë vjeçare e ajo është pavarësia e Kosovës. Mendoj, edhe përfaqësuesit e "Orës" e kanë të njëjtin mendim, se pavarësisht nga pengesat në rrugën tonë, pasi kemi pasur edhe më të rënda dhe me siguri do të kemi edhe në të ardhmen, tani jemi gati që të arrijmë dhe ta përfundojmë atë, për të cilën ka luftuar me shekuj populli i Kosovës dhe ajo është pavarësia e Kosovës.

    Intervistoi Rrahman Paçarizi
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e RTP
    Anëtarësuar
    26-03-2004
    Postime
    1,756
    Harudi

    Flmd mundin tuej qe bene per ne,
    me na njoftue e me na pasunue me lajme te rendesishme si keto.

    Respekt
    rtp-ja
    Me respekt
    rtp-ja


    ps. "........Te gjithe kane te drejte te mendojne..
    por ka shume njerez qe i kursejne mendimet!"


  9. #9
    i/e regjistruar Maska e Irfan
    Anëtarësuar
    08-07-2002
    Vendndodhja
    Aty ku Allahu me krijoji
    Postime
    464
    Nuk ka kthim ne viti 99,po vizen qe do ja vusin per shqipetaret e Shqiperis,Çeshte kjo vize qe hyri ne funksionim....? e Per serbet-malazwezet nuk nevoitet viza....?
    Kjo me te vertet eshte mos kthim i vitit 99.....qe ne ate kohe te dilesh ne shqiperi nuk ke mundur....!!!
    Shqiperi eshte aty ku flitet shqip.....aty ku u nda toka dhe qielli

  10. #10
    i/e regjistruar Maska e Harudi
    Anëtarësuar
    08-09-2004
    Postime
    622
    E premte, 29. Prill, 2005

    EKSPERTËT KUNDËR PAVARËSISË SË KOSOVËS PA SOVRANITET



    Albana Isufi, Prishtinë


    Ekspertë kosovarë të fushave të ndryshme kanë hedhur poshtë idenë e pavarësisë pa sovranitet, të propozuar së fundi nga Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin.
    Akademiku Esat Stavileci ka thënë se është i pamundur funksionimi i një shteti me këtë lloj pavarësie. Ai ka thënë se statusi i Kosovës është i panegociueshëm dhe për të duhet të vendosë vetë populli i Kosovës.
    “Të drejtën e vetvendosjes së popullit shqiptar të Kosovës, e cila i takon edhe si e drejtë e vetvendosjes kombëtare, edhe si e drejtë e vetvendosjes së popullatës së një territori të individualizuar, deri tek përfundimisht parimësia dhe drejtësia shoqërore politike për statusin e pavarur të Kosovës."
    Por, para kësaj akademiku Stavileci e sheh si domosdoshme çtensionimin e situatës politike në vend, si dhe përjashtimin e Beogradit nga jeta institucionale e Kosovës.
    Ndërkaq, eksperti i së drejtës ndërkombëtare Blerim Reka, hedh poshtë çdo mundësi që me Beogradin të zhvillohen negociata për statusin përfundimtar.
    “Nuk jam për negociata Prishtinë-Beograd, sepse kam frikë se ashtu siç u zgjat 6 vjet status quo-ja me një prezencë ndërkombëtare në Kosovë, nuk mund të zgjatej status-quoja e Kosovës me negociata edhe për shumë vite. Mund të marrim për shembull rastin e Palestinës, Irlandës së Veriut e kështu me radhë."
    Reka shtoi se në vend të kësaj duhet të organizohet një konferencë ndërkombëtare, ku rol parësor do të kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
    “ Një rol shumë më aktiv të amerikanëve në një konferencë multilaterale paqësore për Kosovën, sepse ne të gjithë jemi të vetëdishëm se në Kosovë ende nuk ka patur forma juridike. Traktat paqësor mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk është i nënshkruar, prandaj formalisht, juridikisht, ne jemi ende në gjendje lufte me Serbinë. Kjo duhet të ndërpritet, duhet të ndërmerret një konferencë paqësore e tipit të Dajtonit dhe përfundimisht të bëhet kufizimi mes Serbisë dhe Kosovës."
    Ndërkohë, Blerim Reka thotë se duhet t’u barten të gjitha kompetencat institucioneve vendore, të mbahet referendumi për pavarësi, të hartohet kushtetuta e re dhe Këshilli i Sigurimit të nxjerrë një rezolutë të re për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur. E tërë kjo, sipas tij, mund të zbatohet në fund të vitit 2006 ose në fillim të vitit 2007.
    Por, vetë hapja e bisedimeve për statusin përfundimtar varet nga përmbushja e standardeve nga ana e institucioneve të Kosovës. Anëtari i Kryesisë së Kuvendit Fatmir Sejdiu, thotë se ideja e standardeve për Kosovën është hedhur me qëllim që të blihet kohë, pasi bashkësia ndërkombëtare nuk ishte e gatshme që të diskutonte statusin përfundimtar.
    “Me këtë blerje kohe natyrisht të vihet një barrë testimi për Kosovën dhe institucionet e saj, në kohën kur ata faktikisht nuk kishin marë barrë dhe përgjegjësi të drejtpërdrejta në supet e tyre ".
    Akademiku Esat Stavileci thotë se duke mos qenë i përkufizuar qartë caku që synojnë standardet, ato vetvetiu e izolojnë Kosovën nga rrjedhat e përgjithshme.
    “Përshtypja ime është se standardet janë selektive dhe përgjegjësia sikur përpara se në institucionet vendore ,të cilat janë të zhveshura nga autorizimet, bie në institucionet ndërkombëtare".
    Në fund të muajit maj pritet vlerësimi politik i përmbushjes së standardeve nga ana e Këshillit të Sigurimit, ndërkohë që vjeshta e këtij viti është paralajmëruar si kohë e hapjes së bisedimeve për statusin përfundimtar.

    RFE
    Pijetoret janë vendet ku çmenduria shitet me shishe! (Uendell Filips)

    Lista e injorimit: Llapi

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës
    Nga Albanino në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2055
    Postimi i Fundit: 27-11-2014, 11:11
  2. Adem Demaci: Eksperimenti politik ndërkombëtar me Kosovën
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-04-2006, 18:39
  3. Kush jane vrasesit?
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 10-03-2004, 21:54

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •