Kalaja e Skelës, monumenti që nuk fshihej
Gati 30 vjet më parë, kur hapeshin themelet për ngritjen e Pallatit të Sportit të Vlorës, ndërtuesit hasën në gjurmët e një kalaje shumëshekullore. Nga interpretimi i realizuar nga historianët në atë periudhë u arrit në konkluzionin se gjurmët i përkisnin kalasë së Skelës, e ndërtuar në shekullin XVI nga pushtuesit otomanë. Gjurmët u mbuluan dhe ato humbën nën themelet dhe muret e Pallatit të Sportit ‘Flamurtari’, që nisi të lartësohej me shpejtësi.
I njëjti fenomen u përsërit edhe dy herë të tjera, fillimisht në vitin 2000-2001. Gjatë gërmimeve për ndërtimin e një kompleksi banimi shumëkatësh, makineritë e rënda zbuluan gjurmët e kalasë së vjetër, në veri të Pallatit të Sportit. Sikundër edhe më parë, zgjidhja u gjet shpejt e shpejt dhe gjithçka u mbulua nga pallatet shumëkatëshe.
Por, situata ndryshoi në vitin 2006, kur ndërtuesit e një godine shumëkatëshe banimi, në një pozicion mes dy objekteve të mësipërme, hasën sërish gjurmët e kështjellës së vjetër të Skelës. Punimet u ndërprenë dhe u njoftua prefektura, pushteti vendor e Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Pas një letërkëmbimi disamujor mes tre hallkave u vendos që të lejohej zbatimi vetëm për një pjesë të projektit të pallatit shumëkatësh, në atë hapësirë që nuk cenonte gjurmët e kalasë së vjetër. Me kërkesë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve gjurmët e kalasë së zbuluar u shpallën Monument Kulture.
Aktualisht kjo pjesë është ruajtur dhe sipas drejtorit të Monumenteve të Kulturës, Ymer Yzeiri, është menduar një zgjidhje e një projekti, që të ridimensionojë vlerat e gjurmës së kalasë duke i bërë ato të vizitueshme.
Historia e një kalaje
Kalaja e Skelës ka historinë e saj që është shumë e hershme. Historiani vlonjat, Novruz Bajrami, tha për ATSH-në, se në vitin 1537 Sulltan Sulejmani qëndroi për më shumë se një muaj në Vlorë. Gjatë kësaj periudhe ai ndoqi nga afër ndërtimin e Kalasë së Skelës, që ishte nga më të bukurat e Perandorisë Otomane. Duke u nisur nga të dhënat e Anverbaut dhe shkruesit turk, Evlija Celibisë, kalaja kishte formë tetëkëndore, ishte 15 metra e lartë dhe gjatësinë e një brinje e kishte 90 metra. Largësinë mes dy këndeve e kishte 205 metra dhe rrethohej nga një kanal 9 metra i gjerë që e lidhte atë me detin.
Por nga një studim më i detajuar rezulton se historia e këtij objekti është edhe më e hershme. Historiani Bajrami sqaron se pararendësja e saj është e ashtuquajtura “Kështjella Veneciane”. Sipas tij, Vlora e mesjetës shtrihej përgjatë Skelës së sotme, pranë kështjellës tetëkëndore të rrënuar.
Sipas tij, ajo përkon me kështjellën “Castrum Avellonen”, e shekullit XIII dhe kishte prejardhje bizantine.
Madje, Bajrami përmend edhe një fakt interesant, që lidhet me një dokument të 7 shtatorit të vitit 1284, kur Mbreti Karl Anzhu lavdëron kështjellarët e Vlorës për kujdesin që kishin treguar për mbrojtjen e kështjellës. Në këto kushte, Bajrami nënvizon se në vitin 1466, Vlora ishte e kërcënuar prej flotës evropiane dhe për këtë arsye turqit forcuan kështjellën e dikurshme (pra Kështjellën Veneciane), por duke ngushtuar muret e rrethit të saj. Ata e mbajtën atë qendër si pikë detare me rëndësi.
Sipas dëshmive, kështjella e Skelës u shkatërrua në vitin 1906, kur gurët e mureve të saj u përdorën si material për të ndërtuar rrugën Vlorë-Skelë.
Gjurmët e kalasë së Skelës kufizohen, në perëndim nga rruga Vlorë-Skelë, në veri nga rruga e ish-Ekspozitës “Vlora Sot”, në jug nga rruga e lagjes “10 korriku”, në lindje nga banesat që kufizojnë aneksin e Klubit Sportiv “Flamurtari”.
Kështjella e Skelës është një nga tre objektet e ngjashme që kanë ekzistuar në shekuj në territorin e Vlorës, krahas asaj të Aulonës, në hapësirën mbrapa Monumentit të Pavarësisë, apo kalasë së Kaninës, të cilat janë shumë më të hershme, që ndoshta shtyhen deri në antikitet.
03/03/2008 gazeta Standard
Krijoni Kontakt