
Postuar më parë nga
Llapi
Sejdiu thotë se serbët e Kosovës mund të votojnë për pushtetin në Serbi
Kosova nuk mund të shërbejë bazë elektorale për askënd por në bazë të parimit të dyshtetësisë serbët e Kosovës mund të votojnë për të preferuarit e tyre për pushtetin në Serbi,- kështu tha sot kryetari Fatmir Sejdiu, duke mohuar njëherësh mundësinë që serbët në Kosovë të mbajnë zgjedhje për të ndërtuar institucione serbe në Kosovë.
Ndërkohë ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, i cili po qëndron sot në Kosovë, u tha serbëve se në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë, më 11 maj, do të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme e edhe ato lokale të shtetit serb.
Kryetari, Fatmir Sejdiu thotë se në Kosovë do të respektohet për të gjithë parimi i dyshtetësisë por nuk do të lejohet në asnjë mënyrë që ky parim të përdoret për të krijuar struktura që de-legjitimojnë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Duke folur për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë më 11 maj, Sejdiu thotë se parimi i dyshtetësisë nuk lejon që Kosova të jetë bazë apo zonë elektorale për askënd pos për vetveten.
“Se a do të kenë qasje qytetarët serbë që të votojnë për të preferuarit e tyre që të jenë strukturë e ndërtimit të pushtetit në Serbi, është diçka tjetër, në kuptimin e respektimit të parimit të dyshtetësisë, por jo si bazë elektorale, jo si strukturë që do të shërbejë për ndërtimin e institucioneve serbe në Kosovë, absolutisht jo”, tha Sejdiu.
Më tutje kryetari Sejdiu përcolli mesazhin te serbët e Kosovës që ta njohin Kosovën si shtet sovran e të pavarur dhe të punojnë për të.
Ndryshe nga ky mesazh, ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samargjiq, u përcolli sot serbëve të Kosovës një mesazh tjetër. “Të gjithë ata që kanë punuar në institucionet e përkohshme, pas 17 shkurtit duhet t’i lëshojnë ato ndërsa ne do të jemi të obliguar ti financojmë njerëzit” thotë Samargjigj.
Gjatë qëndrimit në Priluzhje, Lapna Sellë dhe Artanë, nën sigurimin e pjesëtarëve të KFOR-it dhe policisë së UNMIK-ut, Samarxhiq tha se edhe në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, më 11 maj do të organizohen zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale. Ndërkohë vetë ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac ka deklaruar se ngjarjet e fundit që ndodhën në Beograd dhe në Kosovë nuk ishin të rastësishme por të koordinuara dhe udhëhequra nga Beogradi, si dhe në marrëveshje mes Samarxhiqit dhe Koshtunicës. \"Është e qartë se Samarxhiqi zbaton pjesën e madhe të aktiviteteve pa dijen e qeverisë, por në koordinim me kryeministrin teknik - Koshtunicën\", është shprehur Shutanovac për gazetën \"Blic\". (Xhevat Sopi)
mbrapa 31 mars 2008 - 16:02:46
Krijoni Kontakt