Zbulimi i mozaikut të periudhës pale okristiane pas monumentit të Aqif Pashë Elbasanit, fare afër rrapit të Bezistanit në Elbasan dhe pranë kalasë së qytetit, vjeshtën e kaluar u cilësua si zbulimi i vitit prej arkeologëve. Pas muajve të dimrit, arkeologët po presin momentin e duhur t'u rikthehen gërmimeve në qendër të qytetit. Arkeologu Ylli Cerova thotë se do të rikthehen shumë shpejt në të fshehtat e tjera që rezervon e gjithë bazilika. "Në këtë moment, ne kemi çuar projektin për aprovim në Institutin e Arkeologjisë dhe presim aprovimin e njëkohësisht edhe mbështetjen financiare nga ky institut, sikundër edhe nga Qendra e Studimeve Albanologjike. Konkretisht kemi marrë kontakt me drejtoreshën e këtij instituti, Prof.dr. Shpresa Gjongecajn".
Cerova thotë se projekti parashikon fillimisht heqjen e pjesës së sipërme të betonit në të gjithë territorin ku shtrihet bazilika paleokristiane e pas kësaj, ekipi i punës nga Instituti i Arkeologjisë do të fillojë gërmimin arkeologjik. Specialistët po presin momentin më optimal sa i takon kushteve atmosferike, pra një mot pa lagështirë. Cerova thotë se njëkohësisht, specialistët po përpiqen të krijojnë një ekip me specialistë të huaj dhe konkretisht nga ICOMOS, për problemet e afreskut dhe mozaikut. "Duhet të jemi tepër të kujdesshëm edhe për mozaikun dhe afreskun e kësaj bazilike. Për këtë arsye, ne kemi bashkëpunimin e ngushtë me specialistë të Institutit të Monumenteve Tiranë", - sqaron Cerova.
Bazilika
Sipas specialistëve, bazilika paleokristiane ku u zbulua mozaiku, duke u mbështetur në materialin arkeologjik mendohet se është ndërtuar në fund të shekullit të V-të pas Krishtit. Sondazhi arkeologjik i organizuar vitin e kaluar, nxori në pah faktin se muratura e bazilikës ruhet në lartësi dhe njëkohësisht fasadat e brendshme të tyre janë të zbukuruara me afreske dhe motive gjeometrike. Mozaiku i zbuluar paraqet skenën e Eukaristisë dhe është një realizim në një nivel të lartë artistik. Arkeologu Cerova thotë se "gërmimet e këtij viti fillimisht do të përqendrohen në zbulimin e apsidës së bazilikës dhe të transeptit të saj".
Zbulimi
Ka qenë një dokument muzeal, nga ku ka nisur puna për kërkimin e mozaikut. Kreshnik Belegu, drejtori i Trashëgimisë, i cili është edhe iniciatori i këtij zbulimi, tha në kohën e zbulimit se kishte shumë vite që e kishte parë dokumentin në arkivin e muzeut të qytetit. Aty flitej për fragmente të një mozaiku të dëmtuar që kishte dale nën rrënojat e një dyqani të një tregtari elbasanas në vitet 32 e bashkë me të edhe një tjetër dokument për një varr të zbuluar. Por edhe pse e kishte përmendur disa herë Belegu nuk kishte marrë vëmendjen e duhur. Kësaj radhe ka qenë mbështetja e madhe e kryetarit të bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini si dhe përkrahja e arkeologut Ylli Cerova ajo që çoi drejt zbulimit të madh. Pak javë pas sezonit të parë të gërmimeve Belegu deklaroi se "kemi gjetur një mozaik mjaft interesant të periudhës paleokristiane që ka edhe figura të dy njerëzve të ruajtur relativisht mire, një afresk që duket se për arkeologët dhe specialistët mbart vlera të veçanta, dy varre fëmijësh që mendohen të jenë të shek të V-të të erës sonë, që i përkasin bazilikës dhe një sërë elementesh arkitekturore si kapitele, bazamente dhe stele varri që mbart mbishkrim latin.
Një park
arkeologjik
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini është shprehur se do ta mbështesë zbulimin përfundimtar të kësaj bazilike. Për të ky zbulim ka interes të jashtëzakonshëm edhe për faktin se po sjell turistë. Në projektet e tij është ndërtimi i një strategjie të tërë për turizmin. Me sa duket, ideja e specialisteve Cerova e Belegu, për ta futur këtë zonë në parqet arkeologjike ka gjetur përkrahjen bashkiakut Sejdini, i cili po kërkon edhe mbështetjen e institucioneve përkatëse të Arkeologjisë dhe Monumenteve do të bëjë të mundur që qendra e Elbasanit të futet në zonat me prioritet të turizmit kulturor. Arkeologu Cerova shprehet mjaft optimist për vlerësimin e Elbasanit dhe të kësaj zone si park arkeologjik. "Zbulimi i plotë i bazilikës na jep mundësinë të bëjmë një studim të plotë gjeofizik të gjithë territorit të ish-pazarit të vjetër të Elbasanit, i cili për mendimin tonë përfaqëson një lagje romako-bizantine të qytetit të lashtë të Skampis. Zbulimet e mëtejshme mendojmë se do të realizojmë një park arkeologjik të qendrës së qytetit të Elbasanit, i cili do ti japë një impuls zhvillimit kulturor turistik të këtij qyteti të lashtë", - përfundon Cerova
bw
Krijoni Kontakt